Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | KAPJA E MAÇOKUT PRINC

KAPJA E MAÇOKUT PRINC

Font size: Decrease font Enlarge font
image ILIAZ BOBAJ

ILIAZ  BOBAJ

 

KAPJA E MAÇOKUT PRINC

    -Tregim satirik-

 

Në shtëpinë tonë trokiti një grua:

- Ju lutem, mos ka ardhur Princi tek ju ?- më pyeti, sapo hapa portën dhe u ndodha ballëpërballë me të.

E vëzhgova me kujdes, për të parë nëse kisha të bëj me një njeri normal, apo me ndonjë të sëmurë psikik.

- Me sa di, në shtëpinë tonë nuk ka ardhur as ndonjë Princ e as ndonjë Princeshë,- i thashë paksa i hutuar,por edhe me një ton të lehtë ironie ndaj pyetjes së saj të çuditshme.

- Oh, më falni ! Nuk iu sqarova si duhej. Princi është maçoku im. Është larguar prej meje parmbrëmë dhe nuk po e gjej asgjëkund. Fqinjët e kanë parë në kopshtin tuaj pas shtëpisë.

- Ju ku banoni ?

- Tri shtëpi në të djathtë. Ose më mirë banoj tek ime motër përkohësisht. Kam ardhur nga fshati para dy ditësh, për të vizituar Princin tek veterineri. Në fshat nuk kemi veteriner. Këtu fillon edhe odiseja ime. Në çastin kur po bëhesha gati për të shkuar tek veterineri, Princi im pa një mace, më rrëshqiti nga duart dhe u hodh në kopshtin fqinj.

Ah, jam tepër e shqetësuar për të ! Kam dy ditë që nuk më zë gjumi. Kam lënë fëmijtë vetëm, por nuk mund të kthehem pa gjetur Princin tim.

Mund të më lejoni të shoh në kopshtin tuaj, se mos ndodhet aty ?

Është urgjent, ju lutem ! Ah, Princi im !

- Natyrisht që mund të shihni,- i thashë dhe e ftova të më ndiqte pas nëpër koridorin e gjatë, që të nxjerr në ballkon e prej andej në kopshtin tonë të bukur të passhtëpisë.

- Oh, qenkeni një zotëri i vërtetë ! Nuk di si t’iu falënderoj për këtë mirësi ! Vetëm njerëzit që i duan kafshët, kanë mirësinë tuaj !

Dolëm së bashku në kopësht. Filluam një kontroll të imët, në kërkim të Princit. 

Princin nuk e gjetëm, por nuk hasëm as në ndonjë gjurmë të tij.  

Atëhere e zonja e Princit filloi të thërriste me ca shprehje të dhimbshme:

- Ku je, Princi im ? Dil,të lutem ! Ah, Princi im i dashur ! Nuk e dua jetën pa ty !

Dy pika loti iu varën nga sytë dhe i rrëshqitën nëpër faqe si dy pika vese mbi gjeth.

Nga thirrjet e saj u zgjua ime shoqe, e cila sapo ishte kthyer nga puna dhe ishte shtrirë për t’u shlodhur, pasi pasdite do të shkonte sërish në punë.

- Ç’kërkoni aty ?- pyeti e habitur, kur më pa duke kontrolluar kopshtin së bashku me një grua të panjohur.

- Princin.

- Cilin Princ ?

- Princin e kësaj zonjës. Është larguar parmbrëmë dhe nuk jep shenja jete.

Ime shoqe mblodhi buzët dhe ngriti supet, duke na dhënë të nënkuptonim se nuk kuptonte gjë prej gjëje nga ato që i thashë.

Në atë çast më erdhi në ndihmë zonja e sapoardhur në shtëpinë tonë.

- Është maçoku im, zonjë. Kam të dhëna se është parë në kopshtin tuaj.

Në kërkim të maçokut të humbur u fut edhe ime shoqe. Paspak erdhi edhe ime bijë nga shkolla. U bashkua edhe ajo me grupin tonë kërkimor.

- Ç’kërkoni aty ?- pyeti paspak im bir, i sapokthyer edhe ai nga shkolla. E sqaruam.

Për fat, edhe ai iu bashku grupit tonë. Zonja në krye, unë pas zonjës, ime shoqe pas meje, ime bijë pas sime shoqeje, im bir pas sime bije, e zumë kopshtin në formë krehri.

Tani Princi nuk na shpëtonte dot.

Pas dy orë kërkimesh, Princin nuk e gjetëm.

- Nëse e shohim, do t’iu lajmërojmë,- i thashë unë, duke i lënë të kuptonte se kishte ardhur ora t’u jipnim fund kërkimeve.

- Oh, nuk di si t’iu falënderoj ! E shoh që kam rënë në një familje që i do kafshët dhe ndjehem tepër e emocionuar. Ky është telefoni im celular,- më tha dhe më dha numrin e telefonit të saj, të cilin e kishte përgatitur me kohë. Na përshëndeti dhe iku.

Paspak dera trokiti përsëri.

Para saj ndodhej një njeri me uniformë. Me skafandër në kokë.

- Jam nëpunësi i zjarrfikëses së qytetit. Sipas njoftimeve të sakta që kemi, në kopshtin tuaj është parë maçoku i humbur Princ. Na duhet të kontrollojmë në kopësht. Nëse doni lejen e organeve kompetente, e kemi edhe atë.

- Jo, nuk ka nevojë për leje. Mund të kontrolloni,- i thashë, duke e ftuar drejt koridorit.

- Ejani !- u tha, duke ua bërë me dorë dy punonjësve të tjerë, të cilët rrinin në një makinë zjarrfikëse në anën tjetër të rrugës. Erdhën edhe ata. Të veshur me uniformat e tyre, me çizme dhe me skafandra në kokë, për çdo të papritur. Në duar mbanin ca shkopinj të gjatë, që ngjanin me ushtat e luftëtarëve të lashtë. Në dorë kishin edhe nga një llampë.

Vura re se kontrolli i tyre ndryshonte kryekëput prej kontrollit tonë. Përgjegjësi i tyre, fillimisht studioi situatën e kopshtit, u dha vartësve të vet të gjitha mundësitë e fshehjes së Princit dhe mënyrën se si do të kapej. Kërkimet vazhduan plot dy orë e gjysmë. Por Princin nuk e gjetën as zjarrfikësit.

- Nëse e shihni, na lajmëroni menjëherë !- më dha urdhër përgjegjësi i grupit të zjarrfikësve dhe u largua së bashku me dy të tjerët.

Ora kishte shkuar nëntë e gjysmë.

Trokiti sërish dera.

Para meje qëndronte një burrë mesatar, aty rreth të dyzetepestave.

- Jam kryetari i shoqatës për mbrojtjen e kafshëve të qytetit. Sipas të dhënave që kemi prej pronares së tij, në kopshtin tuaj fshihet maçoku Princ, i cili ka humbur para dy ditësh.

- Erdhën kontrolluan së bashku me ne, por nuk gjetën gjë,- i thashë shkurt.

- Jam në dijeni për gjithshka,- ma ktheu,- por desha t’iu bëj të ditur se jeni përgjegjës për jetën e tij për sa kohë ai ndodhet në kopshtin tuaj.

- Askush nuk e di se ku ndodhet saktësisht,- ia ktheva ftohtë.

- Mos i merrni kaq lehtë këto punë !- më këshilloi. - Duhet të jeni në gatishmëri të plotë për gjithshka dhe nuk duhet të largoheni asnjë hap nga shtëpia, derisa të gjendet maçoku Princ! Vëzhgoni me kujdes kopshtin dha na njoftoni për çdo lëvizje të tij !- më tha prerë dhe u largua.

U ula në kanape dhe hapa televizorin në stacionin e qytetit,për të ndjekur lajmet e mbrëmjes. Lajmi i humbjes së maçokut Princ, ishte ndër lajmet kryesorë të emisionit të mbrëmjes. E zonja e tij, me lotë në sy, bënte thirrje për gjetjen e tij. Pas saj foli edhe kryetari i shoqatës për mbrojtjen e kafshëve. Ishte më i pikëlluar se e zonja e Princit.

Ai foli gjatë për punën e madhe që bënte shoqata e tij për mbrojtjen e kafshëve.

Të nesërmen në mëngjez hapa derën dhe u nisa për punë. Pas meje nxitonte një burrë.

- Zotëri, më falni ! Jam kryetari i shoqatës për mbrojtjen e mjedisit. Nuk ndodhesha këtu dhe kam udhëtuar gjithë natën për të mbrritur sa më parë. Në kopshtin tuaj strehohet maçoku Princ, larguar nga pronarja para dy ditësh.

- Kontrolluan të gjithë, po nuk e gjetën,- e ndërpreva. - Unë do të shkoj në punë dhe në shtëpi nuk ka njeri.

- Por kopshti juaj duhet mbajtur në vëzhgim të pandërprerë,- këmbënguli i sapoardhuri.

- E po vëzhgojeni me anë të satelitit, atëherë !- i thashë dhe i dhashë gaz makinës. - Ne nuk mund të rrimë gjithë ditën e ditës në shtëpi për të vëzhguar lëvizjet e Princit !

- Ndaj një sjelljeje të tillë ndaj kafshëve, jemi të detyruar të njoftojmë organet kompetente, pasi gjatë kësaj kohe Princit mund t’i ndodhë ndonjë fatkeqësi,- më sqaroi tjetri.

Bëra sikur nuk e dëgjova dhe vazhdova rrugën.  

Sapo mbërrita në punë, më thirri drejtori.

- Na lajmëroi policia se duhet të ndodheni në shtëpi,- më sqaroi.- Është e vetmja zgjidhje,- më tha, duke më parë drejt e në sy.

U detyrova të kthehesha në shtëpi. Pronarja e Princit më priste tek porta.

- Mirëmëngjes !- më përshëndeti sapo u afrova. - Mos kini ndonjë lajm të ri për Princin 

tim ? 

- Nuk ka as lajm të ri dhe as lajm të vjetër.

Ndërkaq mbërritën njeri pas tjetrit tre zjarrfikësit, të veshur me të gjitha pajimet e tyre profesionale, përgjegjësi i shoqatës për mbrojtjen e kafshëve, i përforcuar me dy femra dhe ai i shoqatës për mbrojtjen e mjedisit. Këtë herë plani i kapjes së maçokut Princ, ishte më i detajuar. Atë ua sqaroi fill e për pe vet përgjegjësi i grupit zjarrfikës.

Pas tri orë kërkimesh në çdo skutë të kopshtit, u larguan.Ah, Princ, Princ !

Pasdite mendova të pija kafe me ndonjë shok, më tepër për t’iu larguar mjedisit të krijuar.

U ktheva në shtëpi aty rreth orës tetë e gjysmë të mbrëmjes. Çudia më priste në kopsht.

I gjithë grupi kërkimor i ishte përveshur kopshtit. Kishin vënë edhe dy llampa të mëdha, një në çdo anë, të cilat e bënin kopshtin dritë.I vështrova i habitur.

- Mirëseerdhët, zotëri !- më përshëndeti kryetari i shoqatës për mbrojtjen e kafshëve. - Jini një familje që meritoni nderimin tonë. Ju lumtë !

- Pse ç’ka ndodhur ?

- Ka ndodhur mrekullia, zotëri. Dhe kjo mrekulli ka ndodhur në kopshtin tuaj. Para dy orësh, falë gatishmërisë së lartë të familjes tuaj, është parë Princi, së bashku me një mace.

Jot shoqe na lajmëroi në çast dhe ne mbërritëm këtu sa hap e mbyll sytë.

E zonja e Princit fluturonte nga gëzimi.

- Ah, zotëri ! Siç e shihni, kërkimet tona po ecin në rrugë të mbarë ! Dhe përplasi duart.

Princin nuk e gjetën, por gjithsesi ekipi u largua tepër entuziast.

                                 *    *   *

Surprizën e fshihte e nesërmja. Kërkuesit e Princit na prisnin tek porta. Sa u futën në kopësht, shqyen sytë. Para nesh rrinte Princi, së bashku me mikeshën e vet.

- Oh, ja ku është Princi im !- thirri e zonja e tij dhe rrahu shuplakat, si një fëmijë që mrekullohet pas pëllumbave.

Këtë herë plani i kapjes së tij ishte më konkret. Përgjegjësi i grupit të zjarrfikësve, tregoi të gjitha aftësitë e tij profesionale, duke detajuar gjithshka deri në imtësi. Në çastin kur po jipte detyrat e secilit pjestar të grupit, ra një zile celulari. Ishte e përgjegjësit të grupit zjarrfikës.

Ai u bëri shenjë të tjerëve që të mos lëviznin nga vendi. Të tjerët ngrinë në vend si statuja.

- Nuk mund të vijmë urgjent,- i tha bashkëbiseduesit. - Kemi tri ditë e tri netë që jemi vënë në kërkim të Princit dhe tani e  kemi kaq pranë.

E kuptoj që ka rënë zjarr dhe rrezikohen njerëz, por edhe ne rrezikohemi të mbetemi duarbosh, nëse e braktisim pikërisht në këtë çast. Sa ta shtijmë në dorë, do të vijmë menjëherë.

Dha sinjal me dorë dhe grupi vazhdoi përpara. Kaluan edhe dy orë të tjera. Me gjithë profesionalizmin e lartë të grupit zjarrfikës, Princi nuk po kapej.

Atëhere përgjegjësi dha urdhër që grupi të pushonte disa çaste.

- Kafsha duhet parë edhe nga ana psikologjike,- tha ai. - Në këto çaste Princi ndodhet në shpërthimet e tij erotike. Një gjendje e tillë, sjell shpërqëndrim në sistemin e tij nervor. Le ta studiojmë me kujdes gjendjen e tij, para se të ndërmarrim hapin vendimtar ! Dhe nisi ta vëzhgonte me kujdes.

Ndërkohë, ime bijë, solli një dorë ushqimi të konservuar për mace dhe iu afrua Princit.

Princi i shkoi drejt e në duar.

Shpërthyen duartrokitjet.

E zonja e Princit, pasi e puthi me duf dhe mall të patreguar në çdo pjesë të trupit të tij, qau me ngashërim. Na falënderoi të gjithëve me lotë gëzimi në sy.

- Oh, jam njeriu më i lumtur në botë !- thirri e emocionuar, duke shtrënguar Princin në gjoksin e saj.

Paspak telefonoi në stacionin televiziv të qytetit. Erdhën në çast. Pasi filmuan lajmin ftatum të kapjes së maçokut Princ, na ftuan familjarisht në emisionin javor për mbrojtjen e kafshëve. Vajzës sime i morën intervistë. Intervistuesja e cilësoi:heroina e kapjes së maçokut Princ. Pas saj edhe ne të tjerëve.

Të nesërmen, kryetari i shoqatës për mbrojtjen e kafshëve, së bashku me një anëtare të kryesisë, ia behën tek porta. Pas tyre edhe kamera televizive.

- Përsëri...?!

- Këtë herë kemi ardhur për t’iu dorëzuar diplomën e nderit të shoqatës sonë,- më tha dhe hyri brenda shend e verë. Ishte një diplomë me shkronja të arta, e vendosur në një kornizë të bukur, të shtrenjtë.

Është e vetmja diplomë që ka familja ime.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1