Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Hiqi çizmet, armik!

Hiqi çizmet, armik!

Font size: Decrease font Enlarge font
image Përparim Hysi

Hiqi çizmet, armik!
           Tregim

Nga  Përparim   Hysi

    Nuk kam qenë prezent, kur ka ndodhur kështu. Po,nëse po e shkruaj këtë tregim flakë për flakë, kjo ndodh se ende kam jo vetëm mbi krahë, por në  tërë trupin mornicat që nuk më ndahen,aq u "infektova" nga një dëshmitar okular i asaj që ka ndodhur. Sa më përket mua, ky tregim imi (personi  është plotësisht i besueshëm), hyn paksa në atë që AT GJERGJ FISHTA thotë diku:"... kështu na kanë thanë dhe atje s'kemii kanë/". Varg të tillë kanë shpesh edhe këngët me lahutë, kur flitet për ndodhi të lashta. Tregimi im fare nuk është i lashtë dhe, nëse po e sjell për lexuesit, e bëj se të dy protagonistët i  kam njohur: si atë"kuadrin komunist", i shquar për bëmat e tij ogurzeza, por dhe fatkeqin që "era e luftës së klasave" e kishte vërvitur në një fshat të Myzeqesë. Fatkeqi qe arsimuar jashtë shtetit, para se të vinte regjimi komunist dhe, ngaqë luftë e klasave zhvillohej brezash, e pësonte nga origjina. Jo se vet kishte bërë ndonjë gjë kundër partisë e pushtetit, por me  gene qe nga një fis i madh ,den babaden, nga Tirana. "Armiku", nëse i referohem gjuhës së ashpër të komunistit "ortodoks", kryente detyrën e agronomit të  sektorit në një nga fermat më të mëdha të Myzeqesë.
Nga ana hierarkike, sipas organikës, agronomi qe personi i dytë që vinte, menjëherë, pas përgjegjësit të sektorit.
Përgjegjësi i sektorit qe jo vetëm komunist,por kudo që kishte vajtur, ia kishte kthyer ndërmarjes, kooperativës apo dhe sektorit, potinat nga dielli. Sidoqoftë, kuadrot qenë "monopol i partisë" dhe komunistët qenë ata që drejtonin. Fjala komunist  qe si"pasaportë" që kishte të hapura,me dy kanata, dyert e drejtimit: në qytet apo dhe në fshat. Komunistët në"vijë të parë" dhe nuk  kam për ta harruar kurrë, atë që shkroi një telekronist i kohës.Mori në pyetje një fshatar babaxhan dhe e pyeti:
-Sa fëmijë ke?
-Tre djem,- tha fshatari.
-Çfarë pune bëjnë?
- I madhi, mësues; i dyti agronom dhe i treti k o m u n i s t!!!
Është pak si çudi, po për ne që e kemi jetuar të gjithë atë regjim, këto janë "çudira që nuk na çudisin".
                                                       *      *     *  
Edhe komunisti i tregimit tim është i tillë.Triska e partisë për të qe jo vetëm shkollë, por kaluar shkollës. "Shkolla  e parë" e tij qe se shërbeu si ushtar në "Gardën" e asaj kohe dhe, ngaqë shërbeu në bllok (thonë ruante komandantin), u pranua në parti dhe, kur u lirua, filloi si mësues. E pata në komision, kur dhashë porvimin e lirimit të klasës së katërt në vitin 1952. Pas ca vjetësh,e gjeta si kryetar kooperative dhe po bënte përpjetë. Më tutje në një  ndërmarrje që e nxori me këpucë të kuqe, por partia dinte ta ndante "egjrën nga gruri": faji i firove në ndërmarrje a kooperativë qe"kostum" që duhet ta vishnin vetëm armiqtë e klasës.Komunisti qe imun! Për t'i vënë pikat mbi i, për këtë kuadër kaq të çmuar, them që ia vlen që t'ju kujtoj një personazh nga estrada e DURRËSIT: ky qe si ai"Kiu-FIU" i famshëm.
Në një gjashmëri më të përafërt, më kujton një ish-trajner  futbolli që kudo që  trajnoi një  skuadër e uli skuadrën një kategori më poshtë. Ndodhi  që drejtoi skuadrën e Beratit dhe, ngaqë Berati, ra nga kategoria e parë në të dytën, trajneri kërkoi të vinte në Fier. Tifozat fierakë të futbollit këtë kandidaturë jo vetëm nuk e pranuan, por i bën një telegram shumë shpotitës:" Transferim kërkove/ transferim të dhanë/ mos do të dhjesësh Fierin si dhjeve Beranë?!!!".
Natyrisht, trajneri nuk erdhi, por ndryshe me këtë"gardistin" tonë. Qe komunist dhe duhet të  drejtonte në një sektor të"ashpër" ku kishte dhe"armiq" të klasës.Instiktin e "luftës së klasave" e kishte dhe shkollë, por dhe si"mendjendritur". As donte t'ia dinte për dijet shkencore dhe në fushën e bujqësisë, por gjëmonte e bubullonte:"... se ndaj më ka sjellë mua partia këtu!". Një i tillë, natyrisht, nuk ka qenë i vetëm. Nuk po them se  sistemi nuk kishte njerëz të ditur.Kishte plot komunistë të arsimuar dhe qenë shumë racionalë  në vendet ku punuan. Por i paafti, zotësi quan" bërtitjen me zë të lartë; bërjen kundër të një thënieje të mençur,aq më shumë kur "mençuria" vjen nga "armiku i klasës". E mbaj mend mirë,këtë "lloj mençurie" të tij, kur mend e mbyti një agronom:- O burra, - bërtiti kryetari,- luaj vendit,agronom, të nxjerrim traktorin nga balta. Agronomi s'e trembi fare qerpikun dhe i  tha:- Kryetar, nuk është me goma, por me pllaka zinxhiri si tank, nuk del me të shtytur! Marsh,- bërtiti tërë jargë,- mua do më japësh mend ti, kot jam komunist i Enver HOXHËS,una! Dhe agronomi bëri"marsh", por nuk qe ky i tregimit.
                                               *     *     *
Kishin rënë shira të vazhdueshme dhe agronomi i sektorit X..., ngaqë kishte shqetësimin e një profesionisti, vendosi që  të inspektonte gjendjen e kanalit vaditës, që, po të dilte, dëmtonte një sipërfaqe të madhe të prodhimeve. Balta kish arritur gati tek gjuri dhe agronomi shkoi  tek  makazina e sektorit, hoqi këpucët dhe tërhoqi një palë çizme me kusht kthimi, pasi të kthehej nga inspektimi. Sado që zona qe e largët, agronomi qe mësuar me këto vështirësi dhe punës i rrinte mbi kokë. Sektori i ndërmarrjes qe në rrugë të mbarë dhe vetëm emri i përgjegjësit të sektorit lakohej për mirë. Qe ai parimi klasik: mishin babai e kockat këlyshi!. Përgjegjësi thërriste e  bërtiste dhe, në çdo ballafaqim apo mbledhje, i referohej vetëm një thënieje:- Ta dinë mirë armiqtë e pushetit popullor dhe të partisë, se syrit vigjelent tonin nuk i shpëtojnë. Edhe, nëse ndodh që ndonjëri prej këtyre armiqëve punon mirë,e bën nga frika. Tërë ditën,përgjegjësi, rrinte zyrave dhe e gjeje diku ku kishte ndonjë gosti. E kishte bërë zverkun si ata demat e DIVJAKËS që dikur përdoreshin për rracë. Qe dhe qejfli femrash (nami i kishte shkuar tek Molla e kuqe), por qe "imun" dhe bërtiste për  moralin proletar. Armiqtë e klasës donte t'i demaskonte me vend e pa vend dhe, pothuaj, kalonte në orgazëm kur "shahitë" ( e meriton si sharlatan që qe),kishte femra. Vet gjithandej me biroç dhe kapërdisej si maçoku në thekër. Si  gjasme, i preokupuar me punë, hipur mbi biroçin me"tapi" (natyrisht,për biroçimn kishte"shafer",siç thoshte), por këtë radhë me të hipur dhe me një femër. Po i hanin brirët për sherr dhe,ndërsa kërkonte, ku të shkarkohej, shikon agronomin.
- Ku ke qenë?- pyeti "Zeusi".
-Kontrollova gjendjen e kanalit vaditës,- tha  agronomi.
- Oh, të ha meraku shumë tyja,- shpotiti neveritës. Agronomi nuk u ndje.
- Ore,- ngazëlleu ZEUSI, po ato çizmet mos janë ato që mbajmë rezervë?
-Nga ato janë. I mora  sa për të kontrolluar gjendjen dhe do t'i  kthej prapë,- tha me politesë agronomi.
-Ashtu,ë? Ju, armiqëve të klasës,- shkroptiti "rrufeja" nuk u zë gjumi, pa dëmtuar pushtetin. E bëni ashtu si pa ndjerë dhe kujtoni ju se u zëmë besë.
- Hiqi çizmet,armik!
-Po unë këpucët e kam lënë në makazinë dhe,sa të mbrrij atje, do lë çizmet.
-Hiqi çiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiizmet, armik!- bubulloi.
Dhe agronomi fatkeq i hoqi çizmet dhe, vetëm me çorape,pasi bëri gati 1orë rrugë nëpër baltë, mbrriti tek makazina. Dhe, tek e mbaroj, ende e përfytyroi atë agronom fatkeq,ashtu duke çarë baltën zbathur si një fajtor pa faj.
                          

                            Trianë, 13 maj 2018

Comments (1 posted):

Dashamiresi D. on 29/05/2018 16:58:56
avatar
Si dashamires i pene suaj ju pershendes;per"sinqeritet"te nje "komunisti-"antikomunist.
Do ishte mire te gjeje nje tjeter "lende te pare"jo "cizmet"...mik i dashur.
Dahamiresi D.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1