Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | NE SHETITJE ME GJYSHIN

NE SHETITJE ME GJYSHIN

Font size: Decrease font Enlarge font
image BEDRI ALIMEHMETI


Tregim

Të nesërmen e mbërritjes në Romë dy nipat e morën gjyshin për ta shetitur. Hipën në makinë dhe u nisën.
- Gjyshi ke qenë ndonjëherë në Romë? - e pyeti nipi i vogël, që në trup qe gati një pëllëmbë më i gjatë se i vëllai.
-Jo - tha gjyshi - nuk kam qenë. Madje kjo është hera e parë që dal jasht shtetit.
-Si e para?! - thanë me një zë dy vëllezërit.
-E para pra. Kush na linte ne more trimat e gjyshit të dilnim jasht Shqipërisë!
-Po pse nuk ju linin o gjysh?
-Sepse nuk donim partinë, nuk donim pushtetin e qeverin, nuk i donim fare komunistët.
-Po pse nuk i donit?- këmbënguli i vogli.
-Sepse nuk ishin për t'u dashur. Na e nxinin jetën në gjithcka, por edhe po të na linin të shkonim jasht shtetit e dinin ata...eh!
Gjyshi psherëtiu dhe heshti, por djemtë nuk  e lanë të qetë.
-Cfarë dinin? - pyetën gati njëherësh.
-Që nuk ktheheshim më, ja këtë dinin dhe e dinin mirë që nuk do ia shihnim më bojën Shqipërisë së komunistëve. Por, gjithsesi bën mirë.
-Si, bën mirë o gjysh! - u habitën djemt.
Ai i pa me dashuri dhe pasi vuri buzën në gaz tha:
-Sepse po të më ish dhënë mundësia nuk do të isha kthyer kurrë më në Shqipëri, do kisha krijuar familje tjetër, pra nuk do t'u kisha ju princat e mij. Po hajt tani se flasim ndonjëherë tjetër, për këto meselera. Tani comėni të shoh Koloseun. Hë o burra. 
Dhe makina vijoi para me shpejtësi, u fut në një tunel, që llamburiste nga dritat e shumta e sapo dolën u gjendën nën harkun e mureve të lashtë roman.
-"Porta Maggiore "- tha i vogli.
-Këtu do të ketë mbërritur Hanibali, teksa senatorët romakë grindeshin e për pak desh i zu gafil kartagjenasi. Ndaj ka mbetur ai llafi vjetër "Hanibal ante portas", që do të  thotë mos u merni me fjalë të kota, po hapni sytë se armiku po ju troket në derë.
-Ku i di gjithë këto gjëra ti o gjysh? - foli nipi i madh teksa ngiste makinën.
- Kam studiuar e lexuar pafund o t'u bëft gjyshi. Shkollë s'më lejuan të bëja, familjen tonë e quanin armike dhe si bir i saj unë e të gjithë pjestarët e tjerë, nuk duhej të shkolloheshim. Ja i tilli ishte ai regjim. Pika që s'u binte. Universitetin unë e kisha ne shtëpi. Im gjysh më mësonte turqishten e vjeter, ai kishte studiuar ne Stamboll. Babai më mėsonte anglisht, kurse nëna italisht, teksa vetëm njërën dhomë të shtëpis së vjetër e kishim plot e përplot me libra. Qindra e ndoshta mijëra ishin dhe unë aty rrija më të shumtën e kohës. Aty e kam kryer universitetin... Eh hajt tani ecni.
Dhe bëri para, ata e ndoqën por sapo vunë këmbët në Kolose gjyshi foli si të qe zgjuar   nga një ëndërr:
-Qëndroni! Mbani vesh. Mbi këtë truall ku po vini këmbët ka shkelur Cezari, një nga tre burrat më të fuqishëm, që ka njohur deri më sot bota.
-Kush janë dy të tjetër gjyshi?- u hodh i vogli.
-Aleksandri i Maqedonis dhe Napoleon Bonaparti.
 Pas vizitës në Kolose, gjyshi kërkoi ta conin të shikonte "Fontana di Trevi". 
-Thuaj sa të duash, - vijoi t'u tregonte  nipave-kam qen në Romë, kam parë këtë e atë flit sa të duash, po nuk pate qenë në "Fontana di Trevi", po nuk e pate parë atë  zëre se nuk ke qën fare në Romë. Ky vend është vërtet një mrekulli. Ja aty.-dhe u afrua buzë bazenit duke u treguar me dorë-mu aty u fut në ujë me gjithë rroba i madhi Marcelo Mastronjani dhe u puth o Zot sa fantastike me bukuroshen suedeze Anita Ekberg.
Dy nipat kishim mbetur si të hutuar. Gjyshi po i befasonte pafundsisht.
- E keni parë filmin "Dolce vita"? 
Djemtë ngritën supet njëherësh.
-Duhet ta shihni film kryevepër, - vijoi ai - ndër më të mëdhenjt në botë. Film i regjizorit Federico Felini.
Nipat s'folën fare, pa u ndjer zunë vend në makin dhe pritën gjyshin që shkrepte papushim celularin.
- Shkojmë - u tha ai duke zën vend në sedilje.
- Për në "Olimpiko" dakort gjyshi? - foli i vogli pasi kishin bërë një cop rrugë.
-Ka gjë ndeshje?
-Jo, jo vetëm për ta parë.
-Bukur shkojmë "Olimpiko" është tempulli i sportit italian.
Ende pa mbërritur në stadium, gjyshi i "mbyti" nipat me historira sportive. "Këtu ka loz me Romën futbollisti i Sportklub Tiranës Naim Kryeziu. Këtu etiopiani Abebbe Bikila hyri i pari dhe u shpall fitues i Maratonës në Olimpiadën e Romës më 1960, dhe duhet thënë që 42 kilometrat edhe 195 metrat aq është distanca e maratonës, Bikila i vrapoi zbathur. Këtu në 1990-tën Gjermania doli kampione e botës, pas golit të Bremes me penallti...". Dhe s'reshte së foluri gjyshi. Ndërkohë dielli kishte perënduar dhe nata mbi Romë po vinte dalngadalë. Dy nipat gjetën rastin të mos i shihte gjyshi dhe sec folën mes tyre shpejt e shpejt.
        Kur dolën nga stadiumi rrugët e kryeqytetit italian llamburisnin nga dritat.
- Është e bukur Roma, apo jo more cuna?
-Kot nuk i thonë qyteti më i bukur botës. - ngriti zërin i vogli, kurse gjyshi tundi kokën në shenjë pohimi.
-Tani o burra për në shtëpi, - e ngriti zërin ai - vajti vonë.
         Ndërkohë gjithcka ishte kredhur nën puhizën e natës. Autovetura shpejtonte bregut të Teverit mbi ujrat e të cilit llamburitja e dritave shumëngjyrëshe krijonte konfigurazione të cuditshëm, herë si kurrize peshqish plot luspa, herë si orkide spërkatur nga vesa e mbrëmjes. Ndërkohë gjyshit i kishin mbetur sytë aty aq sa nuk desh t'ia dinte se ku po e conin djemtë. Paskësaj u futën në një nënkalim të gjatë, dalja e të cilit i nxorri në një bulevard të gjerë.
- Qysh quhet kjo rrugë?
-"Palmiro Toliati"
- Jo more! Kryekomunisti i Italis. O Zot  o Zot! C'më dëgjojnë veshët! Palmiro Toliati.
- E njeh gjyshi? - u hodh i vogli.
- Qysh jo? Madje, e njoh mirë. Dhe italianët ia kanë përjetësuar emrin në këtë bulevard. Mortja t'ia vinin një milion herë më mirë do të ishte. I vihet emri i një komunisti, gjithë këtij goxha bulevardi! Pas luftës italianët e bën edhe kryeministër.
- Vërtet o gjysh?! - folën djemtë njëherësh.
- Po ore po, kryeministër vetëm për disa muaj, madje dhe për pak desh e hoqën qafe, se kush i bëri atentat, nuk më kujtohet. Punë plehrash.
    Ndërkohë vetura po shkiste lehtë mbi kurrizin e rrugës. Xhan xhin në të dy anët e trotuareve. "Mirë e bëkërkan - tha me vete - iu lumtë. Këmbë njeriu mos shkeltë mbi....
     Iu pre llafi gjyshit, kur pa që pas një peme shndriti silueta e një flokëverdhë, kofshë e gjoks zbuluar. Për një cast iu duk se qe në ëndërr, po kur pas një peme tjetër iu shfaqën vithet e gjëra të një flokuqeje dhe pak më tej buzë trotuarit pa një mulate që tymoste duhan disi me nervozizëm u bind se, nuk qe nė ëndërr. "Hë qerratejt! - tha me vete - duan të lozin me mua". Ndërkohë matanë në krahun tjetër dy shalëgjata u futën njëra pas tjetrës në një veturë të verdhë, që u nis me shpejtësi.
- Ore maluketër - iu kthye nipave - më kë doni të talleni ju, hë? Më thoni që kjo rrugë mban emrin Palmiro Toliati, kurse kjo fund e krye është mbushur me prostituta, hë pa më thoni?
- Jo gjyshi nuk tallemi! - foli i vogli - këtë emër ka.
-Tregomëni ku është e shkrojtur.
- Ja tek ajo pllaka e bardhë në faqen e murit atje - tha i madhi dhe afroi makinën buzë trotuarit.
       Dhe pse qe errësirë gjyshi e shquajti mirë pllakën, ndaj pa e zgjatur urdhëroi:
- Mbaje! Mbaje!
 Paskësaj zbriti shpejt dhe iu qas pllakës së bardhë. Ndërkohë teksa po lexonte c'shkruhej dy fundshkurtra e morën për klient iu afruan, por gjyshi uli shpejt zinxhirin e pantallonave dhe zbrazi ujët e hollë poshtë pllakës mbi të cilën shkruhej "Q. VII  Viale PALMIRO TOLIATI".
      Gjithë këtë skenë dy nipërit e ndoqën gojëhapur, ndaj kur u kthye në makinë i than thuajse njëherësh:
- Hë gjyshi? Prostati ë!!!
- Jooo ore! Po thash meqë italianët ia paskan menderosur emrin duke ia mbushur rrugën me rrospi, përse të mos ia pshurr dhe unë, këtij birbo komunisti, se kur isha maturant në gjimnaz ma pat nxirë jetën me atë kodosh libri "Edhe një herë mbi divergjencat e shokut Toliati me ne", që na e kishin vën me detyrim për ta studiuar.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1