Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | KATËR KOSTUMET DHE PARDESYJA

KATËR KOSTUMET DHE PARDESYJA

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vasil Vasili

  tregim
 
 
       
             Në njëzetë e katër orë, unë përdor katër kostume. Në mëngjes, vesh kostumin e kaltër prej doku dhe peliçen e kaltër prej pambuku. Atë e mbaj, gjithë-gjithë, një orë veshur. Gjysëm ore kostumi udhëton bashkë me trupin tim në autobus. Fërkohet, rrudhoset pas ndënjseve, gjersa zbret në sheshin e sektorit. Ka shumë gjasa, që atje të spërkatet me cërka llurbe.
            Endet për gjysëm ore nëpër objektet e sektorit. Te banaku i mensës, ai nxjerr ca lekë nga xhepat e ftohtë, pëllëmbët i mbajnë ca minuta, gjersa lekët shndërohen në një letër të shkruar me shkrim të shpejtë si pëndë zogjësh të hallakatura nga era, nga një vajzë me sy të përgjumur. Kostumi kthehet mbrapsh dhe shpejton hapat nëpër sallën ku tringëllijnë lugë dhe pirunë nëpër pjata e dhëmbë dhe, ndalon te sporteli i mensës. Aty kostumi pret gjersa i vjen rradha. Ia lë gjellëbërësit në dorën e squllët  fletën e shkruar, pret gjersa duart e squllta, i sjellin dy pjata me gjellë dhe një copë bukë. Kostumi, përsëri kthehet në sallë, gjen vend pranë një tryeze me mbetje ushqimi, nga e cila, porsa janë ngritur ca kostume të kaltër.
         Nga dera e mensës ka dalë me një sharje në buzë, më mirë në ajër, se fjalët kanë nisur tragën nëpër ajër, janë endur atje, gjersa i ka tretur zbrazëtia e madhe. Fjalët kishin prekur disa kostume të tjera, po ato të mësuara me sharje të tilla me duf dhe të ndyra, vijuan rrugën në rrjedhën e paracaktuar. Kostumi i kaltër eci drejt llambisterisë. Atje la markën me numër 86 dhe mori llambën me numër 86. E provoi llambën dhe, pasi u sigurua, që ajo ishte e rregullt, u largua nga llambisteria.
          Në hapat e parë e prek një rreze dielli. Ai turbullohet në ndjesi të çuditshme, që i vijnë nga mosditja, se tani është... pranverë dhe, pranvera ka dëshirë, ka trrill të lozë me kostumin.
         Ai, në mes të rrugës, kërkon t’i kthejë grishjen pranverës. Por... më mirë... më i lirë do jem pas pune. Prandaj e kap me dorë rrezen, e palos shpejt e shpejtë dhe e fut në xhepin e peliçes së kaltër, të pambuktë (Ai beson se çdo detaj i natyrës është i përdorshëm). Do ta nxjerri pas pune. Minutat që vijnë, janë të fundit për kostumin e kaltër. Pas pak kohe, mbushet një orë dhe, kostumi duhet të qëndrojë i varrur në teshatore.
        Nga teshatorja del kostumi numur dy i ditës. Dhe ai, ca muaj më parë, ka qenë një kostum doku i kaltër, që udhëtonte në autobus, gjersa një ditë... iu ndalua kënaqësia e udhëtimit. Tani, kostumi i kaltër prej doku, është shndëruar në një kostum të zi prej doku, zhgërryer  nga qymyri, djersa dhe llurba. Vetëm kujtesa, që është e pastër, e ruan të kaltër. Kostumi i zi prej doku ka dy arna të mëdha në të prapmet e pantallonave dhe, po dy arna, në gjunjë. Me atë kostum unë ngjaj si punëtor... Pastaj kostumi kujtohet, që duhet të shpejtojë. Zbret shkallët duke shpërndarë një duhmë djerse të fortë, të marrë nga trupi në punë. Kur arrin te soba e ndalon dëshira natyrale për t’u ngrohur, por rreth sobës janë qerrthulluar shumë kostume të zinj doku dhe, s’ka asnjë të çarë mes tyre për t’ju afruar. Pak më tej është dera. Dhe ai del nga dera. Në një vend të dukshëm është varur një parrullë e madhe. Dhe të mos kesh dëshirë, ajo është aq e madhe, sa sytë e kostumit e kanë të detyruar ta shikojnë: - SHOKË MINATORË, NJË MUNGESË PA ARSYE JU KUSHTON 30 LEKË, NDËRSA SHTETIT 300 LEKË.- Ajo thotë... atë që i dhemb kostumit në zemër. Ai edhe të mos e shikojë me sy, e ka atje ku i dhemb. Kostumi s’është nga ata që bëjnë mungesa... e ka mirë... me... veten...
        Në sallë, u ul dhe priti të dëgjonte emrin e tij nga përgjegjësi i punës. Pas pak, kostumi iu përgjigj atij, - këtu.
        Mori detyrën dhe doli nga dera e sallës dhe u fut në derën e nëntokës, nëpër errësirë. Ndezi llampën dhe, shap-shup... ecte  nëpër llurbën e galerisë, gjersa arriti në frontin e tij. U ngjit lartë, këmbadoras dhe, filloi punën, tetë orë. Atë ditë, kostumi u gris te gjunjët dhe shumë në të prapmet. Nesër, duhet patjetër, të merrte gjilpërë dhe pe. Pe të çfardo ngjyre, veçse të fortë, që të mos të këputej shpejt nga zhgërryerjet e kostumit në frontin e punës.
   
             Te dera e nëntokës, në dalje, kostumi kujtoi se i kishin kaluar tetë orë të jetës në nëntokë. Kështu kishte thënë edhe dje, edhe para tre vjetësh, edhe para shtatëmbëdhjetë vjetësh, në ditën e parë të fillimit të punës. Kostumi bëri një llogari. Një llogari, që me mbledhje, tetë dhe tetë dhe tetë..., i donte shumë kohë. Llogaria i doli 42.160 orë të jetës nëntokë. Kishte edhe...
             Kur doli në sipërfaqe të tokës, dielli kishte ikur qyshkur. Asnjë gjurmë e tij s’dukej. Thuajse s’kishte patur kurrë diell mbi tokë. Ndërsa atje poshtë... nën tokë, llambat e kostumeve të zeza prej doku, të varura në varset e kasketave prej kauçuku, ngjanin si miza të ndriçuara nga një smundje e verdhë.
             Zhveshi kostumin e zi prej doku, të shqyer pak në gjunjë dhe shumë në të prapmet, e vari në kokat e gozhdëve të teshatores, mori kostumin e kaltër prej doku dhe peliçen e kaltër prej pambuku, peshqirin dhe sapunin dhe u nis zbathur te dushi. Shputat e këmbëve ia ndjenë shpejt  ftohtësinë e çimentos dhe, e kujtuan se drupunuesi kishte pesë vjet, që po e nanuriste për një palë heqla të drunjta. Dhe ai, në këtë gënjeshtër, kishte pjesën e tij. Kishte pesë vjet që i thoshte vehtes, do gjej dy ripa për heqlat, që t’ia shpie drupunuesit, që drupunuesi t’i mbërthejë në heqla, që të mos ecin shputat në dyshemenë prej çimentoje.
          Një rymë e ngrohtë uji i ra mbi trup. Pas pak u shkumua dhe, shkuma binte copa-copa, e pistë, e zezë. Pështyu aq herë, sa nga goja s’i doli më pështymë e përzierë me qymyr. Shfryu hundët, aq herë sa nga vrimat e tyre, s’dolën më kakëza me qymyr. Me mollzën e pulqerit, kruajti cepat e syve nga ashkëlat e qymyrit gjersa... ndjeu frikën, se mos i ikte autobuzi dhe e linte në sektor, në atë gropë mes malesh. U fshi shpejt dhe fort, megjithëse e dinte, që qymyri i kishte mbetur në qimet e ashpra të mjekrës, në gropat e veshëve dhe në gushë. Peshqiri, kurrë s’e kishte fshirë plotësisht. Megjithse kjo s’përbënte gjë të madhe.
          Veshi kostumin e kaltër prej doku dhe peliçen e kaltër prej pambuku. Me këtë kostum do të udhëtonte gjysëm ore, po në të njëjtën rrugë, veçse minierën e kishte pas shpine...
        
          Në shtëpi, gruaja e kujtoi se s’ishte blerë buka dhe zarzavatet. Duke pirë kafe, pati dëshirë të kotej në shtrat, të flinte. Të flinte deri të nesërmen në mëngjes me kostumin e kaltër prej doku dhe me peliçen e kaltër prej pambuku, një gjumë të pambuktë... E preku gruaja me duar të lagura dhe u ngrit vrik. Zhveshi kostumin prej doku dhe, peliçen prej pambuku e vari pas derës së banjës dhe u vesh me kostumin kafe prej stofi. Nën kostum ishte këmisha e bardhë. Ngjyra e bardhë e këmishës, ia zbuti lodhjen, e këndelli në ca ndjenja të habitshme jete. Ajo i kishte shpëlarë nga truri ngjyrën e kostumit të zi prej doku. Shkallët e pallatit i zbriti i lehtë. Në shpirt i endej një ajër me shkëndija si i futur nga këmisha e bardhë.
       Te shitorja e perimeve priti, gjersa i erdhi rradha, por s’e ndjeu kohën si kishte rrjedhur dhe se ishte gjendur përballë me shitësen llafazane, që po e shikonte këtë guak.
       Ej, ti me kostum kafe, ç’do blesh?
       Kostumi kafe foli:- Presh. Dhe tjetër,-tha shitësja.- Dhe një vazo turshi kastravecësh,-tha kostumi kafe.- Dhe tjetër, tha shitësja. – Dhe një mungesë pa arsye... Paske ikur, mor i shkretë. Dhe qeshën të tjerët me shpirt.
       Te shitorja e bukës, bleu një bukë të rrumbullaktë dhe, kostumi i kaftë u nis për në shtëpi. Zhveshi kostumin kafe prej stofi dhe këmishën e bardhë. Kur zhveshi këmishën e bardhë, ndjeu dhimbje në shpirt. E vari në varëse, ndërsa vështrimi i kalonte i butë, me pekuli mbi këmishë. Kur e mbylli teshatoren, u kujtua se atje brenda ishte errësirë... Dhe errësirën e kishte krijuar ai, kur mbylli flegrat. Në errësirë ishte këmisha e bardhë, me të cilën ai e kishte ndjerë vehten... kishte frikë t’ia thoshte vehtes. Për dy orë sot, ai e kishte ndjerë veten... oh! sa e dhimbshme është t’a thuash.
 
         Veshi kostumin e katërt me vija, për gjumë. Vijat zbrisnin poshtë, gjer te shputat. Vijat ngjiteshin lart, gjer te qafa. Vijat ishin nëpër trup. Me ato do ta zinte gjumi. Erdhi gruaja në shtrat, pranë kostumit me vija. Mbi nënkresje u shpërndanë flokët, por kostumi nuk i pa. Një ajër i lehtë femre mbështolli shtratin. Ndërsa kostumi me vija flinte me dhimbjen e parrullës në shpirt,- Një mungesë pa arsye...
 
          Pa në ëndërr edhe pardesynë e hirtë, që e kishte qepur shtatëmbëdhjetë vjet më parë, pak muaj pasi kishte filluar punën. Atëherë kishte blerë edhe kostumin kafe, të cilin e kishte kthyer te rrobaqepësi. Gjithsesi, ai i shkonte mirë në shtat. Por duhej kthyer edhe pardesyja, se edhe ajo ishte vjetëruar, dalëboje. Kishte disa ditë që s’e vishte pardesynë, se kishte ardhur pranvera. Kishte ardhur pranvera dhe, ai kishte kapur një rreze dielli, e kishte palosur dhe e kishte futur në xhep të peliçes së kaltër të pambuktë. Do të lozte me ’të, kur të dilte nga nëntoka. Po kishte dalë me vonesë dhe mund ta linte autobuzi, po të mos nxitonte, domethënë po të mos e harronte rrezen e diellit. Para se të flinte, kostumi me vija e kishte lënë pardesynë prapa derës së banjës, që ta lante të nesërmen gruaja me pluhur larës të fortë, se kishte marrë ca blana gjatë dimërave. Ndërsa gruaja i afrohej kostumit me vija dhe u puthit e tëra pas tij. Dora e saj rrëshqiti poshtë kostumit me vija, në nënbarkth dhe filloi të lozte me lodrën mashkullore.
        Kostumi me vija, shikonte në atë çast, ëndrrën me pardesynë e hirtë. Kur kishte ikur për në punë, në mëngjes herët, kishte nxjerrë nga xhepi i peliçes rrezen e diellit të palosur dhe e kishte futur në xhepin e pardesysë së hirtë. Ditën rrezja qe ndezur dhe e kishte djegur pardesynë. Gruaja loste... me lodrën mashkullore të burrit, ndërsa pardësyja digjej.
 
 
       Memaliaj 26.03.1993

Comments (7 posted):

XINGOGRAFIA on 07/11/2017 07:41:06
avatar
Dhimbje, dhimbje, dhimbje dhe kur mbaron ky tregimi, tejet i veçantë në llojin e vet, sytë e lexuesit, njomen. Urime! Po i vendos të pesë yjet. Katër për çdo kostum dhe një për autorin.
xing.
Noke on 07/11/2017 11:04:15
avatar
Dy-tri pena të shquara më solli ndërmend tregimi, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë i njësuar me kostumet e ditës. E lexova për të mos e harruar kurrë. Duke mos pasur fytyrë njerëzore në asnjë rresht, pashë gjithë fytrrat e qymurnxjerrësve, të bitumshkrirësve, të fshesaxhinjëve, biqve apo barinjve të cilëve, rrezja e dritës I DJEG pa u bërë e tyre. Nuk më habit ç'ke parë e filmuar para vitit '93, por profecia e "djegjes" prej atij viti e në vazhdim është vërtet prej poeti, siç e shihte poetin-profet Pushkini apo korifejtë pas tij. E shkruar si nga Vasil Vasili.
Resmi Osmani on 07/11/2017 18:49:49
avatar
S"para na rasdtis te lexojme krijime te tilla.Gjetje origjinale, per pune skllavi dhe jete mjerane te dhimbshme.Nje metafore dhe metamorfoze shndrrimesh funksionale te veprimeve jetesore egzistenciale te individit, thjesht fizike, e nje parade dit-netesh absurde, por qe sido sfilitese, nuk prek subkoshiencen,unin subjektiv te individit, shpresen per te nesermen, me pranveren, ate rrezen e palosur te diellit qe djeg pardesyne
mjerane te varferise.
Te pese yjet t'i dha Xingografia, mua me mbetet te te jap urimet.
Faruk Myrtaj on 08/11/2017 03:05:36
avatar
Eh...
mbase nuk eshte aq e stisur kur thuhet se ndodh qe subjekti e sundon penen, e zhvesh nga ornamentet e bukurimet e jashtme- qe edhe ato kane vendin e tyre, e shfaq xehen sic eshte, te teren, nuckle-in, berthamen rrezatuese qe ta merr frymen me driten qe iluminon, me mjeshtrin dorezuar perballe sinqeritetit te Jetes Sic.
Arti madherohet prej jetes se perjetuar pothuaj filozofikisht, pa asnje fije filozofimi te drejteperdrejte te qellimte...

Mu be se udhetova ne kodrat e Memaliajt (...ne Selenice s'kish autobuza, do hidhet Nokja) i ringjita, edhe nje here e serish ato kodra ku sapo fillova te ujdisja nje zyre, ku kembeva nje dialog te perjetshem me teknikun markshajder, Sotirin/Çotin, ndjese paste, dhe ma njomi syrin thjeshtesia gati engjellore e heroit te si e Bert Strokes...)
Por ishte Njeriu, thjesht Njeriu, te cilit nuk i ve dot emer, dhe as e vendos dot ne kohe...

Vason vete, e risolla ndersy e ndermend, si ate te perpara pothuaj tridhjete vjeteve- uau, sa shume ujra kane rrjedhur! sa te vjeter qenkemi apo sa te rinj paskemi mundur te mbetemi?! Por, por...jo prej rreshtit te fundit te tregimit?!!!-

Ishte nje kenaqesi vertete e plote...
Yjet m'i kujtoi Xingografia, une kurre nuk e verej as kurre nuk i perdor, pervec kesaj here...!
Vangjush Ziko on 09/11/2017 04:29:40
avatar
Tregimi i Vasilit, përveç brendisë realiste dhe emocioneve njerëzore, më tërhoqi për kompozicionin e tij të veçantë dhe funksional.
Ky kompozicion konsiston në alternimin progresiv të ngjrjave që përbëjnë çastet e një dite njerëzore, të cilat i bashkon jeta në punë (jetë skllavi), ajo pas pune në mjedise urbane (e hutuar) dhe jeta intime familjare (“përvëluese” nga ëndrra e lirisë personale), të cilat të marra së bashku krijojnë harmoninë midis tekstit letrar,ndërgjegjes së autorit dhe realitetit. Ky gërshetim përcakton edhe stilin e tregimit me ngjyrime dramatike, ironike dhe lirike.
Pra, mbi të gjitha, ky kompozicion na i përcjell bukur vlerat artistike dhe estetike bashkë me mesazhin e autorit.
Vasil Vasili on 09/11/2017 11:06:55
avatar
Falemnderit të gjithëve që shprehët mendim për tregimin. Falemnderit dhe atyre që mund ta kenë lexuar.

Në atë sektor, ku unë kalova 42,160 orë të jetës nëntokë, në Sektorin 250 dhe Pusi 2, kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre edhe Sadik Bejko,Ilirian Zhupa,Faruk Myrtaj, Luan Meta, Arben Duka, gjuhëtari Valter Memishaj.
Në Sektorët e tjerë të Minerës së Memaliajt ka punuar edhe poeti Çerçiz Myftari, aktori Medin Malkaj, sudiuesit Miho Gjini dhe Anastas Kapurani dhe të tjerë që s'më kujtohen.
Si qënka jeta!

Me mirënjohje, Vasili
myslim maska on 10/11/2017 23:38:04
avatar
Per arsye shendetesore, e lexova me vonese tregimin tuaj te mrekullueshem dhe trondites: "KATER KOSTUMET DHE PARDESYJA".
Personazhi i Gogolit i urrente dhe i vriste "MIZAT". Dyzete vjete qe enderronte te blinte nje MANTEL. Ne castin qe e veshi dhe u pa ne pasqyre, i vjen nje "MIZE". E kapi dhe istiktivisht u mat ta vriste, por kur pa MANTELIN qe kishte veshur, hapi dritaren dhe i tha: Ik je e lire...
Vasil Vasili kapi rrezen e diellit dhe e futi ne kostumet e galerive te frikshme te qymyrgurit te zi qe t'u jepte drite dhe shprese.
Nje perle qe e nderon ltersine shqipe. nuk besoj se e teproj.
Faleminderit i nderuar shkrimtar!
MYSLIMI.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1