Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | KAPELJA

KAPELJA

Font size: Decrease font Enlarge font
image Kadri Tarelli

Kadri Tarelli

 

 

KAPELJA

(Tregim)

Sadriu u vesh me përtesë. Mori pardesynë, që e mbante si të mirë, vetëm për raste të veçanta. E pat qepur kohë më parë, tani kish filluar t’i rrinte pak e ngushtë. Shtrëngoi shallin pas qafës, pasi ishte shumë ftohtë dhe vuri kapelen ngjyrë gri, që sapo e kish blerë. Ishte një tip kaskete, por që Sadriu ia zbërtheu sustën mbi strehë, e tërhoqi paksa mbrapa kokës, mbulesën e sipërme, për t’u dukur më mirë streha e gjatë. Nuk i pëlqente ta mbante si korçarët apo devollinjtë. Nuk mori çantën e zakonshme, ku mban ditarin dhe 2-3 libra dhe bukën e drekës, por një dosje të zezë, që ia pat dhënë një shok i vjetër. Sot do të shkonte vonë në shkollë, do të mundohej të merrte drutë. Ishte koha, kur drutë ndaheshin me triskë, me një fjalë me racion, për tre muaj të dimrit. E dinte se drejtori i shkollës do t’i fliste, se mbeteshin nxënësit dy orë pa mësim, por s’ kish ç’të bënte. Nuk kishte rrugë tjetër.

Doli nga shtëpia i zymtë, siç ishte edhe ky mëngjes i lagësht shkurti. Mendja i rrihte te fjalët  e gruas, Jezmina, e cila u ankua, se nuk mundi të marrë drutë e muajit, megjithëse kishte shkuar dy dit radhazi, tek fusha e druve. Kishte marrë lejë nga drejtoresha e kopshtit dhe punë s’kishte mbaruar.

- Nuk mund t’i kërkoj lejë për së treti. S’jam vetëm unë. Le që puna nuk do të dijë për hallet që ka secili, sidomos kur ke të bësh me fëmijët. Ti e di më mirë se unë, kur mungon me minuta e jo me orë. – Pushoi një çast.

- Hë, ç’ të bëj më parë? Drutë, radha për gjizë, për veza, për mish, për qumësht që në mes të natës? Ti je zhveshur nga të gjitha detyrimet e shtëpisë, vetëm radhën e vajgurit mban, që është një herë  në javë, rrallë në dy javë.

U nxeh më shumë, turfulloi, kur Sadriu e ktheu në shaka:

- Mos harro, grua...! Vajguri është në ditë të diel, ditë pushimi dhe unë kështu e kaloj “Wikendin”, në mënyrë të kulturuar!

- Mirë e ke more burrë! Tallu me mua, po mbete jabanxhi në shtëpi. Merr çantën që në sabah e kthehesh vonë, sa edhe fëmijët i gjen në gjumë. Nuk më del koha t’i ndihmoj as për mësimet e shkollës. Ti nuk tundesh fare, je edhe mësues pale, profesor të thërrasin, po as në mbledhje prindërish nuk shkon, s’të njohin as mësuesit e fëmijëve. Për drutë bëj si të duash, por këto dit kemi edhe nënën në shtëpi dhe ajo kërkon zjarr që në mëngjes. S’ka faj është plakë. Erdhi të çmallet dhe ne s’mund ta lemë pa ngrohje. Këtu gruaja e zbuti zërin.

Sadriu nuk e kundërshtonte, kur gruaja hapte thesin e ankesave. Ja dinte huqin. E linte të shfrynte inatin, derisa t’i binin nervat. Një herë u mat t’i thoshte prerë: Pse unë e kam fajin që nuk ka qumësht, vezë, mish, vajguri, dru, goma për biçikletën, etj, etj? Por u përmbajt. Tani që ishte vetëm dhe era e ftohtë ia cimbiste fytyrën, i dha të drejtë vetes që nuk foli, veç i erdhi keq që, gati të gjitha punët në familje i mbeteshin gruas.

Kur doli në rrugën kryesore të qytetit, drejtoi trupin dhe rregulloi dosjen, më pas edhe kapelen. Këtë herë i pat vërtet zili kolegët e qytetit, që shkonin në shkollë më nge, pa u lagur, pa u bërë me baltë. Mbarojnë mësimin në mesditë dhe ngadalë-ngadalë kthehen në shtëpi, pushojnë dhe kanë kohë për lexim, shëtitje, kinema, teatër, koncerte dhe të ndihmojnë fëmijët. Po kanë mundësi të mbarojnë edhe ndonjë punë të shtëpisë. Veç këtyre, edhe rrogën e kishin njësoj. E ngushëlloi veten me fjalët popullore: “Kështu na ranë, kur u ndanë”. Ptuuu, pështyu i nxehur. Kush i ndau, kur i ndau dhe kush përlau? Apo “Ca të nënës dhe ca të njerkës”?

Në këto mendime të trazuara, arriti tek fusha e druve. Rruga në hyrje, kishte një lloj balte, që sipër nuk vihej re, pasi kishte mbeturina e tallash drush. Sapo shkelje, ëhë.., harroji këpucët e llustruara. Një makinë drush, kaloi me shpejtësi, duke spërkatur ujë e baltë bashkë. Sadriu u shmang, shpëtoi mirë, se do të ishte bërë për t’u kthyer në shtëpi, që të lahej e të ndërrohej.

Pranë portës, portë i thënçin, ishte një ndërtesë e vogël, ku rrinte përgjegjësi i druve, (kështu e thërrisnin). Para hyrjes ishin grumbulluar nja tetë - nëntë veta. Sadriu i’ u afrua grupit.

- Me siguri hallin tim kanë edhe ata. S’ qënkam vetëm unë! – Mendoi, duke ngushëlluar veten. I vështroi të gjithë, se mos njihte ndonjërin. - Kot po përpiqem edhe unë! Mësuesit e qytetit i kanë zgjidhur me kohë hallet e tyre, sepse kanë njohje nëpërmjet nxënësve të shkollës. Gurët e mullirit tim po bluajnë pa bereqet. – U nxeh dhe u zemërua me  veten. - Ku i di unë hallet e tyre?! Eh dynja, dynja, sa prapa më ke lënë!

Dera e barakës u hap në ora 08.05 fiks. Doli përgjegjësi dhe na u drejtua të gjithëve me një zë të ngjirur, sikur kishte kënduar në dasmë:

- Mos prisni, sepse dru nuk ka. Edhe ato pak që ndodhen në fund të fushës, janë të porositura që dje! – Usta i vjetër, ja kishte marrë dorën zanatit, nuk linte kohë të ankoheshe. E mbylli derën dhe u largua me të shpejtë drejt vendit ku po ngarkohej makina. U larguan të gjithë duke folur me vete. Ankohu po deshe, po ku të ankohesh! Sadriu mbeti si hu gardhi, pa thënë asnjë fjalë dhe pa ditur ç’të bëjë. I mërzitur sa më s’ka, vuri dy gishta në strehën e kapelës, si për t’i thënë dikujt mirupafshim dhe u kthye nga kish ardhur. Kaq e pat kjo punë. Foli nën zë dhe eci pa një drejtim të përcaktuar, kur në gjysmë të rrugës, i tha vetes:

- Pse nuk vete një herë te drejtori? Nga sikleti, s’po di çka them. – foli në dialektin kosovar. Pse drejtori merret me qytetarët, kur ka përgjegjësin? Si kujtoj unë, ai nuk e njeh gjendjen dhe kërkesat në këtë mes dimri? E di që s’do të më presë mirë, po unë ç’humbas? Mirë thotë mjekroshi Marks: “Proletari s’ka ç’të humbasë,.....”.

Kështu e vriste mendjen Sadriu, pa e ndjerë të ftohtin, që po i hynte në palcë. Dosja e pengonte t’i fërkonte duart, apo t’i fuste në xhepa. Për dreq, dhe dorezat i pat humbur dy dit më parë. - Po mua, ç’mu desh dosja sot!? Hë.. rri tani e merru me këtë të uruar, sa në një dorë, në tjetrën. - Këtë herë shau nëpër dhëmbë. Dukej se po fliste me vete, kur shkeli një pllakë trotuari, që lëvizi dhe e spërkati keq në këpucë dhe paçet e pantallonave. – Ters u nis dhe ters po vete kjo punë. – Këtë herë foli me zë të lartë, por e dëgjoi vetëm ai, sepse rruga kishte fare pak kalimtarë, që nxitonin t’i shmangeshin të ftohtit.

Pranë ndërtesës së “Fermentimit të duhanit”, pyeti dikë, se ku janë zyrat e komunales. E dinte se aty rrotull ishin, po ku? Nuk kishte shkelur kurrë aty. Personi, një burrë i moshuar, ndaloi dhe i tregoi me dorë, se ku duhet të kthehej, pasi zyrat ishin, si barake njëkatëshe, në një oborr të madh. Nuk e pati të vështirë t’i gjente. Në krye të një rrugice të ngushtë, ishte një ndërtesë e gjatë dhe e ulët.

 - Edhe këta këtu e paskan lënë të shkretin drejtor! - Sadriu i qau hallin drejtorit dhe qeshi me vete: Ç’ hall kishte dhe po i “qante hallin kalorësit, se i vareshin këmbët”. - Plaku i moçëm, me siguri për mua e ka thënë këtë fjalë. - U ngrys në fytyrë dhe shtrëngoi dhëmbët, sa kërcitën sikur po thyente arra.

Një derë u hap dhe doli një grua e veshur trashë, me dy-tre shalla hedhur kokës e qafës. Rrëmbeu një fshesë gjineshtrash, që ishte mbështetur tek hyrja dhe u larguar duke sharë vençe. Pyetjes, ku është drejtoria? - I’ u përgjigj pa kthyer kokën: - Aty e ke!

Sadriu këtë herë rregulloi kollaren dhe trokiti pak fort.

- Hyrë! - U dëgjua një zë së largu. Hapi derën dhe në fund të një dhome të gjatë ishte drejtori, në krye të një tavoline në formë (T). Sadriu përshëndeti: “Mirmëngjez”! - Më shumë e dëgjoi vetë, sesa drejtori dhe një person tjetër, që mbante shënim në një bllok gati të shqyer nga përdorimi.

Drejtori, një mesoburrë, ngriti kokën dhe po shikonte ngultas drejt Sadriut, të cilit nuk pëlqeu shikimi i tij. I’ u duk, sikur po e peshonte që nga koka deri në këmbët, një lloj si kasapi, që peshon me sy, dashin, apo viçin. Këtë gjest e përsëriti dy tri herë. Sytë vetëtimthi shkuan sa tek dosja, tek kapelja ngjyrë gri, me strehë të ngritur.

Kushedi ç’ mendoi! Drejtori ishte i regjur me këto punë, ndaj pa hapur gojë Sadriu, pyeti vetëm: si e ke emrin dhe lagjen. Urdhëroi personin që rrinte përbri tavolinës: Shkruaj! Emrin, mbiemrin dhe Lagja... Në këtë kohë, dikush hyri në zyrë pa trokitur dhe erdhi e u ul pranë personit me bllok në dorë. Ishte përgjegjësi i fushës së druve. E pa Sadriun dhe i thotë drejtorit: - Ky shoku ishte tek fusha e druve dhe e mori përgjigjen.... Drejtori i bëri shenjë të mos vazhdonte më.

- E more vesh Zenun! Ora dymbëdhjetë, ose e shumta, ora një e drekës, drutë duhet t’i kesh çuar në adresën e këtij shokut. - Ndërsa Sadriut i thotë: - Merr masa, që dikush të jetë në shtëpi.

Sadriu, i çuditur nga kjo pritje dhe përcjellje, vuri dy gishtat mbi strehën e kapeles dhe përshëndeti: “ditën e mirë”. U nis për tek stacioni i autobusit të Shijakut, pasi tek “Katër Rrugët” kishte biçikletën.

Me të zbritur në stacion, u drejtua tek shtëpia ku linte biçikletën. Mornica i përshkuan trupin, kur u kujtua se nuk e kishte pompën me vete, pasi e mbante në çantën tjetër. Vetëtimthi i hodhi një shikim gomave dhe i provoi me dorë, se mos ishin shfryrë. U qetësua, se i gjeti siç i kishte lënë. E mori biçikletën përdore. Ndjente një lloj lodhje, sikur e kishin rrahur për gjithë natën. Një copë rrugë e bëri në këmbë. Fytyra e drejtorit të ndërmarrjes i rrinte para syve si fotografi pasaporte. Ç’ ishte kjo lloj pritje? Mbase, kur nuk ka mundësi furnizimi për të gjithë, drejtori merret me shpërndarjen. - Zoti bën çudira! - Tha me vete, një shprehje që vend-pavend e përdorte gjyshja. - Edhe unë, profesori i Filozofisë Marksiste, rri e merrem me fjalët e gjyshes, e cila ka kohë që rri në parajsë. - Qeshi disi i çliruar. - Le të bëhet ç’të bëhet. Veç se te drejtori, s’kisha ku të shkoja tjetër.

Qetësia dhe humori zgjati shumë pak. Në vetminë e rrugës, duke e sjellë e risjellë në mendje ngjarjen, Sadriu u mërzit ca më shumë, pasi mendoi se drejtori e përcolli, sikur s’kishte qënë fare. Ja hodhi pa i lënë kohë të sqaronte gjendjen, t’i thoshte kush ishte dhe pse ishte munduar deri këtu.

- Bukur ma hodhi shejtani! Ujk i vjetër! E bëri fakt të kryer, sa unë ta besoj dhe të mbetem, si memec me gjuhë të lidhur. Si u mpiva kështu? – mallkoi veten. - Hajde e dëgjoje gruan në darkë: “Ti s’je i zoti! Pse nuk u zure e nuk i bërtite? T’i kishe thirrur, se ndryshe nuk ta zgjidhin hallin! Po ndejte urtë e butë, të përcjellin me gisht në gojë. Le që ti, tek shkolla e ke mendjen, vetëm mësimin di të bësh, etj, etj, romuze, që do të dilnin me breshëri, si fishekë mitralozi.

Sadriu atë ditë kishte edhe shkollë nate dhe në shtëpi, detyrimisht do të kthehej shumë vonë. U justifikua te drejtori, të cilit s’i erdhi mirë për vonesën, por nuk e bëri veten, si për të thënë: mos e përsërit më. - Dy or e humbura do t’i zëvendësosh një ditë tjetër, - i tha.

Më kot na thoshin në leksione, pedagogët e Universitetit, se mësuesi duhet t’i lerë në shtëpi hallet e tij. Ç’faj kanë nxënësit? Ata kurrsesi, nuk duhet të bëhen pjesë e shqetësimit të mësonjësit të tyre. Një fjalë goje është, për atë që s’e ka mbi kurriz. Mirë ne burrë e grua, do bëjmë si do bëjmë dhe fëmijët po i vemë në gjumë para kohe, po nëna? Apo edhe ajo në gjumë, “që me pulat”? - Kështu mendonte pa pushim Sadriu, që nuk e zinte vendi. Edhe kolegët kur i flisnin, nuk u kthente përgjigje, bënte sikur nuk dëgjonte.

 - Pse kështu do t’i zgjidh problemet që më dalin? Ç’të bëj e ku të mbytem? Vërtet kaq i pafuqishëm qenkam? – pyeste veten, por përgjigje nuk gjente.

Vonë, rreth orës nëntë e gjysmë të natës u kthye në shtëpi. Trokiti. U ndez drita dhe gruaja hapi derën:

- Sa vonë erdhe!? – Foli ngadalë. Në zë nuk ndjehej inat dhe ftohje. Sadriu diçka nuhati, po s’besonte. Në errësirë, në qoshe të oborrit, dalloi një grumbull të mbuluar me një diçka të errët.

- Paskan ardhur drutë, - tha me vete dhe nxitoi të futej brenda. Ishte shumë ftohtë.

Nëna po rrinte pranë sobës, ndërsa fëmijët kishin rënë të flinin. Ajo u ngrit dhe e përqafoi Sadriun:

- Sa qenke ftohur! Ulu pranë sobës, që të vijë gjaku në vend. - Ia mori duart në duart e saja dhe po i fërkonte, si dikur fëmijë.

Dhoma e vogël i’ u duk shumë e nxehtë, ndaj Sadriu u largua nga soba, vendosi dosjen mbi tavolinë dhe filloi të zhvishet. Hoqi kapelen, shallin dhe pardesynë dhe i vari në varësen pas dere.

- E moj nuse, kot u ankove mbrëmë! Ja, vajti djali, trimi i nënës dhe i solli drutë. - Nuses nuk i erdhi mirë, por nuk bëri zë, se fjala shtyn fjalën dhe bëhet tërkuzë.

- More bir, si i rregullove këto të uruara dru, - nëna nxitoi të vazhdonte bisedën. – Aty rreth orës 12 e gjysmë, trokiti shoferi në derën e oborrit dhe pyeti, kur më pa që nxora kokën në derë.

- Këtu e ka shtëpinë Sadriu?

- Po, i thashë dhe bëra të dal e ta takoj.

- Kam sjellë drutë. Hape derën e oborrit, që t’i fusim brenda, - më foli me mirësjellje.

Unë i hoqa shulin derës dhe i vura një dru që të mos mbyllej, ndërsa dy punëtorë, që ishin sipër makinës, filluan të hedhin drutë. E shkarkuan sa hap e mbyll sytë, aq sa kur unë dola t’i qeras me nga një gotë raki, ishin gati të niseshin. Kur më panë ashtu me tabaka në dorë, shoferi ndaloi, i bëri me shenjë shokëve dhe të tre e ngritën gotën me fund. Shoferi, duke qeshur, ia bëri me sy shokëve: - mua s’ më lejohet, po është shumë ftohtë dhe sot po e shkel rregullore. Kur po hipte në makinë, u kthye edhe një herë, e më pyeti:

- Nëne! Ç’punë të bën djali yt?

- Mësues është. Mësues në një fshat andej nga Shijaku.

- Si, si the, mësues!? Nuk është oficer?

- Jo more bir, nuk është oficer.    

 - Ah, ç’na e paska hedhur bukur! – foli nëpër dhëmbë Zenuni. I dha gaz makinës, sa tym lëshuan gomat. Fluturoi pa e mbyllur mirë derën, sikur e pickoi miza e kalit.

- More bir, pse m’i tha ato fjalë? Mos vallë i ke gënjyer, mos i ke thënë se je oficer? Nuk ke bërë mirë, nëse i ke mashtruar. Drutë aty janë, s’i more sot, do t’i marrësh nesër, nëna është mësuar me ditë të vështira. Kjo s’është asgjë nga ato që kam hequr. – Me këtë shqetësim, ajo e mbaroi fjalën dhe priste përgjigje. Ndërsa gruaja bëri sikur nuk e prishi terezinë, por në lëvizjet e saj ndjehej një lloj ankthi. Hoqi dosjen, shtroi një mbulesë mbi tavolinë, vendosi pjatat dhe zgjati duart që i dridheshin, të marrë tenxheren. Gati sa nuk e derdhi gjellën mbi sobë. Kishin pritur deri në këtë orë të vonë, për të ngrënë darkë së bashku, duke përtypur gjithë pasditen, fjalët e shoferit.

Sadriu filloi të qeshë me zë të lartë. Qeshte dhe shikonte, herë nënën, herë gruan, që s’ po kuptonin asgjë, se nga i vinte gjithë ky gaz, kaq pa pritur e pa kujtuar. E uli zërin se mos zgjonte fëmijët. U ngrit në këmbë dhe qetë-qetë përqafoi nënën e më pas gruan. U bë serioz në fytyrë:

- Drutë nuk i solla unë! - foli dhe u kthye nga dera, ku kish varur kapelen. E mori në dorë, i fërkoi strehën dhe e puthi, si gjë të çmuar e delikate. U zgjat mori edhe dosjen, e fërkoi edhe atë butë-butë dhe duke qeshur tha:

- Drutë i solli kapelja dhe kjo dosje.

U ul pranë sobës dhe filloi të rrëfejë fije për fije, të gjithë bisedën me përgjegjësin e druve dhe drejtorin e komunales. Nëna dhe gruaja, dëgjonin dhe s’po besonin, u dukej si përrallë për fëmijët. Sadriu u rehatua më mirë dhe vazhdoi: Për ata, ai ishte person i panjohur, domethënë i ardhur rishtas në Durrës, nuk ngjante si durrsak. Ende më tej, duke e parë me dosje dhe kapele të tillë, kanë menduar se ishte oficer, madje jo oficer ushtrie, se ata rrinë me uniformë, por oficer sigurimi, që rrinë civil. Sadriu u mat të bënte shaka, duke thënë një fjalë popullore, se “rrena nuk është e keqe, kur nuk dëmton njeri”, po u përmbajt, sepse do ta mërziste nënën, ajo ishte e ndjeshme dhe paskëtaj, si zor t’ia mbushte mendjen për të vërtetën.

- Unë nuk gënjeva dhe nuk mashtrova njeri, sepse nuk më lanë të flas. – e nisi sqarimin Sadriu. - Le që unë nuk di të gënjej, skuqem  e ngatërrohem që në fjalën e parë. Ishte fat, që s’ më dëgjuan, se ndryshe, ëhë... zor se sonte do të ngroheshim pranë sobës. Përgjegjësi, s’ma vërshëlleu fare, ndërsa drejtori nuk më pyeti, as kush jam dhe ç’punë bëj, veç shikonte dosjen dhe kapelen. Kështu po mendoj tani, kur shoh se drutë paskan ardhur, sepse nuk ka arsye tjetër, që drejtori të tregohej kaq dashamirë me mua, madje jashtë mundësive. Në raste të tilla, nderi u bëhet vetëm miqve dhe shokëve me poste të larta drejtuese. Nuk do ta kisha menduar kështu, po të mos dëgjoja edhe ato fjalë, që të tha në drekë Zenun shoferi: “Ah... ç’ na i hodhi! Pse nuk është oficer djali yt?”.

Të tre së bashku, qeshën deri vonë me kapelen që bëri çudi.

 

Kadri Tarelli

Comments (2 posted):

bashkim saliasi on 05/02/2018 17:15:03
avatar
Urime Kadri. Sa bukur e paske qendisur, tamam si ato amvisat e mira korçare qe endin qylyma me motive popullore dhe nuk lejojne tu kaloj asnje detaj qe qylymi te dal sa me i bukur dhe ornamentet te jene terheqes per syrin e shikuesit. Nje tregim plote jete qe me ktheu ne vite. Paradite e lexova dy here, por kur e pash te Fjala e lire ju ktheva perseri leximit. Tre element shkrova paradite te kane ndihmuar per te terhequr vemendjen e drejtorit te druve, Kapelja, dosja dhe kollaroja te cilat japin pershtypjen e zyrtarit, ose me mire te themi se te ka marre per punonjes te sigurimit pa ke marre dru se ndryshe do ishe ngrohur me driten e henes miku im. Nejse tregimi eshte jeta qe ne kemi jetuar dhe eshte mire qe te shkruhet qe sa do pak tu sherbej brezave se çfare kemi jetuar dhe pse jo edhe sot po ajo metode pune ndiqet neper zyrat. Mos te rente halli ne zyra e spitale se e gjen nga mos e pandeh miku im Kadri Tarelli. Urime dhe shendet z Kadri Tarelli dhe mos pusho, por shkruaj tregime te bukura si ky qe lexova. Respekte. Te pershendes miqesishte Bashkim Saliasi
kadri tarelli on 06/02/2018 18:45:06
avatar
faleminderit z. Bashkim. janë përjetime që nuk shuhen dhe nuk harrohen,
Miqësisht!
KIadriu

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
4.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1