Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | MOTRA IME MARIA …dhe DOKTOR POLENA

MOTRA IME MARIA …dhe DOKTOR POLENA

Font size: Decrease font Enlarge font
image KRISTO ZHARKALLIU

      MOTRA IME  MARIA …dhe DOKTOR POLENA

 NGA KRISTO ZHARKALLIU  

…Historia përsëritet ndonse kur përsëritet duket si karrikaturë qesharake. Nga kujtimet e mia më të herëshme ështe ajo ditë kur aeroplanët nazistë kaluan mbi stanin tone ku kishim dhe kasollet e familjes dhe filluan të na mitralojnë në mënyrë barbare. Familja jonë ishte detyruar të largohej nga Voskopoja sepse qyteza jonë ishte bërë fushë luftarake- ishte bërë bazë e partizanëve prandaj si italianët ashtu dhe gjermanët (nazistët) e kishin bombarduar disa here ku kishim humbur dhe disa njerëz të farefisit tone ndërsa shtëpia jonë trekatëshe ishte rrafshuar krejt.  Prandaj kishim çuar familjet në  afërsi të fshatit Shtatobërdhë (kështu quhej më duket) pranë Shtyllasi…Por ndërsa  kishim ikur nga Voskopoja të detyruar nga  bombardimet e pushtuesve  kishim shkuar atje ku forcat partizane ishin kudo dhe ndiqeshin si nga gjermanët ashtu dhe nga bashkëpunëtorët e tyre. Madje prandaj ishim detyruar të largonim bagëtitë nga Kolonja se atje bëheshin përleshje të shpeshta Më kot prindërit tanë ishin munduar të mbanin qëndrim të njëanëshëm: në stanin tone (aso kohe familja jonë kishte afro tre me katër mijë krerë bagëti të imta) vazhdimisht kalonin çeta partizane ku hanin a pinin, madje andej kaloi dhe Shtabi I Përgjithëshëm kur u detyrua të largohej nga Shtyllasi për arsye të operacionit gjerman të Qershorit. Sigurisht hanin e pinin-gjithnjë me mirësjelljeje dhe çfarë t’u jipnin,kurrë me arrogance, duke  fituar kështu simpatinë e njerëzve të thjeshtë. S’do mënd se në këto kushte kishin fituar dashamirësinë  dhe përkrahjen e të rinjve (më vonë kur erdhën në pushtet treguan fytyrën e tyre të egër…)Në përgjithësi familjet tona ishin paqësore por edhe viktima e ndërluftuesve. 

      Më kujtohet-nga kujtimet e mia të para ndonse isha vetëm tre katër vjeç- se kasollet i kishim në një  luginë e rrethuar me pyje dhe unë me dy kushërinjt e mi moshatarë shkonim e mbushnim ujë në një çezmë ku uji sapo rridhte dhe  ne mbushim ujë të ftohtë për më të mëdhenjtë. Ma merr mëndja se “të mëdhenjtë” na dërgonin për ujë më shumë që të na hiqnin qafe se sa që t’u çonim ujë gjë që kurrë nuk e pinin se ne harroheshim tek çezma duke lojtur. Një mbasdite pra kishte ardhur nga stani xhaxhai im Siveri-babai i njërit nga bashkëmoshatarët e mi- dhe kjo ishte ditë feste për ne se  ai xhaxha na përkëdhelte dhe luante me ne  duke mos na ndarë askurrë nga i biri. Vajzat e “mëdha” ndër të cilat dhe motra ime Maria ishin më tutje duke tjerrur lesh e duke folur e duke qeshur si dine të bëjnë vajzat e moshës së saj të atëherëshme-që sot i quajmë adolishente. Nga çezam vumë re se një grup partizanësh po kalonin nëpërmjet kasolleve tona-të gjithë të armatosur dhe xhaxhai im na la dhe shkoi të bisedonte me komandantin e tyre. Për çudi ata nuk kërkuan ushqime por paralajmëruan xhaxhanë se duhej të largoheshim nga kasollet për në pyll se po vinin gjermanët. Ai na thirri ne të tre të futeshim në kasolle, pastaj u tha vajzave të iknin nga sheshi dhe të bëheshin gati të largoheshim nga kasollet se po vinin gjermanët. Duke na gjetur në kasolle gjermanët do të kujtonin se  mos ishim bazë partizanësh dhe mund të fillonin të na qëllonin me armët e tyre. Ne të tre vrapuam pas xhaxhait dhe u futëm në kasollen e një teze që ishte aty pranë. Pas pak  mbërriti dhe Maria e shqetësuar dhe xhaxhai I tha: Shko i thuaj nënës të bëhet gati të largohemi për në pyll! Veçse nuk arriti të largohet dhe u dëgjua gumëzhitja ogurzeze e një aeroplanit! Xhaxhai na rrëmbeu në krahë dhe na çoi në thellësi të kasolles ku ishte dhe teza jonë, pastaj u drejtua nga dera që të lajmëronte të tjerët të bëheshin gati të largoheshim…. 

   Por kur arriti tek dera aeroplani nisi të mitralojë kasollet tona! Xhaxhai u kthye me vrull dha na përqafoi sikur donte të na mbronte me trupin e tij…veçse gjaku i tij na lagu që të tre. Plumbi gjerman e kishte zënë në ballë ashtu si shkonte drejt derës thua se gjermani e kishte shënuar…Teza bërtiti e lemeruar dhe ai tha fjalët e fundit: Djemtë…kujdes djemtë! Ndërkohë dëgjova ulërimëm e motrës, e Mariës.. Plumbi i mitralozit nazist I kishte dërmuar gjurin dhe ajo tërhiqej zvarrë drejt nesh duke bërtitur ndërsa ne qëndronim të përqafuar nga trupi pa shpirt të xhaxhai tone që kishte derdhur gjakun mbi kokat tona…

   Ngjarjet e saj dite të tmerrëshme më duken kaq të freskëta. Në atë luginë kalove shumë vite më vonë dhe pashë se atje ku ishte vrarë xhaxhai e disa të tjerë ishte një grumbull gurësh. Ndoshta janë akoma dhe sot atje pranë asaj çezme me kaq pak ujë ku luanin tre çamarrokë tre katër vjeçarë. Por peripecia e motrës  ishte tepër e mundimëshme. Vëllai i madh ngarkoi me mushka katër të plagosurat dhe u nis për në Korçë. Fatmirisht në pyll gjetën një mjek partizan që mundi t’u ndalë gjakun dhe t’ u bëjë dhe nga një inxhkison qetësues (Ku i kishte gjetur vallë në atë rrëmujë të rrezikëshme?) Pas shumë përpjekjesh duke udhëtuar vetëm natën që të mos binin në duart e gjermanëve (do t’i pushkatonin në vend se do t’i kalonin  për partizanë) mbërritën në Korçë. Atje kishim mik mjekun  e famëshëm dhe i pa arritëshëm, Sotir Polenën! Megjithse ishte i detyruar të lajmëronte organet e pushtuesve për të plagosurit që mund të mjekonte, ai i mori të plagosurit tanë dhe i futi në klinikën private që kishte aso kohe ku nisi t’i mjekonte menjëherë në fshehtësi të plotë. Ishte-dhe është- më se  e sigurtë se këmba e Marisë duhej të pritej nga gjuri që pothuajse i ishte dërmuar. Veçse mjeku i mrekullueshëm dhe i paharruar Sotiraq Polene tha: “Nuk do t’ja pres këmbën Mariës…Do të bëj të pamundurën t’ja shpëtoj këmbën vajzës sonë!” 

  Nuk e di se sa kohë-sa muaj qëndroi motra ime në klinikën e Polenës. Gjatë asaj kohe që mjeku i mrekullueshëm bënte përpjekje mbinjerëzore t’i shpëtonte këmbën ajo ishte bërë pjestare e familje së tij. Bashkë hanin, bashkë flinin në çdo orë që duhej t’i jipte ndihmën e tij duke e lënë nën kujdesin e së shoqes. Sigurisht familja jonë.nëpërmjet vëllait i cili nuk lëvizi më nga Korça, e furnizonte me ushqime, sidomos bulmet, nga të cilat i kishin me bollëk. Dikur pra i tha vëllait dhe Mariës: Nesër do të nxjerrim allçinë! Dhe do të shohim si është gjuri i Mariës! Kishte një siguri në fjalët e tij që u dhanë shpresë vëllait dhe motrës. Të nesërmen kur i nxori allçinë dhe i theu gjurin që të vinte në vend motra bërtiti nga dhimbja kurse vëllait i ra të fikët… POR MREKULLIA MJEKËSORE POLENIANE ISHTE BËRË! Gjuri kishte vajtur në vendin e tij dhe motra mund të ecte si të gjitha moshataret e saj… 

    Motra ime, Maria është 90 vjeç dhe banon në Korçë. Mjerisht ngjau diçka që më bëri të kujtoj historinë  e së kaluarës dhe të dëshpërohem edhe njëherë Motra ime, Maria, theu këmbën para dy tre ditëve. Mjerisht as mosha e saj por as mjekët e Korçës janë si Polena. Polena ishte një dhe i fali motrës sime një jetë të gjatë normale. E di se gjëndja e tanishme e Maries është e vështirë,për arsye të moshës së saj por ky shkrim  i dedikohet kujtimit të mjekut fantastik korçar, Sotiraq Polene i cili gjatë shërbimit të tij mjekësor kishte kryer afro dyzetmijë (40.000) ndërhyrje të vështira kirurgjikale. Nuk e di në se në Korçën tonë ndonjë rrugë mban emrin e tij-ndonse Polena  e meriton bulevadrin kryesor.  Qoftë i pavdekëshëm emri tij dhe mirënjohjen tone do ta ketë sa të jetë jeta dhe mjekët ,pasardhës të tij,do të përpiqen të na e lehtësojnë… 

                                                      KRISTO ZHARKALLI,  Athinë 11 qershor 2018.

Comments (2 posted):

viron kona on 11/06/2018 20:27:25
avatar
I nderuar Kristo!
Artikulli yt eshte shume realist dhe emocionues,jo vetem pershkruan me vertetesi kohe te panjohura nga brezi i ri i sotem,por dhe evidenton madheshtine e mjekut te madh korcar dhe te te gjith Shqipeise Sotiraq Polena.
Une kam degjuar gjithnje per doktor Polenen, edhe kur isha ne moshen e rinise ne qytetin e Vlores, ku dhe u rrita e u burrerova,por sa here kam ndodhur ne Korce,emri i tij ka qene i pranishem ne bisedat e njerezve. Eshte nje nderim i merituar ky artikull yti per njerzit e medhenj, qe meritojne jo vetem te permenden,por jane ata ne radhe te pare qe u duhen bere edhe nderimet me te medha. Jane ata qe duhet te kene te paret edhe permendoret e nderit. Mjek si Doktor Polena na kujtone Hipokratin e lashtesise, doktor Betynin, na kujtojne ata mjek te medhenj qe duke injektuar semundjet ne trupin e tyre, zbuluan ilace per kurimin e disa semundjeve qe benin kerdine ne popull. Natyrisht qe edhe ne qytet te tjera kishte mjek te medhenj, edhe ne Vlore, edhe ne Tirane, Durres, thuajse ne te gjithe Shqiperine, por, sot, eshte rasti qe po permendet Doktori i madh korcar,Sotiraq Polena,i cili meriton te kujtohet e perjetesohet edhe ne emra rrugesh e bulevardesh, edhe ne permendore nderi, ashtu sic eshte ne zemrat e popullit te Korces dhe te Shqiperise.
Falenderime qe na solle te Fjala e lire kete artikull mbreselenes, kushtuar doktor Polenes.
Me qe eshte rasti,i uroj shendet te plot dhe te shkuara motres suaj Maria, sherim te shpejt te saj.
Me respekt ndaj teje dhe artikujve te bukur dhe realist qe shkruan,
Viron Kona
Dhimiter M. Xhoga(Guri Naimit D.) on 12/06/2018 01:52:40
avatar
Faleminderit i nduari Kristo Zharkanji, qe me shpie ne vite femijnie.Emrin e atij Doktori,si pjestar i shtepise sone,atje ne Zavalanin e Dangellise Naimjan Dr S.Polena.(Me falni se ne cdo shkrim nuk le pa cituar "Dangelline Naimjane",po nuk mundem pa e bere.)Ate qe ne vitet e luftes,une * vjecar,futur ne mendien time,ate filim viti 1946, shpene baba Mihalin i gjithe fshati me barela,deri ne Korce.
Te me falni se e kam perseritur dhe here te tjera kete ndodhi,po kur eshte fjala per Babane dhe per ate doktor te shkelqyer,si POLENA,ia vlen te rimosh, emrat e tyre.Deri ne castin e fundit te jetes,baba Mihali mbeti me dr Polenen ne goje.-Me doli borxhit Dr Polena,nuk e degjova me kokefortesine time".-Fjala ishte qe po tia priste kemben,gati deri ne kofshe,-do te rrosh dhe 100 vjet"- tha doktori mjeshter.Po "Gramenua"keshtu i therrisnin te gjithe,muratorin e talentuar,nuk pranoi,-Me mire te vdes se te jetoj pa kembe-dhe ashtu si dinte ai,udheroi shoqeruesit qe si e moren ne barele,ta shpinin ne shtepi,Zavalanin atje mes Dangellise.. Nje vendim i gabuar qe i kushtoi shume,pas nje muaji a me pake,nderroi jete me fjalet-Nuk degjova doktor Polenen-vrava veten".
Nje jete mbajtur mik ate Dr.fal dhe faktit se ime moter Frosina,do te martohej me 1954,me nje korcar,mik i asaj familie te nderuar(familia Mihali).
Faleminderit i nderuar Kristo Zharkanji se pos kesaj,si e dini(shkruar ne komente te tjera),juve ju admiroj pos talentit ne pene dhe JETE dhe se mbani, emrin e Tim vellai Kristo,nje jete plot halle familiare,po me moral te lerte si Ju,ndare nga jeta ne moshe 75 vjecare,si ish puntor specialist,ne fabriken e Tullave Vore.E mira motra Juaj Maria, atje ne Korce,si binjake me time Moter Frasina,nje"heroine"e pa shpallur e Fabrikes Qelqit,lengon e vetme,femijet ne emigracionin e pas 90tes,jo si si ju,sa di,qe nga vite fund 50ta,ne Athine .Ju adhuroj per ate formim atdhetar qe kini.Miresite ju shoqerofshin;-VELLAI IM,me dy vellezerit ndare nga jeta,me pengje shkuar...
Jete te gjate ju sa motres suajMarie.
Nga Toronto sa festuar me 10Qershor 82 vjetorin e lindies sime. O zot tej oqeanit ne Toronto,mire qe cupa me femijet shkolluar sa ate burre bashkeshort,per ta pire ne kupe, me 1991,buzequmesht lidhur te dy jeten,sot u gezohen femijeve Universitare deri Djali,ne mbarim te Doktoratures si PIANIST e cupa DIETOLOGE.Me fal per keto hollesi, po ndej qetesi shpirterore,mare vete Univeristetin e viteve TONA,me ato lehtesirat e atij pushteti te popullit, ani se thirret MONIST.Do ta kerkojme e nuk do ta gjejme.Nuk donim kete qeverisie,perjetuar pas "Pas 90tes"nga prisnim vertet ndyshime me nje shtet SOCIAL-DEMOKRATIK;nje jete populli yne perkushtuar.-Roj me gaze e rroj me shprese,ndaj skam deshire te vdes" i nderuar Kristo Zharkanji,qe besoj do jeni me mua;Pasues i Gjyshit Jano P Xhoga-Zavalani,rene krye cetes qe komandonte(Nendor 1913),ne mbrojtie te vendit sulmuar nga fqinjet grabitqare,qe nuk donin pavaresine e sapo shpallur me 28 Nendor 1912.Faleminderit oraneve te kohes,shpallur ne 100 vjetorin e renie "Nderi Qarkut Gjirokaster,sa kete vit ne 105 vjetor,(25 Maj)Komiteti pergjithshem i Veteraneve,i propozoi organit perkates per Titullin DESHMOR i KOMBIT". Mirenjohie dhe faleminderit.
Ju shoqerofshim Mbrodhesite,komshiu i femijnise tone-Kristo qe Zharkan-Zavalan,mali Radomit i ndan.

Toronto11-06-2018 Dhimite M Xhoga(D.N.D)

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1