Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | EROS ME KOMSHIEN BRENDA VARRIT

EROS ME KOMSHIEN BRENDA VARRIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vullnet Mato

Vullnet Mato

 

EROS ME KOMSHIEN BRENDA VARRIT 

                                                                                          Tregim

Turi me fytyrë të dreqosur, deri në masën, sa dukej si ndonjë xhind i sapodalë nga thellësitë humnerave të errëta, thirri fqinjën Ami, te hyrja e apartamentit përballë. Ai i ra ziles me ngut e me një tringëllimë të zgjatur, pa e hequr gishtin nga butoni. 

Sapo Ami hapi derën me sy të çakërritur dhe vuri re shkatërrimin në fytyrën e tij, komshiu Turi lëshoi breshërinë e vet fatale:

-Eja merre tët shoq, se paska qenë një fundërrinë e fundërrinave, një maskara i poshtër dhe imoral i paskrupullt!... Unë po shkoj të dorëzohem në polici ! – shpërtheu ai prerazi, me vetulla të ngërthyera nga zemërimi i tejskajshëm dhe iku në çast, duke brambullitur poshtë shkallëve. 

Ami, e shtangur nga kjo e papritur kaq tronditëse, ndjeu një dridhje të fortë në të gjithë gjatësinë e trupit të saj delikat. Ajo vrulloi menjëherë drejt derës përballë dhe hyri krejt pa frymë brenda dhomës së hapur të fqinjës. Por ç’të shihte?... Aty kishte ndodhur një gjëmë e llahtarshme. I shoqi i saj gjendej i vdekur dhe krejt lakuriq përkrah gruas pa jetë të komshiut Turi. Ajo i vëzhgoi një grimë herë të dy kufomat lakuriqe, me sy të shqyer nga habia dhe tërbimi, për të parë gjurmët e përgjakshme të asaj vrasjeje të dyfishtë. Por çuditërisht, asnjëri nuk kishte plagë te koka, apo te gjoksi. Asnjë pikë e kuqe gjaku, as në trupa, as në çarçafët e bardhë... Ishte një krim fare pa gjak, i paparë ndonjë herë, as në filmat horror. Burri i saj dukej sikur flinte, i zhveshur në shtratin e vet bashkëshortor. Por për fatin e zi të Amit, ai flinte gjumin e madh të vdekjes, në shtratin e një gruaje tjetër, të cilën ajo e kishte pasur shoqe të ngushtë... 

Ka një prag fundor, ku dashuria e madhe, kthehet papritmas në një urrejtje të tërbuar, tejet të fuqishme. Dhe ky është çasti kur gjen befas bashkëshortin tënd, në marrëdhënie intime me një tjetër. Ami u xhindos brenda pak sekondave. Një urrejtje gati vjellëse iu mblodh në grykë, aq sa po i pengonte frymëmarrjen.

Ajo u kthye si ndonjë egërsirë e plagosur për vdekje dhe vrapoi te hyrja e saj, duke shtrënguar tëmthat nga një dhimbje e tmerrshme që ia mbërtheu kryet në çast. U shtri në poltron krejt pa vetëdije dhe priti gati si e trullosur, derisa e mori disi veten. Pastaj zgjati dorën te aparati telefonik mbi komodinë dhe u bëri një telefonatë prindërve të saj, që banonin në lagjen e Alliasit, në fundin verior të Tiranës.

Nuk vonoi shumë, te dera e hapur përballë, hyri ekipi i specializuar i ekspertëve të policisë hetimore. Ata kontrolluan gjithçka, i kthyen trupat pa jete nga të gjitha anët dhe në fund dolën me përfundimin që dha mjeku ligjor: Burri kishte vdekur nga një atak kardiak gjatë sforcimit seksual. Ndërsa gruaja ishte goditur në kokë, nga  i shoqi i saj Turi, me tenxheren e trashë të presionit, që gjendej aty pranë. Mjeti rrethanor me të cilën bashkëshorti kishte  kryer krimin, duke i shkaktuar viktimës gjakderdhje të brendshme në tru, ishte prova e vetme e vdekjes së saj. Ai e kishte përdorur atë, në çastet e tronditjes së fortë psikike, pasi kishte ardhur befasisht nga jashtë dhe e kishte gjetur gruan ende në shtrat, teksa përpiqej ta kthente në jetë, për ta nxjerrë nga dera dashnorin e mbaruar...

Pasi u kryen të gjitha formalitetet e zakonshme, Ami, që ziente përbrenda, nga një erupsion gati vullkanik, por krejt e qetë në pamjen e jashtme, porositi arkivolin. Pastaj me ndihmën e banorëve të shkallës, ajo e mbështolli të shoqin me çarçaf dhe e vendosi brenda kutisë me kapak të thjeshtë prej fibre. Po atë ditë, pa kryer asnjë ceremoni mortore, për besëthyerin e kurorës së saj, ajo pagoi shërbimin e funeralit dhe e çoi arkivolin te varrezat e Sharrës. Duke mos lajmëruar askënd, për shoqërimin e zakonshëm te funeralit familjar.  

Pak kohë më pas, po atë ditë, zuri vend aty edhe arkivoli i gruas së Turit, të cilën, ceremonia familjare pa shumë bujë, e vendosi te varri i hapur sipas radhës në varreza, ngjitur dashnorit, me të njëjtin fat fatal. Kështu u duk se u mbyll ajo dramë e fshehtë dashurie midis dy komshinjve, e cila qe kthyer papritmas në një tragjedi të rëndomtë e të heshtur. 

Por motra e gruas së Turit, e mbuluar nga lotët, nuk ndjehej aspak e qetë shpirtërisht. Ajo kishte dëgjuar nga motra e madhe, gjithçka mbi marrëdhëniet që kishte pasur ajo me burrin e Amit, duke e quajtur, si dashuria e vërtetë e jetës së saj. Dhe, si më e vogla, ruante dhe amanetin e saj: “Po të vdes ndonjë ditë, të më varrosesh në një varr me të dashurin tim të zemrës, sepse vetëm atëherë do të jem e qetë në atë botë.”   

Pas dy ditësh, kur varri kishte ende përsipër dheun e freskët, ajo kishte paguar varrmihësit në fshehtësi dhe trupin e burri, të cilin motra e madhe e kishte dashuruar me të gjithë pasionin e vet vdekatar, e kishte çuar të prehej brenda varrit të motrës. Duke i vendosur në një arkivol të përbashkët, përkrah njëri-tjetrit, siç ishin në shtrat dashurie, ku gjeten vdekjen. Ndërsa në arkivolin bosh të burrit të Amit, sipas mendimit të varrmihësve, u la vetëm një pusullë, që gjithsesi të dihej më vonë vendndodhja e trupit të të vdekurit që mungonte aty.  

Kishin kaluar pak ditë dhe ëma e Amit, si besimtare fanatike, e qortoi të bijën e rrëmbyer, nga pabesia e të shoqit:

-Bëre gabim të madh, moj bija ime, qe e varrose tët shoq të mbështjellë vetëm me çarçaf. Është gjynah i madh nga Zoti, të mos e veshësh me kostum, si të gjithë burrat e vdekur...

Ami kërceu përpjetë:

-Ai nuk ishte si burrat e tjerë, moj mama, ai ishte burrë muti, që më nxiu faqen e më shkatërroi jetën...

-Po ama, do s’do ti, ai është i ati i vajzës tënde të vogël...

-Vajzën e la pa baba, ai faqezi! Kur s’më donte, le të mos martohej me mua e të bënte fëmijë. Zgjedhja për të bashkëjetuar, bëhet vetëm një herë para martesës. Kush nuk di të zgjedhë në atë kohë atë që i duhet, zgjedh pas martesës ose shkatërrimin e familjes, ose vdekjen...

- Epo, ja, allahu e dënoi me goditje në zemër dhe atë tjetrën me goditje në tru, se martesa është e shenjtë, moj bijë. Prandaj me punët e allahut, duhet të kesh kujdes, se të vjen e keqja nga s’ta pret mendja. Por sidomos, larg qoftë, e pëson te fëmija... Pikërisht për këtë ti duhet të bësh adetin...

Ami u trondit shumë, u mendua thellë dhe pastaj tha:

-Do  t’i lutem zotit të ma mëshirojë vajzën...  

-Dëgjomë mua, nuk të kushton gjë të blesh një kostum dhe të shkosh t’ia veshin punëtorët e varrezës... - ia preu fjalën e ëma. 

Ami rrëzëlliti sytë mbi të ëmën, me një mëdyshje të dukshme. 

-Kostumin e martesës e ka fare të ri ai. Po ata varrmihësit duhen paguar shumë, që të hapin prapë varrin...

-Paguaji, se të jap edhe unë ca para nga ato që morëm për kompensimin e pronës.

Më në fund vejania, pa rroba zie në trup, u bind dhe shkoi për të biseduar me dy varrmihësit, të cilët, e bënë të dyshojë, me ngulmimin e tyre, për të mos rihapur varrin. Ami u premtoi se punën e zhvarrosjes, do ta mbante, si të fshehtën e varrit dhe u pagoi në dorë të tërë shumën e majme që kërkuan për ta zhvarrosur fshehtas. 

Pasdite vonë, ata hapën arkivolin, për t’i veshur kostumin të vdekurit. Por për habinë e tejskajshme, që e la gruan vejane krejt pa mend, aty brenda kishte vetëm një letër të zhyer me dhera. Nën dritën e dobët të perëndimit, Ami lexoi shënimin e shkruar keq: ”Jam tek varri i komshies!”...

Si ka mundësi!... tha me vete Ami, aq shumë e mahnitur, sa për pak çaste mendja e saj u shkëput krejt nga realiteti dhe u zhyt padashur në misticizmin ireal të besimit fetar.  

-Maskarai, feministi i qelbur, kurvari i poshtër, as në varr nuk rri rehat! Lakuriq le të mbetet!... - shfryu ajo nëpër dhëmbë dhe rendi e nervozuar te taksia në cep të varrezës, ku e priste e ëma, duke tërhequr zvarrë qeskën e plastmasit me kostumin e tij. 

Varrmihësit e paguar dy herë, qeshën nën hundë mbuluan varrin bosh dhe rrëshqitën përmes rreshtave mortorë. 

Fashat e perëndimit të flakëruar që kishin rënë mbi kryet e varreve, e kishin bërë varrezën të dukej si një djegurishte e madhe me kërcunj të prushëritur.

 

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1