Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | SOVRANËT NUK U PRESIN KOKAT GAZTORËVE (2 - VIJIMI)

SOVRANËT NUK U PRESIN KOKAT GAZTORËVE (2 - VIJIMI)

Font size: Decrease font Enlarge font
image Pëllumb Kulla

SOVRANËT NUK U PRESIN KOKAT GAZTORËVE (2 - VIJIMI)

“Si urdhëron, shoku Enver, radhën tjetër që të dal, do të them diçka!” 
Menjëherë pas këtij premtimi shokët me buzëqeshje të shtira lanë anët e podiumit, u mblodhën pas kuintave rreth Skënder Sallakut dhe nisën ta qortonin ashpër për premtimin që lëshoi:
“Ti je vërtet i lajthitur!”
Skënderi i shihte të gjithë dhe i dëgjonte sharjet si i shushatur. Edhe vetë tani filloi të tmerrohej për fjalën që dha dhe pyeste thellësisht i penduar:
“A thoni bëra gabim?!”
Dihet, zakonisht gjatë shfaqjes që është në rrjedhë e sipër, koha t’i jep minutat dhjetë herë më të shkurtëra. Aktorët dridhen kur duhet të ringjitin mustaqet që sapo janë lëshuar nga djersa, a kur japin për të qepur një kopsë. Pa le se si ulurijnë këmbanat e sekondave kur rrekesh të sjellësh ndërmend përmbajtjet për të bërë zgjedhjen e një anekdote, e cila mund të të kushtojë jetën!
Skënderi vendosi t’u kërkojë shokëve ta linin vetëm që të gjente se si të dilte nga kjo situatë. Mbylli derën e dhomës dhe po mendohej të peshkonte në thellësitë e kujtesës së tij peshkun më të vogël, që sado ta tundte bishtin, nuk bënte dëmin e peshkaqenëve.
Më në fund u duk sikur e gjeti një të lehtë dhe nuk desh të lodhej më. Atë me siguri me përjashtim të Enver Hoxhës, e dinte e gjithë salla dhe e gjithë Shqipëria. Por megjithëse prekte probleme të mprehta të shtërngicës ekonomike të vendit, ai e ndau mendjen ta tregonte.
Akrobati i përjetshëm pështyu duart dhe i u vërvit lartësisë fatale, për të ecur mbi atë telin e tij atje në majë të arenës. 
Ndryshe nga daljet e mëparshme, këtë radhë me daljen e komikut në sallë u bë një heshtje varri. Gjithëçka para dhe prapa tij kishte ngrirë, sa që Skënderi e kuptoi se këtë provim të madh e kishte krijuar për të larë haraçet e kungullit të tij që i pat ecur gjithnjë përmbi ujë.
Hoqi mikrofonin nga stativi dhe qërroi zërin.
Njerëzit përpara tij prisnin. Mbrapa tij shokët më të afërt i kishin gishtat xhumbë para gojës. Sallaku shqiptoi fjalët e para:
“Nuk kanë të sosur sukseset që ne sot arrijmë anë e mbanë në fushën e prodhimit… “
Ky ishte jastëku i butë që Skënderi ia vuri ëmbël-ëmbël para fytyrës atij burrit që ishte ulur pesë metra përpara tij në një kulltuk të rehatshëm. Tani i vinte radha grushtit mbi jastëk!
“Por, tek tuk, shihen dhe të meta në furnizim…”
Me bisht të syrit Skënderi vuri re nja dy prej shokëve të vet që u hoqën në thellësi, prapa kuintave, nga që nuk deshin të ishin aty kur të ndodhte hataja. “O bo bo paska zgjedhur atë anekdotën e neveritshme të qumshtit!” po mendonin ata me siguri.
Ai atë kishte zgjedhur…

Një fëmijë bëri një prapësi dhe e ëma nuk duroi por iu turr me të shara dhe mallkime: “Oh ty të qoftë harram qumështi i nënës!”
I ati që ishte aty, desh ta ndreqte llafin:
“Qumështi i babës, i thuaj moj grua, ai është mallkim i fortë!”
E lanë djalin dhe nisën prindët të zihen me njëri tjetrin.
“Të qoftë harram qumështi i nënës” thonë,” tha gruaja.
“I kanë thënë përpara,” tha i shoqi, “por tani ka ndryshuar. Se nëna, nëntë muaj
qumësht i jep fëmijës, kurse unë kam nëntë vjet që ze radhë për qumësht për të, që më dy të mëngjesit!…”

Asnjëri nuk pipëtiu. Asnjëri nuk u ngrit i skandalizuar të braktiste sallën. As Enver Hoxha nuk po lëvizte dhe prapa e anash tij e ndiqnin të parin e tyre të tmerrshëm me bisht të syrit e me veshët pipëz. Prej vitesh ata ishin mësuar të lexonin edhe frymëmarrjen e tij. 
Në fund të çdo anekdote njerëzit zakonisht qeshin dhe kjo është pika e natyrëshme që i vihet asaj, me kuptimin që thelbi u dha. Këtë radhë Skënderi mbeti pezull. Pështyma iu arratis nga goja, buzët iu thanë, gjuha iu trash dhe ai u detyrua të thotë njoftimin më të urryer në botë, që s’e kish përdorur kurrë ndonjëherë:
“Kjo ishte!”
Në një heshtje të frikshme, Sallaku nisi të ngjishte mikrofonin në stativin nga e mori, kur befas u dëgjua një e qeshur e mbytur, atje, pesë metra më tutje.
“Ha, ha, ha!” Ishte e qeshura e Enver Hoxhës. 
Pas tij, sikur tërmeti më i rëndë të kishte ndodhur salla nuk do të tundej aq shumë sa u tund nga ai gaz i përgjithshëm, që pothuaj nuk kish lidhje me anekdotën pasi ajo tashmë, - yhaaa! - kish një vit që ishte thënë! Ishte një e qeshur pas një tendosje të madhe. Ishte entuziazmi për një gjest të guximshëm të një artisti, por më shumë ishte hareja që udhëheqësi i partisë ia shpërbleu atë. Ata gëzonin që i madhi i vendit ishte aq i gjërë sa të vlerësonte guximin. Ishte një rast i rrallë kur anekdotën e tregoi Sallaku dhe suksesin e pati …Enver Hoxha!
Skënderit i vërshoi pështyma në gojë sikur ia solli një përrua. Ai ndjeu që buzët iu lagën, gjuha i u bë si ngjala në gjol. Fytyra e tij tani ishte përsëri ajo fytyra e shëndetëshme e sukseseve nëpër arena. Këmba i kishte shkarë nga teli në majë të arenës, por ai nuk ishte plandosur përdhe. Ishte mbajtur në kordën e çeliktë me gishtin e vogël të njërës dorë, por edhe aq ishte mjaft për pehlivanin më të mirë të arenave. Tani ishte zot i sallës. Vështroi me përbuzje shokët që nga meraku, i kishin hequr atij hirin, guximin dhe gazin e thellë që s’e braktiste kurrë.
Nxitoi të rrëmbente përsëri mikrofonin që ai, Skënderi tjetër, ai zemërljepuri, me ato duar drithërake mezi e pat vënë në stativ ca minuta më parë dhe rrahu të shtronte nën gjunjë entuziazmin e sallës.
“Një minutë!… Një minutë, ju lutem!”
Por askush nuk i bindej e nuk desh ta dëgjonte më. Duart njerëzve u ishin bërë flakë nga të rrahurat, ndërsa vetë i pari i vendit komentonte duke qeshur tregimin e Sallakut sa majtas, djathtas.
“Bravo! Bravo!” nuk pushonin thirrjet nga salla.
I madhi i vuri re përpjekjet e artistit dhe bëri shënjë të vendosej qetësia. Në ndihmë të tij u sulën të gjithë ata që ishin më afër.
“Shssh! … Shshsh!” 
Bënin “shshsh” dhe ata që duhet të heshtnin.
U vendos qetësia. Salla u bë e tëra veshë e sy. Enver Hoxha pat nderur qafën dhe me sy të qeshur e gojë të hapur, priste fjalët shtesë të Skënderit që po tundëte mikrofonin para gojës.
“Shoku Enver, unë në jetën time kam dhënë mijëra shfaqje dhe jam shpërblyer me miljona “ha- ha”- ra, që kanë qënë shpërblimi më i bukur i një jete. Por që të gjitha ato, as që krahasohen dot me këto tri “ha-ha-ha”-të tuaja sot! Sikur të mos kishit qeshur ju, për nder, unë besova se i thashë burgut “hapu!.
Ky falenderim tingëllonte dhjetë herë më i rëndë se vetë anekdota, por tani Sallaku nuk pyeste më. Tani, ky rrëfim i sinqertë i dha hov edhe më të madh gazit të përgjithshëm të sallës me Enverin në krye. 
Nuk i ndodhi asgjë! Hoxha ia kurseu ndëshkimin si për të dhënë për veten përfytyrimn e një njeriu që e ka ndjenjën e humorit. Ose ndofta për t’I mbetur besnik traditës së sovranëve që nuk kanë prerë kurrë kokat e atyre gaztorëve gjuhëmprehtë që kalonin jetën rreth e qark fronit të tyre. (Vijon)
……………………………………………….
Ekstrate nga libri esseistik “SSallaku, ose si qeshnim nën diktaturë” 2001

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1