Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | FTESAT E DASMES

FTESAT E DASMES

Font size: Decrease font Enlarge font
image ILIAZ BOBAJ

ILIAZ  BOBAJ

 

FTESAT E DASMES

-tregim satirik.

 

- I mora ftesat e dasmës së Gencit, - u tha i ati, Agroni, fëmijve dhe së shoqes së vet, Afërditës.- Nesër do të njoftoj vëllanë dhe motrat e mia, që të vijnë edhe ata për t’i ndarë së bashku. Njofto edhe ti Afërdita, motrën dhe vëllezërit e tu, që të jenë edhe ata prezent në ndarjen e ftesave. Mendoj ta bëjmë ndarjen së bashku, që të mos harrojmë asnjë nga të afërmit, se jemi fis i madh dhe nuk dua të ketë asnjë qejfmbetje. Dua që dasma e djalit tonë t’i mbledhë me kuç e me maç të afërmit tanë, kudo që janë.

Agroni ishte më i madhi i vëllezërve dhe motrave, prandaj mendoi të luante edhe rolin e të atit në afrimin e vëllezërve dhe motrave të tij dhe të gruas, por edhe të të afërmve.

- Është rasti më i mirë për t’i mbledhur të gjithë së bashku dhe nuk duhet ta lë të më ikij nga duart, - tha me vete. – Aq më tepër që njerëzit janë shpërndarë si zogjtë e korbit në të katër anët e globit .  

- Mirë, mirë, - i tha e shoqja dhe u afrua së bashku me fëmijët për të parë ftesat.     

- Paskan dalë mjaft bukur, - i tha e shoqja, ndërsa fëmijët po i kalonin dorë më dorë.

Të nesërmen pasdite u mblodhën të gjithë së bashku në shtëpinë e Agronit dhe nisën të bënin listën e të ftuarve të dasmës së Gencit.

Agroni tha emrat e disa miqve të tij, të cilët e kishin ftuar dhe kishte detyrime ndaj tyre. Askush nuk e kundërshtoi dhe emrat e miqve u shkruan në listën e të ftuarve. Më pas shtoi edhe e shoqja, Afërdita, disa nga shoqet e saj të punës. As për ato nuk kishte ndonjë kundërshtim. Edhe emrat që përmendi Agroni, edhe ata që përmendi e shoqja, Afërdita, ishin njerëz të cilët pothuajse nuk i njihte askush prej tyre. Dhe nuk ishin pak.

Agroni fërkoi duart. Puna kishte nisur mbarë dhe fillimi i mbarë është gjysma e punës, thotë ajo fjala e urtë, e cila na jep krahë kur e përdorim.

Më pas fjalën e mori Artani, vëllai i vetëm i Agronit.

-Unë mendoj të ftojmë edhe motrën e gruas sime dhe krushqit e sime bije. Veç tyre doja te shtoja edhe motrën e krushkës.

Nadia, motra e Afërditës shtrembëroi buzët, sikur kishte pirë me zor ndonjë gotë me uthull.

-Krushqit e vajzës sate po, pa atë motrën e gruas më mirë të mos e ftosh fare.

- Përse ?

- Sepse dasma jonë është serioze, kurse ajo është për të qeshur edhe në veshje, edhe në fjalë. Le që ka edhe një huq tjetër. Pasi pi dy – tri gota, hipën mbi tryezë për të kërcyer me atë minifundin e saj dhe i nxjerr të gjitha jashtë...

- Unë nuk e ndryshoj dot as karakterin e saj, as veshjen.

- E ndryshon, s’e ndryshon, nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që dasma jonë nuk ka vend për laraska si ajo.

Në bisedë u fut Etleva, motra e Agronit:

-Nuk është mirë të flasim me terma të tillë fyes për një të afërm të familjes.

-Atyre që thashë, nuk u heq asnjë presje, - i vuri vulën fjalës Nadia.

- Nuk i thuhet laraskë një gruaje të re, vetëm se vishet sipas modës. Mirë është ta kontrollosh pak veten kur flet.

-Mirë, atëhere. Nëse nuk do t’i them laraskë, po i them sorrë. U kënaqe tani ?

Ndërhyri Agroni, i zoti i shtëpisë:

-Mirë, mirë. Po e lemë ta diskutojmë në fund emrin e saj. Vazhdojmë më tej.

Fjalën e mori Mina, motra e Agronit:

-Mendimi im është të ftojmë edhe krushqit e tim biri dhe motrën e krushkut. Po kështu edhe time mbesë, Edlirën, e cila do t’i japë bukuri dasmës, se është yll e shkuar yllit.

Ndërhyri Faruku, vëllai i vogël i Afërditës:

-Nuk jam dakort që ta ftojmë mbesën tënde !

- Po përse nuk je dakort, more djalë ? – e pyeti Mina, duke vënë dorën mbi vetull si strehëz, për ta parë më mirë.

-Kam edhe unë arsyet e mia. Kur shkon në rrugë nuk na i fërshëllen fare dhe e mban hundën në qiell, sikur ka ardhur nga Parisi.

- Edhe pse nuk të flet ty dhe nuk duhet ta ftojmë në dasmë ?

- Kam edhe një arsye tjetër, edhe më serioze se kaq. Më ka fyer.

- Përse të ka fyer ?

- I kam bërë dy herë kërkesë për miqësi në facebook dhe nuk më ka pranuar.

- E, pika e zezë ! – psherëtiti Mina dhe ktheu kokën nga ana tjetër.

- Po të jetë për facebook, pakënaqësinë më të madhe duhej ta kisha unë, - tha Nadia, motra e Afërditës, - pasi nuk më ka bërë asnjë lajk të vetëm tek fotografitë e mia që botoj aty. E di që e ka nga zilia, si jam më e bukur se ajo, por unë e kam shpirtin të gjerë si deti dhe di të fal.

- Ju lutem, nuk duhet t’i shohim gjërat në këtë mënyrë ! - tërhoqi vëmendjen Agroni.

- Po si duhet t’i shohim sipas teje ? – i erdhi përgjigjja nga ana tjetër.

- Më qetë.

Qetësinë e tij e prishi ndërhyrja e Mondit, vëllait të Afërditës:

-Po, domosdo ti nuk do mbash nga ana e njerëzve të tët shoqeje, po nga ana e njerëzve të tu. Nuk thonë kot, gjuha mban nga ana e buzës...

-Mirë, e diskutojmë në fund edhe emrin e kësaj, - tha qetësisht Agroni. – Vazhdojmë më tej.

E mori fjalën Etleva, motra e Agronit.

-Unë mendoj të ftojmë edhe dy shoqet e mia të ngushta, Lolën dhe Lidën.

Nadia, motra e Afërditës, u hodh përpjetë, sikur ta kish pickuar ndonjë arëz.

-Lolën ? Apapapapa ! Edhe kjo na duhet në dasmë, për t’u bërë gazi i botës !

Të gjithë sytë e të pranishmëve u përqëndruan mbi Nadian, sikur ajo mbante të mbyllur pas portave të buzëve sekretin e mospranimit të Lolës në dasmë.

-Ç’pate, moj femër ? – e lëshoi frerin e fjalës Etleva.

-Nuk të duhet ty se ç’pata, por ajo grua nuk do të vijë në dasmën tonë dhe pikë ! – e ngriti zërin Nadia, duke i rënë tryezës me grusht.

Tryeza u tund nga tërmeti i dorës së Nadies dhe nja dy – tri kafe u derdhën nga filxhanët e tyre, duke lënë pas rrëkenë e zezë mbi faqen e bardhë të filxhanëve.

-Kur themi jo për dikë, duhet të themi edhe arsyen përse, - këmbënguli Etleva, motra e Agronit.

-Është arsye personale, - dha shpjegim Nadia.

-Atëhere mbaje për veten tënde dhe na ler të bëjmë punën tonë ! – vijoi Etleva.

-Ajo femër nuk do vijë në dasmë dhe pikë! – këmbënguli Nadia.

-Pa dale, dale, se si shumë lart po u bini daulleve ! - ndërhyri Agroni.

-Agron, edhe ti merre pak më shtruar, - foli për herë në parë Afërdita, e shoqja e tij.

Agroni u ndodh ndërmjet dy zjarreve. Ndërhyrja e së shoqes së tij, Afërditës, do të thoshte se edhe ajo kishte një rezervë për Lolën. Nuk iu durua:

-Po ç’dreqin keni, që na i fshihni fjalët si dhelpra gjurmët e veta ?

Përgjigjen ia dha e shoqja e tij:

-Motra ime, Nadia, ka të drejtë. Për faj të saj, ajo ka vuajtur një tragjedi familjare. Ju të gjithë e dini, mos bëni sikur u ra nga qielli ky lajm.

Etleva, motra e Agronit, nuk mbajti më rezerva. Iu drejtua Nadias:

-E po ne nuk kemi ardhur të merremi me dashnoret e burrit tënd, por me ftesat e dasmës së djalit të tim vëllai.

- Ti do bëje mirë të shikoje atë sekretaren që ka yt shoq në zyrë dhe t’i lësh të tjerët rehat, moj vajzë !

Etleva e vështroi sikur do ta hante të gjallë dhe shtrëngoi dhëmbët.

Agroni e pa që po trashej puna dhe ndërhyri energjikisht:

-E lëmë edhe këtë, për ta diskutuar në fund.

-Jo nuk e lëmë aspak ! - këmbënguli Nadia. – Po erdhi ajo, nuk do vij as unë, as im shoq dhe askush nga familja ime.

- Ti mos eja, por tët shoq lere të vijë, se e ka shoqëruesen, - ndërhyri përsëri Etleva, motra e Agronit, duke i hedhur një vështrim tinzar.

Tani ishte radha e Nadias ta vështronte me urrejtje. Ndërsa motrës së saj, Afërditës, iu drodh një nerv në cepin e djathtë të ballit, por e përmbajti veten.

-Kam edhe unë një propozim, - ndërhyri Artani, vëllai i Agronit: –Mendoj të ftojmë edhe kryetarin e partisë sonë.

Faruku, vëllai i Afërditës, i ra ballit me dorë.

-Kryetarin e partisë tuaj... ?

Agroni nuk arriti t’i kthente përgjigje, se ndërhyri më shpejt vëllai i Afërditës, Faruku:

-Po ftuat ju kryetarin e partisë tuaj, atëhere ne do të ftojmë edhe kryetarin e partisë sonë. Ne nuk lejojmë të ketë privilegje partiake në dasmën tonë.

-Do vijë vetëm kryetari i partisë sonë ! – tha prerë Artani.

-Do vijë edhe kryetari i partisë sonë ! – vulosi Faruku.

Agroni, pasi u mendua një grimë, propozoi të mesmen e artë:

-Po mirë, le të vijnë të dy. Meqë i doni, le të vijnë. Ja, u zgjidh edhe kjo punë. Po i plotësoj që tani ftesat e tyre.

Dhe i plotësoi në çast secilit nga një ftesë.

- Nuk u zgjidh aspak, - i tha Artani. – Si mund të barazohen dy njerëz, kur njëri është zhabë në llumin e moçalit, kurse tjetri shqiponjë në majë të malit ?

Faruku nuk tha asnjë fjalë, veçse me një lëvizje vetëtimthi rrëmbeu ftesën e kryetarit të partisë tjetër, e grisi dy herë dhe e hodhi përtokë, duke vënë edhe këmbën e vet si kapak mbi copat e letrës, që kryetari i partisë kundërshtare të mos ngrihej më.

Edhe Artani, vëllai i Agronit bëri të njëjtën gjë, por me një qetësi prej shenjtori.

Pas kësaj beteje të shpjetë të dy idhtarëve partiakë, emrat e të dy kryetarëve të partive kundërshtare ishin copëtuar dhe ndodheshin përtokë. Dukeshin si dy strategë të mundur.

Nadia, motra e Afërditës, mendoi ta përmirësonte pak situatën e krijuar.

-Le të vijnë të dy, por të vendosen në skajet e ndryshme të sallës së dasmës.

-Aaaa, jo ! - tha Artani. – Kryetari i partisë sonë do të jetë në tavolinën kryesore.

- Kurrën e kurrës !– kundërshtoi Faruku.– Aty do te jetë vetëm kryetari i partisë sonë !

Tani beteja për kryetarët e partive ishte zhvendosur tek vendosja e tyre në tavolinën qendrore të dasmës, edhe pse emrat e tyre ndodheshin të copëtuar përtokë. Beteja për ta vazhdonte, madje edhe më e ashpër se më parë.

Agroni vendosi të ndërhynte përfundimisht, për të hapur shtegun e zgjidhjes së këtij ngërçi politik në ndarjen e ftesave.

-Me sa shikoj, kryetarët e partive, në vend që të na i ndreqin, po na i prishin situatën.

Fjalët e tij ishin benzina që i duhej zjarrit politik në ndarjen e ftesave të dasmës:

-Turp e faqja e zezë ! – i tha Faruku i nxehur dhe u ngrit në këmbë.

-Turp e faqja e zezë për atë dordolecin e partisë tuaj ! – ia pagoi Artani me të njëjtën monedhë, duke u ngritur në këmbë edhe ai.

Ndërkohë vazhdonte edhe debati i ashpër ndërmjet motrës së Agronit, Etlevës dhe motrës së Afërditës, Nadias.

-Mjaft, moj vajzë, se nuk kam nge të merrem me ju dhe me të përdalat e fisit tuaj, - u dëgjuan fjalët e Nadias.

-Leri të përdalat e fisit tonë, po shiko burrin tënd, që t’i ka vënë brirët në majë të kokës dhe tallet gjithë bota me ty, - ia ktheu Etleva.

-Disave jua vë burri brirët, disave jua vënë gratë, - e barazoi rezultatin Nadia.

Po deri këtu, se zhvillimi i shpejtë i ngjarjeve nuk iu la kohë për të zgjidhur problemin e brirëve. Artani me Farukun kishin arritur kulmin në betejën për kryetarët e partive të tyre. Secili shpërfaqte një vendosmëri të admirueshme partiake. Asnjëri nuk i hapte rrugë tjetrit.

Një çast, kur biseda bënte përpjetë me ngut, Artani rrëmbeu fletoren ku ishte shkruar lista e të ftuarve, e bëri copë e çikë dhe e hodhi në koshin e plehrave. U kthye pas, shkeli edhe një herë me këmbë ftesën e grisur me emrin e kryetarit të partisë kundërshtare dhe u nis të dilte.

Faruku mbeti duarbosh dhe kërkonte të rrëmbente ç’t’i zinte dora. Rrëmbeu një stilolaps, por e pa që nuk mund të bënte gjë me të dhe e përplasi përtokë. Për fat i shkuan sytë tek ftesat. I rrëmbeu nga tryeza, duke iu ngulur thonjtë si skifteri zogut dhe u nis drejt derës.

Agroni e ndoqi pas.

-Të lutem shumë, leri ftesat këtu ! Dhe i zgjati dorën.

-Dashke dhe ftesat, ë ? – u ngërdhesh Faruku. – Na, - i tha ! – dhe i grisi në dy pjesë.– Këto do t’i hedh në koshin e mbeturinave.

Dhe i tundi ftesat e grisura, duke i shtrënguar në dorë.

Ceremoninë e ndarjes së ftesave të dasmës e mbylli Mondi, vëllai i Afërditës, duke iu drejtuar Agronit:

- Pika burrit në kokë ! Nuk është i zoti as për të ndarë ftesat e dasmës së djalit të tij !

Etleva, motra e Afërditës, doli e fundit, duke përplasur takat me sa fuqi që kishte.

Comments (2 posted):

Guri Naimit D. on 29/12/2017 19:32:06
avatar
Faleminderit z.Ilaza Bobaj per tregimin;
Me lejo t'iu pershendes me vergezimin:

KAM VDEKUR!

1-Lufoj me veten:

*Prej vitesh lufoj me veten,
psherretij...
Mergimin qe ma serviren pseudot,
pas viteve 90-t
Si une tej oqeaneve prane kufijve,
Genet tona Iliriane,
Njesoj pesojne e perjetojne vuajtet.

2-Femijet qortoj:

**Prej zorit,emigrante femije,thone:
Jemi te kenaqur...
jetojme me djersen e ballit dhe ketu.
si na keni mesuar...
Mos o zemrat e mia ;
jetohet ku ke pire sise!

3-Te mbinatyrshmen besoj!

...Tek shkruaj bije nje daulle...
zeshte muaji ramazanit.
Pashket priten pas tij- bashkejetese
model shqiptar purro.
Shoh gjithcka qe me rrethon
shekull enigma...
A mos nje KRISHT e MUHAMET i Ri
duhet rilinde?!
Nuk jam fetar, vec nje ateist i lindur;
Mbi te natyrshmen besoj.
Njeriun NJERI dhe Shqiperine SHQIPERI
dua te shikoj!

**** Kam vdekyr?!

-Ender kjo per mua intelektualin
e ketij fund shekulli!
Nuk dua te them se kam vdekur jo!
Po thote realiteti
i pa degjuar !
Mos qote e thene;
"Shkurti shkurton udhet...
Marsi mbledh lekuret"

Nga: "Kur Flasin ZEMRAT"

Tirane20 shkurt 2002 Guri Naimit D

Per ju"Fjala e lire"Toronto29-12-2017
Guri Naimit D. on 31/12/2017 23:11:52
avatar
Urim zemre nga tej oqeani
GEZUAR vitin e Ri 2018.
Bashkeatdhetari;
Guri Naimit D.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1