Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | KRIPËMJALTËZA

KRIPËMJALTËZA

Font size: Decrease font Enlarge font

KRIPËMJALTËZA

 

     Hyjninë që sjell e ndjell buzagazin e një kombi, apo të një bashkësie njerëzish, unë do ta quaj Kripëmjaltëza. Nuk është veç përfytyrimi i një ëngjëllusheje të palodhur që nuk ka as forcë e as mjete t’u zgjidhë hallet njerëzve. Ajo hallet i le ashtu si janë, por si një motër klinike e kujdestare e dhembshur, që nuk merr dot përsipër ndërhyrje kirurgjikale, shpërndan vetëm barëra qetësuese dhe përtëritse. 

     Përfytyrimin për Kripëmjaltëzën unë e kam që në vegjëli. 

Mua më kujtohet sa shumë vuanin prindërit të na ushqenin ne fëmijëve, aty nga fillimet e viteve ‘50. E megjithë përpjekjet e mëdha të babait e mamasë, shpesh, flinim pa darkë. Na zinte gjumi duke dëgjuar një radio të vjetër Orion, ku ndiqnim emisionet muzikore të Radio Tiranës.  

     Një mbrëmje, babai u kthye nga puna dhe e kuptoi se dhe atë natë, nuk do të kish bukë për fëmijët e tij. Por ne, tashmë, ishim mësuar... Ai na gjeti ne duke parë mamanë tonë, që ashtu tek po fshinte, pat lënë fshesën dhe pat ngritur volumin e radios: në të po jepej një valle me motive të fushës së Korçës. Eh, ajo linte çdo gjë para tyre! Kur ishte e re, në fshat e mbanin në gojë të tërë, për hirin me të cilin hiqte vallet dhe tundte shaminë. Dhe tani, ajo kish rrëmbyer një nga ato kapset prej lecke që shërbejnë për të nxjerrë nga soba tepsitë përvëluese dhe nuk e la vallen as kur erdhi babai. Ama, i qeshi babait në vend të përshëndetjes. Babai hodhi shikimin nga ne. Ne po sodisnim. 

“Presim të mbarojë vallja!” ia bëri babai.

Pastaj, atij vallja iu duk e gjatë dhe nuk priti të mbaronte, por e pyeti mamanë teksa ajo vallzonte:

“Bëre gjë, për ato porositë që të lashë?”

      Mamaja pa e lënë vallzimin, nisi t’i raportonte të shoqit duke u përkulur  hera-herës, për të respektuar me besnikëri koreografinë e valles. 

“Nuk bleva asgjë se… Atë velenxen me thekë, nuk e shita dot!…

Vangja nuk më dha borxh, se nuk kishte…. Ajo vetë… do të kërkonte borxh diku… E do të më jepte mua gjysmat e parave…  Po nuk më solli gjë…. Nuk i kanë dhënë, me sa duket… E hopa!... Prit, se këtu vallja e ka me të rrotulluar… Ashtu!.. Darkë … as sonte… nuk ka! Pam Pam!..  Sa valle e bukur që është, e shkreta!” përfundoi me një psherëtimë admirimi mamaja dhe iu kthye përsëri fshesës.

Babai vështroi nga ne. Ne vetëm qeshnim. Unë, që isha më I madhi, u ngrita i pari dhe fillova të imitoja mamanë duke vallëzuar me qef e duke e imituar raportimin ndaj babait, me tërë ashkun e kënaqësisë së valles:

     “Hopa!… Drekë nuk kishim! Hopa!   Darkë nuk kemi!..  Rroga jote nuk na del… Nuk na del e nuk na ngel!  Eh, hopa!… Tani e kemi me të rrotulluar!.. Tra-ta-ta, e bukë nuk ka!.. Sa valle e bukur, tra-la-la!…”

     Babai dhe mamaja qeshnin sa u dhembnin brinjët. Imitimi ishte i ngopur me ekzagjerime dhe po na dilte një copë komike e rallë. Motra dhe vëllezërit e mij më të vegjël, të zilepsur me suksesin që po korrja unë, me sytë që u ndrisnin, u ngritën edhe ata nën shëmbullin tim dhe sejcili imitonte mamanë sipas qejfit të vet. Që të gjithë fëmijët po kërcenim. Ata më të vegjlit nuk mbanin dot mend as fjalët:

      “Drekë nuk kishim e darkë nuk kemi … Eh hopa!”

      Ato çaste në mes tonë kishte zbritur Kripëmjaltëza. Oh, sa kemi qeshur atë natë! Oh ç’vizitore fantastike kemi patur ne atë mbrëmje në shtëpi! Ne, si gjatë gjithë atij muaji, përsëri fjetëm pa ngrënë, por në ndryshim nga netët e tjera, kemi qeshur aq shumë, sa edhe sot pas kaqë dekadash, e mbajmë mend atë, si një nga mbrëmjet më të këndëshme të fëmijërisë sonë!…

…………………………………………………………

Nga libri esseistik “SSallaku, ose si qeshnim nën diktaturë” 2001

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1