Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | ZEMRA E PANJOHUR NË INTERNET

ZEMRA E PANJOHUR NË INTERNET

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vullnet Mato

 

 

Teksa ndodhesha në faqen time të facebookut, duke publikuar një krijim të ri, mu ndez sinjali i kuq i chat-it në fundin e krahut të djathtë. Sipër tij lexohej emri “Medine Kaziri”. E hapa me kureshtje. Portreti femëror në miniaturë, kishte shkruar vetëm fjalën:

- O zemër!...

Nuk e mora me mend ç’donte të thoshte me këtë fjalë kjo femër e panjohur, që bënte  pjesë në rrethin e katërmijë miqve të mi virtualë.

Shkrova pa u menduar gjatë:

- Me kë e keni?

- Me ty shpirti i em. - vizëlluan shkronjat pas pak.

- Unë jam plak...- rendita këto dy fjalë shkurt.

- Ani, je fort i amël!- shkroi ajo.

Hapa me kureshtja albumin e fotografive të saj në krye të faqes. Aty ishin hedhur një mori pozimesh të një vajze bukuroshe rreth të tridhjetave. Vihej re një fytyrë vezake, kudo buzagaze në çastet e shkrepjes së aparatit. Kureshtja më shtyu të shoh më tej të dhënat e shënuara poshtë fotos së profilit. Ishte me arsim të mesëm dhe nga Gilani.

- Si mund të jem i ëmbël për ty, kur gruaja ime thotë se jam tepër i hidhur... - shkrova i shkujdesur.

- Ani, gruaja ta ka pi langun prej kohësh dhe e ka velun dashnia jote...- u përgjigj në çast.

Guximi i saj më bëri të dyshoj. Mendova se në këtë program të internetit ka shumë meshkuj provokator që shfaqen të maskuar me emra dhe fotografi femrash.

- Me sa kuptoj, pas fytyrës tënde të bukur, ti fsheh një mashkull shakaxhi, - i thashë.

- As mos e shko në mend, o profesor i dashtun. Po deshe, hap vidion e mesenxherit, me më pa direkt! - shkroi menjëherë.- Jam saktë ajo që po më sheh në fotografi.

-Nuk e kam gati kamerën në këto çaste dhe as mund ta hap, për tu ballafaquar e për të folur me një femër të panjohur këtu në shtëpi, ku kam gruan që më vëzhgon gjatë gjithë kohës si badigard personal...

- Po ti gjej një dekikë, kur del nga shpia, or burrë, se ajo nuk të ka lidhun me ty!...

- Unë moj vajzë, nuk kam as kohë të zgjatem në këtë bisedë të kotë, - i thashë në katrorin e shkrimit tim.

-S’ka problem, unë jam tue të pritë, kur ti ke me ken i lirë, veç duhet me më besue, se më ke hy në shpirt e në zemër, jo veç me ato që shkruan, por edhe me amëlsinë e nji burri të hijshëm, që kam pa te fotografitë e juaja.- shkroi me një gramatikë të çalë.

Nuk desha ta fyej me kundërshtimin tim të prerë. Duke menduar se shumë vajza të reja, në pamundësi për të takuar meshkuj lirisht, mundohen kësisoj të lidhen nëpërmjet internetit, ku mund të shprehen më të çlirëta në komunikimet e tyre.

-Mirupafshim!- i shkrova dhe vijova punën time duke dalë në desktop. Por dhe aty fillova të pyes veten, se veç guximit që u jep virtualiteti, ku e shohin këto femra mundësinë e afrimit fizik me burra të largët. Apo ndoshta në moshën e tyre ato kanë nevojë shpirtërore të domosdoshme të ndjehen të dashuruara prej një burri, kudo qoftë ai, mjafton t’u mbushet syri për të?!...

Pas një ore, sinjali i kuq ishte ende i ndezur, me një vizëllim verbues që me shpoi sytë. Nuk e hapa sërish, por edhe ndjeva ngasjen të mos e lë të presë kot. Dhe kur pashë se pulsimi aty po rritej, e çela së fundi, për të parë dhe deri ku do të arrinte pikënisja e saj. Ajo e kishte vënë re sinjalin jeshil të prezencës sime në biseda dhe shkroi ne çast:

- Shpirt, të due fort. Më ka zanë meraku me ty...Të lutem hape mesenxherin me më pa!...

Për pak çaste nuk vendosa çfarë t’i them. Mora me mend një vajzë naive që po i kalonte mosha e rinisë pa dashuri, të cilën nuk duhet ta fyeja me vrazhdësi, por ta bindja se unë isha një babush, që nuk mund t’i falja dashurinë që i duhej asaj. Aq më tepër, të zgjatesha me fjalë boshe të dërguara nëpërmjet një xixëllimi të kuq në mjegull.

- Kam mendimin, moj vajzë, se ke bërë zgjedhje të papërshtatshme, për dashuri me një të moshuar, - i shkrova pas pak.

-Ti a ke zemër burri? - pyeti ajo.

- Kam zemër të vjetër për ty dhe nuk kam dëshirë të merrem me aventurë dashurie në ajër.

- Pse, o shpirt i dashtun, na mund të takohna në tokë. A don t’i hyp autobusit me ardhë në Tiranë?...

-Kurrsesi nuk mund të lodhesh, për të takuar një person si unë, për marrëdhënie jashtë sferës letrare, për të cilat nuk mund të ekspozohem askund.

- O i miri im, na mund të takohna në nji motel, ku askush nuk ka më na njoft...

Më gjeti belaja që i lejova vetes të thellohej kjo bisedë, sidomos me femrat, prej të cilave ruhem të mos i lëndoj shpirtërisht.

- Vajzë e mirë, mosha ime nuk merr guxime të tilla për të hyrë në motele publike, për tu skuqur si spec qoftë edhe para njerëzve që shërbejnë aty...

- Of, unë mjera, sa i turpshëm qenke ti, more poet që shkruen gjana dashnie aq të holla e të bukra, për na që i lexojmë!...

Desha t’i them, se unë thur rrjeta artistike për t’i përdorur të rinjtë në dashurinë e tyre, jo për të zënë flutura për veten time. Por mendova se nga shprehjet e saj, ajo kuptohej që ishte disi e paaftë për të zbërthyer metaforat që më vinin mua ndërmend padashur.

-Po shkëputem pak se më thërresin! - shkrova te kuadrati i bisedave dhe dola fare nga interneti.

Pasdite, kur çela sërish kompjuterin, Medineja e panjohur më priste aty, sy syri i kuq i një grifshe të ngrehur gati, për të sulmuar një bishtkaltër cicërimash poetike.

Por nuk mund të vijoja punën time pa u shkëputur përfundimisht nga syri i kuq, që më përgjonte në fund të faqes së facebookut. Duhej dhënë fund kësaj bisede. Por sapo e hapa lexova:

- I dashtun, meqenëse e paske të pamundun me u takue me mue në Tiranë, a vjen në Gjilan me të tana shpenzimet i mia personale?!...

- Kurrësesi! – i shpreha sërish kundërshtimin tim kategorik.

- Po çfarë pengese paske, or burrë i dheut?

- Lëvizjet e mia jashtë kufirit i ndjek shërbimi informativ i dy shteteve. Sepse kam sharë e mallkuar, me poezitë e publikuara në internet, UDB-në jugosllave. - shpika këtë gënjeshtër që më erdhi atë çast ndërmend.

- Ofsh, unë e mjera ç’paske ba bre, që e paske fut veten në kasavet me atë Udbën e mallkueme! - shkroi ajo, ndoshta duke e pasur të dëgjuar tmerrin e këtij spiunazhi, qysh nga koha e Jugosllavisë së madhe.

E mbylla kompjuterin sërish dhe disa ditë nuk dola fare në Fb. Por ajo vajzë e largët vazhdoi të ndezë sinjalin e kuq të ndjenjave të saj të drejtuara në boshllëkun e feisbukut. Unë druhem ta klikoj tashmë atë sinjal rreziku për mua, njësoj si plasjen e frikshme të një eksplozivi kompjuterik...

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1