Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | Shuplakë tek "Grandi"

Shuplakë tek "Grandi"

Font size: Decrease font Enlarge font
image Bedri Alimehmeti

Të premten, dita për ne filloi shpejt. Unë, Tedi dhe Ermela në orën tetë e pesë, u gjendëm tek bar "Enea", pranë atij kopshtit të fëmijve përballë shkollës "Harry Fulz". Zumë vend në tavolinën e qoshes pranë dritares dhe pasi porositëm kafe para se të na e sillte kamarjeri ndezëm nga një "Cartier". Në bar ishin zënë edhe dy tavolina të tjera me djem e vajza, që fillimisht na i ngulën sytë si me habi, ngaqë ishte hera e parë që na shikonin në atë ambjent, të cilin sigurisht e quanin vetëm të "harrifullcistëve", por më tej u dhanë pas muhabetit dhe me aq mori fund kurioziteti i tyre. Kishim ardhur për të marrë Sonin me Redin, të cilët do të bënin vetëm orën e parë, me që kishin detyrë me shkrim dhe s'kishin nga luanin. Madje, enkas për t'u përgatitur sa më mirë ata kishin marrë "mungesë" mbrëmë tek "Grandi". Aq sa edhe pronarit të lokalit i ra në sy kjo gjë.

- Ku e paskeni sonte çiftin kukuritës? - kështu i quan ai Sonin edhe Redin, ngaqë gjithnjë në tavolinë rrinë gati-gati të përqafuar duke i pëshpëritur njëri tjetrit në vesh papushim.

- Po mësojnë, kanë provim nesër, - i dha përgjigje Ermela.

- Ashtu ë? Ndaj e paska pllakosur heshtja tavolinën tuaj. Aha, nuk ju paska lezet fare tavolina pa to, - qeshi ai duke nxjerrë celularin nga këllefi dhe duke m'u drejtuar mua shtoi, - ma jep i çikë numrin e Redit? Por më kot, në celularin e tij u dëgjua zëri i operatores të shërbimit të AMC: "Për momentin abonenti nuk përgjigjet. Ju lutem provojeni më vonë".

- E paska mbyll, - ia bëri ai sërish buzagaz, - kukuritësit na qenkërkan zhytur mbi libra si peshkopë.

     Ndërkohë ngjitën shkallët e lokalit dy futbollista të Tironës.

- Stop! - u tha ai, - Për sonte e keni të ndaluar të shkelni në lokalin tonë. Jo, jo jo është e pafalshme, si u rrafët ashtu në Ballsh! A ba, ba, nuk ishit të zotët me bo i gol. Doni me dalë edhe kampionë!

- Kampionatit i ka vdek nona, - ia priti njëri nga ata, më i gjati me një mjekër peceto, - veç nesh nuk del kush kampion këtë vit..... Në ato çaste befas në tavolinën tonë mbiu Tini.

- Hë ç'kemi nga "Samiu"? - e pyeti Ermela.

- Asgjo, m'i "petroninse", bukuri fare. Zyshën e kimisë e hongri grenxa m'u ke gishti i dorës së majtë. O none çar gallate! Nji unazë, nji unazë thirri ajo. Dyzet copë të tilla iu ofruan nga e gjithë klasa. Po gjithsesi gishti iu ënjt ja kaq, iu bë sa një kastravec naaa.

- Sa, sa? - këmbëngulëm ne njëherësh.

- Jo aq, por kaq - mundohej të na e shpjegonte me anën e duarve Tini, - kaq pra kaq. Ja futni kot, unë isha aty dhe e pashë, ju nuk dini gjo...po më çmendni!

- Hë pra, sa, na e thuaj me saktësi, - nuk shqiteshin Tedi me Ermelën.

- Hë sa e doni ju? Folni. Jeni n'rregull kaq sa e kam tashti. A ju bëhet qejfi me kaq, e kam megjith mend. Më thoni, se e rris unë sa të doni ju? E kemi që e kemi në dorë. Hë folni, kaq e boj unë për shoqninë, madje jo vetëm këtë por edhe për gjona më të mëdhaja, gati jam... Pas kësaj e qeshura jonë gjëmoi edhe jasht lokalit.

- E nejse, - shtoi Tini, - mësimi nuk vazhdoi mo. Ia krisëm muhabetit me zyshën. Ene kshu duke bo muhabet ene gallatë, befas m'u kujtua diçka. Ej zyshe, i thash e di, shyqyr që je beqare! "Pse?", - tha ajo e habitur. Po t'ka picku grenxa tek gishti i unazës m'i zyshe, e po qe se do t'fejoheshe këtë të dielë, nuk do të kishe unazë që do të hynte ke ai gisht! Plasi gazi! "Tini mos fol mo, - tha zysha, - e ke të ndalume". Ene nji zyshe, vetëm kët, e funit nuk them mo asigjo. "Jo,jo,jo", këmbënguli ajo, por nuk e la klasa. U ngritën të gjithë: "Lene mi zysh lene!" E nga që s'kishte se ç'të bonte tha: "Mirë pra, mirë hë thuaje". E nejse u ngrita unë. Nuk kisha për t'thonë ndonjë gjo t'modhe jo, por vetëm kaq, zyshe mos ke marak për atë punën e unazës që nuk do t'u gjejte për ty. Vetëm fejohu ti zyshe, se ne t'i japim të gjitha unazat tona për t'bo nji t'modhe për gishtin që ta ka picku grenxa. Ga, ga, ga, qe t'u ra tavoni i klasës nga e qeshmja. Bile Xheni me Kelën ranë nga karriket. "Të martë e mira Tini, - m'tho zysha, duke majt barkun me dorë ka e qeshmja, - ku i sajon kto gjona. Mylle tashti s'ke për t'fol mo". Maroj zyshe, dhe vura dorën tek goja, vetëm se desha me i lyp i gjo Elës. Nila me Skerdin zunë me knu "Ti nuk din as me ma lyp". Nuk jom tarallak unë si ai qypi i kongës së Bleona Qerretit, di me ia lyp që ç'ke me te Elës. Dhe pashë nga e gjithë klasa, çar kujtoni ju se kom për t'i lyp iu thosh, ho mër, sa kuriozitet të tepru që kini, ho me pra doni me e ditë, po ju gërry keq për mrena..... nji copë leokoplast, nji copë leokoplast me ia vu gojës teme, se ju e dini ajo nuk mund t'rri dot pa llap. Marum fare, gallat e modhe.... Dhe e qeshura jonë çuditërisht sapo u ngjit në decibelët e parë ngriu, madje mua m'u bë se mbeti diku varur në butësinë e asaj puhize të mbrëmjes, që i kishte ndeh krahët aq ëmbël mbi Tiranë. Përpara Ermelës si të kishte rënë prej qiellit u shfaq Soni.

- Po ty mi?! - iu hakërrye ajo duke flakur pas supeve flokët e kuq, - Nuk të vjen një çikë turp!

     Dhe ia ngjeshi me një shuplakë të fortë fytyrës, krisma e së cilës si shkrepëtima e një vetëtime thash se i theu ei bëri copash jo vetëm xhamat e "Grandit", por edhe ato të "Bevery Hills"-it dhe të "Tavernetës" matanë rrugës.

- Ua mami! - ia bëri Ermela duke mbuluar fytyrën me duar.

- E poshtër! - gati ulëriu Soni, - Do të ma paguash shtrenjtë. Dhe ashtu gjithë vrull siç kishte ardhur, ashtu edhe u largua. Kur kthyem kokat andej nga iku, "Golf"-i saj po depërtonte përmes lumit të makinave.

- Po kjo ç'pati?! - e theu i pari heshtjen Tini, teksa ndezi një "Leggera" të cilën e nxorri nga çorapja e këmbës së majtë. Ndërkohë Ermela rrëmbeu çantën e duke e mbajtur fytyrën ende mbuluar me duar, dredhoi përmes tavolinave dhe u zhduk mes kalimtarave. Për pak çaste të gjithë mbetëm të hutuar. Gjithçka kishte ndodhur aq shpejt, sa nuk mund të merrej me mend.

- Çuo! - i dhash urdhër Tedit, i cili si gjithnjë i bindur më ndoqi nga pas. Gati vrapuam andej nga kishte ikur Ermela, edhe pse fluksi i shumtë i kalimtarve nuk na lejonte. Gjithsesi tek ura e Lanës e kapëm.

- Më lini! - tha ajo.

- Kurrën e kurrës,- i thashë, - pa u sqaruar gjërat, jo një herë.

- Nuk kam asgjë për të sqaruar me Sonin.

- E kush i han ato, - ia bëri Tedi, - pse kot ta veshi me shuplakë. Gjithsesi me shumë mundime arritëm ta tërhiqnim Ermelën deri tek "La Bohema", ku për fat gjetëm një vend të lirë diku andej nga fundi, që për ne ishte me të vërtetë funksional. Por, pa e nisur mirë bisedën me të, thuajse njëherësh mua dhe Tedit na ranë celularët.

- Ku jeni? - ishte zëri i Tinit në celularin tim.

- Tek "La Bohema" - dhe e mbylla.

- Po erdhën ata unë ika - ia bëri Ermela.

- Nuk ke sesi, - ia priti Tedi, - pa u sqaruar gjërat, s'ke nga luan. Oj, kërciti shpulla surratit dhe ne nuk dimë gjë. Ta marrim vesh një herë si e keni hallin!

- Kot e kini. Nuk do t'ju them asgjë, - tha prerazi ajo.

- Mirë, mirë, - ia bëri Tedi duke i zgjatur paketën "Leggera", - ndize një herë ndize.

- Për kokë të mamit nuk do t'ju them asgjë. Mos u mundoni kot. Ajo është një diçka që më përket mua edhe Sonit.

- Vetëm ju të dyjave? - ngulmova unë.   Ermela heshti.

- Natyrisht edhe Redit, - foli Tedi.

- E hë. - pohoi ajo.

- Çar ke katranosur moj budallaqe! - gati ulërita.

- Tedi të lutem na lër vetëm me Fjorin, - i u drejtua ajo, duke tymosur "Leggerën" teksa ai çuditërisht mbeti si i habitur, ndërkohë i bëra shenjë të largohej.

- Kthei edhe të tjerët, - i thash kur po ikte. Me Ermelën porositëm nga një "Tekila", dhe vetëm pasi ktheu gjysmës e gotës u bë gati të flasë:

- Nuk i kam bërë asgjë m'i goc, - nisi të më tregonte, - dje paradite isha vetëm në shtëpi, e nga që s'kisha se çar të bëja dola në dritare. Kur, shoh Redin duke kaluar në trotuarin tjetër. "Ç'kemi", - tha duke ma bërë edhe me dorë. Asgjë, - i thashë. "Ç'farë po bën?",- vijoi ai. - E ç'farë të bëj sipas teje, - ia ktheva, kam mbetur vetëm dhe jam mërzitur shumë. "Ja po vij unë të të heq mërzitjen", - ngulmoi ai. Dhe unë si pa u kuptuar i thash, eja.

- Dhe erdhi Redi?!- nuk m'u durua pa e pyetur.

- Sigurisht, që erdhi, - tha Ermela, që po më çmëndte me qetësinë e të rrëfyerit, ndërkohë që herë pas herë kthente gotën dhe tymoste cigaren.

- O goc,- i thash, - mos më fol mua kështu kaq e qetë! Je në vete apo jo?! Si e ftoke në shtëpi dashnorin e shoqes tënde më të ngushtë, aq më tepër duke qenë edhe vetëm!

- E ç'ë pastaj, me Redin ne jemi shokë prej kohësh, madje Sonit unë i a kam prezantuar. Redi erdhi krejt normal, fillimisht ndezëm nga një cigare, kurse më pas e qerasa. Kisha një gjysëm shishe me "Bellantains", e çuam të dy bashkë deri në fund, bëmë muhabete, dëgjuam edhe muzikë....

- Po për të kërcyer, - shpërtheva, - kërcyet bashkë?

- Patjetër.....

- Ngriu të ikim, - i thashë dhe u çova e bindur se do të më ndiqte nga pas. Dhe realisht ashtu ndodhi. Kur u ndala në rrugicën matanë që të çon tek "Boom, Boom, Room" mu përpara shkollës "Edith Durham", Ermela po nxirrte nga çanta çakmakun për të ndezur cigaren tjetër.

- Po ti Fjori çar ke kështu? - m'u drejtua, - Unë po të tregoj mi goc. O Zot, o Zot!

- Gjëra të bukura po më tregon! Posi, vetëm goca në shtëpi me dashnorin e shoqes, keni pirë e keni kërcyer bashkë. Po tjetër gjë keni bërë?

     Ishim përballë njëra tjetrës dhe po shiheshim sy më sy. Sytë e saj të gjelbërt, çuditërisht ishin shumë vezullues.

- Po tjetër gjë keni bërë me Redin mi goc, fol?   Ajo tundi kokën në shenjë pohimi.

- Seks!

- E hë.

- E poshtër, - i thashë duke e tërhequr brënda oborrit të shkollës, - ke bërë edhe seks! Nuk të mjaftonte Tani yt!?

- Uh edhe ti Fjori si bëhesh! Një moment ishte ai. Njeriu nuk arrin ta kuptoj edhe vetë se si gjendet. Pastaj edhe Redi është aq i ëmbël, apo nuk di të përkëdhelë aq mrekullisht. Këtë kushdo e kupton që në këtë mes nuk bëhet fjalë për tradhëti. Unë mendoj se kemi të bëjmë vetëm me një flirt e asgjë më tepër. Madje, flirti dihet kurrsesi nuk është i njejtë jo e jo, por as nuk ka të bëj fare me tradhëtinë.

- Dëgjo këtu,- i thashë, - mos më flit mua si filozofe se, nëse Soni tek "My Baby" ta veshi vetëm me një shuplakë, unë t'i ndez turinjtë e t'i shkul flokët fare. E poshtër! Dhe shiko nesër do vijmë të të marrim në shkollë dhe do ipni llogari të dy.

     Ndaj kishte nisur aq shpejt ajo ditë për ne. Gjithsesi tek bar "Enea" i pari erdhi Redi.

- Sonin e kini tek lokali i ri, që është hapur tek ai pallati përballë shkollës. Nuk më ka folur fare sot. - tha me një zë tejet pikëllues.

- Po provimi si shkoi? - e pyeti Tedi.

- Lëre, ç'pyet, - ia bëri, - nuk e di as vetë se ç'kam katranosur. Ishim duke mësuar bashkë dje tek shtëpia e saj, kur u bë skandali. Unë u tregova i pakujdesshëm, kur dola nga banja pa bluzën në shtat. Kisha vajtur për t'u freskuar kur Sonit i mbetën sytë tek kjo blana e zezë këtu nën sisën e majtë. "Ç'është kjo?! Kush ta ka bërë? Thuamë të vërtetën". Këmbëngulte. E sqarojmë nesër i thoja unë, sonte mbarojmë përgatitjet për provimin. Por, kurrsesi nuk hiqte dorë. Këmbënguli gjatë, derisa ia thashë të vërtetën.

- Vepër e kësaj ishte sigurisht, - nuk m'u durua pa i thënë, ndërkohë që Ermela rrinte kokëulur, - ngrije kokën ti moj kukëll e pafajshme.

- Hë mjaft edhe ti Fjori tashti.

- Faji nuk është vetëm i saji, - vijoi Redi, - kam edhe unë faj, ndoshta ca më tepër. Ishim të pirë të dy, por mua mirë të më bëhet. Nuk e meritoj Sonin ajo është shumë herë më e mirë se unë. Madje, kjo nuk është hera e parë që e kam tradhëtuar.

- Mirë o mirë, - ia bëri Tedi, - po na thuaj ç'u bë më pas. Fole për skandal më duket.

- Ashtu u bë vërtet. Ulëriti me zë të lartë: "Si ka mundësi O Zot! Si është e mundur të më tradhëtosh me shoqen time më të ngushtë!" Pas kësaj theu një vazo të madhe kristali dhe zuri të qante. Mamaja me të motrën erdhën të alarmuara në kulm, kurse unë ika me të shpejtë, si një hajdut. Qe e tmerrshme. Nuk jam ndier ndonjëherë aq keq. Mirë të më bëhet. Unë nuk e meritoj Sonin. Oh ta dini ju se sa keq më vjen që e humba!

- Kush të tha që e ke humbur? - u hodha unë, - Prit një herë t'i sqarojmë gjërat.

- Nuk kemi ç'të sqarojmë fare. Ia njoh kokën Sonit. Dhe ka plotësisht të drejtë. Ja edhe këto pak ditë sa të mbaroj maturën do të iki fare nga Shqipëria, do të shkoj në Itali tek dajot dhe nuk do të vij më kurrë, as për pushime e as për asgjë. Mirë të më bëhet. E humba Sonin. Këtë kokë kam unë, mirë të më bëhet....

     Dhe u shkri në vaj me dënesë. Qau si kalama. Në atë çast brofa nga tavolina. Tek lokali tjetër Sonin e kam nxjerrë thuajse me dhunë dhe që aty drejt e tek "Benci" i Tedit, që u nis menjëherë fluturimthi. E kisha porositur të ndalonte tek Vila "Tase" afër gjimnazit "Partizani", por qe e pamundur për të ndenjur aty, lokali ishte i mbipopulluar tej kapacitetit, disa nga "partizanasit" çuna e goca ishin ulur edhe tek shkallët.

- Për në plazh, - i dhash urdhër Tedit, - tek "Benilva".

     Kisha zënë vend midis Redit edhe Sonit, teksa "Benci" çante me shpejtësi në autostradë. Ermela në sediljen para nuk goxonte ta kthente kokën as majtas e as djathtas. Rrinte ashtu kruspullosur në vetvete si e harruar. Për një çast më erdhi keq, sepse fundja problem do ishte edhe puna e saj, dhe jo i pakët nëse do ta merrte vesht Tani. Ndërkohë Tedi ndezi magnetofonin e "Bencit" nga bokset e të cilit gjëmuan tingujt e këngës "You give love a bad name" (Ju i jepni dashurisë një emër të keq). Edhe me porosi nuk do ta kishte gjetur atë këngë.

- Tedi të lutem fike, - foli më në fund Soni.

     Pas kësaj sërish mbretëroi heshtja. Tedi e shtoi shpejtsinë edhe ca më shumë, aq sa xhamat zunë të dridheshin. Po ky ç'pati thash me vete!

- Do e ndezësh një cigare, - iu drejtua Redi, Sonit duke i zgjatur "Marlboron" e bardhë.

- Mjaft më ke dhënë helm, - ia ktheu ajo, - tani preferoj të helmohem nga ky farmaku im.    Dhe nxorri "Leggera"-n nga çanta. Kur e hapi i mora edhe unë një. Por, teksa po bëja gati çakmakun për t'ia ndezur, befas Ermela tha:

- Nëse ju të dy, ti Soni edhe ti Redi nuk pajtoheni tani, unë do të hidhem nga makina. 

     Dhe dora e saj e djathtë u fiksua fort pas dorezës së derës, që kërciti.

- Ej goce u çmende ti! - e ngrita zërin.

- Fjori u thuaj të pajtohen, se u hodha, - këmbënguli ajo, - u hodha për kokë të Landit, atij vëllai të vogël që mezi e kemi ne tre motrat. U hodha por pajtohuni shpejt ju them.

- Uf ç'na gjeti, - ia bëri Soni, - mbaje makinën Tedi, mbaje.

- Jo nuk ka për ta mbajtur, - tha Ermela, duke shtrirë këmbën mbi pedalin e gazit, - nuk e lë unë. Pajtohuni pra se u hodha....

     Dhe e hapi derën! Vrundujt e ajrit që hynë me vërtik na bënë të dridheshim edhe ca më shumë.

- Ermela mos u ngut, - ia bëri Tedi, - t'i marrim gjërat shtruar mi goc mos u nxito.

- Ti Tedi shih timonin, - i dha urdhër ajo, - atë bëj dhe sakën se e ul shpejtësinë, ta preva timonin dhe fluturuam ikëm të gjithë.....

     Na gjeti belaja me këtë debile! Thash me vete. "Më duket se i ka ikur truri fare". - i pëshpërita Sonit në vesh, teksa sytë e saj dukshëm thonin si t'ia bëjmë. Kurse Redi as që donte t'ia dinte, thithte "Marlboron" i qetë fare thua se, nuk po ndodhte asgjë.

- U hodha, po pajtohuni, - na erdhi si ulërimë zëri Ermelës, e cila tashmë e kishte hapur derën gati më shumë se gjysma dhe duke u përkulur drejt hapësirës së saj shtoi sërish,- u hodha po pajtohuuuniii...u hodhaaaaa.....

- U na na naaaaa, - ia bëri Soni duke e zënë Redin nga dora, - ja u pajtuam shife e kam zënë nga dora.     Ermela sakaq mbylli derën dhe më në fund të çliruar nga ankthi morëm frymë të qetë.

- Tani puthuni, - tha ajo duke vënë buzën në gaz, - se ndryshe e hapa derën sërish.

- Uf ç'na gjeti! - ia bëri Soni. Nuk kishin nga luanin. Ermela e kishte dorën sërish tek doreza e derës. Ndërkohë u përkula pak para, kurse Soni me Redin u puthën lehtë.

- Jo, nuk ua quaj, - shtoi ajo,- puthuni më fort.

     Këtë herë puthja e tyre qe më e gjatë, thëthitja ca më e ëmbël

dhe për pak çaste të dy u harruan buzë më buzë.

- Urra! - duartrokiti Ermela, - tani po.

- Më raft një pikë mua, - ia bëra,- sa ju paska marrë malli! Ndërkohë Tedi pasi uli shpejtësinë, hapi krahun në anë të autostradës dhe sapo u ndal, Soni me Redin më në fund u shqitën, por në çast ajo ia ngjeshi fytyrës me një shuplakë të tipit flakurinë.

- Do të të mbys fare,- ia bëri Soni, por ndërkohë ua ndala zënkën. Sa kaq hapën dyert, dolën vrulltas dhe u mbërthyen sërish tek portabagazhi. Brënda pak çastesh të gjithë kishim dalë jasht "Bencit", - do ta mbys fare këtë të poshtër, do ta mbys ja me këto dy duar.... Redi qeshte kurse Ermela i lutej Sonit të ndalej.

- Të vjen keq ty kuklle ë? - ia bëri Soni, - domosdo është shumë i ëmbël ky në dashuri, e ke provuar ti. - Ti duhet të më kuptosh drejtë Soni, - i tha ajo, - ne ishim të dehur dhe nuk dinim ç' bënim as unë edhe as ai. Faj kemi të dy, por duhet të dish një gjë, se po ta kishim me hile, ti ende nuk do ta kishe marrë vesh. Unë e kuptoj të kam vjedhur pak kënaqësi, por kjo kurrsesi nuk duhet të bëhet shkak për të shkatërruar burimin e ndjenjës tuaj të madhe, dashurisë. Këtë nuk duhet ta bëni kurrë. Unë ju kam shokë të mirë të dyve......

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1