Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Ti nuk bëhesh kurrë njeri!

Ti nuk bëhesh kurrë njeri!

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fatmir Terziu

Ti nuk bëhesh kurrë njeri!

Nga Fatmir Terziu

 

Djaloshi i dha shkelmin e fundit topit të madh të futbollit, kur pa se duart e tij u mbushën me lekë. Pastaj ashtu sikurse ndodh në raste të tilla ia dha vrapit menjëherë andej nga e detyruan të ikte. Instiktivisht sytë i kishin ngrirë mbi dorën e djathtë, që shtrëngonte atë shumë lekësh. Këmbët iknin e këputeshin në një pikë, sikur të mos kishin asnjë lidhje me trupin e tij. Koka kishte vetëm një kënddrejtim. Drejtimi i saj hovitej andej nga shtëpia ku prej pesëmbëdhjetë vitesh banonin dy të moshuar, burrë e grua në të shtatëdhjetat e tyre. Nuk e ndjeu atë copë rrugë, ama dihatjet, kur ia behu me një zë i zoti i shtëpisë, pos asaj goditjeje të fortë me gurë në portë, u duk qartë se e kishin tradhëtuar.

-       Ë, prapë topi? – i foli xha Bani dhe u bë gati t’ja shkulte veshin.

-       Jo, jo, jo… xha Bani. Jo! Kam një porosi …

-       Porosi?

-       Po. Po më dëgjo një herë.

-       Hajt, pra na e thuaj atë porosi. Kujt i paskemi hyrë në sy… E kush ta paska dhënë atë porosi për mua?

-       Nuk e njoh. Por ishte një burrë i gjatë, i bëshëm me një makinë të re dhe me disa djem e vajza të tjera në makina po aq të bukura dhe të shtrenjta.

-       Një djalë? E kush na qenka ky djalë?

-       Po të thashë nuk e njoh. Ai më …

-       E kur s’e njihje pse u mundove të trokasësh në portën time? Apo do të tallesh me mua?

-       Posi, do të tallem. Nuk e shikon sa m’i kanë mbushur duart? Ku mendon se i gjeta?

-       Të kanë paguar kaq shumë lekë për të më sjellë një porosi mua? Mua që njërën këmbë e kam në atë botë dhe që kam dhe një grua me të cilën kam vite që e vras kohën duke i shërbyer… Kush pra na qenka ky? Kush?

-       Po ta dija?! …., të thashë po ta dija …, do ta kisha thënë. Po nuk e di.

-       Atëherë ma thuaj atë porosi shpejt.

-       Më tha të të them se të pret në qendër të qytetit, tek ai Hoteli me pesë yje.

-       Më pret mua?

-       Po.

-       Po tjetër?

-       Asgjë. Kaq më tha.

-       Mirë atëhërë, ik në shtëpi dhe jepja këto lekë babait tënd. Tregoja këtë mesele.

Xha Bani mbylli portën dhe nuk priti as që të mendohej. U vesh dhe mori rrugën në këmbë. Iu deshën gati pesëmbëdhjetë minuta të mbërrinte tek ai hotel. Sa u shfaq në ballë të hotelit në xhamat e errëta të pamjes nga rruga në fillim iu shfaq bastuni i tij dhe më pas kapelja e menjëherë trupi i tij i kërrusur, që nakatosej me xixëllimat e dritave anësore. Ia tundi kokën njërës prej rojeve tek porta formë rrotullame dhe depërtoi vështrimin gjerë e gjatë aty në brendësi. Aty e pa veten në një botë tjetër. Nuk e besonte se qyteti ku kishte lindur, ishte rritur dhe ishte plakur të kishte një hotel të tillë si ato hotelet e filmave me mafia e me lidhje të pista.

E more Ban, e. Sa paska jeta? Vazhdoi të fliste me veten, deri sa dy çupëlina e morën për krahësh, gati-gati sa nuk e peshuan në krahët e tyre të buta dhe e futën menjëherë në ashensor, ku prekja e butë e gishtit të njërës prej të dyjave e gudulisi numrin tetë. E shpunë në një dhomë. Aty syri i tij nuk dinte kë të rrokte më parë. Ishte një dhomë, që edhe ëndërrat vetvetiu do të mbesnin në klasë me tërë atë kompleksitet të gjërave. Kishte kudo përsosmëri. I dukej vetja se ia kishte tejkaluar ëndërrave. Fakti që i gjithë ai njerëzim që i shafqej sysh në atë mjedis dukej se kishte jetuar për këtë përsosmëri, nuk e shqetësonte atë më së shumti, se sa ajo që shihte se si femrat ishin aq të bukura dhe me lakuriqësinë e tyre, sikurse i kishte prerë një kallup. Në atë mjedis të gjitha pamjet, madje dhe mendimet, po aq sa edhe filozofitë, të gjitha zbukurimet artistike, të gjitha artefaktet, gjithçka, duke përfshirë krevatin e zbukuruar dopjo, kishin hyrë në strukturën e atij mjedisi të vetëm. Kjo ndërtesë e shtrenjtë, madhështore, ku do të qëndronte, duke jetuar një ditë me alogaritmin e ditëve të ikura e të mbetura të jetës, në një bujari idilike, në një mjedis të përsosmërisë absolute. Nuk ishte fati, as nuk ishte as qielli, që t’ia kishte prurë këtë pamje në sytë e tij. Pamja dhe ekzistenca e tij në atë mjedis ishte rezultat i çdo mendimi të trishtë e të habitshëm, që i kishte ardhur e i kishte ikur menjëherë nga koka, një mendim që i dukej se nuk kishte ekzistuar ndonjëherë. Dhe ai, tashmë në atë mjedis të përsosur, dukej si njeriu më i përsosur që kishte ekzistuar ndonjëherë. Ishte prurë me butësinë e forcës së dy bukurosheve qumështore të shijonte brenda mureve të atij hoteli, një mbiëndërr, ndoshta më të paarritshmen e të gjithë jetës së tij. E me përhumbjen e hutuar të kësaj përsosmërie, dukej se kishte harruar se aty gjendej vetëm falë një porosie, të një ftese prej një të panjohuri…

Pamja e asaj dhome ishte pothuajse klinike, aq sa edhe lakuriqësia dhe nuditeti shfaqeshin si bulbëza të vockla në diellin ekuatorial të atij mjedisi të gatuar si të tillë e pastaj pluskonin derisa e kryenin misionin e tyre disa sekondësh për t’u shndërruar në një formëzim tjetër tërheqës. Nga anëkëndësia e një qelqurine të madhe që mbante në gjoksin e montuar një trupth tip femre elegante, zhgarravitej mbi mure një ngjyrë rozë, që dukej se depërtonte mbi gjithçka, madje mbi vetë ato bukuroshe të veshura mjaft tejdukshëm. Një erë jasemini sfumohej në ajër, dhe aty ngjante më shumë sikurse vinte era e një kopshti veror pas shiut. Muret ishin të zbukuruara me piktura klasike, imazhe të bukurisë femërore dhe mjeshtëria e penelave i qaste sikur të ishin të lara në diell. Në qendër të dhomës ishte një gjelbërim përrallor, që të ngjante sikur ishe në një kopsht ku ndieje butësinë dhe spërkatjen e lehtë të ujit plot shkëlqim, nën disa dritëza shumëngjyrëshe, të cilat sillnin herë pamjen në diell, herë një ditë që prek shiun prizmat e dritës, ku gjethëzat dukej sikur ishin shtëpizat e zogjve të mrekullueshëm të parajsës, që shkriheshin me lëvizjet paralele të tërë asaj përsosmërie që ishte gatitur për të mahnitur syrin e njeriut. E ç’të them e tërë dhoma ishte mjaft e përsosur.

Kur u shfaq Ai, gjithashtu, ishte i përsosur. Ua bëri me dorë dy bukurosheve dhe menjëherë iu afrua xha Banit.

-       Merre! Trokite fort si dikur në krye të sofrave të dasmave të djemve e vajzave të tu. Dhe…

-       Kush je ti?

-       Kush jam?

-       Po kaq dua të di. Të tjerat i mësova tashmë. Se vetëm një…

-       Mos u nxito të nxjerrësh konkluzione. Mos!

-       Atëherë cili je? Më thuaj?

-       Pesëmbëdhjetë vjet më parë, aty ku dëgjoja gjithnjë fjalimet e shenjta … aty… Në të gjitha marrëdhëniet me … në të gjitha marrëdhëniet me njerëzit e tjerë një person ishte karakteri më i besueshëm dhe i sinqertë, i kujdesshëm që të mos dukej si shumë pompoz. Ai kurrë nuk e ndiente nevojën për të varrosur veten brenda një organizate të caktuar politike.

-       E pastaj? Ku do të dalësh?

-       Pa u varrosur në një organizatë politike?!

-       Pra ti na qenke? Ti i paske bërë gjithë këto përsosmëri? Pra…

-       Po, unë jam. Unë jam ai që më the atë ditë kur më përzure nga shtëpia: “Ti nuk bëhesh kurrë njeri!”

-       E paskam gabuar?

-       Po, nuk e sheh se ku kam arritur? Ja e sheh që ia kam kaluar dhe…

-       Mjaft, mjaft! Ja ku po ta përsëris prapë: “Ti nuk bëhesh kurrë njeri!”

-       Epo dije, se unë jam… unë jam bërë…

-       Edhe Mbret në je bërë, ti Njeri kurrë nuk je bërë dhe nuk do të bëhesh.

-       Po pse? Pse e ke këtë mendim?

-       Ja ku po ta them thjesht. Thjesht fare. U duke pas pesëmbëdhjetë vitesh. Erdhe me një duzinë makinash të shtrenjta. Dhe nuk gjete kohë ta takosh nënën tënde as dhe një minutë. Le që dhe mua më le të vija në këmbë të shihja këto që të duken mrekulli… Jo. Jo. “Ti nuk bëhesh kurrë njeri!”

Comments (2 posted):

S.Athanasi on 09/03/2018 08:27:13
avatar
Tregim me përmbysje. Nga ato që rrëzojnë çdo ngrehinë: ciladoqoftë ajo dhe sado e kushtueshme Gjetje origjinale dhe argument bindës për të treguar një të vërtetë: sa të hidhur, po aq të dhimbshme. Kaq mjafton. Urime, miku ynë!
S.Athanasi!
Myrteza Mara on 09/03/2018 10:33:58
avatar
"Te jesh njeri eshte titull", por qe ta fitosh kete duhet te jesh i vertet, tokesor! Mesazhi i dhembjes percillet bukur! Urime! Aq me shume kur vjen nga Mjeshtri, vete Terziu.
Myrteza Mara

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1