Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | DJALLI I ZI ME THIKË TË MADHE

DJALLI I ZI ME THIKË TË MADHE

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vullnet Mato

 

(Fragment nga nje ngjarje e jetuar)

Isha 12 veç, në klasën e pestë dhe ishin pushimet e semestrit te parë. Dajua me njoftoi se nuk mund të më mbante më tepër në shtëpinë e tij në Durrës. Ai me preu biletën për ne Sarandë, më dha me vete triske time te bukës dhe tetëdhjetë leket qe kisha mbledhur duke fërkuar shpinën e sëmurë të plakës Xhexhe.

               Zura vend te kiçi i anijes, ndonëse ajri ishte i ftohtë. Desha të shoh me sy shkurtimin ritmik të rrugës ujore, deri në skelën e qytetin tim të largët. Por në hapësirën e gjerë detare nuk dukej asgjë, përveç ndonjë dallge të lehtë dhe asaj blusë, deri afër së zezës, që shquhej në thellësinë e detit.Kisha qëndruar si zog krahëhapur përmbi perpendikularen, që çante mespërmes detin e thellë, për të më çuar te nëna ime e dashur dhe te vëllezërit. Kisha dëshirë të hidhem përpjetë, të bëhem zog i vërtetë. Por motovedeta e vogël rrëshqiste mjaft ngadalë, për t’iu përgjigjur ritmit të shfrenuar të zemrës sime.

               Qëndrova i mbërthyer te bashi gati tri orë. Dhe s’kisha ndërmend të shkulesha. Por dalëngadalë  qielli i kthjellët i mëngjesit filloi të mbulohej prej reve, që vinin me shpejtësi nga horizonti i errësuar i Adriatikut. Era po bëhej më ngulmuese dhe deti zuri të egërsohej. Më pas, dallgë të mëdha, si kodrina të kaltra me kreshta të bardha shkume, vinin e thyheshin njëra pas tjetrës mbi trupin e brishtë të anijes “Mine Peza”. Tani bashi ngrihej përpjetë, sikur anija e vogël të ishte një mëz i harbuar, që kapërcente herë pas here pengesa tepër të larta. Dhe sërish fundosej poshtë, aq sa dukej, se për një çast do të përpihej nga thellësitë e errëta.

               Befas, njëri nga marinarët më thirri me britma të forta, të futem brenda. Nga toni i tij dhe nga shprehjet e fytyrave të shqetësuara të ekuipazhit, kuptova se po kanoseshim nga rreziku i papritur.

               Aty brenda, përbri kabinave të marinarëve, mezi shquhej një mjedis gjysmë i errët, me stola druri për pasagjerët. Nën breroren e dritës së një feneri të vogël, që lëkundej si lavjerrës te një gozhdë në faqen anësore, shquhej një djalosh, rreth të shtatëmbëdhjetave. Kishte zënë vend, i shtrirë përsëgjati mbi njërin nga stolat. Kur iu ula pranë, u çua dhe fërkoi sytë e përgjumur. Mërmëriti se kishte udhëtuar gjithë natën e kaluar. Kishte qenë tek i vëllai ushtar në Shkodër dhe shkonte në Konispol. Rastësia më bashkoi me këtë dreq personazhi me emrin Fatri, i cili më vonë do të linte një vragë të thellë në vuajtjet e mia. 

               Anija filloi të hepohej aq shpesh, sa stolat rrëzoheshin herë pas here dhe ishte e pamundur të qëndroje përsipër. Po më përzihej aq keq, sa vrapova drejt shkallëve për të vjellur jashtë. Por britmat e marinarëve të tronditur, që merreshin me uljen e velave, më bënë të kthehem mbrapsht. U detyrova të mbush çantën, ku kisha mbajtur bukën me pak sallam, që hëngra gjatë kohës së ngazëllimit te bashi.

               S’kisha provuar kurrë një marramendje të tillë, nga e cila isha gati të nxjerr edhe zorrët. U lëshova i tëri përdhe, mbi dërrasat e zeza të dyshemesë. Dhe sipas ritmit të animit të anijes, rrokullisesha nga njëri skaj i kabinës në tjetrin, duke u përplasur si kacek. Ishte një tmerr i vërtetë, kur s’ke ç’të nxjerrësh tjetër nga barku dhe pasi je bërë petë, je gati të pranosh vdekjen. Si të vetmen zgjidhje për t’i shpëtuar marramendjes së padurueshme e sfilitëse.

               Por aty nga mesdita e gjithë zallamahia pushoi papritmas. Motori nuk ndihej më. Ashtu i trullosur, siç isha, dëgjova nga djaloshi konispolat, se anija kishte ndaluar në skelën e Sazanit, për të pritur fashitjen e stuhisë. U ngrita me vështirësi dhe provova të lëviz për të dalë në kuvertë. Por ishte e pamundur. Krejt pa fuqi u lëshova sërish mbi njërin nga stolat. Qëndrova aty edhe ndonjë orë tjetër. Derisa njëri nga ushtarët e Sazanit, që kishte dëgjuar se gjendej në anije edhe një djalë i vogël nga Saranda, të cilin e kishte zënë deti keqas, më solli një pjatë me makarona të ngrohta që kuqëlonin nga salca.

               Kurrë në jetën time s’kam ngrënë gjë më të shijshme, se ajo pjatë me makarona. O zot, thashë me vete, ç’është kjo mrekulli që ka krijuar njeriu!... Fatriu më nxori përkrahësh mbi kuvertë. Pashë se gjendeshim te një gji i vogël, ku cilin ishin ankoruar disa varka dhe nja dy anije ushtarake. Te moli prej çimentoje, ku ishte ankoruar anija jonë, lëvizte pareshtur një ushtar i armatosur i ishullit ushtarak. Ai na ruante, të mos dilnim më tej nga kufiri i lejuar brenda skelës. Pritëm aty deri pasdite vonë, pa u lejuar të zbresim në tokë, as për nevojat fiziologjike. Sepse kudo, ku binte syri, ishte zonë ushtarake tepër sekrete.

               Papritmas, kapiteni i anijes njoftoi, se sipas parashikimeve të arritura në ishull me anë të radios, stuhia mund të vazhdonte gjatë. Për të shmangur çdo pasojë, ne, dy pasagjerët e vetëm, do të përcilleshim në Vlorë, për të vijuar udhëtimin me mjete tokësore. Ky vendim i beftë, nuk u shoqërua me asnjë lloj kompensimi në të holla për biletën.

               Atë natë fjetëm në një kapanon punëtorësh, që kishin ikur atë të shtune për pushimin javor. Në mëngjes herët dolëm në rrugën e kamionëve të vlorës. Pritëm gjithë ditën, deri në mbrëmje vonë. Por asnjë nga shoferët e rrallë, që kaluan atë ditë drejt Jugut, nuk na i hodhi sytë. Aq më pak, kur ndonjëri pyeste për pagesën dhe ne i qanim hallin, se kishim mbetur pa të holla. Kur u bë natë, filluam të mendojmë sërish për vendin e fjetjes. U vërtitëm përqark tri orë të mira dhe së fundi shkuam të mbështetemi te dera e madhe e gjykatës, që ishte pranë agjencisë. U afruam, duke i bërë veshët pipëz, se mos na pikaste njeri. Por aty s’ndihej asnjë frymë e gjallë. Për habinë time, në çastin që rëndova shpinën te njëra nga kanatat, dera u hap e tëra dhe rashë së prapthi në errësirë.

               - U ka thënë allahu në vesh, ta lënë hapur për ne, që të mos na hanë qentë e pazarit! - u shpreh me gëzim Fatriu. - Po s’ikëm dot deri pasnesër që vjen posta, do i hipi me forcë se s’bën! - u gjegj i vendosur.

               - Të shohim. - ia ktheva me mosbesim dhe heshta.

               - Oh, ç’më këndojnë zorrët një këngë labçe me shumë iso! - devijoi nga biseda papritmas.

               - Do presim deri nesër, sa të hamë edhe dy kafshatat e latës tjetër. - i thashë, duke menduar me trishtim, se po ta haja të gjithë bukën vet, do kisha më pak uri këtë natë. Por edhe Fatriu kishte filluar të më dhimbsej e po më pëlqente tipi i tij, pak sharnavello, po guximtar i lezetshëm.                

               Shtruam nënvete nga dy libra të valixhes prej kartoni dhe u mbështetëm pas derës së korridorit. Mesnata ishte e ftohtë dhe sado që u ngjeshëm te njëri-tjetri, ky lloj gjumi ishte torturë.

               Dolëm nga dera e jashtme pa aguar mirë, që gjithsesi të mos na gjenin brenda gjykatës. Pasi hodhëm sytë përqark, se mos na diktonte ndonjë polic, shkuam të presim lindjen e diellit para derës së agjencisë.           

E shtuna e kamionit të mbuluar me mushama, mezi erdhi. Ishim vërdallosur rrugëve me barkun bosh. Se katërqindgramëshin shpëtimtar, e kishim sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Sakaq diferencën e tetëdhjetëlekshit, po e ruaja me fanatizëm për bukën e triskës, duke prishur vetëm nga katër lekë në ditë. Fatriu nuk e dinte saktësisht buxhetin tim varfanjak.

               Zumë radhën te dera e agjencisë që në orën pesë të mëngjesit. Menduam t’i qanim hallin përgjegjësit, kur të vinte për të hapur sportelin. Kisha përgatitur disa fraza, me të cilat mund ta prekja në shpirt. Shpresoja të vinte dorën në zemër për dy të mjerë, të mbetur rrugëve. Mirëpo ndodhi krejt ndryshe nga si e imagjinoja. Mustaqelliu, tepër nervoz, kur pa grumbullin e madh të njerëzve para derës së tij, bërtiti për të hapur rrugën, me aq forcë, sa m’u rrëqeth i tërë trupi dhe më shteroi krejt frymëzimi. Madje, edhe kur tentova t’i tërheq vëmendjen, duke e kapur lehtësisht për krahu, më dha një shtytje të fuqishme, me të cilën më nxori në fund të turmës. Ndërkohë, Fatriu nuk merrej vesh ku gjendej. E kërkova një copë herë mes zallamahisë së pasagjerëve që shtyheshin si dallgë. Dhe në fund e gjeta diku larg, të mbështetur pas një shtylle telefoni.

               - Ku prapa diellit shkove, kur duhej të ishe i pari te sporteli! - iu shkreha me pezmatim.

               - A, ç’më ça kokën, ore! – bërtiti me nervozizëm. - Ata të gjithë i kanë njëqind e ca lekët e biletës në dorë, e gjene po rripen me njëri-tjetrin. Pse të lë lëkurën atje, kur s’kam në xhep asnjë kacidhe...

               Prita çastin solemn, kur erdhi kamioni dhe hipën të gjithë ata që kishin prerë biletat. Si dhe të gjithë ata që lejonte shoferi jashtë vendeve. Rrëshqita me kujdes mes këmbëve të turmës dhe u gjenda ballazi me shoferin. Flokëlarashi i gjatë, s’donte kurrësesi të dëgjonte e t’i hidhte sytë aty pranë, por vetëm në largësi, ku priste dikë. E shkreha disa herë karikatorin e gatshëm të hallit tim. Po atë nuk e kapi asnjë nga plumbat e mi prej letre. Hipi në timon, i ndihur nga dy policë, përplasi derën e kabinës me forcë dhe u nis si i ndërkryer.

               Sapo u shkreh zallamahia e turmës, që preu bileta për javën tjetër, pashë Fatriun tek po shfrynte hundët pas një muri. Iu afrova lehtas dhe i thashë me shpoti:

               - Hë mo trim, ti ishe ai që do ia hipje postës me forcë të shtunën?

               - Hipa. - tha me tonin e një zhgënjimi të hidhur, pa më vështruar në sy dhe tregoi hundën e skuqur nga gjaku. - Po shiko si më bënë ata dy derrat blu. Më kanë çarë edhe mëngën e setrës...

               Shkuam ngadalë e pa folur deri te dyqani, ku shitej buka dhe morëm racionin e asaj dite. Fatriu e kullufiti gjysmën, piu nja katër grushta ujë, te goja metalike të luanit, në çezmën aty afër dhe tha: 

               - Unë do nisem me këmbë për në Sarandë, ti do vish?

               Shqeva sytë nga habia dhe e vështrova drejt në ata sytë e tij, ku qepallat me qerpikë të zinj, të dendur, shkundeshin me nervozizëm, si dy furça.

               - Pooo... n...n...ne duam një muaj të shkojmë me këmbë...

               - Jo, mo korbosh, mos u trëmb kaq shumë, tri ditë mban Saranda nga Vlora. - tha çehrengrysur.

               - Po të jetë për tri ditë, më mirë nisemi, sesa të presim këtu kot edhe një javë tjetër...

               - Hajde! - tha duke u kthyer vrikthi dhe u nis, sikur të çlirohej nga një zinxhir i trashë.

               Vrapova të arrija hapat e tij të mëdhenj. Nga një gëzim ende i pasigurt që më rrëmbeu befas, as peshën e valixhes nuk po e ndjeja në duar. Qielli ishte gri dhe bënte ftohtë. Por fillova të nxehem shpejt dhe shpresa e re më shtoi dëshirën për të ecur. Për çudi, asnjë makinë nuk po lëvizte nëpër atë rrugë të shkretë me çakëll të bardhë. Kaloi me shpejtësi vetëm një Xhip, që na spërkati me ujin e gropave. Kur ktheja kokën pas dhe shihja që ende dukej gjiu i Vlorës, rruga më dukej pa fund.

Mbrëmja na zuri matanë Orikumit, në arat e fushës së Dukatit. Lart, nga lindja, nxinte Llogarai i largët dhe poshtë, nga perëndimi sterrohej deti zhurmëmadh. Diku, mes fushëtirës së shkretuar nga dimri, sytë e mi, të lëmekur nga lodhja e pamenduar e asaj dite, diktuan një dritëz të zbehtë.

               - Shiko aty përtej!... - i thashë Fatriut që kishte humbur mendjen s’di se ku, mes errësirës.

               Ai kundroi me shqisa të tendosura një copë herë.

               - Do jetë nonjë shtëpi... ose nonjë guvë kusarësh...     

               Fjala e dytë më futi frikën. Megjithatë, u mundova ta kthej në shaka:

               - Vemi, të shkojmë natën me ta, ç’do na vjedhin ne, brekët?...Edhe ato i kemi të palara...

               - Ata ta heqin kokën nga supet, që të mos i marrë vesh njeri ku gjënden, - ma ktheu ai krejt i qetë.

               - U bubuja nëne, edhe ajo lemeri na duhet! - e drodha në çast me frikë.

               Si për t’iu kundërvënë fjalëve të mia, Fatriu u nis papritmas drejt dritës.

               - Eja po deshe, - tha shpinëkthyer, - unë do vete të ha mish të pjekur me kusarët, pastaj ata le të më hanë edhe mua, po ama ta shuaj një herë urinë!...

               Ai iku. Unë mbeta si kallkan i ngrirë gati për të qarë në mes të fushës së mbuluar nga nata. U ula përtokë duke u dridhur dhe u mendova gjatë. Më mirë në duart e kusarëve, sesa në dhëmbët e ujqërve, thashë me vete dhe u nisa drejt dritës që vezullonte në horizontin e largët. Duke u rrokullisur nëpër gropëza kanalesh e përmbi plisa, arrita të shquaj një kasolle të vogël në formë tjegulle. Pastaj zjarrin e ndezur para saj, Fatriun këmbëkryq dhe një mesoburrë me shajakë  përballë tij. Mish që piqej në hell jo dhe jo, po as bukë misri që hahej prej tyre nuk më zuri syri.

               - Qënka çilimi, derëziu e punëziu! - u habit mesoburri me shajakë, duke më hetuar me kujdes. - Hajde ulu, a shati, pa ti nuk je për udhë, pa le më të të zërë nata përjashta!

               - Do përpiqem të shkoj në shtëpi, edhe sikur të vdes udhës, s’kam ç’pres më në Vlorë, maqinat s’më marrin pa biletë...

               Bekshiu psherëtiu dhe nuk foli. Kur pa që m’u var koka mbi supe, na dha të dyve nga një copë bukë të misërt me pak djathë. Më pas na tregoi një velenxë të shtruar në një cep të kasolles, ku mund të shtriheshim për të fjetur pa u mbuluar. Në mëngjes herët, kur isha ende i nemitur nga  gjumi i thellë, Fatriu me shkundi me forcë dhe u nis pa e zgjatur.

               Sërish në udhën me një çakëll gati gëlqeror, ku pluhuri na i kishte bërë këmbët, si të lyera me miell deri te gjunjët. Ik e ik nëpër fushëtirën e shkretë, që dukej sikur s’kishte të sosur. As makina, as udhëtarë, as diell, po vetëm tufa resh të zeza që vraponin nëpër murrëtirën e dhjetorit.

               Kishte shkuar mesdita, kur po u ngjiteshim lakadredhave pa mbarim të Llogarait. Filloi të binte një shi i imët, si rërë e lëngët. Andej lart, ku mund të ishte Qafa, për të cilën kishte folur Fatriu, nxinte dhe gjëmonte pylli me pisha. Këmbët nuk po i ndjeja të miat. Ecja me valixhen, që tashmë kishte marrë peshën e plumbtë. E kaloja sa në njërën dorë me gishta të skuqur, te tjetra. Por në atë të përpjetë mizore, ajo po bëhej më e rëndë pas çdo hapi.  

               - Shpejto, se ika! - klithte Fatriu herë pas here diku një kthesë më sipër.

               - Jam lodhur shumë, s’kam më pikë fuqie! - ankohesha me zë të shuar e me frymëmarrje të rënduar.

               - Shpejt, se më le edhe mua, të më mbulojë bora!...

               Hodha sytë edhe një herë përpjetë dhe pashë se ajo që tha ishte e vërtetë. Shiu i imët ishte bërë tani më i lehtë e më i bardhë. Po qimtonte dëborë. Binte tërthorazi, e thatë porsi rërë.

               - Vrapo se të lashë e ika! - jehoi Fatriu për herë të fundit diku larg meje.

               Ik, shfryva me vete durimhumbur, mu në djall të vesh, unë po vdes, s’bëj dot asnjë çap tjetër përpjetë...Dhe u lëshova si trung i prerë, duke u rrokullisur në cepin e poshtëm të xhadesë, derisa ndalova pranë një ferre. Qëndrova ashtu përmbys, gati një orë të mirë, i përhumbur e gati i përgjumur. Fjeta i kapitur nga lodhja nuk di se sa. Erdha në vete, kur ndjeva të ftohtin therës të shkaktuar nga lagështia e borës, që po shkrihej mbi qafën time të hollë.

               Pas pak dëgjova ca hapa, që zhurmonin nëpër zhavorrin e xhadesë, diku sipër. Vetëtimthi më shkoi mendja se po kthehej Fatriu. Por jo. Ishte një djalosh me shajakë të zinj, që po zbriste me nxitim, duke fërshëllyer një melodi barinjsh. U gëzova pa masë. Ma dërgoi zoti të më bëhet krahë në këtë kiamet, mendova dhe mezi prita në këmbë afrimin e tij.

               Ai erdhi dhe qëndroi përballë, i heshtur e me shikim të zymtë. Filloi të më hetonte me kujdes nga këmbët te koka. Ishte pothuaj moshatar me Fatriun, rreth tetëmbëdhjetë vjeç. Faqeve dhe nën hundë i prushëritej një mjekër e hollë, rrafsh me lëkurën. Kishte mbi sup një shkop, në fundin e të cilit varej një trastë e vogël e leshtë. Te brezi i varej një biçak i madh me këllëf prej briri, i lidhur me ushkur të leshtë, të zi, të trashë.

               - E ku vete nashti, ti a i vrarë? - pyeti me ton të egër.

               Disi i frikuar, nga vështrimi i tij aspak miqësor,  i tregova fije e për pe të gjithë odisenë e udhëtimit tim nën atë qiell dimri.

               - Hëm! - ia bëri me një nënqeshje përbuzëse.– Je nisur të vesh te ujqërit e Qafës së Llogarait, të të kullufitin, a i vrarë!…

               - Më mirë të më hanë, se sa të vdes udhëve…

               Duke hedhur sytë e përndezur nga kureshtja te valixhja e bukur prej kartoni, pyeti ftohtë e me një shprehje agresive në fytyrë:

               - E çar ke atje brëna, mo kec?

               - Librat e shkollës... - i thashë me gjuhën e tharë në gojën shkarpë.

               Ai la përtokë shkopin me trastë, që kishte në sup dhe hapi vetëtimthi tehun e biçakut të madh.

               - Pa dal ta shohëm! - ma rrëmbeu valixhen nga duart me forcë dhe me një të flakëruar të thikës, preu spangon, me të cilën e kisha lidhur në mes. 

               Mbeta i mekur, si zogu i rënë nga foleja përpara gjilpërës së zgjatur të gjarprit.

               - E ç’të duhet shkolla, a derëzi e punëzi, apo të bëhesh budalla! - u skërmit dhe i fluturoi librat njërin pas tjetrit te një ferrë, poshtë në përrua.

               Pastaj futi dorezën e valixhes te shkopi, pranë trastës së tij të leshtë. Dhe me tehun e biçakut të hapur në njërën dorë, e të drejtuar nga unë, zuri me tjetrën të më gërmonte xhepat. Nga makthi që më shkaktoi thika e drejtuar mbi barkun tim bosh, ndjeva se shurra po më ngrohte kofshën deri poshtë gjurit. Madje nuk e pata mendjen fare, ç’gjeti e ç’mori nga katër xhepat e mi të mjerë. Por prisja me tmerr çastin, kur tehu i mprehtë i biçakut të tij të llahtarshëm, do të ma hiqte kokën nga supet, si të zogut. Më rënkoi shpirti pa zë: ” Nënë, moj, ç’më gjeti!” Ky paskëshe qenë një nga ata hajdutët e tmerrshëm, për të cilët foli Fatriu në mbrëmje atje poshtë.

               - Qitetar i pjerdhur! Nashti je shkarkuar e je tamam për udhë, a të qifsha udhët! - shau me një vështrim përbuzës të shtrembër.

               Mori shkopin e ngarkuar tani edhe me valixhen time dhe bëri poshtë me hapa të mëdhenj. Fërshëllente sërish atë melodinë e tij të pakuptueshme, nën fjollat e imta të borës që binte papushim.

Më shkoi nëpër trup një e rrëqethur e gjatë dhe befas shkova nëpër mend, se kisha shpëtuar për mrekulli. Përpara thikës së tij, të gjitha të tjerat s’kishin aspak rëndësi. Për më tepër, kuletën prej lecke, të lidhur poshtë këmishës, ku kisha vënë lekët e bukës, nuk arriti ta gjente nga nxitimi. E ndoqa me vështrim të nemitur, teksa zbriste me nxitim dhe kthesë pas kthese, po bëhej gjithnjë më i vogël. Derisa arriti të dukej si një buburrec i zi, dhe më humbi krejt nga sytë.         

Shkova te ferra ndanë përroit, ku ishin çaprashitur e lagur librat e fletoret e mia të hartimit. I mblodha një nga një, duke u futur barkas edhe brenda ferrës, ku kishin rënë disa të tjera. Gjeta edhe spangon e prerë nga thika e tij dhe i lidha, duke bërë një pako, që mund të mbahej nën sqetull.

Sapo kisha dalë sërish në xhade, kur befas mes mjegullinës, dy figura të turbullta po më vinin në fokus pak nga pak. Ishin dy burra me automatikë të hedhur pas krahëve, që zbrisnin nga lart. Ende s’më kishin pikasur, sepse bisedonin me zëra të lartë. Desha të zbres, të fshihem në përrua, derisa të kalonin. Por mendova, se njerëzit me armë të ekspozuara në sup, përfaqësonin atë që quhej shtet dhe duhej patjetër t’u qaja hallin. Ishin të veshur civilë, po nuk ishte vështirë për mua të dalloja njerëzit e Sigurimit, që i kisha parë aq herë te Dega e Sarandës. 

               Ata u ndalën dhe me sy të ngulmët e plot habi pritën gjakftohtë të gjithë rrëfimin tim tragjik, për djallin me shajakë te zinj e me thikën e madhe. Pyetën nga iku dhe më thanë të shkoj me ta për ta gjetur.

U nisëm. Ata përpara dhe unë pas. Tashmë me hapa të shpejtë, të fuqizuar, jo nga çlodhja e gjatë aty, por nga shpresa që më ngjalli shpëtimi i jetës. Arritëm në qendër të fushës, diku pranë kasolles, ku kishim fjetur natën e kaluar me Fatriun e zhdukur pabesisht. Para një magazine prej dërrasash të kalbura, gjetëm një turmë njerëzish. Ata prisnin një kamion “Zis”, të shkarkonte çimenton, për të shkuar në Vlorë. Por nuk e pamë askund grabitqarin me thikë të madhe. Po binte mbrëmja dhe zorrët e mia ia kishin nisur këngës më të trishtuar, që mund të krijojë uria njëzetekatërorëshe në trupin e njeriut.

               Çasti i nisjes mezi erdhi. Dy operativët e Sigurimit hipën në kabinë. Ndërkohë ne të tjerët u ngjeshëm në karrocerinë me pluhur çimentoje, si klloçkat në një furrik të madh.      U gjenda pranë një personi të panjohur. Më tregoi se ishte gjeometër i ndërmarrjes rruga-ura. Duke më parë si dridhesha nga era therëse, u bë kureshtar. I tregova dhe atij gjithë ngjarjen time. Kur i thashë se kisha triskën e bukës me vete, shprehu bujarinë, të shkoja atë natë për të bujtur në shtëpinë e tij. Të nesërmen do të interesohej, të më niste me ndonjë mjet për në Sarandë. Befas e ndjeva veten të lehtësuar, që kjo ditë e tmerrshme e ndeshjes së llahtarshme me “kasapin” shajakzi, të paktën, po mbyllej pa gjakderdhjen time.

               Zbritëm në Vlorë rreth orës tetë të mbrëmjes. Një grimë herë nuk munda të lëviz nga vendi. U ndjeva krejt i mpirë nga të ftohtit dhe qëndrimi kruspull, në kamionin që m’i troshiti të gjitha kockat. Gjeometri më ndihmoi për krahu dhe ma lehtësoi paksa ecjen, derisa u çmpiva. Kur arritëm te cepi i rrugës kryesore, ai u ndal dhe tha si me mundim :

               - Këtu është dyqani i bukës, bjere triskën ta blejmë racionin tënd, se në shtëpi s’besoj të na ketë mbetur ndonjë kothere nga racioni ynë...           

               Futa menjëherë dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës. Pasi nuk e gjeta aty, ku e mbaja zakonisht, kërkova me rrëmbim në të gjithë xhepat e tjerë. Madje edhe në kuletën e lekëve, ndonëse aty nuk e kisha futur asnjëherë. Dhe befas ndjeva një therje të hidhur, që ma përshkoi zemrën tejpërtej.

               - Aaaa, ah, ah! - rënkova me dhimbje të thellë, sikur gjoksin të ma kishte çarë kryq e tërthor një thikë e madhe. - Ai me thikë më paska marrë edhe triskën e bukës!...

               Gjeometri më vështroi me keqardhje një grimë. Pastaj sikur diçka iu kujtua, tha nxitimthi:

               - Më prit këtu pesë minuta, sa të marr diçka në një vend dhe erdha! - hodhi ca hapa të ngutshëm rrugës së drejtë pa njerëz dhe mori një kthesë diku majtas.

               Prita... Prita... Prita, derisa ora e madhe te kulla e sahatit të Vlorës, ra dymbëdhjetë herë, për të lajmëruar mesnatën. Ai s’erdhi. Dhe s’kishte si të vinte. Pseja gjendet te koha me triskat e saj.

               Asaj ore të vonë, rrugët e varfra dukeshin pafundësisht të shkreta, varfërisht të ndyra dhe të krijonin një ndjenjë braktisjeje. Kokulur, zvarrë-zvarrë, me shpirt të plagosur e me trup të vrarë, u nisa sërish drejt derës së gjykatës. Mezi i ngjita shkallët njërën pas tjetrës, duke u mbajtur te muri. Aty te dera e brendshme gjeta tek flinte kutullaç një qen pazari. Nuk e zgjova. Shtrova librat në çimento me kujdes dhe u ula fare pranë tij. Tani, në mënyrën e të jetuarit s’kishim ndonjë ndryshim të madh. Përkundrazi, qeni ishte superior. Flinte me barkun të mbushur plot nëpër kazanët e plehrave. Dremita gjithë natën, duke u dridhur si qeni nga të ftohtit. Erdhi një çast, kur symbyllur siç isha, kuptova befas, se te brinjët e krahut të djathtë më mungonte ngrohtësia e pakët e trupit. Qeni pati ndjerë agimin e ditës dhe më kishte lënë vetëm. Më pas, kur erdha mirë në vete, mendova qetësisht, se po të vazhdoja edhe ditë të tjera të flija aty, mbase mund të shkoja edhe te kazanët ku ushqeheshin qentë.

               Prita me padurim hapjen e dyqaneve, për t’i mbyllur gojën ujkonjës, që po më shqyente përbrenda. Në klubin e parë, te cepi i kryqëzimit me sheshin kryesor, zgjidha kuletën shpëtimtare dhe bleva një gurabije pesëlekëshe. Numërova edhe një herë të hollat dhe llogarita:  Po të haja çdo vakt nga një gurabije të tillë, sa për të mbajtur fijen e hollë të shpirtit të mos këputej, mund të duroja edhe katër ditë.

Në orën gjashtë shkova sërish te dera e agjencisë së pasagjerëve. Për të çelur serinë e re të ekspozimit tim, përballë mëshirës së shoferëve, që udhëtonin drejt Sarandës. Por, fatkeqësisht, përsëritej e njëjta skenë e trishtuar e dyndjes së njerëzve, që shtypeshin e kërcenin përmbi njëri-tjetrin, kush të arrinte të priste biletë. Apo t’i mbushte mendjen shoferit ta merrte jashtë vendeve. Dhe s’bëhej fjalë kurrësesi, për njerëz si unë, që kërkonin të udhëtonin pa pagesë... Ç’të bëja?... Ika te pres e fle te shkallet me qenin.

               Prita edhe tri ditë të tjera të vinte fundi i javës,  për postën e Sarandës. Pa e ditur as vetë, ku e mbështesja shpresën kaq gjatë. Dhe ja, erdhi e shtuna e fundit. Tashmë edhe të hollat për gurabije kishin mbaruar dhe duhej luftuar për jetë a vdekje. Qysh në mbrëmje, i shtrirë në çimenton e akullt të gjykatës, i braktisur edhe nga ngrohtësia e qenit, që çuditërisht nuk erdhi më, thura planin tim për të nesërmen.

               Kamioni i mbuluar ndaloi para agjencisë në orën shtatë pa pak. Sa hap e mbyll sytë, u gjenda mes një gjeratoreje njerëzish, që vërshoi me furi drejt tij. Rrëshqita si ngjalë dhe rashë përmbys mbi çizmet e dy policëve, që mbanin rregullin. Klitha me tërë fuqinë e mushkërive fëminore, me një shpërthim ulërime të tillë, nga e cila, edhe mua m’u mpinë timpanet e veshëve e m’u rrëqeth trupi. Mbase nga ky sforcim i pazakonshëm, në gjendjen kur organizmit të drobitur nga uria e gjatë i mungonin të gjitha mundësitë rezistuese, humba ndjenjat. Policët, të befasuar nga kjo ngjarje, bënë përpjekjet e rastit për të më sjellë në vete, me ujë dhe me nja dy shpulla faqeve. Pastaj në hapësirën e krijuar nga hapja e  turmës së hutuar, ata kërkuan të dinin ç’pësova dhe cili isha.

               Ashtu i shtrirë, me lot në sy dhe me një zë prej meiti munda të them:

               - Vdiqa... kam dhjetë ditë... rrugëve, pa bukë...pa lekë për... shkuar... shtëpi... Sarandë... më la motobarka Sazan... makinat s’më marrin!...

               Policët u stepën një grimë. Nuk dinin si të vepronin me dopjogjashtën, që u mbeti befas në duar. Por i nxori nga situata e vështirë, një oficer i ngjyrës së tyre, që u ndodh aty pranë. U tha të më hipnin në boshllëkun midis stolave, në fund të kamionit. Pastaj urdhëroi shoferin, të më dorëzonte te dera e policisë së Sarandës, që të lajmëronin familjen të më merrte.

               Kaq desha unë... Për të tjerat dija vetë si veproja. Kur kamioni i akullt, i hapur në pjesën e fundit të mushamasë, filloi zbritjen në kthesat e përtejme të Qafës së Llogarait, erdha disi më mirë në vete. Vështrova rretheqark pishat e mjegulluara nga dimri dhe u mbusha me frymë gëzimi, që më në fund po e kapërceja atë Qafë të tmerrshme. Përtej saj, vuajtjet e mia do të mbaronin. Hareja e brendshme, që do të gjendesha së shpejti në folezën e ngrohtë të nënës time të shtrenjtë, më krijoi energji të habitshme. Munda të duroj shtjellat e ftohta të erës therës të dhjetorit te mushamai i zbuluar dhe marramendjet troshitëse të rrugës së gjatë me çakëll. Por tortura më e madhe, që mezi e përballova, ishte çasti, kur një mesogrua te stoli përballë, hapi qeskën e bukës. Ajo filloi të përtypte me oreks të madh, para syve të mi, një copë bukë me vezë të zier dhe djathë. Ndjeva se të gjitha rropullitë m’u hallakatën përbrenda. Zorrët, sikur të ishin një tufë gjarpërinjsh të uritur, zunë të spërdridheshin e të klithnin me ca pickime të llahtarshme. Por i dëgjoja e i ndjeja vetëm unë dhe aspak gruaja përballë. U bëra gati dy-tri herë t’i kërkoja një kothere. Por sedra ime e tejskajshme, ishte një purtekë e pamëshirshme, që arrinte t’i fshikullonte gjarpërinjtë e padukshëm. Ktheva kokën anash, me sy të perënduar nga mundimi sfilitës dhe më erdhi vërdallë krejt Riviera...

               O zot i madh!... Ja, Qafa e Gjashtës hapi siparin e saj... Ja, deti i kaltër me Korfuzin përballë dhe më pas Saranda ime e dashur, që filloi të zbulohej pak nga pak. Këtu, thashë me vete, është parajsa dhe ferri im. Këtu pranoj me dëshirë të vuaj, të torturohem dhe të vdes. Po vetëm këtu dhe askund tjetër... 

               Ishte pasdite vonë, kur, duke dihatur me dhimbje gjoksi nga nxitimi, arrita të ngjit shkallën e shtatë dhe të fundit. Kapa dorezën e vjetër të derës dhe hodha sytë e perënduar mbi bylykun e vëllazërisë me nënën e shtrenjtë në mes.

               - Ooo-oh!.. - lëshova vetëm një rënkim kënaqësie, dhimbjeje, lodhjeje, vuajtjeje, malli dhe të gjitha ndjesitë e mia u përmblodhën në atë tingull të shurdhër. Bëra dy hapa dhe rashë si dru i këputu

Comments (1 posted):

Guri Naimit D. on 01/07/2018 15:19:45
avatar
Shrimet tuaja-TRINITRINE-Vulnet Mato.

I nderuari Vullnet Mato.Jo vetem po ju rillexoj,po do e rinxizoj!Me te e me ju,jeten time te perifrazoj.
Pa tjeter une "Guri Naimit"D. me perkedheliet e TETO XOKES,si ju, Nene XHEXHEA. me dhimbie, po "melhem".
Ju pergezoj,une 82 vjecari,(sa kalova,"ishemi cerebrale trazitore " fal zoti,mbeti e tile).
"Trinitrine shkrimi juaj,sot,dy dite me pas ndodhise sime..
Si gjithnje buzeqeshia juaj me shoqeron...sa perjetova...
Me falni per emicionet personale..
Guri Naimit D.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1