Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | ANDREA DHE HELENA

ANDREA DHE HELENA

Font size: Decrease font Enlarge font
image Resmi Osmani

   Novelë

                                 

                                                                                           … Vazhdimi

      4

      Bujari Tanush Topia, kryezot i principatës së Arbrit, me kryeqëndër Krujën, atë ditë qershori, tok me të birin Andrean, vëllanë dom Dominik, mjeshtrin e ndertimeve dhe kapitenin e ngarkuar me rojën e kështjellës, po i bënte kqyrje të imtësishme mureve , kullave dhe bedenave. Në shumë vende muret ishin rrënuar dhe çarë e kishte rrezik të vidhiseshin. Që nga koha e sundimit të Progonit, në ta nuk ishte vënë më dorë. Dha porosi të fillohej nga puna menjëherë. Ai u dilte përpara ngjarjeve të pritshme, të atyre kohëve të turbullta me luftra, lakmi e pabesi. Kështjella duhet të bëhej e papushtueshme.

     Principata e Arbrit, kryezot i së cilës ai ishte, përfshinte zotërimin në hapësirën nga lumi Mat deri në Shkumbin, ultësirën bregdetare me kriporet e saj, fushat e begata me drith,bagëtinë e trshë dhe kuajt e vrapit, dhe pjesën e brendshme malore të pasur me pyje, për lëndë druri, luadhe për kullotë dhe gjah të egër. Mes principatës kalonin rrugët që lidhnin veriun me jugun dhe dy lumenj.

       Arbëria, pas luftrave të mbretit Karl d’Azhu në lindje, u pushtua dhe ai krijoi “Regno d’Albania”. Si edhe zotërit e tjerë të Arbërisë, Tashmë edhe Tanushi, u kthye në katolik. Ishte vasal i mbretit, por gëzonte të drejtën e vetqeverisjes në principatën e tij. Në veri kufizohej me Balshajt dhe në jug me Muzakajt. Të dy kishin lakmi për zotrimet e tij dhe ai kishte filluar ta ndjente shtrëngesën dhe peshën shtypëse të tyre. I pari i qyteteve, brenda principatës ishte Durrësi në anëdet, i pasur, ku lulëzont tregtia dhe zejet, madhështor, hijerëndë e krenar,  që lidhte perndimin me lindjen ,nga ku niste rruga Egnatia. Qarkuar me mure të larta dhe  zor i pushtueshëm, por ai ishte nën pushtetin e  Robertit të Napolit. Aty bënte ligjin mëkëmbësi i mbretit. DurrësinTanushi e kishte pikë në zemër, por në pamundësi për ta bërë të vetin, ishte një eshtër që se gëlltiste dot, kur zbriti nga Mati, zgjodhi Krujën. Qyteti, ishte si fole shqiponje i ngritur mbi shkëmb. Mbi të lartohej mali, që i siguronte shpatullat, e që në dimër e zbardhte bora,teksa nën qytet bleronin ullinjtë. Në perndim,veriperndim dhe në jug, lartoheshin muret e gurtë, të lartë, me kulla, pirgje e bedena, që e bënin thuajse të papushtueshëm. Sheshi i qytetit të lartë, ku ishte kështjella dhe garnizoni, zejtarët, armëtarët dhe tregu, ishte i vogël e i pamjaftueshëm për ndërtime familjare-qytetare, që sa vinin e shtoheshin, prandaj qyteti po zgjerohej jashtë mureve, në jug me lagjen Zaharia.

    Tanushi dhe percjellësit e vet,u afruan dhe qëndruan në perëndim të mureve. Ishin si në një ballkon. Larg, nën ajrin që dridhej nga zhegu, dukej fusha dhe më tej deti. Më pranë ishin rrënojat e Zgërdheshit, qytetit të lashtë të Albanëve, pastaj fillonte të ngjitej kodra e nbushur me ullishta  që përfundonin rrëzë kalasë. Edhe pse të veshur hollë, dielli i vaposi, por ajëri që zbriste nga mali i ermiruar nga sherebela dhe bimësia tjetër i frskoi. Andrea, që ishte nder ta më i riu, hapi të dy krahët, mëngët e gjera të këmishës së bardhë ngjanë si krahë shqiponje, u përkul paksa para mbi humnerë, u ndje i lehtë si pupël dhe iu  duk se do të merrte fluturim.

     -Axha Dominik, do të fluturoj!

     -Mos me shaka të tilla biri im, se e keqja bëhet kur s’ta don mendja- e kapi nga krahu dhe e tërhoqi, teksa Andrea po qeshte hareshëm.

     Atypari, kaluan një tubë vasha që ktheheshin nga tregu,të nisura e të stolisura, më e bukur njëra se tjetra. Të ndeshura pa pritur me grupin e burrave, ato u përulën me hijeshi në shenjë nderimi dhe u larguan duke kukurisur. Tanushit nuk i shpëtoi shikimi lakmitar i të birit dhe ajo dritëza që i shkëndijoi në sy.


LEXO TE PLOTE KETU

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1