Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | MAKINA E MBULUAR

MAKINA E MBULUAR

Font size: Decrease font Enlarge font
image HASAN KOSTRECI

NGA HASAN KOSTRECI                                             

 

                                                              

Ishte një mbas dite Janari dhe qielli i nxirë tregonte se së shpejti do t’ia niste shiu. Nga Sahati në qëndrën e  Elbasanit dhe deri tek Ura e Shkumbinit, e bëra, pothuajse me vrap dhe nga që jo vetëm u lodha, por dhe u djerrsita, u mbështeta mbas një trungu peme, që të merrja pak veten, por dhe të mbrohesha nga era e ftohtë që vinte nga gryka e lumit.

- Duhet të kishim dalë më shpejt, por u vonuam, sepse im bir s’ka qënë edhe aq mirë me shëndet  –  më tha Kristina, e cila sëbashku me të shoqin, Vasilin dhe djalin e tyre gjashtë vjeçar, Sokolin kishin dalë aty para meje e po prisnin – po deri tani nuk ka kaluar asnjë makinë.

- Do presim edhe ca sa të erret dhe fundja do e lemë për nesër – shtoi i shoqi.

Ata burrë e grua qenë arsimtarë ne Gramsh, ndërsa unë në një fshat disa orë më tutje, por për kohën që flas, ai qe një qytet fare i vogël, vetëm me një rrugë kryesore, nja tre a katër dyqane anash, një restorant, një kinema, ku gjatë çfaqjes filmi ndërpritej disa herë, si dhe një shtëpi kulture, ku arsimtarët e kishin të detyruar që të aktivizoheshin. 

- A po mbërdhi? – e pyeta unë fëmijën e tyre të vogël, Sokolin, i cili i futur mbas palltos së s’ëmës, i dukej vetëm maja e hundës.

- Po – m’u përgjigj ai dhe mbasi u shkëput nga e ëma, më pyeti; pse nuk po vjen më, që të më mësosh kitarrën? 

- Sepse nuk banoj më këtu – i thashë. 

- S’i kemi thënë ende që të kanë çuar në fshat -  m’a shpjegoi Vasili - e kishte marë me shumë qejf dhe mezi priste kur vinte e shtuna.

- Këta edhe kanë nevojë për instrumentistë, edhe nuk i mbajnë! - ndërhyri e shoqja, por Vasili që e dinte mirë shkakun, e vështroi atë në sy dhe vuri buzën në gas. 

- Për punë biografie, komiteti i partisë nuk të fal– ia ktheu ai, ndërsa unë nga që nuk desha të vazhdohej më ajo bisedë, u shkëputa dhe dola në rrugë.

- Më duket se po vjen një makinë, por qënka e mbuluar – u thashë, por kur ai uli shpejtësinë dhe ndaloi, e njohëm që ishte xha Sotiri i uzinës së Çekinit, një burrë i moshuar dhe me flokë të thinjura.

- Deri në Gostimë vëndet përpara i kam të zëna – na tha ai - por nëqoftëse qëndroni dot mbrapa, hipni – shtoi dhe zbriti e hapi cepin e mbulesës prej mushamaje që ta shikonim.

- Si thoni? – i pyeta ata unë, kur pashë që po hezitonin.

- Tjetër nuk kemi ku gjejmë, prandaj hipim – vendosi Kristina dhe e ndihmuar prej të shoqit, një dorë e vuri tek spondi, ndërsa me tjetrën mbajti fustanin, që prej erës, iu ngrit përpjetë. 

- Vetëm do ju lutem të qëndroni urtë e mos u ndjeni – na porositi shoferi dhe u drejtua më shume nga djali i tyre, i cili edhe mund të mërzitej – por.... - u mat ai që të shtonte, por Vasili e ndërpreu.

 - Mos kij merak, se nuk do të hapim asnjë problem - i tha ai dhe atëhere xha Sotiri uli  mbulesën e mushamasë përsëri, i lidhi dy cepat anësorë, u fut në kabinë dhe u nisëm. 

Një llambushkë e vogël e vendosur në krye të karrocerisë, s’e ndriçonte pothuajse fare gjithë atë ambient, prandaj na u deshën disa sekonda që të ambientoheshim. U ulëm, megjithatë, në disa dërrasa të vendosura paralel, të cilat shërbenin si sedilje, por nga që edhe ato nuk qenë të mbërthyera dhe lëviznin, herë pas herë na duhej që të mbaheshim nëpër spondet anesorë. Vumë re mbas pak se të ulur në krye dhe me fytyrë nga neve, ndodheshin gjithashtu edhe një çift tjetër, ndofta burrë e grua që po rrinin në heshtje. 

- Mirëmbrëma! – i përshëndetëm.

- Mirëmbrëma – na u përgjigj burri, ndërsa gruaja nuk foli.

Shiu jashtë filloi të bjerë i rrëmbyeshëm dhe në vëndet ku mushamaja qe e grisur, futej edhe brënda

- Sa ajër i rëndë! – tha Kristina, kur u ndje erëa e gazit që vinte prej skapamentos dhe nuk kishte nga dilte.

- Po pse tundet kaq shumë –  pyeti këtë herë djali i tyre i vogël, Sokoli, që fjalën e kishte për makinën, e cila si e lartë, sa herë që binte nëper gropa, dukej sikur nga çasti në çast do përmbysej. 

- Mos kij frikë, se xhaxhi Sotiri është shofer i vjetër – i tha e ëma dhe u mundua që ta ulë, por ai nuk pranoi.

Pikat e shiut që godisnin mbi mbulesën e mushamasë, na bënë të gjithëve të mbyllim sytë e të dremisim, por në heshtje apo gjithashtu flinin edhe çifti përballë, të cilëve prej errësirës, s’u përcaktohej edhe aq mirë mosha. 

- Ai xhaxhi atje nuk më le që të kaloj tek rreshti i fundit – na përmëndi dhe na bëri që të hapim sytë djali i tyre, Sokoli, i cili gati sa s’qante.

- Po ti a e dëgjove xhaxhi shoferin, kur na porositi që të rrimë urtë e të mos bëjmë zhurrmë – i tha Kristina dhe u mundua përsëri që ta ulë, por ai e kundështoi – a do të vë një muzikë të bukur, që ty të pëlqen? – e pyeti dhe nxorri njëkohësisht nga çanta një radio me bateri nga ato që kishin filluar të montoheshin në Durrës dhe kur djali dëgjoi zërin e Parashqevi Simakut të shoqëruar nga një kor fëmijësh, u afrua dhe filloi të këndojë me ta edhe vetë. Prej shiut dhe bubullimave përjashta, nuk kishte rrezik të dëgjoheshin as radioja, as zëri i lartë i fëmijës, por as tonat, që ia nisëm mbas pak t’i shoqërojmë, ndërsa vetëm çifti në ballë, vazhdonin të rrinin në heshtje dhe vetëm  na shikonin.

- Ç’pate? – E pyeti Kristina të birin, kur ai mbasi filloi përsëri të luajë, diku u pengua dhe ra.

- Po të porosis që këtej të mos kalosh më edhe njëherë – iu drejtua atij burri i ulur në fund të karrocerisë, por nga që toni i zërit të tij qe pak i egër, mamasë së djalit i erdhi keq dhe i bëri përshtypje.

- Fundja fëmijë është dhe nuk duhet që të mërziteni kaq shumë – ndërhyri ajo, por kur u përkul që ta ngrinte, shtangu, sepse përpara këmbëve të saj, pa  një arkivol të vogël, që të linte të kuptoje se ishte i një fëmije - Ua – lëshoi ajo një klithmë dhe me djalin në krahë, u kthye e u ul përsëri tek vëndi i vet.

- Si është puna? – E pyeti i shoqi dhe fiku menjëherë radion, por në këtë moment edhe makina u ndal dhe kur shoferi hapi fundin e mushamasë dhe në karroceri hyri drita, u befasouam, kur në duart e çiftit që u ngritën për të zbritur, u duk një arkivol prej dërrase i mbuluar përsipër me një beze të kuqe. Deshëm që t’u kërkonim falje, por momenti për këtë nuk ishte, prandaj si unë ashtu edhe Vasili u hodhëm menjëherë në tokë dhe sëbashku me xha Sotirin, i ndihmuam për të ulur xhenazenë.

- Fëmija juaj? – i pyeta.

- Po – m’u përgjigj gruaja - i plasi apendisiti dhe infeksioni qe përhapur aq shumë, sa doktorët e Elbasanit nuk patën dot mundësi që ta shpëtonin – shtoi ajo dhe nxorri nga xhepi shaminë që të fshinte lotët. 

- Të rroni vetë dhe të na falni për pakujdesinë që treguam – u thamë ne atyre, ndërsa Kristina me vështrimin që i hodhi shoferit, i la të kuptojë, se gabim kishte edhe ai që nuk na tregoi. 

- Ishte errësirë dhe nuk u vihet faj – foli këtë herë i shoqi – por megjithatë ju faleminderit për keqardhjen dhe ndihmën që po na jepni – shtoi ai dhe na dha që të treve dorën. 

Të dy ata tani dukeshin që ishin të rinj dhe e kishin, ndofta, fëmijën e tyre të parë.

  - Sumë të faleminderit dhe ta paçim borç – iu drejtuan ata burrë e grua xha Sotirit dhe e kapën në qafë, por ku i shoqi u mat që t’i fuste diçka në xhep, ai e kapi nga dora dhe e ndaloi.

 - Në asnjë mënyrë. Blijini me to nga një tufë me lule dhe vendosjani mbi varr – shtoi ai dhe duke u vënë të gjithë në rresht, e kaluam arkivolin dorë më dorë deri tek një karrocë që po priste pak më tutje. 

- Në ç’fshat do shkoni – i pyeti Vasili. 

 - Në Mollas – na u përgjigj karrocieri dhe u nisën. 

Qe një moment mjaft prekës dhe qëndruam aty më këmbë dhe pa lëvizur deri sa ata u larguam, por me një pamje serioze dhe krah nesh po rrinte gjithashtu edhe djali i tyre i vogël, Sokoli.

- Duhet të na kishe thënë – iu drejtua Kristina, shoferit, kur u futëm mbas pak në kabinë dhe u nisëm. 

- Mendova se nuk do ndjeheshit mirë – na u përgjigj ai dhe psherëtiu – por për diçka që nuk e di dhe e bën pa dashje, Zoti të fal dhe nuk ta quan mëkatë – shtoi dhe megjithëse besimi fetar në atë kohë qe i ndaluar, ai bëri kryqin.

Shiu mbas pak pushoi, por rrëketë e ujit që zbrisnin rrëmbyeshëm nga mali, e kishin dëmtuar mjaft rrugën ku ne po kalonin, prandaj makina e mbuluar e uli shpejtësinë dhe po ecte ngadalë......

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1