Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | GOLD MIRAZH...

GOLD MIRAZH...

Font size: Decrease font Enlarge font
image Pirro LOLI

GOLD MIRAZH...

 (TREGIM)

Nga Pirro LOLI

Një vit punoi paralel edhe  në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, qëllimisht si stazh i domosdoshëm për punën që e priste...

Ai nuk e dinte as vetë se, këshilltari  më i rëndësishëm pranë   udhëheqësit, kish kohë që i kishte vënë syrin; e kish kaluar në sitë të hollë dhe dinte fije e për pe jo vetëm biografinë, por dhe hap pas hapin që kur kishin ardhur në jetë ai i ati dhe gjyshi. Dhimitër Grabova ishte njeriu më i përshtatshëm për atë punë. Kish mbaruar për pikturë por kishte përfunduar me një aparat fotografik në qafë. Ish specializuar për operator filmi në një kryeqytet evropian dhe shpejt fitoi emër edhe si mjeshtër i dekoreve teatrale e kinematografike.

E thirri shefi i madh i kuadrit së bashku me këshilltarin e udhëheqësit që bënte dhe punën e drejtorit të përgjithshëm të propagandës dhe shtypit.. Me kostum e gravatë të kuqe. Buzagaz të dy.

-Kemi menduar që këtej e tutje të punosh këtu, i tha shefi. Besoj se e kupton që është një nder i madh të punosh në këtë godinë që ...,

-Por ama dhe përgjegjësi e madhe, shtoi këshilltari.

-Ju faleminderit, tha Dhimitri i hutuar, por nuk di ç’ punë mund të bëj unë këtu..,

-Do ta mësosh - tha këshilltari - ti deri tani ke fotografuar e ke xhiruar mijëra njerëz, pamje e ngjarje në të gjithë vendin e  në çdo film ke emrin tënd. E dimë që ke fituar dhe një përvojë jo të vogël në arkiv për ruajtjen e sekretit.

Pastaj uli pak zërin, vuri buzën në gaz e tha:

- Tani do kesh të bësh vetëm me një njeri.

- Vetëm me udhëheqësin e dashur, shtoi shefi buzagaz, me zë akoma më të ulët si për të mos e dëgjuar njeri -  ti do kesh zyrën tënde, ose studion tënde sekrete me laboratorin ngjitur,  ku nuk do të hyjë askush veç shokut Selo. Ju do punoni sipas nevojës, ditën dhe natën dhe derën do ta mbyllni edhe nga brenda. Të tjerat do t’i mësosh hap pas hapi.

- Kështu, pra, urime, dalshi faqebardhë!, thanë në një zë dhe të dy u ngritën më këmbë e i shtrënguan dorën.

Javë e muaj kalonin pa kuptuar dhe Dhimitër Grabova nuk piqte gjumë në sy. Akoma nuk po e kuptonte se ç’punë do bënte në këtë godinën me emrin më të nderuar e më enigmatik  të shtetit. Roga është shumë e mirë, thoshte me vete - por unë s’kam bërë asgjë, veçse dy tre herë në javë më thërret vetëm për vetëm  shefi im, këshilltari i  udhëheqësit që lidhet direkt me Atë e mua më pëlqen ta quaj, jo “shoku Selo”, por “Direkti im” se vetë e përsërit si pa dashje raportin e tij me Të. (Ti do lidhesh direkt me mua sic lidhem unë direkt me të.) Dhe  çdo herë më flet për figurën madhështore të udhëheqësit të dashur si fat i madh për popullin tonë... Unë e dëgjoj me vëmendje gjithmonë me tundje koke lart e poshtë si një kukull që funksionon vetëm me këtë lëvizje vertikale. Kisha përfytyruar se me aparat në qafë do hyja e do dilja te Udhëheqësi; se do ta shoqëroja atë kudo që të vinte; por jo, jo...

Një ditë guxova dhe  i thashë “më falni shoku Selo, por unë deri më tani nuk i kam bërë asnjë fotografi...Më duket sikur e marr rogën kot. “ Mos u mërzit, ma ktheu, do kesh punë, punë shumë më  delikate se pozimi. Duhet të dish se pranë Tij punojnë dhe dy shokë të Gardës Kombëtare, njëkohësisht dhe fotografë. Por puna jote është tjetër gjë, si të them, më krijuese, më me përgjegjësi. Nga java do marrësh udhëzime konkrete më të hollësishme. Dhe diçka që ta dish. Ca njerëz të paktë këtu në këtë godinë, kanë status të veçantë. Ne, pra, dhe unë e ti quhemi “të brendshëm” të rrethit shumë të ngushtë e tepër konspirativë...”

Më në fund  mësova se unë nuk do fotografoja Atë por fotografitë e tij, të shkuarën, ose të vërtetën historike. Në zyrën time ishte vendosur një dollap i madh me të  gjitha fotografitë me numra, data,  adresa e shumica dhe me diçitura e  shkrime të gjata me shkrim dore, me nënvizime e shigjeta ndarë nëpër sirtarë sipas viteve.  Çdo sirtar kishte një kasafortë me çelësin e vet të koduar. Në fillim mu duk punë e lehtë, disi rutinore, pa fantazi që mund ta bënte çdo fotograf. Brenda vetes, ndjeva dhe një farë çlirimi. Po  shkarkohesha nga emocionet dhe përgjegjësia direkte  që përfytyroja përballë tij. Disa herë “Direkti” do më përsëriste se “figura e tij duhet të dalë kudo si fytyra e një prijësi engjëllor, ashtu siç e ka bërë natyra, më të  bukurin, më trimin e më të  mençurin si fat për popullin tonë. Nuk dua asnjë rrudhë, asnjë trishtim në sy...Kujdes me flokët dhe kur ndesh me qime të bardha, përpunoji si rreze dielli mbi ballë që ndriçojnë dhe qeshjen e tij të madhe, aq harmonike me fytyrën. Mos i harro këto! Ti je specialist dhe më kupton - ...e dua të larë me flori portretin e tij, dakord? Ja këtu dua ta shoh  talentin tënd.”

  Si fillim duhet të fotografoja të gjitha fotografitë. Origjinalin do ta dorëzoja në prezencë të Direktit në  sirtarin përkatës, ose në bidonin me kapak llamarine të trashë, që pasi mbushej, dikush e saldonte dhe e vendosnin diku gjetkë. Unë do punoja në kopjen e kopjes. Më saktë: në kopjen time do zbatoheshin përpikmërisht porositë e drejtorit të përgjithshëm dhe ai,  “Direkti” do më urdhëronte t’i realizoja artistikisht duke e përndritur figurën e udhëheqësit të lavdishëm. “Kujdes, kujdes të madh,... Vetëm kjo  fotoja jonë, engjëllorja, e vërteta, e përpunuar nga ne ”,  do të bëhet publike  nëpër gazeta, revista  e volume luksoze  që kanë filluar të botohen rregullisht. Shpresojmë që   brenda vitit, do fillojmë edhe në disa gjuhë të huaja....Ato të tjerat nuk ekzistojnë më.”

    Shtatë fotografitë e para ishin nga rinia Tij e hershme. Bardhë e zi. Me mustaqe, me mjekër, me kapele. Por, në diçiturat e tyre përcjellëse shkruar me shkrim dore, udhëheqësi ynë dilte me shtatë ditëlindje. “Direkti” m’i pëlqeu ripunimet, por unë nuk mund të heshtja për ditëlindjet. Ndoshta kishin kaluar me gabime. Dëgjo - tha - këto janë poza të veprimtarisë së Tij antifashiste ilegale,... – deshi të shtonte diçka, por m’u drejtua mua: “ti mos u merr fare me diçiturat, kaosi i kohës, shkollat, lufta ilegale, rreziku ... sidoqoftë do bashkëpunojmë dhe për to se do të na duhet që disa t’i fotografojmë bashkë me shkrimet shoqëruese. Diçiturat përfundimtare i aprovon dhe sekretari përkatës”.

Në një këshillë të ditës së hënë ai do më thoshte se puna jonë (kupto, jotja) nuk na lejon të pyesim e të dyshojmë...Po të them dhe një e fjalë intime,  shoku Dhimitër, kështu midis nesh, një herë i kërkova shefit të madh se mirë do ishte të jepja dorëheqjen se nuk e ndiqja dot jetën kaq intensive të udhëheqësit të madh. E di si ma ktheu? Jo nuk e di. Këtë ma the mua dhe varrit, tha, harroje... Dëgjo, or mik dhe ti, ne na ndalohet rreptësisht goja dhe dorëheqja. Kuptove? Kuptova,  thuaj.”

Po, kuptova më shumë se kaq. Dhe heshta. Dhe përtej heshtjes. Ai e gjeti rastin në ditëlindjen time e tha: “Ky është njeriu i thjeshtë i popullit, besniku dhe artisti i njohur që nuk i flet goja, por vetëm  puna..”

Fotoja e parë kaloi me sukses. Udhëheqësi ynë kishte dalë me udhëheqësin botëror të proletariatit, por na duhej që në kapakun e librit, që duhet të botohej sa më shpejt, dy figurat e dy gjeneralëve të huaj, midis tyre duhet të spostoheshin në anë dhe Yni të dilte krah për krah  me Atë. “Shumë bukur. Ja kështu, Origjinale”, tha Direkti.

    Java kaloi me dy të tjera. Në njerën kishin pozuar pesë veta, krerë të udhëheqjes që në fillesat e lëvizjes antifashiste. Prijësi im me princeshën e ardhshme ishin në cepat e fotos. “Shiko se ç’modesti, tha Direkti, kanë dalë në fund të të tjerëve.. Spostoji këta anëve, këtë këtu hiqe fare dhe të dy të vendosen në qendër”. U tha u bë. Në tjetrën më duhet të zhdukja njerin, dhe të prisja dorën e tij të hedhur në supin e udhëheqësit, por duhet të ruaja dekorin nga pas. Ishte nga udhëheqësit e parë pranë tij,  por doli tradhtar në krye të një grupi të rrezikshëm. Ishte e lehtë ta zhdukja, por nuk do më hiqej nga mendja urdhri që kish dhënë udhëheqësi ynë. Vetë e kishte dërguar në një shërbim në Jug të vendit, me puthje e përqafime  dhe po atë ditë kish urdhëruar: “ Të kapet në udhëtim, të torturohet, të vritet dhe pasi të vritet përsëri të torturohet”..  (Firma d.v.)  Këtë urdhër ma kapi syri pas kopjes origjinale që dorëzova për kasafortë. Dorën e tij e preva me kujdes për t’ia treguar Direktit... Ai e pa dhe tha me nervozizëm, “grise, dreqin!”  Kjo. Rreptësisht sekrete. Në kazanin metalik. Përfundimisht. Në heshtje. Saldim, dëgjove? Po, thuaj! Atë natë nuk poqa gjumë në sy. Të përpunoja kopjen e kopjes donte të thoshte, jo vetë të përndritja figurën qendrore të Tij, por dhe: të spostoja figura, të prisja koka , gjymtyrë, të ndryshoja planet, të zhdukja armiqtë e  kjo, kërkonte disa filmime. Unë po tjetërsohesha në cdo hap të punës, që  nga shkrepja,  larja e  filmit e deri te stampimi final, formati,  prerja, “crop-i”, retushimi me dorën e piktorit, intervenimi në ngjyra, në densitet, kontraste etj. Zëri im kumbonte mbyturazi brenda vetes dhe, më kot, më kujtonte parimin e thjeshtë universal - në fotografinë dokumentare, nuk ndërhyhet - , Por...,

Sidoqoftë fotografia është imazh, shenja e një të vërtete të mundshme... Teknikisht nuk kisha vështirësi. Fytyrën e tij e përpunoja si të donte shefi im (direkti)  dhe peneli im i hollë në atë fytyrë të gjerë harmonikisht të bukur me tipare të theksuara e realizoja me një farë kënaqësie sikur punoja mbi një portret artistik. Pastaj e filmoja për bukuri.

  Direkti hiqej sikur kish njohuri dhe për pikturën. Më jepte dhe këshilla. Kishte qejf dritat dhe kontrastet dhe gjithnjë do thoshte diçka për ballin e gjerë, buzët e mishta, flokët fantastikë, sytë e thellë aq shprehës, vetullat e trasha dhe gjithnjë përsëriste se donte më shumë dritë në ballin e tij,  më shumë gëzim e shpresë për popullin. Një herë ma ktheu një foto të Tij veshur me uniformën ushtarake si komandant i përgjithshëm. Ai vuri gishtin në supet e komandantit dhe tha:

- Gradat e gjeneralit kanë dalë shumë të zbehta. Dua të jenë të florinjta, mor shok,   të flo-ri-njta! Kuptove?  Zbrite diellin në supet e tij!

- Keni shumë të drejtë. Shoku Selo, u tha, u bë.

... Çdo ndërhyrje në portretin e tij,  për mua si piktor e fotograf, ishte vetëm buzëkuqja e punës sime. Çdo fillim jave Direkti do merrte katër pesë kopje nga fotografimet e mia, do takohej me atë që duhej, do vinin shenjat e duhura mbi persona historikë, armiq, agjentë e tradhtarë, zakonisht një kryq të vogël me bojë të kuqe, një rreth blu, dhe një “Z”, mu në lule të ballit dhe do m’i dorëzonin mua për ekzekutim. Si shenjat e stamposur të viçave që duhet të thereshin. Shpejt do kuptoja se thelbi i punës sime, nuk ishte vetëm “Buzë-kuqosja”,  që ngulte këmbë Direkti, por eliminimi i grupeve agjenturore e tradhtare pranë Tij... Pastrimi i përpiktë i mjedisit; duhej çliruar udhëheqësi nga ferrat që e paskan rrethuar tërë jetën. Ata nuk duhet të kishin dalë fotografi me të. Në çdo figurë që shikoja kryqin e kuq, e zhdukja pa hezitim. Edhe rrethi blu, megjithëse nënkuptonte të burgosurit politikë, për mua donin të thoshin zhdukje, asgjësim. Unë isha gjykatës i zgjedhur mbi gjykatën,  duhet t’i zhdukja dhe ata, nga pamja. Pastaj, diçiturat e ndryshuara si dhe komentet plotësuese u takonin historianëve. Unë e kisha më të lehtë se një skuadër pushkatimi, më të lehtë se kasapi i viçave.  Pa zhurmë fare. Një shkrepje. Kllëk. Dhe kaq.  Zhdukja e rrethit blu mbushur me gjak të mpiksur, qe pak më e vështirë. Duhet t’i rifilmoja në një plan në krah të  udhëheqësit të zvogëluar ose krejtësisht të shtyrë pas tij që të mos mbetej asnjë shenjë identifikimi. Një ekzekutim pa krismë ky. Edhe ata me një “Z”, të kuqe(të internuarit), duhet t’i shkulja nga vendi krah Tij dhe t’i mbillja në plan tjetër, vetëm si hije figurash të panjohshme, por të ruaja mjedisin origjinal. Dhe Direkti ishte i kënaqur me punën time. “Këta këtu hiqi të dy. Këta, këtu, pranë e pranë,  janë të grupit të tretë armiqësor, oportunist. Pa hezitim, të zhduken pa nam e nishan. Ky këtu me republiko i  përket grupit të shtatë armiqësor. Dezertor i rrezikshëm!...Këta të katërt janë të grupit revizionist..., po po qëroji pa mëshirë! Në s’gabohem janë të grupit të tetë dhe të nëntë agjenturor.”

***

Dita e sotme do ishte më tronditësja në punën time. Prej sot, nuk kisha nevojë të plotësoja dijet e mia për punën time dhe për Direktin. Në një zarf të verdhë ishte një foto që “Këtë duhet ta shohësh e ta përpunosh...Duhet ta vendosë personalisht Ai. Mos u nxito.” Nuk e di nëse Direkti im e dinte që në këtë zarf qenë dy foto. Udhëheqësi kishte dalë në dy poza të ndryshme me një nga drejtuesit kryesorë të luftës, që dinte shtatë gjuhë të huaja.  Diçitura e parë: njoftim i Komandantit të Përgjithshëm për vrasjen heroike të G.M. dhe urdhër për vendosjen e flamurit në gjysmë shtizë tre ditë zie në të gjithë vendin. Në foto të dy përqafuar duke u puthur në buzë. Diçitura e dytë. Tepër sekret: (drejtuar një gruaje që më vonë përfundoi si agjente, në grupin e nëntë armiqësor) Të pushkatohet menjëherë si agjent i rrezikshëm dhe të më informoni deri ditën e shtunë në darkë...Në foto të dy duke drejtuar gishtin te njeri tjetri...

Ishte hera e parë që nuk e realizoja detyrën. Që nuk dija ç’të bëja. Të dyja fotot nuk kishin asnjë shenjë ekzekutimi. Dyshova dhe për ndonjë provokim ndaj meje.

-  Hë , më tha Direkti

-  Kam ca ide por nuk jam i sigurt, a do t’i mbajmë të dyja fotot apo vetëm njerën. Më tepër se fotot, në këtë rast marrin rëndësi diçiturat.

-   Si thua ti?

-   Duhet të përpunojmë të dytën thashë, por ...

-   S’ka “por” këtu. Duhet të lëmë gishtin tregues të udhëheqësit drejt agjentit që ...

- Domethënë,  t’ia pres gishtin tjetrit?

- Jo gishtin, por krejt krahun deri në rrëzë. Realizo këtë variant dhe pastaj e shohim bashkë...

***

Ankthi i kësaj pune më rëndonte natën në gjumë. Elsa, gruaja ime  ishte e shqetësuar. Puna e re na kishte ftohur dhe mua më  kishte tronditur gjumin....

 Dhimitër, kaq të vështirë e ke, më pyeti një darkë.

Jo aspak, i thashë, puna është e lehtë, pothuajse mekanike por, ...

Ajo e dinte prerë se nuk duhet të pyeste për punën time dhe vendosi që të flinte veç. Nuk ma hodhi në sy që përpëlitesha në gjumë, që mërmërisja  frikshëm, që herë herë rënkoja thellë sikur ndjeja dhimbje thike në shpirt.

Nuk dua të të zgjoj, tha me atë zërin e saj të butë... se dhe unë kam të miat, nga krahu yt më rëndon zemra...

Erdhi një kohë që unë ndruhesha të mos i tregoja asgjë dhe nga  ëndrrat që shihja. Jo se kisha frikë ndonjë fjalë hedhur dhe pa dashje, jo,jo. Doja ta ruaja ,  të mos ta trembte hija e zyrës sime ku punoja...Më dukej sikur dhe Elsën time, do ta përmbytja me lëngun e zi që laja fotografitë... Eh, moj Elsa, mban mend kur më thirrën zyrtarisht? Atë natë nuk fjetëm të dy nga gëzimi. Fat i madh të punoje pranë të madhit, ë? Të kujtohet?

... Dita e punës më hidhej në grykë në natën time. E nata si kolegia ime e filmit të zi,  zbardhte lëngun e saj  të ditës sime në atë zyrë që therte viçat me shenjën në vesh...Gjaku hidhej picurr nga kryqet dhe nga shkronja. Por kolltuqet dhe karriget veshur me lëkurë të zezë, nuk kishin zë... Një javë të tërë u mora me dy fotografi që duhet të krijoja vetë dhe objektin dhe kompozimin. Në njerën kishte dalë Komandanti vetëm, pak i përkulur me dorën grusht sikur ia përplste dikujt para, tjetra ishte  pamje e njohur  nga një demonstratë antifashiste. Dhe mua mu kërkua  që komandantin ta vija në mes të popullit që  printe përpara Nuk ishte e lehtë. Së pari, atje diku nga mesi i turmës duhet të hapja një vend; duhet të  fshija disa trupa e koka veprimtarësh të njohur për t’i bërë vend  komandantit. Kur e realizova “Të vërtetën” Direkti im hapi sytë me habi, kafshoi buzën dhe për herë të parë tha “Bravo, mjeshtër, bravo!, Origjinale, ka dalë”. Po vrapoj t’ia tregoj...”

Edhe të nesërmen shefi ishte i gëzuar. Me sa  dukej kish marrë lavdërime.... Po Kjo pikëpyetje këtu, shoku Selo?... Mos është vënë shenja gabim?! Ishte kryetari i njohur i shtetit, flokëbardhi i lindur. Me kryq të kuq në ballë. Akoma në atë detyrë.  Direkti im qëndroi i heshtur. Në mendje i erdhi zëri i Direktit të tij. “Hero në luftë lakej prej lakeu pas lufte, neveritës...Nuk e shoh dot këtë idiotin në krah tim; një jetë të tërë me mua vetëm sa lëviz buzët...dhe kështu dhe ashtu, as kështu as ashtu, ...e urrej se më ka dashur kaq shumë..” Kështu  kishte ndodhur dhe me pararardhësin e këtij idjoti, por ai ishte i aftë dhe dinte shumë. Ju e dini, karakterin e fortë  dhe human të udhëheqësit, i kishte shumë inat servilët. C’ burrë shteti  mund të bëhej ai, kur ndau gruan për të mos ma prishur mua... kështu iku dhe ai për dhjamë qeni. Këtë do ta heqim.. Për këto të tjerat këtu në fund, do vendosim më vonë. Ishin katër burra nga udhëheqja e lartë pozuar me Të në kohë të ndryshme që opinioni mbarë popullor nuk e dinte si kishin ikur...me vrasje, vetëvrasje apo me vdekje të natyrshme…  “Këta duhet t’i zhdukim, nuk i shoh dot në krah të tij... , ose më mirë prit,  prit të pyesim dhe një herë, ndoshta, i  shtyjmë për më tutje... Nuk iu shqitën armiqtë udhëheqësit tonë, ferra, ferra, nëpër këmbë, gjarpërinj por...” Me sa duket   Puna ime është e qartë e prerë,  dhe do vazhdojë gjatë...do t’i rivrisja, do t’i rivetëvrisja, do t’i rivdisja..Po këtë këtu , e njeh ti, shoku Dhimitër. Jo aspak. Ta them unë. Është një gjeneral egoist që doli kundër  Komandantit. U dënua 10 vjet. Në burg u dënua dhe 10 të tjera, bëjnë 20. Po e bukura është se në cdo vit i dërgon për ditëlindje komandantit të përgjithshëm telegram urimi...dhe thotë se e ka dënuar imperializmi amerikan... Këta të tjerët në këtë tufën e madhe, besoj i njeh dhe vetë. Janë dhjetëra oficerët e lartë të grupit më të rrezishëm armiqësor. Megjithatë ,  Unë ua kam vënë shenjën. Po , shoku Selo. Ata janë të qartë. Pa probleme. Vetëm një kryq nuk e kuptova. Një kalë i bardhë me kryq të kuq stamposur në  ballë më del në disa foto.  Po, tha shefi, zhduke në të gjitha, pa hezitim. Kalë gjeneral. Kalë tradhtar. Si i zoti dhe kali...Donin të imitonin Bonopartin...gomar gjenerali , gomar kali. Kam dhe dicka të vogël që nuk e kuptova, shoku Selo. Në këtë foton e madhe tribunale keni vënë një kryq të kuq në pëllëmbën e dorës të një veterani me gjoksin mbushur dekorata. E shihni? “Po. Nuk është gabim. Zhduke. Ose po je i zoti , preja krahun deri në rrëzë... Preja të them!

Heshta.... Ka qenë një festë e madhe, tha ai - populli duhet të parakalonte përpara tribunës. E shikon tribunën. E shikoj thuaj.  Vetëm Komandanti duhet të përshëndeti  popullin me dorë, asnjë tjetër. Po ky veterani këtu, do të thotë se jam dhe unë. Dhe shihe si e tund krahun, i shkreti. U dha urdhër të mos thirret më nëpër festa kombëtare dhe të mos hipi në asnjë tribunë... Po, po, zhduke ose provo t’ia presësh krahun fare. Ngrije më mirë, vere në allci. Le të qëndriojë gatitu...

***

Nuk më ndahej syri i aparatit tim. Natën drejtohej nga unë si grykë arme. Nuk më vriste, por ma mbushte gjoksin me atë lëngun kimik që laja fotografitë. Lëng i zi mu në tru, mu në diplomat e mia, mu në dekoratat e çmimet, mu në palcë. Ky lëng i zi rriste në natën time ferra të zeza si nëpër këmbët e Atij. Po a ka fotograf, t’i zhduki të ripushkatuarit, të riburgosurit, të riinternuarit, të rivetvrarët.. Kush mund të më çlirojë nga ata?! Por, dale. ç’po shoh kështu?! Si? Pse? Ç’është ky solucion i zi që po më përmbyt të fotot e lara?! Në fillim mu bë si gjak shege, pastaj erdh e u nxi e kullonte pa pushim ashtu i trashë si vajgjak nga koka deri te thonjtë e këmbës. Sikur së sipërmi  nga poçi i llambës elektrike binte shi i trashë kuq e zi që të nxinte duart. Po prit! Vërtet është Ai? Ai vetë!? Ç’po shoh kështu?! Befas, Ai prijësi i madh,  më doli përpara lakuriq ! Po, po ai vetë, me atë trupin gjigand. Ouu,  sa trup i bardhë borë! Ndruhesha t’i hidhja sytë. Përqendrohesha te koka e bukur që i kisha përpunuar dy ditë më parë. U tmerrova... Dhe flokët , dhe vetullat dhe trupi , krejt prej bore...Jo, po jo, shoku..., jo!  Kjo nuk është puna ime, fotot e mia janë të lara në diell. Vendosni në vitrinë. Ju lutem! Betohem! Pastaj, në çast, ashtu shpejt e shpejt , blic, si në ekran televiziv,  m’u shfaq një portret i tij, me mustaqe e dhëmbë  gjaku. Jo, jo , thirra as kjo s’është dora ime. Jo, kurrë , ju betohem!... Në zyrën time , ndoshta janë ngjallur ata që kam vrarë e tani kanë arritur deri te Udhëheqësi...Nata po e pëlcet zemrën e saj.  Ja tek mu afrua vetë Ai. Zemra ime pezul. Nata u ça..., . Pëst, pëst, afrohu! Filmomë, filmomë, pra! Të urdhëroj! Përse të thirrëm këtu?...E pashë veten me aparatin që më tundet në qafë që duhet të filmonte  direkt Atë. Nuk e shkrepja dot, nuk guxoja. Vetëm sa  e vija në sy. Ai donte të pozonte.  Lakuriq fare. Aparati nuk më bindej. Aparat “Canon. M56.” Aparat agjent! Aparat gjaku. Që vret të vrarët. Ferrat. Ose të vërtetën. Më pa me inat, ngriva. Do haja kokrrën e plumbit. Mirë do bënin. Vrasësit i vjen radha të vritet. Në djall të vete, në djall. Po... M’ u afrua. Pëst, pëst! Më pa me inat. Ngriva. Më buzëqeshi. Shkriva. Dhe u zhduk befas siç ishte shfaqur. Nata ishte çarë dhe ishte spërkatur me gjakun e zëmrës sime çakërdisur në terr. Oh, po marrkam frymë!. O zot, nuk qenka e vërtetë. Elsa, thashë se të humba ty dhe fëmijët. Nuk është e vërtetë, të betohem...Vetëm një çast m’u fanit një djall i bardhë me dhëmbë gjaku dhe më shtrëngoi në fyt... Gjumi arrëz. U drodha e u përdrodha në krevat, por sapo më pikte pak gjumi në sy, më bëhej se në derën e zyrës sime hynte “Direkti”  me tre policë me pranga...Nuk di sa minuta a sekonda humba. Hë, tha Direkti. Pa ma trego mua pak atë ëndrrën që pe... Fol, i pandehur! Ne duhet t’i dimë dhe ëndrrat e punonjësve tanë. U hodha vrik. Ndeza dritën. Pashë orën. Tre pasmesnate. Bobo, paska akoma natë!.. U çova, shkova në banjë, lava fytyrën...Më kishte shtrënguar urina dhe sikur u lërova nga një dhimbje e pakuptueshme. Elsa, eja në krevat. Kam ftohtë. Ajo u ngrit e shqetësuar. Të dhëmb gjë?Jo, po eja, eja , të dua pranë...Kishte akoma natë. Ta ndez dritën? Jo. E ne të dy pushtuar në qafë të njeri tjetrit nuk e shtynim dot natën të shikonim njeri tjetrin në sy...I tregova një copë ëndërr. Larg e larg. Ajo e kuptoi që kish të bënte me zyrën time. E  mirë, ç’ka këtu për kaq alarmë?! S’të pëlqen, lere! Jep Dorëheqjen dhe...ishim aq të qetë pa pozita e zyra të mëdha...Ah, moj Elsa ime, moj e mira, ku ta dish ti sa të vështirë e kam. ...Ti nuk e di se ai që punon atje, në oborrin e tij, di disa gjëra që nuk duhet t’i dijë tjetërkush, se, se ai e ka të pamundur të mos plekset me ferrat dhe drizat...Mos ke bërë ndonjë gabim, Dhimitër, ma thuaj ta kalojmë bashkë. Ti po më tremb. Jo, jo unë vetëm zbatoj urdhra... po unë rroj e mendoj dhe për ty e për fëmijët tanë por ti, mos u tremb, shtrëngomë pak, të lutem, dua të të ndjej që të kam pranë, ashtu, rrofsh! Në ke shkelur në ndonjë dhogë të kalbur, mos e mbaj përbrenda, ma trego, ç’të ka gjetur? Ti je ligur, të ka ikur gjumi dhe oreksi dhe sytë i ke të ënjtur. Na ka marrë malli për atë kohë që më flisje për fotografinë artistike, të kujtohet?

-Ah, moj Elsa, moj e mira ime, atëherë unë komunikoja me brendinë e gjërave, me mendje me sy e me zemër; i kërkoja një dimension të ri shpirtëror objektit, doja mendimin dhe emocionin, prit mos më ndërpre, tani  ..., prit ta mbaroj, ...Elsa ti dhe varri, unë mjeshtëri i madh, tani jam vetëm gishti. Si? Po, po gishti, thashë, gishti që tërheq këmbëzën...

-Nuk më kërkoi hollësi. Mirë lere tani. Ka akoma natë, mundohu të të zërë gjumi...U ktheva nga ana tjetër dhe ndjeva frymëmarrjen e saj të crregullt. Elsa ime po qante në shpirt...

Nga beteja e natës kishin mbetur vetëm gjurmat mavi rrethuar  në të dy sytë.. Po atje s’kishte ndodhur asgjë. Shefi im erdhi si zakonisht tërë energji me dosjen  shtrënguan në sqetull. Dhe dukej i kënaqur. “Këta këtu hiqi të dy. Janë të grupit të shtatë armiqësor. Pa hezitim, zhduki. Ky këtu i përket grupit të tetë armiqësor. Dezertor i rrezikshëm!...Këta të katërt janë të grupit të dhjetë agjenturor , po po pa dyshim, qëroji!. E sheh këtë dhe këtë, ashtu, Ja këta kishin organizuar puç shteti....Po, po, të grupit poliagjenturor..... “

Doli i gëzuar dhe në tavolinë më la një bllok fotografish lidhur me një llastikë të hollë. Mjeshtër, tha,  sa të kthehem unë, hidhu një sy këtyre shenjave të mia ... Në ballin e tyre dukej “Z”-a thelluar me zjarr. Mbushur me gjak të ngrirë. Të zi. Gjak tradhtarësh. ”. Të gjithë i njihja, ishin të grupit të dymbëdhjetë armiqësor, bashkëkohës të mi. Këto katër, të vecuara, me siguri shefi i ka lënë gabimisht. Nuk u besova syve. Dhe diciturat ishin  të frikshme. Hesht,  i thashë vetes, hesht.

 ***

Në darkë Elsa më erdhi vetë në krevat. Ajo kish të drejtë të dinte pak më tepër nga dita dhe nata ime. Po si mund t’i thosha unë se  që të punoje ishe kaq i rrezikuar. Si t’i thosha Elsës se unë, isha vetëm një ushtar në skuadrën e pushkatimit që.... Po. Po. Dhe më zi akoma. Dhe më  tmerr. Unë  duhet të vrisja të vrarët, me gjithë rroba e mish e kocka e ide. Përfundimisht. Pa nam e pa nishan. Pa mu dridhur syri. Kish mbaruar “Artisti” tek unë, tashmë, unë piktori dhe operatori me emër, bëja pjesë në atë skuadër.

Direkti, “komandanti i skuadrës” më tregon objektivin.

Unë marr shenjen.

Ai urdhëron “zjarr” Unë  shkrep “zjarr”..

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1