Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Drejtuesi „i ri“

Drejtuesi „i ri“

Font size: Decrease font Enlarge font
image Petrit Malushi

Nga  Petrit Malushi

Drejtuesi „i ri“

            Në metrat e fundit të jetës aktive, mosha e detyronte drejtuesin të dilte në pension. Ishte në mbyllje të karrierës. Për pasardhës, si kandidat të mundshëm, mendoheshin dy-tre kolegë me kapacitete dhe të respektuar,ose ndonjë prej nëndrejtorëve. Të nxitur nga ne, ata kishin bërë gati dosjet dhe ishin në pritje të shpalljes së konkursit për t´i dorëzuar. Ligji kështu ishte. Por një mëngjes, befasisht të riun, të vjetër, na e prezantoi i vjetri. Për t´u kuptuar më lehtë; drejtuesin e ri, me moshë të vjetër, na e prezantoi drejtori i vjetër që po ikte. U habitëm, por nuk kishim çfarë të bënim. Ata, atje lart, kur donin i shkelnin ligjet.
          Fjalime të shkurtëra nga të dy. I vjetri shprehu keqardhje për shkëputjen. I riu, i vjetër, i pashoqëruar prej ndonjë përfaqësuesi të shkallëve më të sipërme, u vetprezantua, edhe ai shkurt. Nga sa tha, dëgjuam që ishte diplomuar për lëndën e edukatës dhe vinte nga një shkollë fshati e një cikli më të ulët. „Shpresoj t´ia kalojmë mirë,- e mbylli fjalën.- Punë të mbarë“,- dhe doli nga kabineti ku ishim mbledhur. Ne po shikonim njëri-tjetrin trishtueshëm. Na lindën mendime që s´rrinim dot pa i shprehur.
- Si u bë kjo kështu ?
- More po shkolla jonë është me status kombëtar !
- Edhe me vetfinancim !…
- Drejtuesi që vjen këtu duhet të ketë një përvojë pesëvjeçare në një shkollë të të njëjtit nivel !
-Përse nuk u shpall konkurs për këtë vend pune ?
- Atëhere pas kësaj fshihet…
-…Interesi...
-...Miku !
- ...Ose partia !
- Shkolla…
- Drejtuesi ....
-Ne...
-Ata lart...
Sinjali i ziles na ftonte për fillimin e mësimit dhe mësuesit u drejtuan për nga salla e personelit të merrnin regjistrat.
          Kishte kaluar dy muaj që nga ardhja e drejtuesit të ri. Ndryshe nga paraardhësi që ishte komunikues me të gjithë, energjik dhe mbante veshje të thjeshtë, i porsaardhuri ishte i heshtur, fliste si me përtesë, vishej me kostum njëngjyrësh të zi ose kafe, me kollare të kuqe, vishnje ose lejla, me këpucë majëhollë, mbante syze dielli edhe në mjedise të brendshme. Dy nëndrejtorët dhe sekretarja thoshin se kërkonte informacion të imtësishëm. Vrojtonte. Shikonte orën kur binte zilja për fillimin dhe mbarimin e mësimit. Mbante shënime në një bllok. Dilte në krye të shkallëve, vërente rreshtimin e klasave dhe me mikrofon lëshonte fjalë që vetëm ai ua zbërthente mesazhin. Në pushimet e shkurtëra dhe të gjatin haponte në koridor për të inspektuar. Të njëjtën gjë bënte edhe kur klasat ishin në mësim. Rojen  e porositi t´i raportonte lëvizjet e çdo mësuesi. Kontrollonte regjistrat. Rrinte pas derës mbante vesh. Hynte nëpër klasa  i shoqëruar nga ndonjë nëndrejtor në orën e parë,orën e tretë, orën e fundit, shikonte faqen e regjistrit për mungesat, numëronte me gisht nxënësit dhe urdhëronte : mbaj shënim, mungojnë dy,tre,pesë...janë vendosur dy,tre nota pakaluese...Thërriste mësuesit në drejtori. U bënte vërejtje..
„Njoftim : Ditën e premte ora 14:00, pas orës së shtatë zhvillohet analiza e punës dymujore. Drejtori Ceno Dallkauku“
         Mbledhja e parë me drejtuesin e ri. Analizohej puna e dy muajve. Materiali  ishte përgatitur nga vetë drejtori dhe lexohej po nga ai. Në krah të drejtorit sekretarja. Të gjithë të tjerët përballë në sallë. Përpara lista me emrat e mësuesve. Bëhej apeli. Asnjë mungesë.
Habi dhe heshtje.
„Të nderuar vartës...Kaluan dy muaj që në krye më kini mua…Besoj e keni vënë re  përkushtimin tim me të gjitha energjitë mendore dhe fizike. Kam sakrifikuar edhe ditët e pushimit, edhe gjëndjen shëndetësore. Po hyj në temë. Jam i drejpërdrejt. Nuk tundohem nga çfarë mund të mendojë njëri apo tjetri. Më kanë sjellë këtu si drejtues me të gjitha kompetencat për të vepruar. Kujdes ! Nuk dua t´ja di se si keni punuar me paraardhësin. Harroini favoret. Bashkë fillojmë një epokë të re.  Kushdo qoftë nëse nuk i përballon dot kërkesat e reja, pa droje i them që do ta bëj dalje...“
Sikur u mpimë nga ato që dëgjuam. Asnjë drejtues nuk kishte folur me kaq fodullëk.
„...Jam vizionar... Situata është e papranueshme...Shumë shpejt do t´i ndjeni ndryshimet në shtrirje dhe në thellësi. Nuk do të shpëtojë asnjeri...“,-vazhdoi të lexonte pa e ngritur kokën nga fleta.
            Ne kishim mbështetur duart mbi suprinat e tavolinave, dhe sikur të ishim mumje vetëm dëgjonim.
U përmendëm atëhere kur kaloi te pika e fundit e rendit të ditës, leximi i rregullores së re, speciale për mësuesit, hartuar prej tij, e cila hynte në fuqi menjëherë.
„1. Mësuesit nuk duhet të vinë me mjete të motorizuara në shkollë.
2. Të firmosin në listëprezencë dy herë, një herë në mëngjes dhe një herë pas përfundimit të orës së shtatë.
3. Çantat t´i dorëzojnë në sekretari kur fillon mësimi dhe t´i marrin në mbarim të tij .
4. Në duar të mbajnë vetëm ditarë dhe shkumsa.
5. Stilolapsat dhe lapsat t´i rreshtojnë në xhepat e sipërm në mënyrë të dukshme.
6.  Përparset duhet t´i kenë të gjata dy gisht nën gju dhe të mbërthyera deri në grykë, si në ditë të ftohta edhe në ditë të nxehta.
7.  Ndalohet dalja e mësuesve jashtë ndërtesës së shkollës, edhe kur mund të kenë pesë ose gjashtë orë pushim dhe vetëm një orë mësim.
8. Roja do ta mbyllë derën kryesore në orën tetë pa një minutë dhe do ta hapë në orën katërmbëdhjetë e një minutë.
9. Kafe ujë dhe çaj, nëse dëshironi të pini gjatë orarit të punës, duhet t´i merrni me vete në termus.
10. Duhanpirësit të ndezin vetëm një cigare, në pushimin e gjatë, te muri I shkollës nga ana e banjove.
11. Të raportojnë të drejtori, me gojë ose me shkrim, çdo bisedë që bëjnë dy ose më shumë kolegë në grup.
12. Të denoncojnë çdo fjalë fyese ose ofenduese në adresë të drejtorit, për të ruajtur pastërtinë e figurës së tij.
13. Nxënësit të mos dalin nga klasat për asnjë arsye. Për nevojat personale ta disiplinojnë organizmin që t´i kryejnë vetëm gjatë pushimit.
14. Kalueshmëria duhet të jetë njëqindpërqind.
15. Mungesa të vendosen vetëm orën e tretë dhe të katërt, edhe atëhere me laps, por jo kur mungojnë më shumë se tre nxënës.
16. Çdo ankesë për më lart duhet të kalojë nëpërmjet drejtorit.
17. Me drejtorin, si i vetmi vendimarrës për çdo problem, stafi komunikon  me shkrim nëpërmjet sekretares.
18. Drejtori do t´u japë përparësi sinjalizimeve me foto,sms dhe video me bonuse të veçanta, duke ruajtur anonimatin e autorit për kolegen ose kolegun.
…..…………………………………………………………………………………………………………………………”
Kaq kisha. Nëse keni sugjerime e paqartësi ndiqni pikën shtatëmbëdhjetë të rregullores së re.
Ai doli i ndjekur nga sekretarja. Si të goditur nga elektroshoti ne po shikonim njëri-tjetrin. Po shkëputeshim nga karriket dhe tavolinat me përtesë e gjymtyrë  të mpirë.
-Nga e gjetën këtë kallëp !,-ia shkrepi Qazimi, mësuesi më i vjetër.
-Miku e partia edhe dru po të jesh të vënë në krye.
- Hajde torobello hajde !
-Sikur ishte pak i mangët nga trutë…
-Ore ç´qe ajo rregullore paçavure !
-Po këtu është shkollë, jo burg, more…
-Ç´kujton ai se do ta lëmë të na ç´personalizoi…
          Mësuesit provizorë kishin dy muaj pa marrë pagat. Tre here kishin kontaktuar me drejtorin e ri dhe ende ai nuk ua kishte zgjidhur problemin. Mësuese Mira kishte motrën gazetare në televizionin “Vetëtima”. Një lajm i ndërtuar prej saj dhe i transmetuar për këtë problem nxiti disa media të tjera të vinin në shkollën tonë dhe të pyesnin për më shumë. „Hartuesi i rregullores speciale“, pas hapjes së fletëve doli se, ishte pa arsimin përkatës dhe drejtues ishte emëruar me ndërhyrje miqësie e partie duke shmangur konkursin dhe procedurat në fuqi. E pas një situate të tillë, titullari i dikasterit, nuk dihet me detyrim a me vetëdije, komunikoi pezullimin e tij.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1