Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | MUZIKE

MUZIKE

Font size: Decrease font Enlarge font
image Konstandin Dhamo

MUZIKE

Konstandin Dhamo

 

Më datën 25 dhjetor të vitit 1986, u ndodhëm në Vlorë për të xhiruar një koncert, me këngëtarët më të mirë të muzikës së lehtë të këtij qyteti , të cilët i vendosnim me radhë njeri pas tjetrit në sfondin e një dekori, që kishte në qendër një vajzë dhe një djalë të buzëqeshur, padyshim portretet kolektive, përfaqësuese të rinisë shqiptare, që mbanin lart kazmën dhe pushkën, emblemën e devizës mbrojmë dhe punojmë…

N’ato vitet e diktaturës, kur ushtrimi i fesë ishte i ndaluar me dekret shtetëror, dhe për pasojë, kishat, xhamitë dhe, çdo lloj tjetër institucion i Zotit, ishin rrafshuar që në themel, apo ishin përshtatur për magazina plehrash kimike, depo armatimesh, vatra për edukimin e brezave të rinj, apo edhe për çdo gjë tjetër që mund të shërbente një ngrehinë, veçse ndonjë të moshuari mund t’ia përsillte ndër mend kjo datë Krishlindjet në Shqipëri. Por edhe ai , ose do psherëtinte me vete, ose e shumta mund t’i thoshte ndonjë llaf nëpër dhëmbë së shoqes. E di, e di; merak të madh e kam ndërprerjen e predikimeve fetare, rrënimin e kishave dhe xhamive, me vlera artistike dhe historike të jashtëzakonshme dhe të papërsëritshme dhe , ekzekutimet makabre të klerikëve…

Dhe, ndonëse Enver Hoxha kishte më tepër se, një vit e gjysmë që kishte vdekur, Shqipëria vazhdonte të ishte gjithaq staliniste dhe, e ndarë nga bota, me një popullsi që s’e njihte pasaportën. Të vesë së diktatorit dhe, mvartësve kukulla të saj, frika e një përmbysjeje dhe hakmarrjeje të papritur, ua kishte përndezur më rrëmbyeshëm paranojën për vrasje dhe krime në vazhdim…

E pra, u ndodhëm në Vlorë më 25 dhjetor dhe, kjo datë , ne gjithsesi të rinjve, na kujtonte thjesht afrimin e Vitit të Ri , të vetmes festë vërtet mbarëpopullore në atdheun tonë, me ç’rast Partiqeveria mobilizohej përplot shqetësim, për t’i siguruar secilës familje që banonte në qytet, domethënë , një të tretës së popullsisë së shtetit, një racion prej dy kilogramësh mollë, po atë racion edhe për portokallet, dy shishe verë dhe, dy pula ( hungareze), nga një jepej për çdo muaj me tollon përgjatë vitit. Po kush nuk kuturiste për të mos mbetur me ato dy çika gjëra që të gënjente qeveria ! Për shembull: unë nuk mbaj mend t’i kem lënë kalamajtë e mi në ndonjë vit të ri pa gjeldeti…

Epo ja, si do të vazhdoj: nga Vlora nuk na e falte kush të ktheheshim në Tiranë me duar në xhepa, që do të thoshte: pa një kokër limoni apo mandarine, pa një teneqe sardelesh në vaj ulliri dhe, sidomos pa ato makaronat me vrimë, ( për Zotin, me vrimë!) që i prodhonte vetëm ky qytet e që, veç vrimës, dalloheshin nga ato të përhirtat , thjesht brumë që bëheshin nëpër qytetet e tjera , sepse ishin edhe të verdha prej vezëve që iu hidhnin gjatë përgatitjes.

Kësisoj, kohën e lirë , që na mbetej pas xhirimeve , e harxhonim duke kapur lart e poshtë ndonjë mik, por edhe këdo që na lidhte puna, për të na ndihmuar të gjenim çka na nevojitej. Dhe, s’e kishim të zorshme , ç’është e vërteta, sepse, ne të Televizionit ( i vetmi n’atë kohë në vend ) na gjendeshin të gjithë…

Pas nja dy ditësh, tek po hanim darkë, si zakonisht, te Hotel Sazani, shoh të hyjë në restorant shoferi i S.L , kryetarit të Institutit të Studimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i diplomuar në Universitetin Lomonosov të Moskës, ish shef i Shërbimit Sovjetik në Shqipëri, publicist dhe diplomat, që më vonë do të ishte dhe kryetar i Komisionit Shqiptar për UNESKO -n. Mvartësit e tij të herëpashershëm do ta akuzonin pas nëntëdhjetës se, iu vidhte dietat e shërbimit për jashtë shtetit, por që atij, megjithatë s’iu vu në rrezik në asnjë rast karriera, përkundrazi, duke filluar nga vetë Enveri, e pyesnin për çdo gjë, që kishte të bënte me politikën e jashtme dhe, ai ashtu siç ishte, hijerëndë dhe fjalëpak, gëzonte edhe nofkën eminenca gri…

U përshëndeta me shoferin e S.L , të cilin në Tiranë e ndeshja shpesh përpara, ngaqë ishim fqinjë dhe, ai vajti e zuri vend te një tryezë pranë tonës. Ndryshe nga ç’ndodh rëndom në raportet ndërmjet eprorëve dhe mvartësve, ky fqinji im nuk kishte përvetësuar natyrën dhe veset e shefit të tij, por vazhdonte të ishte gazmor dhe, s’mbahej me të madh.

Por kamerieri, miku ynë prej vitesh, që ishte ulur në tryezën tonë, ngaqë në restorant , më në fund nuk ndodheshin klientë të tjerë veç nesh, iu kthye shoferit me përtesë :

-Më fal , por kuzhina është mbyllur tashmë, ora është dhjetë, kështu  që s’kam çfarë të të shërbej.

Nga ana jonë, ne të Televizionit po pinim verë Vlosh të Nartës dhe , po shijonim një biftek të mrekullueshëm, të cilin kamerieri, miku ynë pra, na e kishte sjellë të fshehur të tërin poshtë fletëve të gjera të një sallate të fishkur, që të mos e vërenin klientët e tjerë, të cilët i patëm përreth në çastin që na e sollën. Ç’të bënte; biftekët mëlçitë apo bërxollat hiqeshin të parat nga fleta e menusë sepse prej kuzhinës, nuk dilnin më shumë se dhjetë porcione syresh. Eh, sallatë e fishkur, që s’të fusnim në gojë, ç’më kujtoje zborin, kur këpusnim pa na u dhembsur aspak degët e bleruara të pemëve dhe, mbulonim trupat tanë, që të mos na diktonin në terren armiqtë tanë të urryer, imperializmi amerikan dhe , social – imperializmi sovjetik…

Shoferi i eminencës gri, ngeli keq dhe, teksa më vështronte mua, si ai që pret një përgjigje sqaruese, s’po vendoste të largohej .

-Dëgjo ! – iu drejtova kamerierit me zë të ulët – ky djali është miku im , e kam edhe fqinj…

Nuk i shtova pas se, është shoferi i filanit, sepse e dija mirëfilli se, vlonjatët s’para pirdhnin për të tilla gjëra.

-T’ia zëmë fytin edhe atij, thua ?

-Po shih ç’do të sajosh…

E ftova shoferin në tryezën tonë dhe, kur kamerieri i solli së pari një shishe gjysmëlitërshe me verë Vlosh, si ajo që po pinim edhe ne, fqinji im fërkoi duart dhe qeshi i kënaqur më shumë ndoshta ngaqë e përfillëm sesa nga uria.Më pas i erdhi edhe bifteku, por pa sallatën kamufluese përsipër, sepse nuk kishe kujt t’ia fshihje më…

Kur u çuam të iknim, ndonëse e paguam darkën aqsa kushtonte , na bëhej sikur e rrëmbyem dhe e hëngrëm qyl.

-Çuna , - na ndali te dera e jashtme e hotelit shoferi i eminencës gri – shefin e kam lënë te ca miq të tij, këtu në Vlorë dhe, do të vete ta marr nesër në mëngjes, në orën nëntë, për ta çuar në fshatin e tij të lindjes. Por makinën e kam parkuar te Sheshi i Flamurit; hajde t’i hipim dhe, shëtisim përgjatë bregdetit, gjer matanë Ujit të Ftohtë!

-Po ore ! – u hodh njeri nga kolegët e mi – Apo s’është një natë e magjishme, e kthjellët dhe e ftohtë, si qelq i stolisur me yje dhe hënë

-Posi posi.

-Luani vendit…

Deti përshkënditej anekënd dhe valët e derdhnin hënën në rërë tek, shkumbëzoheshin hareshëm. Ndonëse bënte ftohtë, ne i ulëm xhamat e makinës, sepse dëshironim medoemos të thithnim fort vrundujt e njelmët që ngriheshin  nga ujërat.

-Mirë, hë ? – na u drejtua shoferi që po e ngiste makinën fare ngadalë.

-Ah, sa shumë nevojë paskëshim pasur për këtë shëtitje ndanë detit që hapet e hapet! Por na vër pak muzikë !

-A, po po, u hutuam. Shefi im e ka plot me kaseta këtë sirtarin e kruskotës; ja, ta nisim me Bitëllsat…

Kaluam tunelin nën shkëmbin buzë detit dhe, tek po i afroheshim zonës së vilave ku pushonte Enveri, na zuri syri një polic, që po qëndronte me këmbë të hapura në mes të rrugës, ku s’dukej gjëkundi as edhe një makinë përveçse tonës. Ai e dinte saktësisht se, kush i kishte këto lloj mjetesh, prandaj na nderoi me grusht dhe, na lëshoi krahun.

Por tek po dëgjonim të etur Rollingstonsat ( sepse ndërkaq ,shoferi e kishte ndërruar kasetën ) vumë re ndanë rrugës, në krah të kundërt të detit, disa thasë ngjyrë argjendi të mbushur me agrumet e plantacioneve të kodrave të buta. Ato , me siguri do t’i kishin vjelur vjedhurazi pak më parë nëpër terr dhe, pale kush do të vinte t’i ngrinte. Po polici aty në mes të rrugës ? O, ai përgjigjej ekskluzivisht për ruajtjen e vilave dhe, nuk i kërkonin llogari për episode të tjera, për të mos thënë se, bashkëpunonte me përvetësuesit…

-Ah, sa do ta dëshiroja një nga ata thasët ! – psherëtiu njeri nga kolegët e mi – kuptohet , që ta ndanim mes nesh.

-Mos u tundoni, ju lutem ! Ne të Televizionit na zë plumbi edhe mbrapsht, e kuptoni çfarë dua të them ? – ndërhyra unë, teksa shoferi qeshi me të madhe, duke i rënë timonit me grusht.

-Ashtu, ashtu; s’jemi të dehur, por edhe esëll s’jemi ama; lërnani të dëgjojmë muzikë ! Çfarë do të na vësh Adriano Çelentanon ? Jepi…

Por u pikëllova , u pikëllova shumë; bram menjëherë! Ky shefi hijerëndë, me ata sytë që i llokoçiteshin si molusqe pas qelqeve të trashë ngjyrëhiri të gjyzlykëve, ja çfarë muzike dëgjonte për vete ! Ndërsa, ata dy djelmoshat e rinj nga Berati, që i dënuan me pushkatim , ndër të tjera , i akuzuan se, dëgjonin rregullisht muzikë të degjeneruar perëndimore…

Ata dy djemtë fatzinj më erdhën ndër mend në çast, por, sa e sa të tjerë e kishin pësuar edhe për këtë akuzë dhe, sa e sa të tjerë mund ta pësonin ende…

U pikëllova, por s’e dhashë veten e nuk u shpreha; do ta zymtoja atmosferën argëtuese dhe, veç kësaj, shoferi, fqinji im i çiltër, do të pezmatohej , e madje edhe do të trembej se, mos ne e denonconim atje ku duhej, po t’ia vinim në dukje indinjatën që na shkaktuan ato këngët që dëgjonte e shkrihej shefi i tij. Por, sa i poshtër dhe hipokrit do të tregohej kushdo nga ne, po ta kryente atë denoncim! A nuk po kënaqeshim edhe neve nga ana jonë , me ato këngë të famshme anembanë botës ? Tekefundit ( hehe ! ) e kujt do t’ia mbante të kruhej me S.L , pa sugjerimin e miratimin e të cilit nuk nisej për në kancelaritë europiane as edhe një fije letër ?

-Ai bifteku s’ishte gjë fare para kësaj shëtitjeje të paharrueshme ; të falënderojmë shumë, apo jo djema ?

-Poo, bifteku iku; këtë shëtitje do ta mbajmë mend !

-O, na vajti fjollë gjithçka ! – u buzagaz shoferi, tek trokiste gishtat mbi volant, në takt me muzikën…

Yellow submarine…

…..

Chi non lavora

Non fa l’amore…

Çudi, sa shumë u mërzita e më pas edhe u revoltova nga repertori muzikor i kasetave të atij farë kuadri të lartë ! E ç’kishte të re për mua në këtë rast ? Unë rreshtohesha ndër ata që, për hir edhe të punës që kryeja , e dija më së miri se, ç’filma ndiqnin , ç’literaturë lexonin, e ç’muzikë dëgjonin familjet e nomenklaturës komuniste: art i ndaluar rreptësisht për popullin ! Po kështu , ndoshta më me kujdes, ngaqë dhe binin më tepër në sy, ndodhte edhe me rrobat që vishnin të rinjtë e Udhëheqjes, e sidomos femrat, me ndonjë përjashtim të rrallë, si bie fjala, kalamajtë e Enverit, të cilët i mbaja mend të tre, që kur ndiqja bashkë me ta dhe pinjollët e tjerë të Bllokut, Gjimnazin Petro Nini Luarasi  

Dhe, të mendosh që po kënaqeshim aq shumë mes yjeve në qiell e në det që, për ne xixëllonin e përshkënditeshin më poetikisht prej frymëzimit që na kaploi nga këngët me frymë perëndimore.

Epo, nuk duhej të harroja se, u gjenda drejtpërdrejt, ndonëse aksidentalisht, në manifestimin e njerit prej privilegjeve , që ia kishin lejuar vetes, sipas mentalitetit feudal, pikërisht ata që na thoshin ne të tjerëve orë e çast: ndal këtu ndal atje mos këtë mos atë…

Para disa muajve, në një bisedë të lirë dhe të veçuar , që bëra me një anëtar të Komitetit Qendror, pas intervistës zyrtare që na dha për Televizionin, në lidhje me rolin që i duhej të luante rinia në t’ardhmen e ndritshme ekonomiko – kulturore të vendit, mes të tjerash m’u shpreh se, populli ynë i nderuar nuk qenkësh ende gati të përballet pa u turbulluar dhe, pa u çorientuar ideologjikisht dhe politikisht , me programet televizive perëndimore , nuk është gati të vishet pas modës, apo edhe të kërcejë e të këndojë sipas modës. Të mos harrojmë , përfundoi kuadri i lartë i Partisë se, kemi ende shumë e shumë fshatarë dhe, po aq edhe varfëri…

Rrëfimi përnjëmend i sinqertë dhe kurajoz i aparatçikut, me të cilin përmbysi tërë argumentet që na parashtroi në intervistën, që do të transmetohej në mbrëmje, në të tre edicionet e lajmeve, nuk më nxiti dot t’i kthehesha e t’i thosha edhe unë ca fjalë, për t’iu kundërvënë cinizmit të tij të skajshëm, me anë të të cilit , izolimin e justifikoi dhe, e vlerësoi si të domosdoshëm, për shkak të nivelit ende tepër të ulët pra, social – kulturor të klasave në Shqipëri…

Nëse do të guxoja edhe unë sado pak so t’i thosha se, në kohën e Mbretërisë, shqiptarët hynin e dilnin lirisht nga territori i shtetit të tyre dhe, askush nuk u traumatizua dhe nuk u godit nga përballja me qytetërimet . Dhe, më e rëndësishmja , nëse do të vazhdohej me izolimin , shqiptarët do ta kishin përherë e më të zorshme të kapnin kohën…

Chi non lavora …

Në kthim fqinji im naiv, na tha :

-Do t’ju zbres te hoteli, kurse unë do të shkoj të mbyll makinën te Dega e Brendshme , sepse po ta lë përsëri aty ku e kisha , do të ma kërdisin; do t’i këpusin antenën dhe pasqyrat dhe, do t’më përlajnë kasetofonin , ç’e pyet !

-S’ke faj…

-Vetëm pesë minuta do të vonohem unë, kështu që më prisni të dhoma juaj, të bëjmë muhabet. Oho, nuk kam gjumë fare, pastaj ajo dhoma ime , një kat sipër tuajës nuk më pëlqeu, kur hyra të lë çantën…

Sapo ia behu te dera e dhomës sonë, shoferi briti i habitur, me të parë televizorin e vogël portativ, me kasë të kuqe, të vendosur mbi tryezë, të cilin, ne s’harronim ta merrnim me vete kudo që venim me shërbim.

-Shih çfarë televizori; s’kisha parë asnjëherë më parë një të tillë, kaq të vogël dhe, kaq ndryshe nga ato që kemi ne në shtëpi si arka dërrasash! Një kanal vetëm kapin ata, dihet. Po ndiqni RAI-n ? Bravo !

-Ky është televizor japonez, tepër i fuqishëm. Çnuk kap ky, edhe me një copë kablloje antene .

-Sa të privilegjuar jeni dhe ju të Televizionit!

<!-- /* Font Definitions */ @font-face {font-family:"Cambria Math"; panose-1:2 4 5 3 5 4 6 3 2 4; mso-font-charset:0; mso-generic-font-family:roman; mso-font-pitch:variable; mso-font-signature:-536870145 1107305727 0 0 415 0;} /* Style Definitions */ p.MsoNormal, li.MsoNormal, div.MsoNormal {mso-style-unhide:no; mso-style-qformat:yes; mso-style-parent:""; margin:0cm; margin-bottom:.0001pt; mso-pagination:widow-orphan; font-size:12.0pt; font-family:"Times New Roman",serif; mso-fareast-font-family:"Times New Roman"; mso-ansi-language:EN-US; mso-fareast-language:EN-US;} .MsoChpDefault {mso-style-type:export-only; mso-default-props:yes; font-size:10.0pt; mso-ansi-font-size:10.0pt; mso-bidi-font-size:10.0pt;} @page WordSection1 {size:612.0pt 792.0pt; margin:72.0pt 72.0pt 72.0pt 72.0pt; mso-header-margin:36.0pt; mso-footer-margin:36.0pt; mso-paper-source:0;} div.WordSection1 {page:WordSection1;} -->

-Si…

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1