Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | Kjo ditë me shi

Kjo ditë me shi

Font size: Decrease font Enlarge font
image Përparim Hysi

Kjo ditë me shi  
                   (tregim)


Nga  Përparim    Hysi



        Shkollën, nga shtëpia ku rriinim me dy kolegë të mi, e kishim gati dyzet minuta larg. Gjithmonë gjumin e kam patur si gjumëlepuri dhe, ngaqë u ngrita më heret se dy kolegët  e mi, dola para tyre. Aty, sa dola nga dera e dhomës, takoj xha Zarikun që qe roje e atij objekti- dikur pikë-hapjeje nga ato të ushtrisë dhe tani edhe fjetore për ne, jabanxhinjtë,edhe si aneks i një stalle a depo për kooperativën.
-Hë, dole,- foli ai. Dhaskal e di atë meselenë e shiut tia apo jo?- pyeti ai dhe, kur e pa që ngrita supet, më tha:
-Digjoja atë "fiçorrin tim" (është fjala për të birin,nxënës imi), kur thoshte duke brritur: jo ujti  avullon kështu, jo po piklat e ujtit ashtu.
Dhaskal, digjo këtë xhixhan këtu, dhe vëre si vëth në vesh:
Që thuaj ti, or dhaskalxhani,  tërë binaja mbi dhetë dhe nën dhetë, bëhet me ymër të Zotit. Dhe unë më duket se vërvis popla kot, se nuk më rrihet. Ti dhe një sërë si puna juaj që nuk besoni në Zot, prokopinë e breshkës kini për të bërë,se Zoti i sheh të tëra: sa je axhami, të fal. Po të fal, or tynjatjeta, se Zoti është mëshirëmadh, por të bëhesh me skollë si puna jote dhe të vërvisësh pleshta kundër Zotit, aha, më nuk mban ujë pilafi,de.Por që ta paç fjalën tek shiu, pasi shkelen retë dhe mbarsen, tak- fap dhe pjellin shiun. Është mbarësi shiu, ndaj e dërgon Zoti. Se kështu e gjykon ai, atje, lart. I bën me konak gjërat Zoti, jo si ne, njerëzit, rrëmujë. Po ja, mor dhaskalxhani, jotëmë të mbajti tyja 9- muaj në  barkut, por lopa do 12 muaj, delja  5 muaj, kurse shiu,ëhë, gjeçim ishalla: u mbarsti reja dhe  bëri "viçin e sajta".
-Pse qesh, dhaskal? Hyri vjeshta dhe fillon"shkelja e reve". Hë më paç uratën  dhe mos digjoj përrallëza unë,jo pikëlat kështu dhe jo  ashtu. Me këto  porosi të  xha Zarikut u nisa për shkollë.
                                                         *       *       *  
Të tëra këto m'u kujtuan sot,kur Tiranën dhe tërë vendin e ka mbytur shiu. Por jo vetëm nga xha Zariku, ai roja i stallës në  një fshat të largët në zonën e Libofshës. Ky fshati ku qe roje xha Zariku quhet Hasturkas dhe më tej,deri në det (deti është nja dyorë në këmbë), nuk ka asnjë shtëpi për be. Vetëm buzëdeti ka qenë ngritur kisha e SHËN MARISË, ku banorët bënin dikur pelegrinazh (me sa më kujtohet më 15-gusht).  Për të qenë më afër lexuesëve që lundrojnë nëpër internet, sot atje janë rrënojat e kishës dhe, pikërisht në atë territor, një "alien fantazëm i ditëve tona", një lloj princi, siç janë të gjithë fantazmat, pretendon të ngrejë një"principatë" e plot dokrra të tjera. Nëse bëra gjithë këtë"digresion të gjatë" për një ditë me shi, tregimi im është krejt tjetër. Është i lidhur me shiun dhe ndaj pranëvura porositë e xha Zarikut.
                                                             *     *     *  
Tregimi im ka të bëjë  me  Sollin. Solli vërtet që banon në fshat,por i ruhet punës,ashtu siç i ruhet delja gërshërës. Aha,- i jep dum Solli vetes,- të ishte e mirë puna, punonte dhe mbreti. Dhe,ndërsa shokët e tij,por qoftë dhe familjarët e tij shkojnë në punë, Solli në krevat: sa bie në një krah e kthehet në krah tjetër.
Ti, Vara,- i thotë të shoqes,- çapu në punë dhe thuaju atyre, brigadierit po se po,por dhe më tej:- Nuk luan nga shtresat Solli im,se  e griu një reumatizëm.
Dhe shkonte Vara e shkretë dhe punonte sa për dy; se ia kish pirë lëngun të shoqit. Sado që"haberin" për sëmundjen e të shoqit, e thoshte duke u skuqur, sikur të kishte bërë faj, e dinte mirë që të gjithë e njihnin "reumatizmën" e Sollit.
Po ja që një ditë, retë   mend u ulën përdhe dhe vërshoi një shi  i rëndë,sa thoshe se do bëhej kiameti. Në këto"ditë të kiametitt", të gjithë futeshin nën strehë dhe,sado që nuk punonin, merrni 80% të pagës ditore. Vara hodhi një thes mbi kokë dhe nxitoi të bashkohej me shoqet për të zënë ndonjë strehë, andej nga  stallat,për të marrë atë ditëpune prej 80%. 
Sa ishin strehuar të gjithë  të brigadës dhe bënë sehir detin që vërshonte nga lart, kur shohin dikë me lopatë mbi kurriz që dha ballë para tyre.

Po ky, është Solli,- bërtiti një shpotitës  i ri. Dhe, ndërsa të tërë hodhën sytë nga ardhësi, Varës iu bë  sikur u ça toka dhe donte të hynte brenda. Po ku dëgjonte   Solli nga ai vesh? Ai, sikur të luante teatër me ata nën strehë, hoqi lopatën nga supi dhe pa ia bërë tërr syri nga shiu, u kthye ballas nga "sehirësit" dhe tha:-Ah, moj e shkretë kohë që na le batall!! Ja, do Solli, sado i sëmurë, që të punoj,po të lë koha? Aha, shokni, po nuk deshi Zoti, nuk ka se çfarë bën ropi!

Sehirësit ia dhanë të qeshurit dhe një bashkëmoshatar,ashtu "qeshur me të ngjeshur", ia pati:- Po, hajde këtu me shokët,o Solii, se je dhe me "mahana" dhe do  marrësh plevitë.
-Po rri, o Ndini,- ia priti Solli,se vërtet ashtu  është më griu ajo qene reumatizëm, por dhe pa punë nuk rrohet,de. Se ja, ta zëmë  që qy qamet, do të vazhdojë,çfarë thuaj ti. të rrimë strehëve? Aha,Solli nuk e ha dot atë koqez ulliri. Le të vdes më mirë,se më hanë duartë për punë muana!!!
Tani e qeshura e mbyti shiun dhe Solli,ashtu si zvarrë- zvarrë, u fut me shokët. U shtrua mirë e mirë me muhabet dhe,pasi u sigurua që dhe emri i tij u shënua në listën e pagës, shpiku një si kollë dhe u tha shokëve:- Do Solli, po nuk do Zoti dhe pa iu bërë vonë nga shpotia e shokëve, zvarrë- zvarrë me lopatën mbi sup, i thirri të shoqes:- O burra se po nuk ndërrova rrobat,e zura spital.
Vara, tërë turp, i ra pas dhe, kur u larguan nga sytë e njerëzve, i tha:- Po ç'qe ajo korroqyqe që bëre?
-Epo ashtu m'i donte mushka drutë, muana. Se që ta dish, tija,qelepiri është i ëmbël. Dhe në ka Zot,det e qamet e të mbysë dynjanë se vetëm kështu "shërohet" dhe Solli...

                             Tiranë, 30 nëntor 2017

Comments (1 posted):

bashkim saliasi on 30/11/2017 18:55:17
avatar
Te pershendes Papi. Nje tregim qe flete. Nje tregim qe ka jete. Po nga ma kujtove mor Papi se edhe une nje vit kur mbarova te mesmen me çuan ne Nishice ne stazh, gjashte muaj dhe aty prane kisha nje plak qe rrinte roje, po kur televizor jepte ndonje oper ai rrinte gjithe naten zgjuar dhe me fliste mua. he mesues e pe sa bukur. etj. kur mbarova te larten perseri shkoja e vija ne shtepi nje ore e gjysem large se sapo isha martuar dhe ky shiu qe tregon ti i nderuar Papi me ndiqte pas dite perdite ne muajit e ftohete. E di sa larg eshte dobrusha me therepelin. Duke lexuar tregimin tende me erdhen ne mendje shume subjekte edhe si ai solli. Urime per tregimin Papi dhe respekte.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1