Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | KULLAT E UNITETIT:

KULLAT E UNITETIT:

Font size: Decrease font Enlarge font
image FASLLI HALITI

KULLAT E UNITETIT: 

- Mbresa dhe shënime nga puna për zhdukjen e pasojave të tërmetit – dhjetor 1982

     nga FASLLI HALITI

 

TËRMETI I PARË

            Ishim në fushën e Labotit atë kohë. Disa po luanin nëntsh. Të tjerët shihnin. Një lëkundje, një dridhje toke. Lëkundja ishte e egër. Dukej sikur toka ishte inatosur. Ky inat vinte nga fundi i dheut... 

- Tërmet, - tha xha Kadriu.
- Ulu në gjunjë, - thirri xha Rakipi.
Ishte tërmeti i parë që ndieja. Fusha e Labotit buzë Kënetës së Tërbufit u lëkund atë ditë si një dërrasë vigane mbi ujë.

Nuk e harrova për një kohë të gjatë egërsinë e atij tërmeti. Më mbetën në kujtesë rrënimet që la prapa.
            - Po ti, pse nuk u ule? – më tha xha Rakipi atëherë.
            - Pse? – i thashë unë.
            - Nuk e di ti? Ai që bie dhe vritet gjatë tërmetit, nuk shërohet kurrë. 
            Atëherë unë u frikësova. Më vonë e kuptova se kjo nuk ishte veçse një bestytni, një thirrje për t’u përgjunjur, për t’u përulur para forcave të natyrës.
            Edhe një gjë tjetër kuptova më vonë. Ato që binin nga tërmeti e nuk shëroheshin kurrë, ishin shtëpitë e shembura, të shkatëruara.  E kush t’i shëronte. Qeveria? Ajo ishte e bejlerëve. Populli nuk e kishte akoma qeverinë e tij.
            Atë vit të dëmtuarit u strehuan për një kohë të gjatë në mullarët e kashtës gjersa erdhi pranvera.
            - Domethënë, ky vit do të jetë i mbarë, - tha xha Kadriu.
            - I mbarë, - tha xha Rakipi, - me bereqet.
            - Kështu ka ndodhur. Pas tërmetit, ka gjithmonë mbarësi, bereqet, - tha xha Toli. 
            Fshatarët i frikësoheshin tërmetit. Ndaj e merrnin atë me të mirë.
            - Një qime luajti kau dhe bëri hatanë, pa le të kishte luajtur kokën, ujët e zi do të kishte dalë; - tha xha Kadriu.
            - Cili ka? – pyeta unë, i vogli.
            - Kau që mban tokën mbi kurriz.
            Që atëherë unë e perfytyroja tërmetin si një ka të zi të tërbuar. 
            Sa herë që Kazili ynë dridhte lëkurën për të trembur mizat, mua më dikej sikur ai shkaktonte tërmet. Kur Kazili i binte mullarit me kokë dhe mullari lëkundej, mua prapë më dukej sikur binte tërmet.
            Përfytyrimet naive, fëmijërore. Më vonë mësova plot gjëra për tërmetet. Dhe, akoma më vonë, mësova edhe se si mposhteshin ata. Këto i mësova në Dibër, Shkodër, Lezhë... Dhe ja tani këtu në Kolonjë, Bubullimë, kur në nëntor të këtij viti ra tërmeti i fundit. 

NË KOLONJË

Një copë suvaje gërvishti një shokun tonë. Filluam ta mjekonim. Brigadat antitërmetase filluan të “mjekonin” të çarat e mureve... Kur erdhën? Kur filluan? Kur?... Kjo ishte habia e një plaku.
            Brigadat aksioniste vazhdonin të vinin. Ato vinin me këngë.
            Një parullë me beze të kuqe valëvitet nga erra:
            “Tërmete bien, Shqipëria rinohet”.
            - Ju?
            - Antitërmetas nga Tirana?
            - Po, ju?
            - Nga Librazhdi!
            Dhe pastaj nga Puka, nga Pogradeci , nga Gramshi...
            Përballë fatkeqësise, uniteti popullor.
            - Ju lumshin krahët, ju lumshin !
            - Ju faleminderit.
            - Ej, ju të llaçit, llaç
            - Ju jeni brigadier Xhemal Dorëziut?
            - Po, për pallatet që ngrihen këtu. Po s’ngrihen vetëm në Kolonjë.
            Edhe në Bubullimë. Të dëmtuarit nuk deshtë ta linin fshatin e tyre dhe pallatet për to po ngrihen atje.      

   - Brigadier Xhemali, ku ta shkarkojmë çimenton?
            - Te pallati i dytë!
            - Pallati i parë po ecën mirë. Është ngritur goxha. Edhe i dyti mirë.
            - Po dy të tjerët më ngadalë?
            - Na penguan në fillim themelet. Nuk mbanin. I thelluam. I bëmë më të gjerë. Po do të ecin. Eja pas dy ditësh...
            Piktori Jerasimo Ruci bën një peisazh të kompozuar. Skulptori Maksim Bushi vizaton portretin e brigadierit. Brigadier Xhemali është tip dinamik, por para vizatuesit rri si i ngrirë.
            - Ej, piktor, na e bëre allçi brigadierin, - qesh dikush.
            - Piktor, po e vonove dhe ca brigadier Xhemalin,  do të mbetet i fundit në tabelën e emulacionit, - e ngacmon një murator që luan në estradën amatore të ndërmarrjes.
            Të qeshura përsëri. Portreti mbaron.

- Shofer, tullat shkarkoi këtu!
- Pse, ore, vetëm ju doni tulla të kuqe?
- Tullat e kuqe i lakmojnë të gjithë, - thotë brigadieri. Kullojnë më shpejt. Kurse tullat e bardha nuk kullojnë kollaj. Të pengojnë. Sidomos në suvatim. Po unë i ndaj drejt. U jap të gjithëve njëlloj. 
- Po ata të rinjtë atje?
- Janë nxënësit e shkollës së ndërtimit. Janë vajza dhe djem të mrekullueshëm. Punojnë. E duan profesionin. Janë të disiplinuar, të edukuar...
- Të lumshin krahët, Abdurrahim !
- Ju faleminderit! Ku ma ditkeni emrin?
- Për punëtorët e mirë interesohen të gjithë, -ia kthen dikush.
- Të mirë janë të gjithë këtu. I mirë është Durim Lame, Eduard Kalemi... Të mira janë Vjollca Kuka, Diana Dinaj. Të gjithë janë punëtorë, djersijnë. 
Pastaj shaka midis të rinjve:
- Kjo është Silvana Carkanji. Mban një tullë më shumë se të tjerët që të mos e marrë era.
- Kurse Dulla mban një shok mbrapa që të mbushë gropat që lë, si peshë e rëndë që është.
- Kurse ky është Eduardi, nxënës, punëtor, aktor dhe poet. Shkroi një poezi për tërmetin. 
Brigadieri kontrollon punën. 
- Punojnë me cilësim -thotë. – Janë vajza dhe djem me ndërgjegje dhe me dituri.
“Vini re, vini re. Këtu qendra e zërit. Grupi artistik i naftëtarëve do të japë një koncert për ju aksionistët”.
Muzika ngre ritmin në punë. Ata të llaçit ecin më shpejt; duart i radhisnin më shpejt tullat. 
- Ej, ju të llaçit, llaç!...
Themelet lartësohen. Djersa bie në themele si një “flijim” i ndershëm.

NË BUBULLIMË

Fshatarët i digjte malli përfshatin e tyre dhe Pushteti po ngre këtu banesa të reja.
            Punën e drejton brigadieri Bashkim Duro. 
            - Kur do t’i mbaroni?
            Më 15 dhjetor.
            - Si shpejt! – hidhet dikush.
- Dëgjo këtu. Një gjë të them unë: e shikon atë ustanë atje? Një të marrë zjarr ai dhe dy mijë tulla radhit. Kështu dhe shokët e tij nga Tirana dhe Dushku. Qemal Gjola, Rakip Nallçia, Hajdar Alla, Gani Vrano, Ali Bala, Mylim Boci, Viktor Nasi, Agron Xhindoli, Afrim Sefa etj.., askush nuk i përton punës këtu. 
- Ej, ju të tullave, tulla!..
Piktori freskon qendrën e emulacionit. Afishon rezultatet e meremetimeve. Atyre po u vjen fundi. Parulla me beze të kuqe valviten edhe këtu mes plepave.
“Tërmete bien, Shqipëria rinohet”.
- Po sikur të bjerë shi këto ditë?
- Le të bjerë.
- Nuk ju pengon? 
- Hm, - mërmëriti brigadieri. – Do ta mundim edhe atë.
Dhe është i kuptueshëm nënteksti i tij. Kooperativistët do ta kalojnë gëzueshëm Vitin e Ri në këto banesa të reja, që janë dhuratë e Pushtetit popullor. Dhe këto pallate na vjen t’i krahasojmë me kulla të reja të unitetit tonë.

 

 


ATA

(Pretenciozët e kohës)

            

Ata shkojnë në mapo:
             - Sofie, dy metra e gjysmë terital vëllait. Terital nga ai që di ti ë, e di vetë ti.
             Shkojnë në kafe:
             - Kamariere, dy kafe! Kafe nga ajo që di ti. Thuaji Vlashit i dua për filanin e filanin. 
             Marije, edhe dy paqeta. Paqeta nga ato... E di vetë ti, nga ato që di ti ë.
             - U mbaruan.
             - Thuaji Vlashit, de, i dua për filanin. Thuaji më jep paqetën e filanit. E di vetë Vlashi, thuaji i do ai...

              Ata shkojnë në kinema:
             - Ferit, dy bileta. Në radhën që di ti ë. E di vetë ti. Thuaji drejtorit i dua për filanin.

Shkojnë në dyqanin e fëmijëve:
- Kaliopi, një palë këpucë për çunin e... E di vetë ti, këpucë si për çunin tim, pra.
- Tjetër?
- Edhe një çantë për djalin tim. Më futet në shkollë sivjet.
Ata shkojnë në shkollë me fëmijët për dore:
- Ja, ky është djali im. Ta solla. Më cakto me mësuese... E di vetë ti ë, me mësuesen që di ti...
Ata shkojnë në maternitet:
- Doktor, e solla gruan. Cakto një mami. Maminë që di ti ë, si për lindjen e fëmijës sime, dhe lindja në dhomë më vete ë...
***

Mbase ata një ditë do të shkojnë edhe tek... vdekja.
- Vdekje e di vetë ti si të vijë. Të vijë si për ne. Kupton? Si për ne. E di vetë ti ë...

 

                             KRAHU I KUSHURIRIT

 

Saliu sonte është njeriu më i lumtur në qytet, madje më i lumturi në botë, maje ... Ai sonte pret kushuririn  t’i vijë për një vizitë në shtëpi. Pret jo vetëm kushuririn, por kushëririn zëvëndës– ministër të Ministrisë së e punëve të Br...  Ai nxiton për në birrari. 
             - Për ku kështu, shoku Sali?
             - Gjer në birrari, të marr ca birra.
             - Ke ditëlindjen kështu?
             - Jo, por më vjen ai kushuriri, zëvëndësministër i ministrisë së Br... Opo ky, ore, çfarë ditëlindje thua ti ore!... Del nga birraria. Nxiton përmes bulevardit me shishet e birrës në dorë. 

                        
 - Ç’janë këto birra, shoku Sali?
             - Më vjen ai kushuriri, zëvëndësministri i Ministrisë së B... O po ky, ore! Dhe, dua ta pres një çikë mirë. Mirë, o mirë prite, pse të mos e presësh more...
             - Ke për ta tundur sonte, shoku Sali?
             - Do ta tund, babam, do ta tund. Më ka ardhur ai kushëriri zëvëndësministër i Ministrisë B... dhe dua ta tund. 
             Ai futet në dyqanin e mishit. Merr mish. Kalon i nxituar bulevardit me mish të zbuluar në dorë.
             - Paske njerëz sonte, shoku Sali?
             - Kam, o babam, kam. Kam atë, kushuririn që është zëvendësministër i Ministrisë së B...
             Sonte Saliu është njeriu më i gëzuar në qytet, madje në botë, madje... Ai sonte ka dalë shëtitje me kushuririn e tij zëvëndës – ministrin e Ministrisë së... Është i gëzuar dhe i shqetësuar. I gëzuar që po shëtit më kushuririn zëvëndësministër. I shqetësuar se mos nuk e shohin të gjithë që po shëtit me kushuririn e tij zëvëndës – ministër.
              Shëtitin. Hajde, babam!...
              Anash shumë njerëz për shëndetin. Saliu qesh i kënaqur dhe fërkon duart. Flet me këmbë e me duar. Kur kthehen, Saliu i del kushuririt të tij gjithmonë në krahun e majtë. Nuk harron kurrë. 
              - Shkojmë tani në shtëpi, Sali?
              - Shëtitim edhe ca, shoku...
              - Ç’është kjo “shoku”, Sali?
              - Më është mësuar goja, shoku kushuri...
              - Shëtitin edhe ca.
              - Anash njerëz që përshëndetin.
              Saliu bisedon me këmbë e me duar. E prek kushuririn e tij zëvëndësministër vazhdimisht në krah, që t’ia mbajë të zgjuar vëmëndjen. I del pak përpara, e ndalon pak që kushuriri i tij ta dëgjojë më mirë.
               Ata shëtitin. Anash kalojnë njerëz. Saliu sheh  dikë përpara. Shqetësohet. Drejt tyre vjen shoku K. (Shoku K. është shef diku në qytet). “Ah sikur ky kushuriri im tani të më fuste krahun, të ecte me mua për krahu, vetëm dy metra, vetëm dy centimetra, vetëm aq sa të më shihte shoku K! Nuk e di ky që kjo ka rëndësi, shumë rëndësi, madje jashtëzakonisht rëndësi për mua, për të ardhmen time... Po, ky kushuriri im është i pavëmëndshëm, shumë i pavëmëndshëm është në të tilla raste.
                - Pse të ishte më i vëmëndshëm?
                - Të ishte më i vëmëndshëm e të më fuste krahun.
                - Pse?
                - Sepse kishte rëndësi për mua, për të ardhmen time.
                - Ja, po ta fus krahun unë...
                - Pse kush je ti nënkryetari i Ministrisë së ...?
                - Po shoku yt i thjeshtë jam... O po ky, ore... !

                                                                       Dhjetor 1972

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1