Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | PYETJA E DJALIT TË VOGËL

PYETJA E DJALIT TË VOGËL

Font size: Decrease font Enlarge font
image FASLLI HALITI Viz. S. Kamberi, Piktor i Popullit

 

Nga ditari  i konvaleshencës sime ideologjike e politike  4 vjeçare në Kooperativën  Bujqësore Fier-Shegan gjatë viteve 1973-1977                                             

PYETJA E DJALIT TË VOGËL

gusht 1974

Dy fëmijtë e mi të vegjël vajza 7 vjeçe dhe djali 5 vjeç, më bënë sot këtë pyetje që unë s’e pata të lehtë t’i përgjigjesha:

-Babi, pyeti djali, pse nuk vijnë më në shtëpinë tonë xhaxhi Halili e xhaxhi Bardhi...?

-Kanë  shumë punë – i gënjeva unë.

-Pse, kur vinin çdo ditë në shtëpinë tonë nuk kishin punë ata?

-Kishin, por jo kaq sa tani.

Djalit  dhe vajzës s’ju mbush mendja. E  kuptuan që unë nuk iu thashë të vërtetën.

Ata e kuptuan se diçka e madhe kishte ndodhur. Kaq. Nuk më pyetën më. Heshtën gjatë katër viteve që unë punova në fshati 12 kilometra larg shtëpisë sonë.

 

***

 

Në të vërtetë dy shokët e mi që s’më ndaheshin nuk vinin më. Bardhi ishte i ri. Ishte nën tutelën e prindërve dhe mua kjo më dukej krejt e natyrëshme, s’më vinte keq. E mirëkuptoja. S’i mbaja mëri.

Halili që ishte më i guximshëm dhe gati një moshë me mua e justifikoi mosardhjen e tij me një arsye të fortë që më bindi plotësisht.

 

***

U takuam një ditë rastësisht me Halilin afër Uzinës së Plastmasit. Unë vija me biçikletë nga Fier-Shegani, ai vente diku. Më ndali. Them më ndali se unë nuk ndalja, nuk takoja njeri. Ky ishte një parim vetjak që unë e vendosa fill pas “dënimit” tim për të punuar e jetuar me fshatarët për të njohur jetën përmes punës në bujqësi. (Sa qesharake, sa inkuizitoreske, duket një gjë e tillë sot), mirë, mirë por atëherë ishte shumë serioze, e rrezikshme, e frikshme, madje.

Rreptësia ishte ngritur në apogje. Egërsia e kishte mprehur briskun si gjuhë neperike guri. Lulëzonin inatet, cmirat, hakmarrjet si asnjëherë tjetër. Një lemeri e vërtetë. Vetja më dukej e rrethuar nga informatorët, provokatorët, cmirëzinj, bashkëpunëtorët ose më troç, vetja më dukej i rrethuar nga spiunët e Degës. Më kujtohej shpesh thënia e Hygoit për spiunët dhe smirëzinjtë, sidomos përcaktimi i tij i tehtë se “spiuni është si qeni e ndjek gjahun për tjetrin, cmirëziu është si macja e ndjek prehën për vete”. Nuk ia thosha askujt këtë shprehje të Hugoit, sidomos interpretimin tim se si spiuni si cmireziu ishin veshi dhe syri i Partisë s’ia thosha as nënës në sy të fëmijëve, përveçse e mërmërisja me veten time gjatë prashitjes, hapjes së v ijave kulluese apo gjatë udhëtimit me biçikletë në erë e në shi ose në këmbë.

 

***

 

-Po kthehesh? – më pyeti tregimtari H.

-Po – i them.

-Lodhesh?

-Jo edhe aq.

-Si e ndjen veten në kooperativë?

- Shumë mirë!

-Shumë mirë, mos thuaj ti – më thotë tregimtari H. s’e honepste shtirjen, - thuaj më mirë se më gjeti dhe do ta heq.

H. qeshi… I erdhi keq me tkurrjen time.

Më pa mirë nga koka gjer te këmbët. Më pa këmishën me jakë të grisur... Më tha:

-Dëgjo. Mbaje veten më mirë. Mos ua bëj qejfin atyre mutërve që s’na duan.

Kjo vërejtje m’u duk e drejtë, shoqërore, intime, dashamirëse. Mirë e kishte. Pse  të më shikonin ashtu të grisur e të përbaltur Muratrat, Hasanrat, Spirot, Gazmenërat...

-Nejse, po si ia kalon, - më pyet H.

-Mirë, shumë mirë...

Kjo shprehje më ishte bërë steriotipe që kur përgjegjësi i sektorit të drithërave më pyeti si po ia kalon këtu në kooperativë, ndihesh mirë, mirë je dhe unë iu përgjigja, shumë mirë shoku përgjegjës. Kështu si m’u përgjigje mua kështu t’i përgjigjesh gjitkujt këtu dhe përherë…

E vura vëth në vesh këshillën e tij prej urtani. Kuptova se duhej të tregohesha i kënaqur, para kujtdo. Duhej të isha optimist dhe unë ashtu tregohesha. Kjo ishte gjendje krejt artificiale. Në të vërtet unë ndjeja kalbëzim në vetvete. I ngjaja një trungu që është ngrënë përbrenda. Megjithatë kujtdo i thosha jam shumë mirë.

-Po si ia kalon tani – më pyeti shoku im H.

-Ja kështu i vetmuar. Më janë larguar të gjithë shokët.

-Të janë larguar shokë që të duan dhe të janë afruar spiunët, më thotë H.

Ai deshi të fliste më gjatë, por iku duke thënë:

-Nejse. Do të bisedojmë ndonjëherë tjetër.

Me të vërtetë mua po më vinin në shtëpi ca njerëz me zellin më të madh për të më “ngushulluar”. Më i rrezikshmi ishte V., spiun i deklaruar i Degës së Brendshme i cili kishte dalë disa herë dëshmitar kundër personave të cilëve u kishte shkuar në shtëpi. E pranova V. një herë, dy herë. Pastaj i mbylla derën. Më vonë, kur do të punoja, 6 vjet me të në sektorin e Dekorit do ta quaja me zë të lartë: V baraz paturpësi, hile pabesi, baraz Qeni D... Në atë kohë dyshoja mbase fare pa të drejtë edhe për një njeriun tim. Isha shumë i kujdesshëm me të. I  ruhesha  e kuptoja se po e teproja me dysimet e mia me vend e pavend për njerëzit...

***

U takova përsëri me tregimtarin H. në kinema. Ishte  një takim krejt i rastësishëm, ai ishte me të shoqen dhe unë me gruan time. Shfaqej filmi “Të mjerët”. Si për çudi, biletat na kishin qëlluar pranë. Të ishte kjo një rastësi?

E përshëndes H. me të shoqen. Më përgjigjet i rezervuar. Diçkaje i ruhej. Më thotë:

-S’duhet të na shihnin bashkë,

-E pse? – i them.

-Ta tregoj më vonë. S’duhet të na shohin bashkë.

 

***

Kur u ktheva nga fshati shoku im H. ma tregoi arsyen pse nuk takohej e pse s’vinte më tek unë as aid he as pet ii ri Brdhi.

-Më thirrën në Degë, më tha. Më pyetën se ç’flisje ti për kooperativën, pagesën, bunkierët. U thashë se unë s’flas me të. Prandaj u shqetësova atëherë në kinema. Më thanë të të haja grurin. Me një fjalë të të spiunoja.

Unë qesha.

-Pse qesh? – më thotë H.

-Qesh se më duket si çudi. Po vërtetohet ajo që kishim dëgjuar.

-Çfarë ?

-Atë, pra, që të fusin shokun më të afërt. Bile edhe nipin...

-Akoma ti – më thotë H.

-Çudi!

-Natyrisht që unë ua dhashë rrugën. U thashë se unë nuk flas fare me Faslliun etj.etj.

Pastaj H. më porositi:

-Veç mos bëj gabim t’ia thuash njeriu këtë që të thashë, se janë hakmarrës këta.

Unë ia tregova tregova nënës, vëllait dhe piktorit SK. mikut të shtëpisë.

Vëllai pasi më dëgjoi më tha:

-Mbase H. Justifikohet që s’të ka ndenjur pranë.

Kurse piktori S. më tha të kundërtën:

Besoji shokut tend H. Atë paske shokun më besnik.

 

   ***

   E pra mund t’ua thosha unë vajzës dhe djalit të vogël të gjitha këto, kur më bënë atë pyetjen engjëllore:

-Babi, pse nuk vijnë më xhaxhi Halili me xhaxhi Bardhin në shtëpinë tone?

 

Ç’të vinin?

Unë konsiderohesha si Hamit Matjani. Të gjithë më shmangeshin.

Ç’kohë ish ajo, ç’kohë ish...!

 

1974-2015

 

Comments (1 posted):

faruk myrtaj on 13/07/2018 10:49:37
avatar
Lexohen aq kollajshem keto rrefime ne vete te pare, aq me shume prej nje pene te argasur me trishtimin e vet.
Por nuk jane aq lehte te jetueshme dhe rrefimtari, sado rralle, i leshon ca iniciale si per te na kujtuar se mbase me lehte e kane pasur femijet e tij te pyesnin se Faslliu te pergjigjej ato kohe...
Keto po, keto ishin dite te nedha vetmie, edhe pse vetmia e madhe e shqiptareve sapo ka nisur te rrefehet...

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1