Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | KURTHI I ZEMËRIMIT

KURTHI I ZEMËRIMIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fiqri Shahinllari

Nga Fiqri Shahinllari

                                                        KURTHI I ZEMËRIMIT 

 

Kodi i shënjtë i pashkruar për t’i qëndruar pranë atij që e ka zënë halli zbatohet aq natyrshëm sa të mahnit. Njerzit sikur ta dinë se fatkeqit në hidhërim edhe duart edhe këmbët edhe shpirti nuk i urdhërohen për asgjë! Çfarë ndodh në shpirtin e njeriut vallë, çfarë enzime pikon në gjakun e zemrën e tij kur e kaplon hidhërimi? Pse në rrastet e zemërimit njeriut i shumëfishohet forca fizike dhe hidhërimi ia shteron krejt fuqinë aq sa nuk është i zoti as të hajë, as të pijë bile as të flasë?! Ç’mekanizëm vihet në lëvizje që ndryshon psiqikën dhe funksionin fiziologjik të krejt trupit?

Dhimbje e madhe shpirtërore, brengë, frikë, dëshpërim. Asnjë dhimbje fizike s’mund të krahasohet me dhimbjen shpirtërore. Ato janë kurrgjë para lëngimit të shpirtit.Prindët e mij kishin edhe një djalë tjetër, me emrin Satber.Por ai vdiq kur u bë motak. E mbaj mënd fort mirë pikëllimin e prindëve tek e sollën të vdekur në Floq nga spitali i Korçës. Babait nuk i bënin duart të sajonte arkivolin për fëmijën e vdekur edhe pse ishte marangos. Atë punë e bëri Shefketi i Zakes, nje kusheriri i tij.

Mirë thonë që hidhërimi ta humb e ta shteron fuqinë kurse zemërimi ta shton atë. Kur isha student kam lexuar në një revistë letrare, një tregim psikologjik mjaft tronditës qe me la gjurme ne ndergjegjen time. Kanë kaluar 50 e ca  vjet që atëhere por subjekti, në vija të trasha, më ka mbetur në mëndje. Po mundohem të kujtoj diçka, pa pretenduar se i qëndroj besnik ngjarjes . Faktet, kujtesa  ime nga ai lexim, jane majaja e ketij rrefimi qe po shtjelloj letrarisht ketu me poshte...

 

  Dy vëllezer, njëri i martuar e tjetri beqar ishin gjahtarë me nam në të gjithë krahinën malore të vëndit. Ata duheshin shumë me njëritjetrin si asnjë vëllazëri tjetër. Edhe në gjueti, në Pazar dhe në punët e tjera të shtëpisë shkonin bashkë. Aq duheshin sa babai i tyre i moçëm, 100 vjeçar, mjekërbardhë, i rrahur me vaj e me uthull nga jeta, kish frikë se mos i merte më qafë syri i keq i dynjasë. Herë pas here plaku i thërriste të bijtë e tij pranë kllanikut me zjarr bubulak e u tregonte histori të bukura, të vërteta, shumicën e të cilave i kish përjetuar vetë.

Një herë i vogli e pyeti t’anë:

-Baba i dashur, unë të respektoj shumë ty e të dua më shumë se vetja, na tregon të dyve histori që neve i përpimë, kaq të bukura janë, por po të pyes: Cili është morali i të gjithë këtyre historive?

-Pse akoma nuk e kini nxjerrë vetë përfundimin?-iu përgjigj pyetjes me pyetje njëqindvjeçari.

-Jo, baba, ndërhyri djali i madh. Unë ia tregoj edhe gruas time, e cila të respekton ashtu si edhe ne, të gjitha ato që na tregon ti, mirëpo edhe unë edhe ajo ashtu si vëllai që sapo të pyeti nuk e nxjerrim dot moralin.

Atëhere plaku mori mashën e trazoi prushin. U kthye nga djemtë dhe i pa drejt e në sy. Një herë njërin, një herë tjetrin dhe u tha: “Siç e dini, të dashurit e mij, trupi i njeriut përbëhet nga mishi, gjaku, kocka, truri me gjith fijet nervore. Nuk dihet se çfarë kombinacionesh bën natyra me këta elementë që njeriun e bën shumë të fuqishëm, kur ai zemërohet dhe ka borxh të bëjë çudira, të mira e të këqia dhe, nga ana tjetër, po i njëjti njeri kur hidhërohet e humbet shpresat nuk ka forcë as të flasë. I humbet të gjitha forcat fizike e shpirtërore. Forca e madhe kur e kapërxen arsyen shndërrohet në veprim të keq. Humbja e shpresave,hidhërimi i madh, po ashtu të çon në veprime të gabuara se dëmton vetveten. E kini vënë re që tregimet e mija kanë të bëjnë me forcë, inate, zemërime? Prandaj njeriu duhet të ruajë masën.Në çdo veprim që bën ta udhëheqë arësyja dhe logjika. Amaneti im per ju eshte ky: Ruajuni nga kurthi i zemerimit. Kontrollojeni zemerimin, frenojeni, bejeni zap ate...”


Djemtë i dhanë të drejtë plakut. Vërtet, të gjitha tregimet e tij në këtë përfundim të çonin. Kaluan muaj, kaluan vite. Babai i djemve kish ndërruar jetë. Të dy vëllezërit shkonin si jo më mirë. Një ditë tek ktheheshin nga gjuetia të mbushur plot rripin e mezit me lepuj e shpendë, befas vëllait të madh i shkau këmba në një rrëpirë dhe po të mos ishte mbajtur në një zgjatim rrënje të madhe prej dëllinje,do të ishte bërë copë-copë në humnerën poshtë tij. Dha e mori në përpjekje për t’u ngjitur përsëri lart por... bosh. Këmbët i qëndronin në hava e nuk mbështetej gjëkundi për t’i dhënë përpara trupit.Vëllai i vogël u alarmua. I tha që të zbërdhente rripin dhe të hidhte poshtë gjahun për të lehtësuar trupin. Ashtu bëri. Por ciften e gjahut nuk e flaku, e mbajti. Filloi përsëri përpjekjen për t’u ngjitur lart. Kaluan 10, 15, 20 minuta. Vëllai i vogël shkoi e gjeti një degë të trashë lisi dhe ia zgjati të vëllait, të cilit po i shteronin fuqitë. Djersët poi rridhnin çurkë. Vëllai i vogël u shqetësua së tepërmi. I jepte kurajo vëllait të madh, e tërhiqte me anë të degës por pa sukses! Tjetrit iu shkëput njëra dorë nga dega.Nga thonjtë kullonte gjak. Djersët po i zinin sytë. Vëllai i vogël bërtiste, qante. I madhi i humbi shpresat, nuk mund të shpëtonte,…ja, do ta lëshonte veten dhe…u pa kjo punë. Në humnerë do të përplasej. Mirëpo një mendim si shkrepëtima e vetëtimës e bëri vëllanë e vogël që qante, qante e bërtiste i alarmuar, ta mblidhte veten. Dhe më në fund, oh, …më në fund qeshi. S’ka vuajtje më të madhe se vuajtja e atij që është i detyruar të qeshë edhe në çastet më të vështira të jetës së tij. Pra qeshi dhe i thirri të vëllait që po luftonte me vdekjen:

-Sa mirë! Më në fund do të realizohet ëndrra ime. Erdhi dita që unë të martohem me gruan tënde! Thosh këto fjalë dhe me përpjekje titanike po tërhiqte drejt vetes degën ku ish kapur i vëllai në skajin tjetër të saj.

Vëllai i madh, i drobitur siç qe, tërë djersë, me kokën varur mbi gjoks e sytë drejt fundit të humnerës, e dëgjoi të vëllanë, dëshirën e tij. I ngjau sikur një gjë e ftohtë, e mprehtë i shpoi tejpërtej shpirtin.Në gjoks brënda një çasti të shkurtër e vezullues u përflak stuhija turbulluese që u shndrrua në tufan. Dhe, për çudi, befas, ndoshta dhe me ndihmën e zotit, e kapi edhe me dorën tjetër skajin e degës së lisit që i kish zgjatur i vëllai. Bëri përpjekjet e fundit për t’u ngjitur me sytë e përflakur nga inati i papërmbajtshëm që i shkaktoi tronditje në tru. Mendimet në tru u trazuan dhe me sa duket e shndrruan trupin në një gjëndje tjetër biokimike. I kish bubulluar shtërngata e ndjenjave mizore. Vëllai i vogël nuk pushonte së shprehuri dëshirën dhe, njëkohësisht nuk rreshtëte për asnjë sekondë duke tërhequr drejt vetes të vëllanë e rrezikuar. Këmbët i kish kapur mire në trupin e dëllinjës së madhe dhe vazhdonte ta tërhiqte të vëllanë.

Më në fund vëllai i madh, i shpërfytyruar, ia doli mbanë. Shpëtoi! I vogli iu hodh në qafë dhe duke qarë e qeshur njëkohësisht e puthte, e puthte. Vëllai i madh, i lodhur, i dërrmuar, me shpirt të trazuar, i hidhëruar në kulm arriti të thosh vetëm kaq:

-Grremisu, këput qafën!

Shqiptimi i këtyre fjalëve u bë nëpër dhëmbë. Ato nuk i foli goja, i foli shpirti i tij i ciflosur e i dërrmuar. Nuk begenisi ta shikonte në sy vëllain e tij të vogël i cili, fluturonte nga gëzimi,sepse vëllai i madh i tij kish shpëtuar nga vdekja e sigurt dhe as që mendonte më se ç’kish thënë para disa minutave. Kjo s’kish rëndësi. Rëndësi kish jeta e vëllait…

Po ecnin të dy drejt shtëpisë përmes një shtegu të ngushtë. I vogli para, i madhi pas tij. Por fati tragjik i kish rezervuar dy hone vëllait të madh brënda disa çastesh. Honin fizik të humnerës dhe honin shpirtëror...Pas disa çastesh…një krismë pushke gjahu e shtriu përdhe’ vëllanë e vogël. I madhi, i mbushur me gjithfarë brengash dhe dyshimesh torturuese shkoi me link dhe i kreshpëruar në shtëpi.I djegur nga kureshtja histerike dhe e ethëshme mori në pyetje gruan e vet. Ajo u habit dhe u vrejt në fytyrë. Kujtoi se i shoqi kish lajthitur.

Gruaja pa te sytë e çakarritur të të shoqit të vet habi, pakënaqësi, tradheti, kuriozitet, padurim. Ajo nuk kish marë as shënjën më të vogël nga i kunati, as ajo nuk i kish dhënë shkas atij. Nuk kish arsye. E donte si vëllanë e vet…Ia tha keto te shoqit te cilit i flakëriu në mëndje morali i tregimeve të babait të vet. Menjehere e kuptoi. Vëllai i vet i ish drejtuar me ato fjalë me qëllim që ta zemëronte në kulm, t’i hipte inati e zemërimi dhe t’i shtohej fuqia për të shpëtuar nga humnera…Kur mori vesh të vërtetën ai u fut në një hon tjetër lemeritës psikologjik. Një fluks energjish brënda vetes i ndezi urrejtje të pashoqe për veten e vet. Që nga ai çast ai nuk kish pse ta donte veten. Dhe…u vetëvra në oborr në prani të gruas së vet.

Për të qënë i sinqertë me lexuesit, ngjarja në gjueti, fakti i vrasjeve të të dy vëllezërve, dhe motivi i vrasjeve janë shumë të sakta, siç i mbaj mënd nga tregimi që kam lexuar  gjysëm shekulli më parë. Pra si ngjarje qëndron. Ndërsa hollësitë e përshkrimit kanë ngjyrimet e autorit të këtyre shënimeve.Dikush  mund të thotë: “E ke kollaj ti si autor të moralizosh e të japësh këshilla, por... ” Por në këto shënime nuk jepen këshilla, vetëm tregohen fakte. Moralin e nxjerr vetë sejcili lexues...


Fiqri Shahinllari

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1