Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | Leksion dhe shkelma*

Leksion dhe shkelma*

Font size: Decrease font Enlarge font
image “MISIONI” i shkrimtarit Vangjush Saro

Leksion dhe shkelma*


(Fragment nga romani “MISIONI” i shkrimtarit Vangjush Saro)


Prej një copë here, atje poshtë, në oborrin e Komisariatit, njëra nga makinat e parkuara nguc e nguc, rrinte ndezur dhe buçiste. Apo ç’të kishte një tym… I zoti, një nga shefat e shtëpisë, vinte rrotull aty pari me celular në vesh dhe as që trazohej fare e s’kishte ndër mend të ndryshonte gjë, po të mos ishte përzjerë në atë punë profesori Ndrio Bedalla. Ky ngriti duart drejt qiellit, sikur do të fliste me Zotin.

Mjerë ne, kë kemi vënë në timon! U kthye një çast nga bashkëvuajtësit. Shikoni, miqtë e mi, shikoni! Mbrojtësit e ligjit dhe të rendit, japin ndihmesë për të shtuar smogun e Tiranës. Atij nuk iu durua dot, hapi dritaren dhe bërtiti pak nervoz:

-O zotëri! Fike makinën! Me ty po flas. Jeton me situatën ti, apo tra-la-la... Ndotja akustike në Tiranë gjatë ditës është rreth 15 decibel më e lartë se norma e lejuar. Ta zë syri smogun apo aq të bën? Ose fike, ose nisu ku ke për të vajtur! 

I zoti i makinës që tymonte, ngriti kryet përpjetë, aq sa për pak i ra përdhe kapelja policore. Hë? Ai bëri një gjest kërcënues. Po nisem për atje lart, mos kij merak. 

U duk si shaka, por tjetri mbërriti vërtet në çast; edhe më ta kapur për bythe profesorin, që këtë herë nuk po gjente ende fjalët, e nxori në korridor dhe fap-fap ia ngjeshi fytyrës ca dacka të mira.    

-Po ç’ke, o i uruar?! Ndotja e ajrit është një nga problemet më serioze në botë. - Profesori më kot zgjatte duart përpara që të mbrohej. - Afërsisht 38.2 miliardë ton dioksid karboni u hodh në ajër vetëm këtë vit nga djegia e lëndëve djegëse fosile, si qymyri dhe nafta… Çfarë bën, o zotëri?!

Ndërkohë, tjetri e shante dhe filloi t’i binte edhe me shkelma. Por profesori vazhdonte gjithë po me atë dinjitet:

-Sipas statistikave të raportit të OBSH-së… ooo!… Shqipëria është ndër 15 vendet me numrin më të lartë të vdekjeve… o zotëri, mjaft qëllove!… nga sëmundjet e shkaktuara për shkak të ndotjes së ajrit të ambientit. Madje… 

Profesori ishte duke treguar se Misioni që ai kryesonte, së shpejti do të merrte patentën për disa lloj monitorimesh. Por bash në këtë kohë, hëngri një tjetër shkelm dhe u përplas te pështymorja në cep të korridorit, duke klithur dhe duke i thënë sërish tjetrit se po gabonte rëndë, sepse, ta dinte këtë miku i tij, Shrëder, në Zvicër, ah more zotëri, oh… ah…

Një leksion këso, nuk kishte pasur rastin ta zhvillonte kurrë më parë profesori i nderuar, që tani kishte përfunduar te pështymorja në cep.


…………………………………………………………………………


* Romani “Misioni” i publikuar këto ditë në Amazon. com. përcjell në publik një rrëfim sa për të qeshur, aq edhe trishtues; është njëlloj parodie, që përpiqet të përballojë pikëpyetjet e shumta të shtruara gjithkund në botën dhe jetën e sotme. Rob i konstatimeve dhe përjetimeve të dhimbshme për plagët mjedisore e shoqërore në rritje, si dhe për robotizimin e jetës, profesori në pension Ndrio Bedalla vendos të ndërmarrë një MISION: ëndrra e tij, dëshira e tij fatale, është ta ndryshojë dhe ta shpëtojë vendin, por edhe Rajonin e Rruzullin tokësor. “Misioni” është një roman plot humor dhe episode të këndshme; ai e tërheq, mandej e zbavit dhe e vë në mendime lexuesin; për një sërë pyetje, që edhe ai i ka në mendje kaherë. Çfarë zgjidhin e shpjegojnë këto aventura e meditime nga lëmshi i ngatërruar i të sotmes, lexuesi mund ta gjejë në kapitujt e tjerë të librit.

Vangjush Saro është autori i romanit humoristik “Kurora e Ballkanit”. Ai ka publikuar gjithashtu një sërë libra me fabula, tregime e novela, për të rritur e për fëmijë, si dhe disa skenarë për filma artistikë, dokumentarë e vizatimorë. Njëherësh, vazhdon të japë ndihmesën e tij edhe në publicistikë. Autori mban dy çmime kombëtare, ndërkohë që një pjesë e krijimtarisë së tij është përkthyer edhe në gjuhë të huaja. 

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
4.50
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1