Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | FOTOGRAFI

FOTOGRAFI

Font size: Decrease font Enlarge font
image SHPENDI TOPOLLAJ

 

 

 

Tregim 

 

 

 

 

   Atë ditë, të tre ne pensionistët, ishim si të mërzitur. Gjerbnim kafetë dhe s`flisnim. Ndërkohë erdhi Feriti dhe gjithçka ndryshoi:

- Po ju - ia nisi ai - Ç`keni sot kështu?  Ç`më rrini sikur u ka ngrënë gomari bukën?

Ne sikur u kthjelluam. 

- Po ja, edhe muhabetet na janë mbaruar. - foli Aleksi dhe hapi gazetën që ishte mbi tavolinë.

- Ç`thotë ajo? - pyeti Fredi. - Ka ndonjë të re?

Aleksi i hodhi një sy titujve. Pastaj lexoi me zë, që ta dëgjonim edhe ne të tjerët.

- “Qëndrimi prej inkuizitori i E. Hoxhës ndaj fesë.” Artikull nga profesor Njaziu.

- Njazi Dylberi? - pyeta unë që deri tani nuk isha ndierë.

- Po. Pikërisht ai.

- Po ai nuk ka lënë gjë pa thënë rreth mendimit të “ndritur” të Partisë së Punës për shpartallimin e dogmave dhe praktikave fetare.

- Ama edhe ai ka të drejtë të ndryshojë, si gjithë të tjerët. - kërceu Feriti që shtoi: “Vetëm të vdekurit dhe budallenjtë nuk i ndryshojnë mendimet”, ka thënë një i mençur.

- Ore, dakort, nuk të kundërshtoj - fola unë përsëri - por ka disa norma dreqi e mori. Disa skrupuj. Ai me luftën kundër fesë e mori titullin. Tani sikur nuk shkon kjo punë. Këto kthesat 180 gradë, janë pak të pabesueshme.

- E çfarë nuk dëgjojmë tani - u hodh Fredi i gjallëruar. Ke parë ti? Ata që shanin Fishtën me artikuj shumë të rreptë, tani mbajnë fjalime mbushur me lëvdata për të. Ka qenë patriot i madh, deklarojnë. Dhe harrojnë se jo shumë kohë më parë e shpallnin tradhtarin më të madh të kombit.

- Se mos vetëm Fishtën.

- Ore! historia do vejë vend se s`bën. Por nuk kanë të drejtën morale t`a ndreqin po ata që e falsifikuan deri në shëmtim.

- Kjo po bëhet modë. Ç`e vrisni mendjen - shtoi Aleksi nga ana e tij. - Ka plot që duan të përfitojnë në çdo kohë.  

- Mirë or mirë, po njeriu duhet të tregojë edhe pak dinjitet. Ca më shumë intelektuali. Ose të paktën thuaje qysh në fillim se dikur kam bërë një gabim të madh, por tani…

- E dini sesi më ka ngjarë një herë? - e mori fjalën Aleksi që deri pak kohë më parë kishte qenë drejtor i një institucioni kulturor. - Kur ishim në maturë, aty nga viti 1960, na çuan për të vizituar, si punë ekskursioni, uzinën e Ballshit.”

Hipëm mbi dy kamjona “Zis” dhe u nisëm duke kënduar gjithë rrugës. Koha ishte e keqe, por ne qemë të rinj e nuk e ndienim të ftohtit. Kur mbërritëm atje, hymë në uzinë dhe siç e kanë të rinjtë, flisnim me zë të lartë dhe qeshnim vend e pavend. Kujdestari, duke menduar se mos punëtorët na e merrnin për keq, na tha vetëm një herë: “Djema kujdes!” Dhe vetëm kaq. Vizituam uzinën, ku na shoqëronte dhe shpjegonte një përgjegjës turni, dhe pasi hëngrëm diku, në një si kodër, drekën që kishim marrë qysh nga shtëpia, u kthyem. Përsëri duke kënduar e duke ngacmuar njeri - tjetrin. Të nesërmen na mbledhin të dy klasat dhe drejtori i shkollës me sekretaren e Partisë, të nevrikosur, pasi i erdhën ashtu rrotull, na kërkuan shpjegime mbi qëndrimin tonë atje, pasi ne paskeshim manifestuar shfaqje të huaja, përbuzje për punën e nderuar të klasës punëtore dhe se kishim thënë, gjë që s`ishte fare e vërtetë, se si bëjnë këta të gjorët, mes kësaj balte. Atje baltë kishte dhe ndofta ndokush do ta ketë përmendur. Fjala vjen “Ec mirë, se na bëre me baltë” dhe asgjë me qëllim. Mirëpo hajde t`i mbushje mendjen asaj mësueses së punës me dru, sekretares që ishte dhe e pa martuar. Keni koncepte borgjezo - revizjoniste e ku di unë, shkumbëzonte e tërbuar ajo. Na keni turpëruar shkollën që e kemi pasur në pararojë etj. përralla si këto. Ne s`po kuptonin se ku donin të dilnin. Kur pyetëm se ç`kërkonin nga ne, përsëri sekretarja e nxirë në fytyrë, na tha se donin të dinin emrat e atyre që kishin thënë këto fjalë. Ne nuk kishim se ç`të tregonim, po edhe sikur, nuk do spiunonim shokët. Si e panë se kjo ishte punë që s`bëhet, të nesërmen na sollën një ekip nga lart. Ata u treguan më me takt dhe mua që isha edhe sekretar i rinisë së klasës time, më tërhoqi mënjanë një burrë i pashëm, të cilin unë e kisha dëgjuar se herë pas here botonte fotografi artistike nëpër gazetat e kohës. Ai merrej me edukimin në Komitetin e Partisë, ku si duket ishte instruktor dhe ashtu si rrotull e rrotull, më tha se “Ju jeni të rinj dhe nuk është se bëni ndonjë gjë me qëllim. Edhe ne kemi gabuar në moshën tuaj. Por Partia do ta dijë të vërtetën. Se kështu edhe ju lehtësoheni edhe ajo fle e qetë.” “Më vjen keq - i thashë - po unë duhet të gënjej që të flejë e qetë Partia? Ajo nuk na edukon që të themi të pa vërteta. Besoj se edhe ju këtë bindje keni.” “ Mirë or mirë, po ti ke përgjegjësi për sa ka ngjarë, pasi ke dhe një detyrë të rëndësishme. Do merren masa të rrepta për të gjithë në qoftë se vazhdoni të mbroni këta tipa. Ky është faj kolektiv dhe po kështu do ndëshkohet.” S`kisha ç`ti thoshja, veçse të prisja së bashku me të tjerët, për të parë se deri ku do shkonte inati i tyre. Ata, pa e zgjatur shumë mblodhën Këshillin Pedagogjik dhe vendosën atë që deri atëherë, as ishte parë dhe as ishte dëgjuar: maturantëve të të dy klasave tona, t`u thyhet nota e sjelljes. Vajzat nisën të qanin, kurse ne djemve sepse na kapi një e qeshur.

Kjo ishte punë me shumë zarar, pasi sido që t`i kishe notat e tjera, me notën e sjelljes të thyer, përsërisje klasën. Hej, ç`kemi hequr nëpër familje. Ata u shqetësuan aq shumë sa nuk e merrni dot me mend. Kot nuk e kanë marrë atë masë. Na turpëruat more faqezinj. Mor vagabondë. E çfarë nuk na thanë. Por si duket, aty nga fundi i vitit shkollor, i vunë gishtin kokës dhe ashtu siç na ndëshkuan, ashtu dhe bënë një mbledhje ku na e hoqën dënimin. E zgjata pak, por dua të dal tek ajo që e nisëm. Shumë vite më pas, kur unë isha drejtor, më vjen ai fotografi, tani pensionist dhe më kërkon që në njerën nga sallat e institucionit t`i jepja mundësinë që të çelte ekspozitën fotografike me motive nga lufta për demokraci. E pashë që nuk më mbante mend dhe kjo qe normale. Pa tjetër, i thashë dhe urdhërova punonjësit që ta ndihmonin. Kur të gjitha fotot u vendosën, ai erdhi dhe më tha se kishte dëshirë që ta shihja edhe unë, pasi ndofta mund të kisha ndonjë vrejtje a sugjerim. Zbritëm të dy dhe të them të drejtën ajo qe një ekspozitë mjaft e arrirë, pasi ai ishte mjeshtër i fotografisë artistike. Aty nga fundi u ndala pak më gjatë te një fotografi bardhë e zi me përmasa të mëdha. Tre fëmijë, gjysmë të rreckosur dhe të pakrehur, qëndronin të përhumbur pas një gardhi dhe kishin tretur shikimin diku, në një pikë të papërcaktuar. U shtanga, se për mua ajo qe fotografi e njohur, pasi vite më parë qe botuar në një kopertinë reviste me diçiturën: “Me sytë nga e ardhmja.” Kurse tani, po ajo ishte, por autori e kishte titulluar tjetërsoj. Lexova: “Frikë nga diktatura.” Po ky, pyeta veten, në këtë moshë, përse duhet të veprojë kështu? Çfarë synon të arrijë me këtë? Ky nuk ka nevojë të fitojë besimin e askujt, se nuk i duhet gjë. Dhe nuk e mbajta dot të qeshurën. Ai i befasuar më pyeti: “Ç`ka për të qeshur drejtor?” Unë butë dhe si me shaka iu përgjigja: “Ka shumë për të qeshur profesor. Për një qeshje të tillë, dikur na keni thyer dy klasave bashkë notat në sjellje, pas vizitës që bëmë në një uzinë me baltë. Kurse tani, duhet t`ua thyej unë notën në moral, pasi keni vendosur të ekspozoni me tjetër titull, këtë foton e bukur të këtyre fëmijëve që dikur shihnin nga e ardhmja plot shpresë e optimizëm dhe tani del se paskan pasur tjetër mendje, paskan urryer diktaturën.” Ai mbeti ngushtë dhe tha: “Ke të drejtë, duhet hequr. Pse ti ke qenë te shkolla?.. Kemi bërë edhe ne gabime.” I hodha dorën në sup dhe përsëri miqësisht i thashë “Errare humanum est, perseverare autem diabolicum.” Eja të shkojmë të pimë një kafe te klubi poshtë.”  

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1