Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Gloria in excelsis Deo

Gloria in excelsis Deo

Font size: Decrease font Enlarge font
image Ana Kove

 

Karma është kurvë e madhe, - më tha Julia atë ditë kur u ktheva nga takimi im i parë. Karma? Po po. Ajo i ka fajet të gjitha. Julias i pëlqente shumë të filozofonte. Unë nuk ia kishe ngenë dhe aq shumë. Ç’më duhej të dëgjoja filozofime dashurore, sidomos asokohe? E çdo takim të parë, përveç ditës, ka edhe shumë gjëra që e bëjnë pjesë të pashlyeshme të kujtesës. Ç’ditë e javës ishte nuk e mbaj mend. Duhet të pyes Julian. Vendin? Ah, vendin poooo. Vendi përbënte ngjarje më shumë se dita. Bari i njohur në qendër të kryeqytetit, me emrin që Julias i pëlqente fort; me siguri i kujtonte se edhe emri i saj ishte i lavdishëm, po aq sa i barit. Pse duhet të takohemi gjithmonë këtu, e pyesja sa herë ajo kapërcente shkallët dhe u rëndonte takave me forcë, aq sa të gjithë të kthenin kokën, thuaj se zhurma e këmbës së saj mbi mermer ishte zhurma e skeptrit mbi tokë, kur mbreti paralajmëronte vendimin e radhës dhe të gjithë duhet të ndalnin frymën. Ndaj vinim gjithmonë aty… shkallët ishin të shtruara me tapet të kuq e parmakë të artë. Për t’u ngjitur tek kati i dytë i barit, ku ishte edhe një dritare e madhe që të lejonte të tymosje, duhet të ngjisje gjithë ato shkallë, e ndjekur nga vështrimet kureshtare nga poshtë lart të klientëve të shumtë, që zinin tavolinat e katit të parë. Ky ishte akti i parë i shijimit të lavdisë, -thoshte Julia. Pastaj akti i dytë ishte ai i shijimit të kafesë më cigare. Dhe i treti? Ajo thoshte i bisedave tona. 
- Dhe pak e mbërrij tek ty, - dëgjova në telefon zërin e tij të plotë, ku ndihej edhe paksa tension në frymëmarrje. - Po të pres, i thashë unë me zë të dridhur. -Ku po më pret? –Ku? Si Ku? Te “Gloria”, pra, - i thashë në të qindtat e sekondës. Nuk di se si e pata ashtu atë ndjesi, se njerëzit nuk duhet të pyesin për gjëra që dihen. Ai, edhe pse nuk e kishte idenë se ku ish “Gloria”, - Mirë, më tha, do të të gjej edhe ty edhe “Glorian”. Dhe na gjeti.  
-Moj po ti pse je këtu tani?, më pyeti Julia. A nuk duhet të takoheshe me të sot? – Po, i thashë, u takova. Ajo shtangu. Gjuhën e saj, që s’din të futet në gojë thuajse kurrë, e zuri ngërçi. U krijua një situatë gati paniku mes nesh. Unë nga frika se atëherë e kuptova realisht ç’kisha katranosur. Dhe ajo ngase ende nuk po kuptonte asgjë. - Po ç’dreqin ndodhi? - Dëgjo, Julia, qetësohu. A nuk më ke thënë se asgjë nuk ndodh pa shkak? - Po, të kam thënë. - Po folë pra çfarë ka ndodhur? - Mirë, unë po të them se ç’më ndodhi, ndërsa ti mundohu të gjesh shkakun. Se ajo që ndodhi, iku, u bë. - Ja ta marrim me qetësi. Ikim pimë një kafe te “Gloria”, tha Julia, dhe atje m’i tregon të gjitha. - Joooooo, ulërita unë me sa kisha fuqi zëri në fyt. Jo te “Gloria”, se atje e lashë atë vetëm dhe ika. - Si moj ike? - Po, ika. I lashë të kuptojë se po ulem në tualet. Dhe nuk u ngjita më lart. - Ç’dreq veprimi është ky? - Kështu m’u dha të veproj. Vetëm më ke thënë se karma është veprim, që i referohet një koncepti shpirtëror dhe të ndikon pavetëdijshëm në trup e mendje. Ja ashtu i tha mendja trupit të zhvendoset. – Moj, ose ti ose unë jemi të çmendura tani në këto momente. - Të dyja jemi, Julia. Qysh se nuk dimë të shijojmë më asgjë, pa teorizuar pafund. - Atëherë eja e më trego..., se ketë punë e qan ti. Dhe më kapi për krahu. Unë nuk dija nga t’ia nisja. Rrezikoja të dukesha krejt qesharake jo vetëm në sytë e saj; por edhe vetes nuk po ia duroja atë ndjesi të çuditshme që më qe mbledhur në fyt e gati po më mbyste. - Kisha frikë të rrija, i thashë. Kisha shumë frikë. Asaj i dolën sytë nga vendi. Sytë e mi ishin tërë tmerr e panik po ashtu. - Pse, ç’kishte ai për t’u frikësuar? - Ishte pikërisht ai që kisha pritur. Nuk ndryshonte fare fare nga modeli, e kupton ti këtë? Ç’mbetej më pas kësaj, po të rrija? E kupton, Julia?! Edhe kur vinin e iknin të tjerë. Këtë prisja... - E kuptoj, zemër. Dhe mos ma hidh më poshtë kurrë teorinë e karmës e as mos u tall më me mua. - Ah, të lutem, Julia, mos sërish, se nuk kam nerva të dëgjoj teorizime tani. - Më dëgjo. Karma jote e solli atë njeri tek ty. Dëshira për t’u dashur fort me një model, që e kishe zgjedhur përpara se ai të vinte. Modeli, me të cilin ti ke bërë dallimin, ekziston, dhe ti tani e di. E pe, e preke, e puthe. Ja ku e gjetëm edhe shkakun e veprimit tënd. Ai është atje, ku e ke lënë vetëm, te “Gloria”.  
- Po sytë si i kishte kur të shihte? - Vërtet, do ta dish, Julia? Iu ngjanin syve të ujkut. Po po. Sy si të ujkut. Dhe mua m’u kujtua një roman i porsalexuar i Schmidt-it, ku Anna e Brugg-ës u akuzua për herezi, sepse komunikonte çuditshëm me ujkun. Njësoj si ajo Anna e Mesjetës isha dhe unë para tij, ambivalente. E adhuroja kafshën e fortë e superiore para meje, dhe projektoja njëkohësisht frikëra të shumëllojshme me shpejtësi drite.
- Kushedi s’i mund të ndihet një ujk i dashuruar nga një princeshë, kështu gjithë hire e ngjyra si ti? Më fol dhe pak, më nxiti Julia... - Po nuk ka reagime në sytë e ujkut ndaj ngjyrave, o zemër; as nuk i sheh e as i dallon dot bukuritë e tyre. Në këtë sens, unë nuk bëj asnjë dallim nga kopeja e gjahut. Aq më tepër aty, në prarimin e artë dhe tapetet e kuqe të “Glorias”. Është i ndjeshëm ndaj lëvizjes, ujku. Sytë i reagojnë nga lëvizja. Ndaj s’munda të rrija më gjatë pa lëvizur... E kupton tani pse ika??? - Pra ti nuk mendon se do ta humbësh, tani që gjete modelin? - Ç’dreqin ke që më shikon kështu!? Vetë ma ke ënjtur kokën me ato teoritë e rimishërimit. Do ta kem sërish kur të rimishërohem... Unë kuptova t’i lexoj psherëtimën dhe jo fjalën. Ia lexova atë që mbante brenda fare, dhe nuk e tha dot. - Prandaj shkove në atë takim? –Po. Prandaj shkova. Dhe pse e dija vazhdimin. Shkova të shihja se ç’isha gati të humbisja a fitoja, pikërisht në më të dashurin vend tonin, te “Gloria”.
-Prit radhën tani, më tha Julia, dhe më propozoi gjithsesi të shkonim e ta festonim me ndonjë gotë verë, tani që edhe ai do të kishte ikur larg nga “Gloria”. Dhe ashtu bëmë, ngjitëm shkallët duke qeshur me zë e duke përjetuar aktin e parë të shijimit të lavdisë me përplasjen e takave fort pas shkallëve.

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1