Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | KUR DEHEN PROTEZAT

KUR DEHEN PROTEZAT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fatmir Terziu

KUR DEHEN PROTEZAT

Tregim Nga Fatmir Terziu

 

“Protezat, asetet e huazuara, ushqimi

cfilitet para lotëve, sytë pushtohen nga ikja,

të gjitha gjërat dakordohen në një kod të ndjeshëm,

të nënshkruajnë ikjen e ngadaltë të Njeriut

bluarjen që mbllaçitet e s’të ndahet si ferra,

sepse ikja nuk ka nevojë më për emra…”

 

Trokitja e parë u shua. E dyta, grumbulloi tërë zhurmën e prodhuar nga mjedisi i zhurmshëm i pëshpëritjeve të dalldisura të pemëve që kishin harruar pranverën e atij viti, goditi me sa forcë që kishte mbi xhamin e zbehur të dritares së vetme, që qasej kukamshehti anës rrugës dhe zgjoi ata dy pleq që ishin pështjellë me batanije. Pastaj dhe ajo u shua. Iku diku u struk në hapësirën që dukej se ishte nën pushtetin e plotë të erës.

-           E moj plakë, e dëgjon? Duket se po na sillet rrotull firauni. Kërkon të plotësojë numrin. Ja e sheh. Nuk jam i gabuar. Na erdhi në derë. U zërrua me tërë fuqinë e tij dhe kaq e pati. Iku të na bëjë gati qymezin…

-           Mos more burrë. Mos! Është gjynah të zësh në gojë punën e Zotit. Mos! Mos hyr në mëkat. Kushedi se kush ka qenë. I ra dritares, por sa u ngritëm ne ai u largua.

-           Ashtu qoftë. Ashtu, po këtu, ja këtu në këtë gjoks kockë e lëkurë, më thuhet se ajo nuk ishte trokitje e rastësishme. Nuk ishte as nga era. E si nuk pushoi kjo gjithë këtë natë?

-           Nejse, ti ashtu ke thënë me kohë. Gjithë jetën të ka munguar besimi tek vetvetja. Asnjëherë nuk ke qenë ai që ishe në atë rininë tënde të hershme. Dhe mbete si të thuash, një vetmitar, që dëgjon vetëm atë gropëz në vetvete.

-           Epo, do dalë të shoh nga dera. Do dal një herë, se nuk duroj dot më. Nëse vërtet e kemi radhën le të vijë. Një herë kemi për të ikur të gjithë nga kjo jetë.

-           Jetë thuaj?!

-           Jetë, moj, po çfarë tjetër?

-           Po, po… jetë si e jona.

-           E di ti që s’e ke keq. Ja Sofrani, ai moshatari ynë nga fshati i Thanave kishte ikur para tre ditësh. Ma tha dje Jakupi, kur erdhi për atë kosën e Myslimit. E kishte ikur duke pirë verë. Edhe kishte thënë me gojën e tij, “Mjaltë e ëmbël, kjo e uruar. Verë për gra të mira. E shtrydhur nga …

-           Ngadalë, ti, ngadalë, se mos na shtosh ndonjë nga ato të tuat. Ngadalë! Atij iu paska ardhadisur shpirti e paska gojë për ato fjalë.

-           E ku ta di unë, si ka folur, por Jakupi më tha.

-           Ama Jakupi të tha, e kuptova, e kuptova. Jakupi vetëm asaj vrime i ka rënë gjithë jetës. Se mos e ka vrarë mendjen ndonjëherë ai.

-           Po si nuk  e ka vrarë mendjen moj grua? Kush ia rriti fëmijët e tij, po gruan kush e mbajti?

-           Nejse, nejse nuk e kisha fjalën aty. Po sikur u harrove të shkoje tek dera?

-           Ah moj grua, ah. E kuptoj që nuk të pritet sa të të lërë rehat…

-           Yh, çfarë të nxjerr goja, yh, tobestajfurdha…, Yh! O Zot mos i dëgjo këto shpotime. O Zot na i fal kusuret!

-           Dhe ti mendon se ia hedh unë Zotit? Nuk e sheh atë gotë që e kam lënë përgjysëm? Nëse do të ishte ndryshe do ta kisha rrëkëllyer edhe atë dhe… dhe… kur të ikin mendtë nuk ke pse mendon më për … Eh këto dreq proteza, këto s’më lënë të plotësojë fjalinë.

-           E di. Të kuptoj mjaft mirë. Protezat? Sigurisht dhe ato… Ah, po nuk të thashë se ke pirë ca si shumë sonte. Nuk ta thashë këtë… Dhe ti e kupton mjaft mirë pse nuk ta thashë. Apo jo?

-           Dhe tani duhet të të kërkoj ndjesë për gotën që e kam lënë aty (ajo është shoqja ime e vetmisë time pesëdhjetë e tre vjeçare, dhe unë e dua atë sikurse të kam dashur ty qëmoti, sikurse të dua dhe tani). E mban mend kur e bëra këtë të uruar dhe të mallkuar, sipas teje, të dashurën time të dytë? E mban mend?

Shtëpia ishte gati një karrakatinë atë kohë. Gjithë ai angazhim. Gjithë ajo detyrë e madhe që m’u ngarkua, gjithë ai emër që kisha u shua… U shua atë natë. U shua kur ne menduam se e kishim të drejtë të kishim atë emër për djalin tonë. E ku ta dinim ne se Perënditë nuk duan t’ua marrësh emrin? E ku ta dinim ne? Ne ishim harruar atë kohë me punët e Zotit. Nuk kishim ide se çfarë po ndodhte.  Gjithçka po shkundej nga stuhija. Vetëm ajo gotë më jepte zjarr. E mban mend, kur iu afrova më shumë zjarrit dhe qesha duke iu gëzuar gotës që ishte kthyer përmbys mbi oxhak dhe i jepte forcë zjarrit të kolovitej i sertë drejt e drejt si vetëtimë e madhe? Nga shkëlqimi i syve të tu dhe lëvizshmëria e tyre unë e kuptova se, më në fund kisha fatin që të kisha ty atë natë.

- Pra ti mendon sikurse ua hodhe atyre atë natë, po ia hedh edhe sonte Zotit?

- Prapë me Zotin ti moj e uruar?

- E kush tjetër përveç të Plotfuqishmit e ka bërë këtë gjë derdimene tek njeriu? Ja e ka bërë dikush? Si thua? Po kush është më i fuqishëm se Zoti? Kush mund të trokasë ashtu gjithë jetën në dritaren tonë? Kush? A më thua?

- E kush të paska mbushur mendjen sonte kështu? Cilin libër e paske lexuar? Apo mos vallë ke medituar me vetminë tënde, nën pushtetin e asaj të dashurës tënde të dytë? Ja shikoja ato rruzat e bardha, akoma nuk kanë rënë poshtë në atë gotë. Duket sa i ke mëshuar zjarrit kur e zive vetë. Duket sa të fortë e ke bërë.

- Po ti provoje njëherë dreqi e mori. Edhe ti njeri i Zotit je. Apo jo? Po ti nuk e ke vullnetin…

- E vullneti i kujt, na qenka ky tani?

- E pra, e, i kujt? Nëse jo i Zotit? Thua të jetë i tyre? Ata ia kaluan Zotit dhe e futën veten si zotër tek njeriu ? – ulëriti me  sa forcë që kishte ai.

- Përsëri mendon se nuk kanë ndryshuar gjërat? Mendon se edhe sot…?

- Përsëri, moj përsëri. Përsëri ata janë Zoti, - u mundua ta zbuste zërin dhe qëndrimin e tij ai, ne bëjmë lojën e pakuptuar, dhe besojmë se kanë ndryshuar. Ata i kanë në dorë të gjitha. Kanë prapë lindjet dhe vdekjet tona në dorë, kanë emrat tanë. Kanë trupat tanë, kanë shpirtrat tanë. Kanë fatet tona. Kanë zarfat, dosjet, lerat, veprat, dokumentat, kanë tërë atë angazhim dixhital, që sikurse e quajnë tani, kanë kamerat e vendeve publike, kanë …, kanë moj kanë përsëri këtë copë mishi në dorën e tyre. Ata vetëm se kanë ndërruar vendet dhe tryezat. Luajnë me ne si me dominotë. Përziejnë dominotë vetë dhe fitojnë po vetë. Ti mendon se kemi shpëtuar nga përzierjet e tyre. Ja ne gjithnjë jemi domino në duart dhe tryezat e tyre. As mos të të shkojë në mendje se kemi shpëtuar duke menduar se kemi ikur nga ajo çmendinë. Kot nuk e kishin thënë me kohë se do të mbanin shpirtin gjallë edhe me një dhëmb të vetëm.

- Dhëmbë? Po ato të gjithë ose kanë ikur ku nuk kthehen, ose kanë proteza si të tuat. Dhe ku i kanë më dhëmbët?

- I kanë, moj i kanë, që çke me të që i kanë. Janë bijtë e tyre në këmbë…

- Ah, si qenka kjo botë. Plot mallkime…, plot ufe dhe dufe.

- Të na rrojnë ato kodrat e tua moj grua? I kam shkelur me tërë vrullin tim, i kam bërë qull kur më kanë sforcuar, e ku dua ta di unë më për këta… As për…

- Mos, të lutem mos! Me Zotin ki kujdes! Ai na la të gjallë…. Zoti na deshi dhe na do. Ne nuk jemi dorëzuar dhe nuk dorëzohemi…

- A thua? Të kam vëzhguar qysh atëhere. Nuk ke ndryshuar. Më ke dhënë mua forcë. Por vetë je dorëzuar gjithnjë. Të shoh dhe tani. E ndërron ngjyrën e fytyrës sa herë bën diçka andej nga rruga. Ke vënë veten në një gropë, ku herë del dhe herë hyn pa e kuptuar se e ke vrarë mbi një mijë herë jetën. Ti i je arratisur jetës. Dhe në këtë arrati ke marë në brendësi të zemrës edhe rrahjet e saj. I struk dhe i refuzon të godasin fort. I kundërshton me gjithë përhumbjen tënde. Dhe këtë e kuptoj. Ta kuptoj pse e bën…

- Më kupton vetëm kur të dehen protezat. Vetëm atëherë më kupton.

- Epo kjo është loja jonë. Kjo është lojë qesharake. Ata luajnë lojën tonë dhe Zoti i lë të luajnë me ne. Ata luajtën me ne dhe atëherë. Luajtën kur na lindi djali ynë i vetëm. Dhe ne me plot dëshirë, me plot gëzim i vumë emrin Enver. E unë Jusuf Hoxha, i mirërespektuari i gjithë zonës krekosesha tërë ato muaj se isha babai i Enver Hoxhës. Apo nuk ishte kështu. Më thuaj.

- Po ti …, ti nuk e bëre me të keq.

- Eh, shyqyr. Shyqyr de, që më kuptove. Ku ishte Zoti atë natë? Ku ishte kur më detyruan të ndërrojë emrin e djalit tim të vetëm pas një viti? Dhe më thanë t’ia vendos emrin Hamdi. Hamdi unë e quaja gomarin, se ishte i zi dhe i ngjante atij gatalit që na shiti bronxin për flori në ditën e nishaneve të motrës sime. E ku më zinte më vendi dhe jo më të isha më ai që kisha qenë… Prandaj e du moj këtë të uruar në këtë gotë, prandaj jam dashuruar me të. E ti thua kur më dehen protezat… Le të më dehen!

Ajo me një të hedhur të kokës liroi sytë që i vetëtinin nga flokët e drejtë dhe heshti një çast për të dëgjuar ndonjë trokitje tjetër. Por heshtja kishte zënë vend kudo. Edhe era kishte pushuar. Dritarja nuk ndihej më. Andej nga rruga ishin fikur edhe dritat e fundit. Por vetëm për disa minuta. Për aq minuta sa të ndjehej dhe trokitja e tretë.

-           E treta. Ah e treta e vërteta. Erdhi më duket! Erdhi grua dhe më bëj gati të lutem mirë. Mos të iki i turpëruar andej. Të paktën andej nuk dua të kem ndonjë turp me vete. Të lutem ma bëj hallall!

-           More burrë ti sonte më dukesh se e kalove. Po më bën të dridhem. Pashë Zotin, mos luaj me mua! Këtë e di ti më mirë se unë. E di…, se ishte një hile.

- Po Zoti e di? Është një hile e tij e vjetër, apo e atyre? Të kuptoj, por nuk e di mirë se si duhet të të kuptoj kur gjithë jeta jonë na qenka mbirë mbi hile?

Trokitja ende nuk ishte shuar. E treta e dritares së rrugës zgjati si ato notat e gjata kur gishtat e profesionistëve ngulen në pianot moderne. E ai brofi në këmbë. Ashtu me atë fuqi që kishte u gjend tek dera. E hapi menjëherë. Ç’të shihte. Një njeri i bërë palë me këmbët kishte rënë para derës. U tremb në çast, por mori forcë. Iu afrua. E ngriti dhe menjëherë e tërhoqi brenda. E shoqja kishte ngrirë në derën e dhomës. Nuk u besonte syve. Ishte nipi i burrit të saj. Ishte ai që lindi në një natë me djalin e tyre. Ishte ai që mori pastaj emrin e djalit të tyre dhe djali i tyre mori emrin e tij. Nuk e sillnin dot në vete. Kishte pirë shumë. Vetëm nga mëngjesi ai foli.

-           Kam ardhur të marë certifikatën e lindjes. Më duhet urgjent se ma kërkojnë organet kompetente për problemin tim në Angli. Dhe shyqyr që ju gjeta gjallë, se do i isha djegur për gjithë jetën.

-           Po pse nga ne?

-           Sepse në Gjëndje Civile jeni ju ende prindërit e mi. se atje unë quhem Enver Jusuf Hoxha. Dhe jo Enver Fetah Koçi…

-           Grua ma sill atë gotë. Ma sill të lutem. Dua të dehem e të dehem plotësisht.

-           Aman more burrë, aman, të lutem se ke dhe …

-           Kam dhe protezat? E i kam. I kam le të dehen dhe ato. Se këto punërat tona nuk u zgjidhkan as dehur, as esëll.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1