Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | KERKOJ NJE GRUA NUDO

KERKOJ NJE GRUA NUDO

Font size: Decrease font Enlarge font
image PIRRO LOLI

M’u duk i kapardisur pak, ashtu veshur shik me kostum bezhë e kullaro kafe.

     - Telefonin tuaj e gjeta në ekspozitën që keni hapur në sallën e bashkisë, tha. Më pëlqyen shumë pikturat tuaja. Vërejta se keni diçka nga Pikasoja. Më pëlqyen veçanërisht figurat e femrave…Si të them një lakuriqësi befasuese…Piktura të sinqerta…gjinj e sy femrash të shqetësuara..

     Vura re se po vështirësohej, sikur iu mbaruan fjalët,sikur priste reagimin tim. Dukej sheshit se donte të hiqej si njohës i pikturës.

Faleminderit !, e ndërpreva, po uluni, uluni !

Zoti Leoni, -tha- e dini pse kërkova të vi në studjon tuaj ? Po ua them : Një piktor më tha se kishit ekspozuar një femër NUDO, që tërhoqi shumë vëmëndjen e vizitorëve, por ditën e tretë ju e hoqët nga ekspozita. Është e vërtetë ?

Po.

A mund ta shoh ? Ajo NUDO po pëshpiritet nga i gjithë qyeti. Disa e quajnë pikturë të turpshme, provokuese.. Kuptohet amatorizmi, qyteti ynë kështu është .., por disa e quajnë një pikturë të sinqertë mbresëlënse..Sidoqoftë, diçka ka ndodhur në qytetin tonë… Më falni, nuk u prezantova saktë. Unë jam Bardhi K. Jam 35 vjeç, beqar. Kam qenë dy vjet në universitetin “ Zhan D’Ark” në Paris. Jam i biri i Kostandin K., drejtorit të firmës së madhe farmaceutike “Kobra”,besoj e keni dëgjuar..

Pse vetëm dy vjet në universitet ?,-  e ndërpreva jo pa provokim.

Nuk më mbushi mjekësia. Babai donte të më bënte me çdo kusht mjek farmacist. Unë dua të jem diçka më tepër se shitës farmash… Si të them ,dua të jem i lirë..

Liria nuk është profesion, i thashë me indiferentizëm.

I lirë, mor vëlla! I lirë .Të bëj ç’të dua..Jeta është e shkurtër dhe …

Doni ta shikoni Nudo-n, - ia preva shkurt për ta hequr qafe.

Po, po ! Faleminderit ! Mezi po e pres.

E drejtova në dhomën tjetër. Hoqa perden e garzës me një farë nervozizmi me qëllim që ta përcillja sa sa më shpejt ish gjysmëstudentin e Parizit. Piktura u shfaq e tëra në mur e sikur mbushi krejt dhomën e studjos sime të varfër.

- Ja !, thashë, shihe! Sikur i thashë : Ngopu !

- Ou,ou!, një mrekulli e vërtetë. Të lumtë, të lumtë dora e syri..!

Vura re që u gozhdua i hutuar e i ndrojtur para lakuriqësisë  së vashës sime. Gjithnjë mundohem të kap çastin e parë të përshtypjes së shikuesit.

Po pse, mor zoti Leoni, pse e hoqët këtë mrekulli nga ekspozita ?! Kjo mund të kishte tërhequr të gjithë qytetin..e,  pa frikë mund të vinte vulën e suksesit tuaj.

Sytë i mbante mbi të. Vura re si i shkiste shikimi nga gjokset nëpër shalët e NUDO-s , qëndronte një çast mbi organin e saj femëror e pastaj ngrihej me ndrojtje se sidoqoftë, po e tepëronte, se dikush po e shikonte që ai po shikonte pikërisht atje.

E hoqa pikërisht për këtë i thashë se të gjithë vizitorët gjat tri ditëve, bënin ç’bënin sikur shikonin pikturat e tjera e shpejtonin hapat për te kjo. Pastaj dhe vetë kjo m’u ankua, u besdis.

Si ?! Si ?...

M’u ankua, përsërita e lodhën shikimet e vizitorëve. E ndiente nevojën që këmbët t’i mblidhte sa më shumë. Eshtë i çuditshëm njeriu. Sytë i hedh atje ku gjoja nuk do të shohë, në këtë trekëndësh të ngushtë. Këtu.

E kuptova që u çorodit. Nuk e dha veten e tha plot seriozitet :

-   Nga është kjo bukuroshe ?

- Këtej është. Nga qyteti ynë.

- Vërtet ?! Ka qyteti ynë të tillë femër ?!Si nuk e njoh unë ? Më vjen të pëlcas. Kam parë shumë femra në Paris, por si kjo, jo. Pa shih, pa shih ! Ka diçka magjike që të mban në vend e të hipnotizon. Atje në Paris m’u neveritën femrat dhe meshkujt.. Kishte shumë homoseksualë që unë nuk i honeps fare..Bota po prishet , vëlla, po prishet …

- Kam një punë në dorë,i thashë se nuk doja të futesha nëpër broçkulla debatesh. Ju mund ta shikoni më mirë në vetmi. Femrat përgjithësisht nuk shijohen në prani të të tjerëve.

Ndenji nja dhjetë minuta e sikur të ishte i turpëruar që po vërente gjatë në luginën e ëndrrave, erdhi para tavolinës sime të punës.

Vërtet është nga qyteti ynë kjo femër, zoti Leoni ?

Po, Bardhi.

Më falni!, tha edhe unë kam një punë e dua të largohem, po a mund të vij ta shikoj përsëri ?

Pse jo?. Sa herë të duash. Vetëm rreth orës 11. Në këtë orë unë pi kafen e tretë dhe jam më i lirë për të t’ju shoqëruar.

Faleminderit shumë ! Dhe urime ! Nuk më shkonte në mendje se qyteti ynë kishte një piktor të tillë .

Deshe të thuash, një femër të tillë, apo jo ?…

                                         * * *

Të nesërmen, fiks në orën 11, Bardhi erdhi me një dhuratë në duar. Dukej i lodhur, i hutuar e më i ndrojtur se dje. Mesa ndiej, e ka kuptuar që nuk i ngjiti tek unë prezantimi i tij aq pozant si student i Parizit e si i biri i “Kobrës”..

Të kam sjellë  një dhuratë të vogël, tha- është një kompet ngyrash.

Faleminderit shumë ! Po…

Nuk dija ç’të zgjidhja,  kërkova markën më të mirë. Më duket është prodhim  Hong Kongu.

Nga më të mirat është. Faleminderit !

Si thua, u fut në temë , do ma shesësh mua Nudo-n ?

Jo, i thashë, nuk e shes.

Kërko sa të duash …

E kam për vete, thashë i prerë…

Shkuam pranë saj dhe po e shikonim me vëmendje. Bardhi rrëshqiste sytë nëpër trupin e saj e mua mu duk një çast se sytë e tij linin mbi të një gjurmë të padëshërueshme diçka si njollë.

Po si e ke bërë, mor aman! Mua më duket sikur ka zbritur nga qielli e ka qëndruar këtu si dhuratë nga Zoti…

E kam të vështirë të jap spjegime, por sidoqoftë, diçka duhet t’i spjegoja këtij bukuroshi. Të paktën për të justifikuar edhe dhuratën. E,  duke folur m’u desh të shfaqesha edhe në disa pika që janë vetëm, ngushtësisht profesionale, të miat. Në fillim e kam realizuar me sytë e mëndjes,  u përtgjigja,  ishte ëndërr. M’u shfaq si dritë e varur në qiell. Dhe si një re e bardhë që me syrin e skluptorit, duhet t’i hiqja pjesët e tepërta për të parë siluetën të plotë. Atë që më kish përpirë trurin që nga flokët deri te gishtat e këmbës. Piktori në fillim duhet të jetë i verbër..

- Piktor i verbër ?!!

- Po, po , i verbër. Me qepalla të mbyllura. Natën në gjumë ku i ka feksur një ëndërr. Në fillim si kujtesë. Eshtë shkrepëtima e parë e imazhit. Që mund të jetë një ndodhi, një portret, një pemë drite, një flutur a një fjalë e vetme..Figura vjen si përvojë.. Dhe ashtu nëpër ëndërr fillova me ngjyrat. Natë për natë, pa i hapur sytë.. Kur e mbarova, atëhere, një mëngjes filloi syri e dora, të detyruar nga një forcë që nuk shprehet, për të realizuar figurën e paraparë në gjumë.

Nuk më beson? Kjo është e vërteta e krijimit. Dhe nuk e tepëroj të them, e çdo krijimi…

Mos kjo ka të bëjë me stilin tuaj, tha ai i çliruar se iu duk se gjeti fjalën e duhur.

- Jo, jo! Kështu nis proçesi…Pra, s’është i rëndësishëm objekti, por imagjinata mbi objekt që të  krijosh një imazh ireal . Stili vjen gjat realizimit, në realizimin e formës dhe në punën me ngjyrat. Është ajo energjia e brendshme e çdo ngjyre që duhet të japë piktori… Po. Sidomos në kombinimin e tyre duke evidentuar ato tone ngjyrash që i përshtaten objektit.. Asnjë ngjyrë në këtë Nudo, nuk është e pastër. As flokët që duken të verdhë, as këto qime këtu në organin e saj nuk janë plotësisht kafe….

Ai më shikonte në dritë të syrit dhe, paçka se i fjalwt e mia dukeshin përçartje pakwz tw lirshme e tw pakuptueshme, vazhdova njëlloj sikur flisja me vete..

Shiko ngjyrën e fytyrës! A nuk të duket se ka një si push në faqe, ca grimca  ngjyrash si në lëkurën e një pjeshke të poraspjekur, ku dominon e kuqja dhe e verdha, të dyja, dritëzuar me një të bardhë qumështore.. Ndërsa e gjithë lëkura e trupit fillimisht më doli jashtë imazhit tim, si një lëkurë e brishtë bebeje… Mu desh ta mbaja disa ditë në plazh, duke e ruajtur nga rrezet e forta të diellit…Tonova pak ngyrat me kafe të lehtë..E nëpër pjesë të ndryshme të trupit përdora penele të ndryshme. Gusha, gjinjtë dhe anët e brendshme të shalëve u bënë me një penel shumë të hollë me qime të një lepuri race., butë butë sikur t’i realizoja me frymë…     Ngjyra e përftuar është kujtesë e një kuptimi a, po do, i thuaj të një mesazhi.

Më ngatërrove shumë, piktor..Më qartë, c’kuptim mund të ketë ngjyra ? Sikur nuk arrij dot në ato maja…

Si ta them, ngjyra nuk kuptohet, nuk spjegohet, por ndihet. Është fakti që piktori ia jep syrit si një prani të re..Sepse piktori i thotë ngjyrës: lind tani, ose fol,   ose vdis!... Sot më dukesh i lodhur, Bardhi, apo jo ? Dhe unë më duket se fola shumë. Eshtë hera e parë që spjegoj vetveten.

Është e vërtetë nuk kam fjetur mirë. Kam një farë nervozizmi.

Po mirë, e lëmë për nesër. Dakord?

Fika dritën e dhomës së saj e ajo m’u duk se hodhi mbi supe një pelerinë të zezë.

                                      * * *

Të nesërmen më solli një komplet pinelash. Më tha se nuk i dhimbte koka  e vrapuam para NUDO-s. Cdo ditë më duket më e bukur, tha-por kam shumë gjëra që s’ia kam zbuluar. Nuk di t’ju bëj qejfin , thekësoi ashtu pompoz, por thjesht shpreh paaftësinë time, ama, edhe ti nuk po më ndihmon sa duhet. Duhet ta bëj timen plotësisht, ta njoh, ta kuptoj.. Unë..

Mundohu t’ia pushtosh të tëra linjat i thashë, por dhe unë e kisha të pamundur të mos dilja te vetvetja. E nuk e mendoja se do ta errësoja akoma më tepër. Ja, Bardhi, po t’i afrosh veshin këtu në gjoksin e majtë, do dëgjosh rrahjet e zemrës pak të shqetësuara si të zogut. Njeriu shihet nën lëkurë dhe arti nën vetëdijen e objektit. Duhet të ndjesh dhe vendosjen e saktë anatomike të organeve të brendshme, të ndjesh edhe lëvizjen e zorrëve dhe gishtat e këmbëve t’ia ndjesh si të gjallë…Unë ia kam puthur edhe këtë thumbin e gjirit kwtu…

Bardhi shqeu sytë e më pa sikur të isha ndonjë i lajthitur. Ndoshta dhe një provokator që po i ngacmoja të dashurën e tij.

Dëgjo, or mik, i thashë, Kur e mbarova plotësisht dhe e vara në mur, e mbulova me një çarçaf dhe e lashë tri ditë si nuse në duvak..Si një foshnjë që kish nevojë t’i thaheshin ujrat e lindjes. Një mëngjes, të katërtën ditë e zbulova. Kur e pashë kështu u mallwngjeva dhe qava; qava dhe s’më vjen rëndë që e shpreh. Pastaj hapa krahët dhe e pushtova me mall sikur të kishim vite pa u parë. Pastaj,.. apo, lere lere më mirë!

 Ç’ndodhi pastaj, këmbënguli ai, të lutem ma trego!

Më mirë, jo. Ka ca gjëra që …Ajo më lutej për seks, i thashë me seriozitet, nuk mund ta kundërshtoja. I preka shalët, gjoksin e flokët i ranë mbi gjoksin tim.. Eja më thosh, eja, twe dua..,

E pashë që u mug.. Dukej sikur e kisha ofenduar rëndë e sytë iu egërsuan.

- Thuama troç, tha e m’u duk se u zverdh, nëse është e dashura jote, të heq dorë.. Unë akoma nuk i kuptoj marrdhëniet e tua me këtë.

Ndieva keqardhe,. ndoshta e kisha tepëruar që i kisha thënë të vërtetën. Por dhe nuk më pëlqente që loja të vazhdonte më gjatë. Herë herë mendoja se sikur t’ia thoshja troç që një femër e tillë nuk ekzistonte në qytet ,do mërzitej më tepër. Le ta mbaj të dashuruar ,mendova deri sa ta kuptojë vetë. Dhe sikur flisja me vete shtova: Unë gjithmonë ia kam hapur këmbët. Kur  pikturoj, unw gjithnjë zhytem në luginën e Frojdit. Ja këtu në mes të shalëve..endërr e keqe, natyrisht, por e bukur , e egwr..Me yje dhe dritë hëne lahet kjo luginë. Dhe me shira. E këtu, pikërisht këtu, vrasin veten burrat…Sidomos poetët. Ajo që të thashë është shfaqje inçesti. Po. po. Baba e bijë.. Nuk duhet ta.., por ja që ëndrrat të komandojnë e të turpërojnë. Nuk mori vesh asgjë. Ashtu i zëmëruar e xheloz më tha se nuk isha plotësisht i sinqertë me të. Bëri të ikte. U kthye. M’u afrua e tha se duhet t’i tregoja të vertetën a kisha  bërë seks me këtë femër kur kishte pozuar para meje? Pse qesh ?! Dhe u skuq nga të qeshurat e mia. Eh, or mik , i thashë s’paske kuptuar gjë nga përrallat që të kam thënë gjithë këto ditë..Më vjen keq. Ta kam thënë, thekësova, asnjë femër s’ka pozuar para meje lakuriq. Pse shqetësohesh ?! Më tha se isha shumë i ngatërruar por sikur u çlirua nga fjalët e fundit. Sikur kishte hequr një ngërç nga fyti e i erdhi zëri :Unë doja të më ndihmoje, tha, desha ta njoh këtë femër. Cila është? Nga është? E kujt është “ç’shkollë ka? Unë po e kërkoj lagje më lagje.., por, ... Vërejta se vazdonte të ishte krejtësisht jashtë loje. Më duhej të luanim vetëm me një portë.…Edhe ditën tjetër tha se i pëlqente shumë, se e tërhiqte me një forcë që nuk e shprehte dot, tha se po e kërkonte nëpër qytet po nuk kish rënë në të. Si është puna , fol hapur ! Po,ja..Desha të thoshja se që ditën e parë që e pashë rashë brenda. Ama, nuk të besova që kjo nuk kish pozuar para teje. E të them të drejtën, pozimi mua më duket, përdhunim. Ta them hapur, po, po  edhe sikur ta kesh paguar për ditët në dispozicionin tënd. Po ti vetë më ngatërrove. Një herë më thua jo, pastaj se ke arritur deri atje sa.., sa s’ma mban goja ta them. Në një farë mënyre ti më ke gënjyer, më ke çnderuar ëndrrën time që ..që .. s’di si ta …

S’të kam gënjyer, i thashë, këtë femër e kam takuar në park, në plazh, në autobus, në zyrë...Dhe e kam zhveshur.

Si e ke zhveshur ?!

Objekti i artit është një plastikë që më jepet në dorë e mund t’i jap çdo formë..Arti është dredhi. Dhe dhunë. Dhe egoizëm..Tani do më lësh se kam disa porosira.Njerëzit duan t’u bëj portrete. Dhe paguajnë.

Keni të drejtë. Më vjen keq për ty, më dukesh i varfër dhe shumë i vetmuar. Studjoja juaj është e ngushtë e jo me shumë dritë.

E kam zgjedhur vetë vetminë. Pastaj s’jam fare vetëm. Kam këtë. Më mjafton. Njeriut i mjafton vetëm e dashura.

Nuk donte ta ngacmonte këtë temë. Iku përsëri i hutuar me një vështrim tinzar të egër e xheloz si idiot.

* * *

 Ai ndihet  i lumtur para pikturës sime e po t’ia them copë se kjo femër nuk ekziston, me siguri do mërzitet më shumë. Në një farë mënyre unë dhe ai jemi të dy të dashuruar. Është dëshirë marroke, janë ethe dashurie ato që ai kërkon t’i identifikojë në një femër konkrete. Dhe të dashuruarit flasin shumë.

Mungoi disa ditë e mendova se kisha shpëtuar. Ndoshta e kish kuptuar. Por erdhi përsëri sot e më gjeti pa qejf. Mbrëmë e tepërova në pije, tha e u ngrita me sy të enjtur. U fut drejt e në temë.

Njëherë më ke thëne se njeriu njihet nga sytë. I kam kërkuar gjithandej qytetit këta sy, por nuk i gjeta. Pastaj, kjo jotja të shikon sy më sy, ndërsa të gjitha femrat , njëçikë e i ulin sytë.

Ashtu është, por sytë e gocës sime nuk janë vetëm të saja. Unë përgjigjem për këta sy.  Mbase nuk ia  ke parë me vëmendje. Kjo ka diçka të egër në sy. Kështu të rrëmbushur me dritë, ka një vezullim të ftohtë në reflekset që krijon në harmoninë me kokërdhokun, qerpikët dhe vetullat.

Mos ma shaj, u hodh ai, mua më duket se sytë i ka të mrekullueshëm.

Si të tigrit. Sikur lëshojnë një flakëz të brendëshme e sikur pret çastin të të hidhet përsipër. Të të hajë.

….

Pse habitesh ? Janë sy të uritur për seks. Ka një xhind të egër përbrenda plot djallëzi, dhunë dhe epsh tw fshehur.

Nuk mori vesh gjë për sytë e u hodh te lëkura.

Po kjo lëkurë, mor vëlla! Krejt origjinale, e freskët e butë sikur tani ka dalë nga banja.

Po, i thashë ,e kam përgjuar një natë kur hëna qe e plotë dhe mblodhi të gjitha rrezet e saj të florinjta dhe i derdhi mbi të..Pastaj hëna u dashurua me të dhe mbeti varur në trupin e saj.

Po ti ku ishe që e ke parë kaq imtësisht ?

Aty afër isha . Me hënën në duar si glob drite. Unë isha djalli që po bëja magji.

E jo, de, mos thuaj djalli., po Zoti, hyjnia. Vetëm një hyjni mund ta bëjë këtë.

Pa dashur më futi te vetvetja. Dhe unë , i dashuruar si ai, mu desh të filozofoja …

Piktori e poeti vetëm sa i afrohet Zotit, por asnjë herë nuk bën dot punën e Krijuesit të madh. Piktura është dhe sfidë kundër Zotit. Si poezia e mirë. Këtu nis gabimi trashanik. Edhe i gjenive që mendojnë të mprehin thikat me Zotin. Artisti është si Dedali sa më lart të shkojë drejt diellit, aq më i rrezikuar është të digjet. Duhet ta pranojmë ndëshkimin. Artisti gjithmonë digjet. Digjet…

Isha i lodhur e po mendoja si ta bëja të ikte. E kisha kuptuar se ai mërzitej pikërisht kur i flisja për zonat e fshehta e si duke folur me vete spjegova me mendjemadhësi që në një ambjent tjetër do më vinte turp, po më nxorri vetë në shteg.

E ke parë ndonjëherë në plazh ?, pyeti si shejtanbudalla.

Po, ia ktheva, shumë herë. Veçse, njerës i hoqa breçkat dhe pashë se këtu mbi organin femëror kishte dy nishane të zinj. I shikon ?

Po për zotin, i shikoj. Po pastaj ?

Pastaj hiç.

Dhe vazhdova të recitoja me vete :

E gjithë bukuria e saj rrëshqet si poezi drejt kësaj vije të errët, të fshehur me elegancë midis shalëve. Vjen prekja e syrit këtu e përpiqet të depërtojë si eksplorues mbi enigmën e botës. Trekëndësh i ngushtë me një vijë të hollë në mes si mister midis qimesh të shkurtra kafe. Kjo e kuqja këtu thellë është punuar me gjakun e shalqinit.. Rashë përmbysë këtu dhe e ….

Çfarë ?, më ndërpreu.

..Dhe e …e pikturova. Shikimi yt ngec këtu si në çark.Ngrihet i ndrojtur se mos po e tepëron duke e fokusuar si padashje, e përsëri e përsëri do rikthehet këtu…

Bardhi u hutua krejt e nuk guxonte të më shihte në sy. Bëra sikur nuk e kuptova dhe vazhdova :

Kjo NUDO jam unë ..

Si, si ?,pyeti ai me sy të zgurdulluar dhe me siguri po kuptonte se mua po linin mëntë. Madje ai çdo ditë po kuptonte pak nga pak se unë nuk isha një njeri normal.. Po, thekësova, jam unë lakuriq. Sinqeriteti im krijues. Pa rroba, pa maska. Si arti.Si ngjyra. Me sa duket Bardhi donte të më binte në vete e kapi temë tjetër më konkrete. Këto hijeza të buta midis gjinjve, kjo rrumbullaktësi e brishtë gjunjësh.. Pastaj, pa qenë i zoti ta mbaronte tha:Desha të bëja dhe një vërejtje. Pa shiko këtë gjirin e majtë mos e ka më të madh ?Më duket si më i kërcyer, Po, pranova, ke të drejtë, ashtu ndodhi..Një çast kur isha vetëm, ia kapa thumbin me dhëmbë e thumbi iu çel, gjiri iu eksitua e iu zmadhua paksa.. Një gji që preket fryhet..

….

Pse heshte ? Nuk më beson ? Iku i mërzitur , i egërsuar sikur e kisha ngacmuar atje ku nuk mbante.. Sikur i kisha zbuluar fustanin të dashurës së tij.

                                  * * *

Ditën tjetër erdhi me një trëndafil në dorë. Ma afroi disi cermonial e tha “Ky është mbreti i luleve. Të takon ty. Qëkur u njoha me këtë bukuroshe, Kam humbur gjumin. Jam bërë tjetër njeri dhe kam marrë rrugët për ta gjetur me çdo kusht…”

- Faleminderit, i thashë, jepja kësaj. Jepja të dashurës tënde.. U hutua. Trëndafili i mbeti në dorë. Dhe po më hetonte në e kisha me gjithë mend apo tallesha. Apo ashtu fillova përsëri të ikja nga “terezia” - Jepja !, e urdhërova, ajo do zgjati dorën, do buzëqeshë, do të të shikojë ëmbël dhe do të të falenderojë. Kjo është e mjaftueshme për një të dashuruar…

Comments (2 posted):

S.Athanasi on 08/03/2018 08:45:13
avatar
Tregim i shkruar plotësisht me frymëzim arti. Me atë që jemi mësuar të themi kur jemi në pozitën e lexuesit: "me një frymë". Duket e pabesueshme dhe si pa asnjë gjasë për t'a parë bindëse. Por ju siguroj unë që e shoh të njëmendtë. Edhe për një arsye timen. Si të gjithë prozatorët, kur na bëhet pyetjs: vërtet ka nodhur kjo që lexova?
Urime, miku im. Arti i vërtetë qëndron në imagjinatën e autorit. Urime!
Noke on 09/03/2018 17:58:00
avatar
Kjo NUDO jam unë. Prej pikës së nisjes kur NUDOJA ishte secila nag vajzat e bukura të vendbanimit, vijmë te krahët dhe zemra e artistit që bëhen njësh me NUDON dhe së fundi pushton tërë krijuesin, bëhet njësh me të. Ajo NUDO është artisti, ai artist që shikon më mirë me sy mbyllyr. Te romani TUBETI I KUQ dhe, më profesionalisht në këtë tregim, PIRRO LOLI shfaq jo vetëm përsosje në fjalën e shkruar por edhe lartësi të admirueshme si estet. I postoj urimet më të mira të mundshme.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1