Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Rënia e një busti

Rënia e një busti

Font size: Decrease font Enlarge font
image Petrit Malushi

Nga  Petrit Malushi

Rënia e një busti

            Qyteti im përshkohej përmes nga rruga nacionale jug-veri. Për gjatë saj në anën e djathtë shtrihej lumi. Ai kishte edhe dy sheshe. Më i vjetri ndodhej në qendër. Tjetri, i formuar vonë  nga prishja e disa ndërtesave, shtrihej në anën jugore. Dukej si pika fundore e shëtitjeve të mbrëmjeve, që për kohën ishin ritual i përnatshëm. Nisur nga sheshi në qendër ato vazhdonin në segmentin verior ose jugor.  Njerëzit lëviznin rregullisht në dy korsi, me kahe të kundërta. Kur vije nga jugu, në anën e djathtë të sheshit të ri , shtrihej një lulishte. Buzë saj, në qendër, mbi një bazament betoni ngritur një metër e gjysmë nga toka, qe vendosur busti i ish-kryeudhëheqësit, me pamje të plotë nga sheshi. Hijerëndë, i heshtur dukej sikur i përshëndeste të gjithë qytetarët në shëtitore. Nga ana e tyre, ata me të njëjtën mënyrë, po heshturazi, sikur ia kthenin “mirëmbrëma” kur afroheshin në xhiron e parë dhe “natën e mirë” kur mbyllnin xhiron. Kishte të tjerë që e mallkonin, por pa zë ose mbyturazi, vetëm  brenda vetvetes. Për ato që kishin hequr në jetë dhe ende vazhdonin të hiqnin. Në ditë festash busti përfund mbushej me kurora lulesh. Numri shtohej veçanërisht në ditëlindjen e udhëheqësit.            
                Era e ndryshimit të sistemit politik kishte filluar të frynte që prej muajit të fundit të vitit të sapombyllur. Ashtu si në kryeqytet dhe në disa qytete të tjera, edhe në këtë qytet njerëzit e kishin vrarë frikën që i kishte tunduar për vite e vite. Flisnin lirshëm. Shprehin haptas pakënaqësitë ndaj pushtetit e pushtetarëve për mungesën e energjisë elektrike, të ujit, ushqimeve, pagat e ulëta etj. I riu vit kishte hyrë krejt ndryshe nga vitet e mëparshëm, që dukeshin sikur përsëritnin njëri-tjetrin. Muaji i dytë, më i shkurtëri nga të tjerët, donte më pak se një javë të përfundonte. Qyteti atë ditë dukej gumëzhitës dhe më i zhurmshën se çdo herë. Dukej si një vullkan në prag të shpërthimit. Paradite njerëzit lëviznin andej-këtej grupe-grupe. I kishte pushtuar dëshira për të folur sa më shumë midis tyre. Pasdite grupet u bënë më të mëdha. Si një magnet i fuqishëm, urrejtja për vuajtjet e mbajtura mbi shpinë në dhjetra vite, i grumbulloi të gjithë, shumë prej tyre ishin të rinj, në sheshin para bustit të ish-kryeudhëheqësit duke krijuar një turmë të stërmadhe. Befas, si rrufetë kur shkarkojnë ngarkesën, nga mesi u dëgjuan zëra “Te busti, te busti !“ , „Ta heqim, ta heqim !”, “Poshtë diktatori”. Kaq u desh dhe sheshi oshëtiu. Ata që ishin më pranë u sulën mbi të. Dhjetra duar e mbërthyen për ta shkulur nga blloku i betontë. Të tjerët shkulën pllakat e trotuarit për t´u ruajtur nga mësymjet që mund të bënin forcat e rendit. Për disa minuta e tundën sa andej-këtej. Copa metalike me tiparet e diktatorit, e mbërthyer fort, më në fund u shqit prej bazamentit.”Urra,urra !” shpërthyen thirrjet si gjëmim. “Në lumë ! Në lumë !” bërtitën fort disa. Ata që e mbanin në duar u drejtuan për nga lumi ujëzi.  Të tjerët, për gjatë gjithë bulevardit, i shoqëronin si në një kortezh masiv pa i ndalur thirrjet “Urra,urra !”, “E hoqëm, e hoqëm !”. Pesëqind metra më poshtë, duke e kolovitur në duar dhe nën zërat e turmës “Një-dy-tre ! Një-dy-tre !”, mbajtësit e vërvitën në ujin e pistë të lumit të qytetit. Busti u zhyt përmbys, por një cep i mbeti mbi sipërfaqe, si shenjë për t´u parë nga banorët e qytetit.               
Vetëm pas kësaj njerëzit u ndjenë të lehtësuar, sikur të kishin hequr prej shpirtit një shkëmb dhe prej shpinës një mal. Fytyrat i kishin më të gëzuara. 
Për dy ditë ata që kalonin në trotuar hidhnin vështrime mbi të dhe lëshonin mallkime “Atje e ke vendin !”, “Aty të rrish !”, pastaj i kthenin shpinën. Të tjerë, ish-partiakë dhe ish-pushtetarë ndjenin grryerje brenda vetes. U lotonin sytë tek shikonin bustin e komandatit të poshtëruar. Dhe nuk ndenjën duarkryq. Me metoda, që kishin mbajtur në duar tyre për dhjetra vjet pushtetin dhe i dinin vetëm ata, organizuan popullsinë fshatare. 
              Ditën e tretë, që ishte e diel qyteti u zgjua nën zhurmën e kamionëve, skodave, zetorëve të mbushur me fshatarë që mbanin në duar kazma, lopata dhe pankarta. Të gjithë u zbrazën te sheshi ku kishte qenë busti. Idhtarët politikë ishin në krye. Kur mesa duket kishin mbërritur të gjithë të lajmëruarit, ashtu të turmëzuar u drejtuan për te vendi ku ndodhej i zhytur busti. U kuptua synimi. Donin ta nxirrnin prej andej për ta rivendosur te bazamenti i boshatisur. Spontanisht, menjëherë nga ana tjetër qytetarët u organizuan për t´i ndaluar. Por këtë herë forcat e policisë kishin marrë urdhër për të ndërhyrë ndaj tyre. Punonjës me uniformë dhe civilë u panë të dilnin grupe-grupe nga komisariati, që ishte afër me sheshin. U dëgjuan krismat e para. “Janë fishekë manovre, janë fishekë manovre !”- thanë disa për t`u dhënë kurajo shokëve. Por jo ! Ja një djalë i ri u rrëzua në tokë. E kishin plagosur në të dy këmbët. Shokët po kërkonin ndihmë për ta çuar drejt spitalit. Ja edhe një tjetër i goditur në njërën këmbë. I treti u palos mbi trotuar. Plumbi e kishte kapur në bark. Më tutje, i plagosuri i katërt kishte patur të njëjtin fat si i dyti. “Tërhiquni ! Tërhiquni !”- u lëshuan thirrje. Bustmbajtësit mbi supe, ecnin në bulevard si triumfatorë. Ca hoqën xhaketat nga trupi dhe me to, kur po e rivendosnin te blloku i betontë, i fshinin ujin. Pas disa ditësh, kur pushteti i mëparshëm theu qafën plotësisht, busti u hoq sërish dhe nuk dihet ku përfundoi. Këtë herë ia rrafshuan edhe bazamentin.             


Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1