Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | E shkuara ka një mesazh

E shkuara ka një mesazh

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fatmir Terziu

E shkuara ka një mesazh

Tregim nga Fatmir Terziu

 

I kishte kryqëzuar me neveri këmbët. Si kërcime degësh të shkrafanjitura i vareshin në fund të atij porcelani të bardhë, në formë tasi gjigand. I kishte të thata, të holla dhe leshtore. Medemek ishte lodhur. Dukej disi nga pllaqitja e duarve mbi porcelan. Të tjerat, midisjet trupore, ishte duke i digaçur në banjën e tij. Ndërsa mendjen e kishte nisur gjetkë me akrepat, që e kishin ndjekur tërë atë natë udhëtimi imagjinar, pasi e kishin frymëzuar për përsiatjen e tij. Për shënimin e tij më të fundit filozofik. 

Ishte mjaft vështirë të flisje për gjë tjetër, përveç këmbëve telanake. Teksa i shihje se sa me nervozizëm i kishte kryqëzuar, ndërsa ai ndodhej në atë banjë, sykapja ngushtohej vetëm në ato dy këmbë, edhe pse mendja kërkonte më shumë poshtë asaj shkume të madhe. Njëra këmbë, ashtu ndenjazi rëshkiti dhe u zhyt menjëherë në ujë. Tjetra duke kilikosur bardhësinë e porcelanit dhe shkumës, dukej sikur nuk donte të kishte fatin e të parës, por zhurma e tradhëtoi. 

Ah, zhurma!? Zhurma ishte e njëjtë. Një plluq! Me dorën e majtë zgjati letrën. Me të djathtën penën. Dhe e vërtetoi se i duhej dhe ajo fjalë: “Plluq!” “Plluq!”, përsëriti me vete. Gjithë ai trup, dukej se ishte vetëm me këmbë e duar. 

Ishte gjysma deri në gjunjë, që fliste për syrin, pasi tjetra ishte thuajse e dubluar në shkumë. Duart që dolën nxitimthi bënë paq me veten për penën dhe letrën e marë nga turma e syreshtë në tavolinën me verëra e djathëra. Pastaj vetë duart,  pasi lanë disa pluska sapuni mbi peshqir, u duk sikur kishin punëra të tjera midisëse. 

Por, syri, edhe pse sy, nuk interesohej për punëra të tilla. Syri, madje e ndjente të bezdisshme të ndiqte në imtësi një trup si ai në një banjo të tillë, të neveritshme, të lodhshme. Dhjetëra banjo të tjera kishte parë ai sy, kur kishte imagjinuar atë skenë me akrepa, që lëviznin e nxinin sypamjen dhe nuk ishte neveritur, ndaj e kuptonte se ishte e kotë të mërzitej, përtej vetë asaj stimulie. 

Ishte një stimulim ujë-deti. E gjitha dukej si një miniskenë filmi. Një miniskenë e paramenduar për të realizuar një pjesë filmi, që ende nuk dihej se ku do ta nxirrte kokën. E ndërsa këto ishin perceptime, syrrokja kishte misionin e vet. 

Pastaj mori sapunin dhe shtupën për t’u larë dhe filloi ngadalë atë që zakonisht e bën një njeri në banjën e tij. Në fillim u përhumb tek lëvizjet poshtë shkumës, ku ai fërkonte më delikaten, pastaj midisësen, dhe në fund ngadalë e ngadalë kapërceu nën mjekër. Kaq ishte dhe përsëri një zhurmë ndryshe ia largoi mendjen nga ajo imagjinatë akrepash. Ishte jo më një “plluq” që i duhej sa aritmetikisht, aq dhe filozofikisht këtij filozofi të ri me moshë relativisht jo fort të vogël. Nuk kishte më rëndësi të shënonte “plluq” tjetër. Ajo ishte tjetër soj zhurme, dhe ishte zhdukur para se ta fiksonte mirë veshi dhe mendja e tij e deleguar mjaft larg nga ajo banjo. 

Por, ama zhurma e ngriti në këmbë. U drejtua me këmbët e tij shkopa, andej nga iu duk se erdhi zhurma dhe pa se dikush kishte lënë gjësendi mbi tryezën ku shkruante ai. Nuk mund ta sillte menjëherë gjithë atë largësi në cipalin e trurit të tij, të deleguar ritmikisht pas akrepave të atij sahati muri, pikërisht në atë moment. Dhe as që mund ta mendonte se kush e kishte bërë atë veprim. 

Por instiktivisht lëshoi sytë nga dera. Vëzhgoi pjerrët nga tavani. Pa nga dritaret. Të gjitha ishin të siguruara. Fundja, ashtu si dhe syri, dhe ai ndoqi thuajse me një lëvizje të ngadaltë trupore një itinerar që kufizohej nga kuboidi i murëzuar. Aty ndjeu se lëvizja korektohej nga ikanaket e dritës, që mavijoseshin nën afshin e butë të mëndafshit të perdeve.

Në fillim bardhësia e shpurpurosur nën peshëlehtësinë mendëafshë ia tejkaloi një natë të fraqtë me edukatoren e atij fshati, burrin e së cilës e kishte ndjekur muaj me radhë deri sa ia kishte dëgjuar zhurmën pas atyre drynave të fortë të dyerve të hekurta. “Jo. Foli, me vete, jo. Ajo ka vite që është vetëvarur. Jo. Ndjeu sikur i afrohej infermierja e Zonës “D”, me të cilën ndante shtratin ditëve të javës, kur të shoqin mësues ia kishin transferuar mjaft larg. Dhe atë nuk e ndjente se e shijonte mes tërë atyre zhurmërimeve në memorje. U duk sikur u ndal diku më ndryshe. E ndjente akoma atë kërcitje të lehtë. E ndjente kuitjen e asaj suste çeliku. E iu duk sikur ishte sërrish aty me atë qumështore ku javë e muaj të tëra më pas jetonte sikur nuk do t’i ndahej më nga vetja, derisa e internuan bashkë me familjen për arsye që vetëm shënimet e tij i dinin. Po, zhurmërat e mëpastajme kishin mbetur mosndarje efikase. I ishin bërë rutinë e atyre viteve. Edhe në atë çast frikë kishte se kishte humbur edhe mendjen. Mendja i ishte varrur si një plaçkë e panevojshme në një gozhdë murri të errët e të nxirrë nga zullumet errozive të frymërave. 

Po, sidoqoftë u shkund dhe mendja i ishte kthyer, ndërsa zhurma dukej qartë se e kishte mbufatur po në atë konditë. Ishte zhurma e dytë. Ndoshta e fundit. 

E fundit?! 

E pse të ishte një fund me një zhurmë, apo zhurmëz tjetër e pashënuar për librin e ri? Fundja një zhurmëz e tillë, që vjen një herë në jetë, kapet nga veshët dhe ikën ashtu kot, si pluskimet e shkumës së shampos në atë banjo, mos ishte pa rëndësi? Si duhej kuptuar? Një zhurmëz, të tillë nuk do t’ia falte kërkimeve të tij. Nuk do t’ia falte vetes, as … Po si do ta quante vetë pastaj? Dhe fundja do të kishte emërtesë tjetër. Dhe ai do të quhej i dështuar? Sa zhurma, zhurmëza, zhurmime kishte kaluar ai në gjithë ato vite punëra të fshehta? Sa vetë i kishte ndjekur nga muri, nga vrima e derës, nga çatia, nga avllia, nga … Për momentin e la me kaq. 

Ishte e dielë dhe një e diel mjaft e bukur. Dhe si për një ditë të tillë, duhej të sillej mirë të paktën me trupin e vet. E meritonte një veshje të bukur. Nga garderoba nxorri kostumin gri, këmishën e kuqe si gjithnjë dhe menjëherë e shtrëngoi kollaren. Nxori dhe bëri gati këpucët lustrafinë. Por, çuditërisht nuk i pëlqeu. I dukeshin mjaft “allafranga”. Koha kishte lënë disa shenja të tjera në mendjen e tij. Ajo koha me atë kostum të mallkuar, të ngjyer në blu dhe të verdhë, çizme të llakuara dhe fob ari. Ai kurrë nuk e kishte veshur atë kostum me qejf, dhe ai e kishte urryer atë pafundësisht edhe kur rrobaqepësi ia kishte provuar atë. E kishte urryer atë edhe kur gruaja e tij e kishte admiruar. Ai mendoi se do të shtonte urrejtjen me të edhe për pjesën tjetër të ditëve të tij dhe ende, duhet të mendohej, pa e veshur ama. 

Urrejtja e tij ishte një dopio urejtje. Urrente kostumin e ri, urrente po aq dhe atë të vjetrin. Të dy kishin lënë shije të hidhura në mendjen e tij të lodhur dhe me ato akrepa të largët në atë mur gri, udhëtonin dhe shënesat e tij të lindura në kohë të imagjinatës filozofike. 

Fundja duhej të zgjidhte. E bëri si dikur kur bënte punën tjetër dhe e detyronin të shkruante libra për fëmijë nga ai institucioni, që ia kishte dhënë kostumin e parë. 

“Kujt t’i bjerë numri tek, derisa të ngatërrohet goja, ai do të jetë veshja ime e kësaj dite”. 

Dhe ashtu bëri. Vendosi. Kostumi i vjetër, ia zgjoi dhe një shënjesë urtësie, që e kishte dëgjuar diku, apo ndoshta e kishte shkruar vetë. Por, që nuk i kujtohej në moment.

E tashmë i duhej vetëm koha. I duhej ajo kohë, që të zbriste në mendjen e tij e t’i bënte detyrën trupit të lodhur nga shënimet në blloqe, skeda, fletëza sekrete. 

Të drejtohej për nga dera? E nxirrte vetveten përditë. Më saktë e delegonte trupin e tij në shëtitje. E shpinte në një hapësirë të blertë, ndërsa thuajse gjithnjë mendjen kishte kohë që e linte atje larg, mes akrepave të mëdha të asaj ore gjigande, që e frymëzonin për të përfunduar atë libër filozofik. 

Ndërsa u vesh ngadalë e ngadalë, u pa vetvetiu në pasqyrë që kishte veshur pjesë nga të gjitha ato seleksionime rrobash, dhe kur s’kishte veshur vetëm këpucët, zhurma ndodhi të ripërsëritej ngjashëm me të dytën. Ishte një cingërrimë. 

“Ah, tha me vete. Kështu është kur s’e ke mendjen me vete. Qenka celulari! Si nuk e kuptova që në fillim?!” 

Dhe menjëherë bëri për nga ai. Celulari, një iPhone, nga këta më të fundit, ndodhej i pështjellë në një këllëf të zezë dhe ashtu i shtrirë ndodhej në një kënd të vogël të komodinës anësore në dhomën e pritjes. Aty e linte gjithnjë. Dhe e dinte se ku ishte, pasi dhe pa të nuk mund të rrinte dot. 

E hapi me kujdes. Vuri kodin e hyrjes dhe shkoi tek mesazhet. Buzëqeshi. Pastaj më fort. Akoma më fort. 

“Po, u krye! U kryeeeeee….” 

Dhe menjëherë një rrugë e dy punë. Sikur ta kishte ndjedhur. 

Eh, tha me vete, gjithnjë kam pasur sukses me të dielat. E diela më bëri me shkollë, e diela më rekrutoi, e diela më punësoi, e diela më bëri të famshëm, e diela më fejoi, e diela më martoi, … ama dhe e diela më divorcoi nga zhurma. Fundja  më shpëtoi, gjithësesi. Nuk durohej në shënimet e mia, që më kanë thënë se janë nga më të mëdhatë e dynjasë. E fundja sot është e diela ime. Sot është… zhurma ime e shumëpritur. Zhurma ...

Kur mbëriti në ambientet e studios, pas procedurave të caktuara, menjëherë nën shoqërinë e dy personave bëri nga skena. Si gjithnjë në raste të tilla për të ftuarit, dhe në këtë rast edhe atë e priti habia dhe buzëqeshja e Drejtuesit të Emisionit. Ishte salla plot kur ai ngadalë e ngadalë me një shikim të dyzuar iu afrua Drejtuesit të Emisionit. 

“Mirë se na erdhe! Mirë se na erdhe!”, i tha Drejtuesi i Emisionit. 

“Mirë se ju gjeta.”, u përgjigj Ai. 

Dhe menjëherë nisi si normalisht të trazonte mes këmbëve të tij të thatë me duart e tij leshtorë. Drejtuesi i Emisionit me të vetat dhe ai me të tijat, deri sa erdhi momenti kur duhej të shihte, se kush fshihej pas pjesës tjetër të improvizuar si ekran, pra kush e kishte ftuar atë në atë emision. Nuk e besonte dot se si ndodhte të kapërcente imazhe dhe zhurmëra të ndryshme në të njëjtën kohë. I trazoheshin sa në sy, aq dhe në kokë e në ndjesi. Ngadalë u shfaqën pjesët e imazhit. Ngadalë u ripërsëritën edhe zhurmat …, derisa nga matanë ekranit të improvizuar doli …

“Ë, si të duket?”, i tha Drejtuesi i Emisionit, “ngjan me shënimet e tua?”

“Nuk ju kuptoj.”, u përgjigj ai. 

“Kjo është një vepër e syrit tonë. Ne e realizuam. Na erdhën sinjale dhe zhurmëra të kohës sonë të vjetër dhe…, dhe …, ndërsa ti ishe në atë banjë ne iu rikthyem kohës sonë kur punonim bashkë”, shtoi Drejtuesi i Emisionit.

“E pamundur…, e p…. Ajo ka vdekur fizikisht, ka vdekur moralisht, ka vdekur filozofikisht… ka kohë që është raportuar. Ka kohë që nuk ekziston më. Është thjesht një zhurmë. Është një zhurmë…” 

“Po. Po. Ashtu duket sikur ka vdekur. Ashtu… i dëgjon zhurmat? Edhe pse të vjetra, sa në modë që duken në kohë të re? I dëgjon?”

“Jo, jo. E habitshme. Jo. Ti je Kompromat! Ti je duke bërë shantazh, për të siguruar besnikëri në këtë kohë. E di ti se një Kompromat … 

Dhe ndërsa preku me duar pjesën e ftohtë të murit menjëherë hapi sytë, pa akrepat e asaj ore të madhe që zhurmonin ende si në kohërat e tjera, pastaj u ngrit dhe kërkoi ujë të ftohtë në tryezën ku si zakonisht nuk mungonin vera, rakia, lapsi dhe letrat ku shënoheshin kohë e pakohë zhurmërat e kohërave.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1