Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | SOVRANËT NUK U PRESIN KOKAT GAZTORËVE

SOVRANËT NUK U PRESIN KOKAT GAZTORËVE

Font size: Decrease font Enlarge font
image SOVRANËT NUK U PRESIN KOKAT GAZTORËVE

SOVRANËT NUK U PRESIN KOKAT GAZTORËVE

Në gusht të vitit 1997, në një moshë të shtyrë, vdiq në Moskë komiku i njohur Jurij Nikulin, i njohur si artist filmash gazmorë, një personazh karizmatik, që vinte nga radhët e klounëve të cirkut. 
Mediat ruse e vlerësonin mjaft. 
Por edhe gazeta amerikane Nju Jork Tajms i pat kushtuar vdekjes së artistit rus Nikulin dy faqe të tëra me shënime biografike dhe fotografi. Në reportazhin e të dërguarit të posaçëm të Tajmsit, thuhej se Nikulini ishte një komik mjaft popullor, humorin e të cilit popujt e Bashkimit Sovjetik ishin mësuar ta kishin si bukë të përditëshme gjatë gjithë periudhës së rëndë komuniste. Tajmsi rikujtonte një tufë prej tyre, ndër të cilat unë zgjodha një shpjegim përvëlues të komikut, thënë pikërisht gjatë ndrydhjes staliniane

“A e dini përse Stalini vishte çizme të gjata deri tek gjunjët, ndërsa Lenini i kishte çizmet e tij me qafa të shkurtëra?!” 
“Sepse në kohën e Leninit Rusia ishte edhe atëherë e zhytur në mut, por vetëm deri tek noçkat e këmbëve.”

Shikoja arkivolin e komikut që edhe pas kolapsit të komunizmit në Rusi, për shkak të vlerave dhe moshës së avancuar, e patën lënë në postin e drejtorit të Cirkut të Moskës, si një atribut arenave, të cilat e kishin formuar dhe mes të cilave ai u bë legjendar. Ia kishin vendosur trupin mbi një shtrat topi dhe e shoqëronin për në banesën e mrame ushtarakë me uniformat e paradës! Prapa topit, në krye të kortezhit, çapitej kokëzbuluar Presidenti rus Boris Jelcin dhe pas tij një turmë e madhe pafund, ndofta mbi një milion njerëz, që qanin. 
Rusë të ndryshëm që pyeta më pas dhe kërkimet në internet, më bindën më shumë për ngjashmërinë që mund të hiqej paralele mes Nikulinit dhe artistit tonë popullor, Skënder Sallakut. Këta lloj artistë të gjithanshëm ishin bij të një periudhe historike të trazuar, të cilën ata e jetuan si qytetarë të thjeshtë të vendeve me jetë të vështirë, si artistë të klasit të parë që punuan dhe rrezikuan shumë, bile edhe duke u bërë anëtarë të asaj partie që, ironikisht, ishte vetë farkëtarja e dhunës e shtypjes dhe e gjithë pasojave që vinin pas. 
Ata ishin artistë të një kalibri të veçantë me vlera shumëpalëshe: mendimtarë, kllounë, aktorë të komedisë së shkurtër dinamike, asaj që është më afër popullit. 
Lloji i veçantë i këtyre komikëve ngjan me një specie që tani jep shënja se po shuhet, ashtu siç janë shuar dinosaurët. 
Tani kolegët e tyre 40- 50 vjet më të rinj as që kanë ndërmend të kacavjerren litarëve të arenave dhe bile as që duan të vënë fijen më të vogël të pudrës në fytyrë. Marrin në dorë një mikrofon dhe, jo pa hir dhe elegancë, nisin e trajtojnë lajmet e kronikave duke ngacmuar modën, personat publikë të kohës, presidentët, kryeministrat, duke mos e vënë fare në dyshim se pas mbarimit të shfaqjes, do të arrijnë shëndoshë e mirë në shtratin e tyre të përnatshëm. Shumë prej këtyre nënëqeshin me ironi kur i hedhin një sy repertorit zyrtar të dinosaurëve të kohës së komunizmit, duke mos e vrarë mendjen se si jetuan këta të gjorët edhe, sidomos, si mbijetuan.
Por pikërisht theksoj se ishte repertori jo zyrtar që i bëri ata dinosaurë të famshëm dhe legjendarë, ai repertor që nuk mund të publikohej, ai repertor që rrezikonte jetë njerëzish, në të cilin këta kishin investuar pasionin, përkushtimin, sigurinë personale dhe atë të njerëzve të tyre.
Sallaku ynë tregonte ndër miq të besuar se…

De Goli, presidenti i Francës, shkoi e trokiti në derë të Zotit, krijuesit të gjithësisë.
“Zot i gjithëfuqishëm,” e pyeti, “a mund t’ia sjell unë lumturinë popullit francez dhe kur do të vijë ajo lumturi?”
“Ti mund t’ia sjellësh, “ i tha Zoti presidentit francez. “Lumturia në Francë vjen pas njëqind vjetësh.”
De Goli ia plasi të qarit dhe u largua nga Zoti me kokën ulur.
Po në ato kohëra, kur këtij prijësit tonë, Enver Hoxhës, i kishte mbetur ende pakëz respekt për Zotin, trokiti edhe ai në derë të Tij.
“O Zot, a mund t’ia sjell unë lumturinë popullit shqiptar dhe kur?”
Zoti nuk u përgjigj dot, se shpërtheu në lotë…

Nuk është fort e rëndësishme për të saktësuar nëse Sallaku ynë apo Nikulini rus, këtë lloj satire e kishin të importuar e të përshtatur. E rëndësishme ishte se ata e tregonin në rrethe të ngushta dhe kjo lloj anekdote bënte pastaj rrugën e saj nga goja e fqinjit në veshin e fqinjit tjetër. Bile për artistin tonë, Sallakun, nuk ishte e rëndësishme edhe po të mos e kishte treguar ndonjëherë ndonjë anekdotë si kjo. Njerëzit edhe pa e dëgjuar nga goja e tij, i atribuonin dhe autorësinë e këtyre historiçkave të tharta. Se artisti i dashur e kishte mprehtësinë, talentin dhe guximin ta krijonte një të tillë. Edhe ta tregonte. 
Në asnjë shënim nuk kam gjetur që Juri Nikulini, artisti i vyer rus, të kishte guxuar të provonte barzeletat e tij në prani të hierarkëve stalinistë të Kremlinit, siç e pat bërë në mënyrë aventuroze Sallaku me ministrin e Sigurimit dhe me vetë diktatorin Hoxha.. 
Ja, një ditë të lume, diktatori vendosi t’i përgjigjej kërkesës së bashkëpunëtorëve të tij të aparatit të Komitetit Qendror dhe familjeve të tyre dhe shkoi të merrte pjesë dhe ai në festën e fundvitit. 
Organizatorët kishin thirrur një grup artistësh të Cirkut dhe Sallaku ishte futur në atë grup. Ai doli disa herë para publikut me familjarë aq të larmishëm që ndodheshin në sallë e që në një nga vendet e para, shihje të ulur në kulltuk, Enver Hoxhën. 
Ngjarjen e kam dëgjuar të treguar prej disave nga artistët që u gjendën të ftuar në atë festë si dhe nga vetë kryeartisti që ma rrëfeu hollësisht, fije e për pe, siç ma pat treguar edhe atë mbrëmjen e paharruar me ministrin.
I madhi i vendit ishte bërë njësh me fëmijët e shumtë dhe tok me ta duartrokisnin Sallakun sa herë që ai shfaqej para tyre. Në këtë shfaqje aq të larguar protokolleve, Komandanti lëshonte edhe ndonjë frazë që e ndizte gazin dhee harenë e sallës:
“Hë më të lumtë! Ashtu posi!”
Kur thyen disiplinën i madhi, të vegjlit mendojnë se demokracia është më afër. Të përshkënditur nga tepria e të ngrënave dhe të pirave që viheshin re në sallë dhe në dhomat e artistëve, antarë të Byrosë por dhe antarë të thjeshtë të plenumit, badigardë dhe familjarët e tyre, merrnin guximin të lëshonin edhe ata ndonjë shprehje pa patur frikë se e dëmtonin këtë shfaqje mishmashe.
Sidomos ata që e dinin simpatinë e të parit të vendit për komikun e njohur, sa herë dilte Sallaku dhe merrte mikrofonin, ende pa hapur ai gojën, i thërrisnin duke ngritur lart shishet e birrës:
“Leri këto! Na thuaj ndonjë nga ato të xhepit!”
Thirrjet për të treguar ndonjë nga ato të thartat, bëheshin përherë e më të shpeshta, sa edhe kalamajtë e vegjël, pa ia ditur thelbin kërkesës, filluan të bërtasin më shumë se të tjerët: “Ato të xhepit! Ato të xhepit!” E këtë e bënin sa herë që Sallaku merrte mikrofonin. 
Njëri nga shokët që ia njihte mirë krizat e marrëzisë i tha nën zë artistit të shquar:
“Skënder, se mos na bësh ndonjë budallallëk!”
“Joooo!” tha Skënderi duke i dhënë të drejtë e duke i kthyer kurrizin tundimit.
Por në një dalje të re, korit të kalamajve, iu shtua dhe një zë shumë i njohur autoritar: ai i Enver Hoxhës vetë!
“E po mjaft e zgjate, Skënder! Gëzoi kalamanët nashi! Plotësoua qejfin dhe këtyre! Nxirr ndonjë na ato të xhepit!”
Komandanti kërkonte të gëzonte kalamajtë sikur ato “të xhepit” të paskëshin qenë karamele, dhe jo tritol e bomba.
Kësaj kërkese Sallaku, vendosi t’i jepte pëlqimin. (Vijon)
……………………………………………….
Ekstrate nga libri esseistik “SSallaku, ose si qeshnim nën diktaturë” 2001

 

LEXO VAZHDIMIN KETU

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1