Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | THYEJ QAFËN! S’JE PËR LIBËR TI!

THYEJ QAFËN! S’JE PËR LIBËR TI!

Font size: Decrease font Enlarge font
image Kadri Tarelli

Kadri Tarelli 

 

THYEJ QAFËN! S’JE PËR LIBËR TI!

Skicë

Një zë dëgjova të vinte nga trotuari në anën tjetër të rrugës. Ishte Arjani, djali i Muzemilit, mikut dhe kolegut tim, i cili kishte pak kohë që kishte ndërruar jetë. Ai po pinte një birrë në tavolinat e vendosura në trotuar, nën hijen e disa drurëve të mëdhenj. E përshëndeta dhe desha të vazhdoja, por më ftoi në tavolinën e tij, duke ma bërë me dorë. E mendoi, se mos isha pak me ngut, ndaj pa e zgjatur fjalën, më tha: 

- Profesor! Rri sa të duash, por unë kisha qejf që të pije diçka me mua, si mik i babës dhe botues librash. – Arjani kishte hapur një shtëpi botuese dhe një dyqan, ku tregtonte mjete kancelarie, mes tyre edhe libra, por këto ishin të pakta.

- Nuk po ta prish, - vazhdova unë, - megjithëse nuk kam shumë kohë, - bëra sikur nuk isha i ngeshëm.

U bënë përshëndetjet e rastit, sidomos për shëndetin, meqë unë isha më i i vjetër, më pas për shkrimet, librat, punën dhe biznesin, kur bëhet fjalë për Arjanin, që ishte i ri.

Erdhi kamarjeri dhe Arjani porositi edhe për mua një birrë. U interesua për përgatitjen e librit tim të ri, duke më premtuar, se: - të parin, e botove në tjetër vend, kurse këtë të dytin, do ta sjellësh te unë. Mos ma kundërshto dëshirën, - më tha, kur vuri re, se unë po matesha t’i thosha, se e kam porositur në tjetër vend.

Në të vërtetë nuk kisha bërë porosi, sepse s’e kish ndarë mendjen, por më vinte zor që të çoja tek shtypshkronja e Arjanit, duke menduar, se do ta vija në siklet për çmimin dhe shpenzimet e botimit. Një lloj sedre e brezit tonë, që nuk duam t’i biem në qafë miqve dhe sidomos fëmijëve të tyre. Nuk i thashë, as po, as jo, duke shtuar: ka kohë deri sa ta përfundoj edhe dorën e fundit.

Kur mbaruan këto biseda të shpejta, se si m’u dha ta pyes: - O Arjan! Ç’u bë me ato katër-pesë librat, që të solla në dyqan? – qëllimisht një lloj shmangie të bisedës nga ana ime. Vërtet, unë me kërkesë të vetë Arjanit, i çova disa copë, për t’i reklamuar e për t’i shitur, meqë aty shkruhej për shumë miq e shokë edhe të prindërve të tij.

Arjani filloi të qeshë më të madhe. Nuk pushonte, sa lot i dolën nga sytë. Si piu një gllënjkë birrë, u drejtua në karrige dhe ndryshoi fytyrë. Dukej se po skuqej nga një inat i brendshëm. Si i zënë në faj, më tha: 

- E di ç’më ka ngjarë me ato librat? – e vazhdoi fjalën. – Më vjen një mik i babës, nuk ta them emrin, më vjen zor, se është edhe kolegu juaj. Rastisi që të isha vetë në banak dhe më thotë, pa ndrojtje: “More Arjan! Kolegu ynë, Kadriu, tani së fundi ka botuar një libër. Më thanë, se aty shkruhet edhe për mua.....”. Donte të vazhdonte, por unë lëviza, duke nxjerrë librin nga poshtë banakut. Mora një fletë të madhe, të bardhë, për ta mbështjellë. E shtriva me dorë mbi xhamin e banakut dhe vura librin mbi të, duke e ujdisur, që të mblidhej bukur. Ai po i ndiqte veprimet e mia dhe më ndaloi: 

- Arjan! Unë nuk dua të ble librin. Dua veç ta lexoj, se ç’ ka shkruar për mua.

Kur dëgjova kështu, m’u rrotullua dyqani, sikur më ra tavani mbi kokë. Edhe ai mësues është. Gjithë jetën me libra është marrë. Dhe zotrote i ke bërë gjithë atë nder, duke e futur në libër. E kam lexuar atë goxha shkrim të gjatë, kushtuar veprimtarisë së tij. Më erdhi keq dhe turp. Nuk di si u bëra, por ndjeva se u prisha në fytyrë dhe nuk i peshova fjalët që nxora: - Ikë e këput qafën! S’je për libra ti. Ka faj profesori, që shkruan për njerëz si ti! - I thashë duke e parë drejt në sy. 

Pa më kthyer përgjigje, iku me të shpejtë. Desh u përplas me derën gjysmë të hapur. Nga nxitimi e hutimi, gati sa nuk u rrëzua në ato tre-katër shkallët e dyqanit. Mbase nuk e priste shpërthimin tim. Tani, kur më sheh në rrugë, ndryshon udhë. Ndjej neveri për të, më shumë keqardhje. Nuk e di ç’ndjeni ju profesor. Nuk di, si do ta vlerësosh veprimin tim, por besoj se bëra mirë. Nuk pendohem edhe po të më qortosh, pasi mendoj dhe gjykoj, sa mundim ju duhet juve që shkruani. Kam parasysh babën, që rrinte deri vonë mbas mesit të natës, duke shkruar, dikur me dorë në ca fletore, më pas në një makinë shkrimi të sajuar, me një, a dy shkronja mangut, që na linte pa gjumë nga trokitjet e saj, së fundmi me kompjuter. Shpesh e gdhinte natën, sa i skuqeshin sytë e mezi drejtonte kurrizin në mëngjes. Kur vinte puna për të botuar, sherr e shamatë në shtëpi me mamën, se duheshin goxha para për shtyp. Mund të më thoshte t’ia ulja çmimin, do ta pranoja, madje mund edhe t’ia dhuroja nga ana ime, se s’u bë qameti. Por jo kështu!!

E shikoja Arjanin, që dukej vërtet i nxehur. Nuk dija ç’ ti thosha, veç shtova: Ashpër i ke folur! Nuk i prish koha njerëzit. Ajo i tregon se ç’ soj brumi janë! Je i ri dhe ke për të dëgjuar lloj-lloj ngjarjesh, ke për të njohur lloj-lloj njerëzish.

Kisha harruar birrën! E vura në gojë. I ishte prishur shija!

 

Kadri Tarelli

Durrës, më: 07. 05. 2018.      

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1