Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Milordos Ingliz

Milordos Ingliz

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fatmir Terziu

Milordos Ingliz

Tregim nga Fatmir Terziu

 

Mehmet Isa Pasha u ul në fronin e tij të mbushur me sixhade të thurrura nga duart e atyre femrave, vajzave më të bukura që kishte parë me sy njerëzimi ndonjëherë. Pastaj shfryu me një forcë të madhe, që u duk sikur doli një zhurmë e madhe e fuqishme ulëritëse nga një krater vullkani.

-       Ma sillni këtu!

Kaq foli Komandanti i Plotfuqishëm i Jeniçerëve. Vetëm kaq mjaftoi  që të gjithë të dilnin menjëherë nga çadra e tij e madhe e përkujdesur vetëm nga rojet e tij më besnikë. Gjithë natën kishin mbetur pa gjumë. Ajo turfullimë e Mehmet Isa Pashës në fushëbetejë, i kishte tmerruar. E dinin fare mirë se kur mërzitej ai punët shkonin deri në teh të thikës. Kush e kishte radhën? Dihej vetëm kaq se 100 rebelët bullgarë kishin prurë gjëmën. Të gjithë ato vajza të bukura të punishtes më të madhe të Perandorisë kishin shkuar në botën tjetër prej tradhëtisë së tyre. Dhe tani ishte urdhëri. Secilit i kumbonte ende në veshë: “Ma sillni këtu!”

            Ata shikonin njëri-tjetrin në sy dhe heshtnin. Komandantët u bënë thirrje ushtarëve. Togat u bënë gati. Po ku do ta gjenin? Ku? Urdhëri ishte i prerë. Nëse ata nuk do ta gjenin shpata e Mehmet Isa Pashës do të bënte kërdinë. Kushedi sa prej tyre do të iknin me një të ngritur të dorës e shpatës në ajër. Kushedi?! Për të nuk dihej shumë. Dihej vetëm se ishte “Milordos Ingliz”. Por ishte e mistershme. Populli e donte këtë emër. Populli e strukte në vetvete. Për emrin e tij shumica ishin gati të sakrifikoheshin. “Milordos Ingliz” kishte qenë zëri dhe mendja e gjithë atyre anëve. Kishte vite që u gjendej pranë, i ndihmonte, i punësonte u jepte shanse jete. Tani me urdhërin e Mehmet Isa Pashës, pikërisht ky “Milordos Ingliz” ishte ai që duhej të kalonte kokën e vet në shpatën e Komandantit më të besuar të Sulltanit. Ai akuzohej se kishte urdhëruar dhe paguar 100 rebelët bullgarë për atë masakër të paparë të atij viti.

            Ishte 28 nëntori i vitit 1896. Dëbora kishte zbardhur gjithë zonën përreth Blagoevgradit. Dhe tërë rruga që të shpinte në kufinjtë më të afërt me shqiptarët ishte e ngarkuar me bardhësi dhe shpata të ngritura në prita të ndryshme. Koha dhe mjedisi, po aq dhe rebelimi i 100 bullgarëve të ushtrisë së Mehmet Isa Pashës i kishte favorizuar mjaft zërat që të shestonin frikën deri tek jeniçeri më i fuqishëm. Sidoqoftë urdhëri ishte urdhër  dhe koha e dhënë ishte e shkurtër, vetëm dy javë. Në mesin e kërkuesve të ngarkuar për të kapur gjallë atë njeri me emrin e njohur “Milordos Ingliz”, ishte dhe shqiptari i Pargës, Karim. Ai ishte mjaft i edukuar. Për të thuhej se kishte mbetur në radhët e ushtrisë së Mehmet Isa Pashës falë borxheve të mëdha të të Atit. Por ai ishte njeriu që kishte lexuar më shumë nga të gjithë dhe këtë vetë Mehmet Isa Pasha e dinte mjaft mirë.

            Ende pa kaluar në kodrat që i bëheshin rruzare asaj fushe ku ndodheshin çadrat e asaj ushtrie të madhe e të fuqishme, një zë erdhi i menjëhershëm, po aq sa urdhëri i prerë i Mehmet Isa Pashës. Vetë Mehmet Isa Pasha kërkonte Karimin të mbetej aty me të. I kërkoi më pas ti shpjegonte çfarë dinte dhe çfarë kishte lexuar për “Milordos Ingliz”. Ai nuk nguroi dhe i tregoi se kishte lexuar nga Edward Lear se ky emër ka ekzistuar që në vitin 1848. E kishte lexuar se “Milordos Ingliz” njihej dhe në mesin e shqiptarëve. Dhe në atë kohë kur ai kishte qenë në mesin e tyre shqiptarët e çmonin shumë. Madje thuhej se ai kishte shkuar në mesin e shqiptarëve duke qenë i propozuar dhe nga vetë Sulltanati. “Milordos Ingliz” ishte në ato vise si një marrëveshje qeveritare për të ndihmuar tregëtarët. Ndërsa Mehmet Isa Pasha dëgjonte me vëmendje, përsëriste fjalët e Karimit pa zë dhe turfullonte me vete.

-       “Si ka mundësi?” – përsëriti disa herë me vete.

Por prapë vëmendjen e kishte tek Karimi, që vazhdonte t’i shpjegonte tërë rrugëtimin e atij emri në mesin e shqiptarëve dhe pastaj të asaj zone të Perandorisë. Në gjithë atë bisedë Karimi përmendi dhe Gibonin, që kishte shkruar për shqiptarët, që i kishte lartësuar ata. Atëherë mjekra e Mehmet Isa Pashës u duk se mbuloi tërë atë pakëz dritë që hynte nga një dritarëz e vockël e asaj çadre dhe u ngrit në këmbë, duke ia bërë me dorë Karimit të dilte nga çadra. Ndërsa Karimi filloi të dilte, Mehmet Isa Pasha i bëri zë, të kërkonte në ata shënimet e tij dhe diçka më shumë. Ai u përkul, e nderoi Komandantin e tij dhe doli nga çadra. Në çadrën e tij u ul menjëherë në një stol druri dhe bëri menjëherë pas gjithë atyre shënimeve që i mbante me vete. Diku u ndesh me emrin e kapiten Herbertit, kapitenit që kishte fjetur madje në çadrën e vet Mehmet Isa Pashës gjatë tre betejave të tij të fundit në Ballkan.

            Aty u ndal tek reminishencat e tij. Njëra ishte mjat interesante. Ajo ishte në lidhje me mizoritë bullgare. Ishte ajo e xhelatit të litarit. Sakaq iu kujtua menjeherë. Dhe gati sa nuk ngriu. Ishte e habitshme. Vetë Mehmet Isa Pasha, kur ishte komandant në Vidin, kishte kërkuar ndihmën e kapiten Herbertit për t’i dhënë fund një grupi rebelësh. Asnjë i krishterë, asnjë musliman, në Vidin nuk do të pranonte atëherë të merrte përsipër detyrën e ngarkuar nga vetë Mehmet Isa Pasha. Pashai ishte i detyruar, që të kërkonte ndihmën e kapiten Herbertit, pasi e dinte nga bisedat se një miku i tij i njihte dhe kishte lidhje me ata që ai i quante “kafshë të papastra, ciganët”. Ai thuhej se ishte një shok i tij i guximshëm, i njohur si “Milordos Ingliz”, por që tashmë njihej si “Ingliz Çingini” (Jevgu). Ai u tregua i gatshëm pas thirrjeve të kapiten Herbertit dhe kështu vetëm ai ofroi shërbimet e tij. Ky njeri, ishte me të vërtetë një anglez, i cili në një kohë  të gjatë i ishte përkushtuar një bande të jevgjve, që kishin mbushur kodrinat e Hampshires për shumë vite. Në Vidin ai njihej me emrin Istanli (Stanley?). Tashmë ai ishte Heroi Aud…

Po, tha me vete Karimi, po. Ai  është Istanli, ai që u emërua nga vetë Mehmet Isa Pasha në punën e tij të poshtër. Është ai. Është ai maskara që…

Në një grup të paguar mirë nga vetë Mehmet Isa Pasha, Istanli thirri katër xhebrailë që i qëndruan krah për krah, dhe ata të shoqëruar nga ushtarë me shpata, të ndjekur nga vetë ky kryexhelatari që mbante shiritin e vrazhdë dhe një litar të dukshëm, hapën një gropë të madhe, ngulën shtylla dhe trarë të mëdhenj, futën skelën lëvizëse dhe bënë gati njerëzit të fajshëm e të pafajshëm për ti varë.

Dënimet e tyre, u shkruan me shkronja të mëdha dhe u vendosën në bluzat e tyre. Pa ceremoni, dhe pa mëshirë ata varën e varën përditë njerëz të shumtë. Disa prej tyre vareshin në trekëmbësha, pjesa tjetër në grepa të përshtatur për atë punë në një mur. Kufomat mbaheshin të ekspozuara për disa orë dhe pastaj i fusnin në një gropë të përbashkët.

Istanli u shqua në profesionin e tij. Vetë Mehmet Isa Pasha i dërgoi superpagesa të mëdha. Dhe kur emri i tij shkoi deri në Sarajet e Sulltanit, fama e tij u shkurtua. Qeveria nuk pranoi të siguronte më litarë, nuk pranoi të paguante as pagën e xhuntarëve, dhe, si rrjedhim, Istanli u detyrua të ripërdorte litarët e përdorur.

Një ditë, litari u këput dhe trupi i fajtorit ra nga një lartësi prej 15 metrash, mbi kokën e Istanliut. Ai ra përtokë dhe mezi merrte frymë. Askush nuk u afrua t’i jepte ndihmë. Trupi i tij dhe ata pak ushtarë që e ndihmonin atë ranë në duart e të akuzuarve. Thikat e tyre i dërguan trupat e pajetë të ushtarëve në gropën e madhe që kishin hapur vetë. Ndërsa Istanli ishte marë peng nga një grup i madh Çingini. Ata kërkonin paratë e premtuara prej tij për kapjen dhe varjen në litarë të atyre njerëzve të fajshëm e të pafajshëm.

Sakaq Karimi i mbylli shënimet dhe nxitoi për nga çadra e Mehmet Isa Pashës. Nuk priti tu kërkonte leje rrojeve, kur menjëherë nga pas ndjeu dorën e vetë Mehmet Isa Pashës.

-       E kuptoj pse ke ardhur. E kuptoj. Ndaj e dija se vetëm ti duheshe ndalur nga ajo udhë.

Atje nuk do të kishte shtyllë për të varur trupin tënd. Nuk do të kishte. E di se njëqind shtylla do të mjaftonin për të gjithë ata që shkuan për të gjetur atë “Milordos Ingliz”.

-       Me një fjalë… “Milordos Ingliz”… “Ingliz Çingini”… Istanli… janë thjesht mite?

-       Ai që nuk guxon të krijojë dhe të ofendojë duke krijuar nuk mund të jetë i sinqertë, përfundoi Mehmet Isa Pasha dhe i bëri me dorë Karimit nga kali ku ishin dhe disa të tjerë në kuaj e që e prisnin në kthimin e tij tek i Ati.

-       Domethënë im Atë i pagoi borxhet?

-       Të gjithë shkuan me shënimet që u zhdukën nga rebelimi i atyre njëqind bullgarëve dhe ikja në botën tjetër e atyre bukurosheve. Të tjerat i di vetëm dheu, i ka parë vetëm errësira dhe do mbesin në shënimet e tua…

Shënim sqarues: Milordos Ingliz ishte forma turke për My Lord English ose më saktë një normë respekti për anglezët e a saj kohe përpos “marëveshjeve” qeveritare turko-angleze. 

Comments (1 posted):

S.Athanasi on 09/01/2018 13:31:35
avatar
Tregim I shkruar me një ngarkesë tmerri ku për-shkrimi majëmprehtë, ia tejshkon llahtarës së shpatës të një katili që s'e ka për gjë zhdukjen e bukurosheve e jo më për ndëshkimin e 100 rebelë-ve bullgarë. Gjithsesi, "Milordos inglis", "Ingliz çingini", apo edhe Instanli, këto mite të remë, janë bashkëudhëtaret e terrorit nga sundimtari. Urime,
miku ynë: Prof.Dr.F.ERZIU.
S.Athanasi

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1