Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | STUDENTJA DENONCON...

STUDENTJA DENONCON...

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vullnet Mato

Vullnet Mato

STUDENTJA DENONCON...

-Tregim-

...Gjatë gjithë javës isha mbyllur e vetme brenda mureve të dhomës, për të përgatitur pyetjet e provimit të fundvitit. Të shtunën në mbrëmje, me trurin shumë të lodhur, vendosa të dal, të argëtohem diku. Shkova në diskon më të afërt, ku kisha qenë dhe herë tjetër. 

            Sapo hyra brenda sallës gjysmë të errët, ku çiftet vallëzonin mes farfuritjes së dritave me ngjyra, dy djem të panjohur më kapën krahët në të dy anët dhe po më tërhiqnin, për të kërcyer e mua. U mundova të shkëputem prej tyre, por ata nuk më lëshonin. Ndërkohë erdhi një djalë i fuqishëm, i cili u dha nga një grusht secilit, duke u shfryrë: “Kjo është e dashura ime, po e prekët dhe një herë, do t’ua thyej turinjtë!”. Ata ikën nga sytë këmbët dhe pashë që dolën nga dera e diskos. 

Djali i fuqishëm, që më çliroi prej tyre, më buzëqeshi ëmbëlsisht dhe më kërkoi falje, që më kishte quajtur të dashurën e tij, për arsye se ndryshe s’kishte s’i t’i hiqte qafe ata dy rrugaçë. I thashë, se nuk kishte problem, mjafton që më kishte shpëtuar prej tyre. Pas kësaj fillova ta shikoj atë si engjëllin tim shpëtimtar. Ai më tha se ata të dy mund të prisnin jashtë, prandaj duhet të më shoqëronte deri në konvikt me makinën e tij. Por më parë kërkoi të pinte një çaj të ftohtë te banaku, sa për t’u freskuar nga vapa. Aty porositi dhe për mua një çaj, sepse nuk pranova pije tjetër. 

Ndërkohë ai më tërhoqi vëmendjen duke më treguar një çift që kërcente halahup. Si duket, në ato çaste diçka hodhi në gotën time, sepse pas pak e ndjeva veten, aq të dehur, sikur kisha pirë një shishe tërë me alkool. Pas pak i thashë se nuk ndjehesha aspak mirë dhe duhet të dilnim patjetër, të më çonte në konvikt, siç më kishte premtuar. 

Dolëm, duke më mbajtur për krahu dhe krejt marrakëmbësh. Ai më uli në vendin përpara dhe ndezi makinën. Ndoshta nga që isha e trullosur, nuk vura re njerëz të tjerë në ndenjësen e pasme. Por pas pak minutash, sytë e turbullt, më zunë edhe ata dy djemtë rrugaçë, duke u zgërdhirë prapa krahëve.  

Pas kësaj më morën të tre në duar dhe më shpunë në hyrjen e një apartamenti të panjohur. Aty më lëshuan në një krevat, ku ndjeva se djaloshi i fuqishëm po më hiqte xhinset me forcë. Desha ta ndaloj, por duart i kisha krejt të mpira. Pasi më bëri krejt lakuriq, ai filloi të më përdhunonte me një egërsi të panjohur prej meje, si vajzë e virgjër në moshën 19 vjeçare. Mbaj mend se iu luta duke belbëzuar me gjuhën e trashur, të mos më merrte në qafë, me atë qëllim që s’e kisha pritur prej tij. Por ai më hipi përsipër dhe vazhdoi të më përdhunonte gati kafshërisht.  Ndjeva dhimbje të tmerrshme sikur po më zbërtheheshin të gjitha kockat. I thashë disa herë të ndalonte, se po me shkallmohej i tërë trupi. Por ai vazhdonte më keq, duke hungëritur mbi trupin tim, si derr i egër...

Por më e keqja më ndodhi, sapo derri i egër u shkëput duke shkumëzuar dhe filluan të më hipin dy derrat e tjerë, me radhë, pasi njëri më mbante shtrënguar krahët e pafuqishëm. Klitha disa herë duke thënë, se do të bërtisja, sa të tundej pallati. Përgjigja ishte se po të bërtisja, do të më vrisnin, të më hidhnin në koshin më të largët të plehrave.

Pasi të tre më shkallmuan trupin e më gjakosën, për rreth dy orë, që m’u dukën dy muaj, më zbritën e më hipën te makina. Më shpunë deri afër konviktit, ku më lëshuan mbi një stol. Nuk kisha fare fuqi të ecja dhe prita gati gjysmë orë në mesnatë, derisa rastësisht, një roje i konviktit, që kishte ndërruar turnin, më mori përkrahësh e më çoi te qendra shëndetësore e studentëve.

Aty mjeku roje lajmëroi policinë dhe filloi të më mjekonte, me një shiringë që më bëri në çast. Pasi erdhi përfaqësuesi i policisë, mjeku dhe infermierja, më bënë  ekspertizën, duke marrë nga gjakosjet e mia, kampionë mbetjesh, për të zbuluar adn-në e shkaktarëve të atij përdhunimi. Kur erdha në vete, u përgjigja pyetjeve për ngjarjen e hidhur që kisha përjetuar. Përfaqësuesi i policisë me tha, se po të shihja ndonjë nga ata tre persona, të merrja menjëherë në telefon numrin që më dha ai.

Dhe e bëra këtë veprim, sapo dallova njërin nga ata dy rrugaçët, para konviktit të studentëve të fizkulturës, duke treguar karakteristikat e tij. Nuk di ç’bëri policia më tej, por unë prita gjithë muajt e pushimeve të verës dhe nuk mora asnjë përgjigje.  

Më pas, tani në vjeshtë, kur fillova vitin e dytë, dëgjova se ata të dy, më thërrisnin parapa krahëve: “Kurvë, prostitutë, namin tënd do ta hapim mes gjithë studentëve po nuk e mbylle gojën!”... 

Qava disa ditë me radhë dhe sot u detyrova të kërkoj ndihmën tuaj, zonja, zëvendës dekane!... 

      *          *       *

(Pas këtij denoncimi të studentes F.K. zëvendës dekania e fakultetit e ndoqi problemin, deri në përjashtimin e dy studentëve dhe arrestimin e kryesorit.) 

 

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1