Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | ARRATIJA E VESHIT ME VATH DIAMANTI*

ARRATIJA E VESHIT ME VATH DIAMANTI*

Font size: Decrease font Enlarge font
image Resmi Osmani

Lake Llullaja u vodh si hije nga tollovia dhe poterja e sallës së mbledhjeve të hotel “Rex”, ku kishte plasur sherri dhe hyri shkarazi në hollin, ku ishte shtruar koktei për të pranishmit. Zaten ai për atë punë kishte shkuar. Rrëkëlleu nja dy gota uiski dhe ja mbathi që të mos e shihnin. Duke ikur ai mërmëriti ”O çudira mos u mbarofshi, u bëfshi sa mos u njohçi!” dhe pastaj kushedi pse ai i tha vetes: ”Të tjera hesape bënte lepuri, të tjera gjahtari”. Kjo e thënë s’kishte ndonjë kuptim, por atij i erdhi kot në mendje. Nxitoi hapat duke vërshëllyer çakërr qejf melodinë “Moj kasolle ku na mblodhe”, që të shkonte në shtëpi e t’i rrëfente së shoqes,Sheqeres, e më pas mikut të tij Cufe Zavallit, çudinë e fundit të qytetit të tyre, që ishte më e madhja e çudirave deri në atë muaj, se më pas, e di një dreq se çfarë mund të ngjiste. Po çfarë kishte ndodhur? Dëgjojeni dhe po deshët mos u çuditni!

*      *     *

Duhej edhe një javë që të bëheshin zgjedhjet vendore për kryetarin e bashkisë dhe këshillin bashkiak. Qyteti zhurmonte si zgjua bletësh, por në vend të mjaltit kishte premtime në erë, jo lëndore e të pakapshme, që ta linin lugën bosh dhe për kundërshtarët pështymë dhe baltë pa hesap. Politikanët gërrnjaseshin, hallku gaxhitej. Afishet që lajmëronin për takimin e kandidatit Banush Beqollari me zgjedhësit dhe dashamirët e partisë “Shpresa e Shqipërisë”, ku spikaste portreti i tij i hijshëm, i qeshur e babaxhan, kishin ditë që ishin vënë mureve dhe ballinave të dyqaneve. Në lagjet e jashtme lajmërimi u bë me daulle: “Bam,bam,bam. O milet, dëgjoni e mbani vesh….!” Në bulevard lëvizte një makinë,  e cila ftonte  me altoparlant elektorantin në sallën e hotel “Rex”, ku do të fliste i nderuari Banush Beqollari. Salla u mbush aq sa një pjesë mbetën në këmbë. Në tryezën e kryesisë  zunë vend deputeti Bujar Topçiu dhe profesori i dëgjuar Asllan Bregu, që ishte truri i partisë dhe midis të dyve , lulja e buqetës: kandidati Banush Beqollari. Kur Banushi doli në foltore, në sallë ra heshtja. Ishte i emocionuar. Dukej sikur nuk dinte ç’të bënte me duart dhe rregulloi mikrofonin pa qenë nevoja, nxori nga xhepi i brendshëm i setrës fjalimin, që e kishte përgatitur për merak profesor Asllani, kroi fytin dhe me një zë prej basi, pasi shpërndau lart e poshtë përshëndetjet për personalitetet dhe të pranishmit, nisi leximin. Ato që po thoshte ishin si një ëndërr, ca mrekulli , fjalë e premtime që ngjallnin shpresat, plot  dritë, që davariste muzgun e jetës së përditshme,  gëzimin dhe  lumturinë e munguar, aq sa salla dukej e zhytur në një hapësirë të kaltër qiellore të ngjyer me dritën e artë të besimit dhe të mirave të pritshme. Lumë si ne, lum si ju! Si nuk harroi asgjë! As plehrat, kanalet, gjirizet e fekalet, as qentë rrugaçë, që po bëheshin rrezik të tërbonin  qytetin! Pastaj sindozot,nuk mund të linte pa përmendur dhe dokëndisur ata biçim kundërshtarë rremashë e dështakë që qederoseshin vetëm për xhepat e tyre e që mëtonin të vinin në krye të bashkisë, për t’i mbushur. Lakja, i ulur në rreshtat e fundit, mbeti gojëhapur. Jo nga ato që dëgjoi, se ai ishte dëndur me dëngëlat dhe rrenat e politikanëve, porse si arriti Banush berberi të pasurohej si me magji dhe të fliste aq bukur, sa të mallëngjente njerëzinë!

Kur oratori heshti, duartrokitjet qenë si një shpërthim: të gjata, të zjarrta, sa u drodhën muret dhe nga tavani u rrëzuan disa cefla gëlqere. Një grup dashamirësh e tifozësh filluan të brohorisnin sa u hante fyti:

-Rroftë Banushi,kryetari i bashkisë sonë!

-Banush,Banush,ti je bota!

-Banush,Banush,ti je më i miri!

-Do fitojmë apo jo?Po,po,po!

 Banushit iu bë zemra mal.

-Faleminderit!faleminderit shumë!- u tha kinse  i mallëngjyer dhe vazhdoi t’i përshëndeste me dorë, siç kishte parë të bënin politikanët e shquar. Epo, diçka kishte mësuar edhe ai.

Kur pjesëmarrësit u ngritën në këmbë që të delnin, nga grupi i atyre që rrinin në këmbë, dikush kërkoi leje që të fliste. Njerëzia mbajtën këmbët. Kërkuesi i fjalës bëri përpara dhe qëndroi në hapësirën bosh midis radhës së parë dhe tryezës së kryesisë. Ishte i ri, i hijshëm nga pamja, shtatpakët, leshverdhë, të lidhura pas me fjongo të zezë, sybukur, por pak i zbehtë. Në veshin e majtë , një vath me diamant ndrinte nga reflekset e dritës.

-Më quajnë Edmond Brinja, shkurt më thërresin Mondi. Ati im, besoj të gjithë e njihni, është sipërmarrësi inxhinier Aqif Brinja, që i ka sjellë shumë shërbime këtij qyteti, por që folësi nuk e kurseu baltën për të, ngaqë e konsideron kundërshtar politik. Mua ndoshta s’më njihni se jam larguar që i vogël në shkollat dhe universitetet  e Evropës. Tani jam kthyer dhe drejtoj katedrën për marrëdhëniet me publikun në Universitetin e Rrogozhinës. Para se të shkoni në kutitë e votimit,dëshiroj t’u them dy fjalë.

-Epo, zotëri, po të dëgjojmë- i tha deputeti Topçiu, që u  duk i bezdisur nga ajo ndërhyrje.

-Të nderuar bashkëqytetarë! Habitem sesi lejoni që t’u fyejnë inteligjencën tuaj. Dua të flas që t’u hap syte e veshët, që të shihni e të dëgjoni të vërtetat, t’u ndriçoj mendjen që të dalloni gënjeshtrat, hilet,dredhitë, mashtrimet, të ndjeni shijen e hidhur pas fjalëve të sheqerosura.

Në sallë u bë heshtje. Donin të dëgjonin se çfarë do të thoshte pinjolli i Aqif Brinjës.

-Personi që foli para jush, ka për diplomë briskun e berberit! Besoj e keni dëgjuar shprehjen: më rrove të rrova,brisku i berberit! Ky xherrah, i pasuruar nga korrupsioni dhe droga, pas synetisë të fëmijëve të qytetit, ka vendosur t’u bëjë edhe mëndjen tuaj  synet si besëlidhje me partinë e tij të fandaksur”Shpresa e Shqipërisë”, që unë do ta quaja “Mjerimi i Shqipërisë”! Ai foli me përbuzje për intelektualët e shquar të qytetit dhe profesoratin e Universitetit të Rrogozhinës, ku unë kam nderin të ligjëroj. Dhe kush pa? Një copë berber injorant! Programi i tij elektoral është rrënues dhe shkatrrues….

Ai nuk e vazhdoi dot më tej fjalimin, se salla zhurmoi dhe u dëgjuan të bërtitura. Ishin dashamirët dhe përkrahësit e Banushit,  që i drejtonte Bakja i Ishes.

-Jashtë! Përjashta maskara! Banushit i ngriu buzëqeshja. Zbriti nga podiumi dhe iu afrua Edmondit. Ashtu i bëshëm e trupmadh, ia nguli vështrimin që sipër, si skifteri zogut dhe pastaj, gjoja miqësisht i rrahu shpatullat me pëllëmbën e tij të madhe si putër.

-Profesor! E shoh që paskan shkuar dëm shkollat e Europës. Yt atë i paska harxhuar paratë fare kot, pa dobi. Nuk bëhet kështu, që të vish në gostinë e tjetrit dhe t’i pështysh në çorbë! Të rruat ajo shkolla e madhe që the se ke bërë!  Çudi për t’u çuditur! Je ende një këlysh, por sa mirë ke mësuar që  të lehësh, si ata qentë e mëdhenj, që të ushqejnë dhe të ndërsejnë.

Edmondi po e shihte me përbuzje nga  poshtë-lart,  pa iu dridhur qerpiku. Sipër i binte një shkulm drite, që vinte nga dritarja . Veshi i ngjyer në trandafili nga drita dukej si i tejdukshëm, ndërsa diamanti i vathit të artë rrezëllinte e vezullonte me dritë të bardhë e të pastër. Banushi, pa e ditur se pse, pati ngasje t’ia ndukte pak veshin, ashtu siç bëhet me fëmijët për t’i qortuar dhe ia kapi me dy gishta duke ia tërhequr lehtë. Por atëhere ndodhi e pangjara ndonjë herë: veshi u shkëput dhe i mbeti Banushit në dorë. Në vendin e shqitur doli një pizgë gjaku, ndërsa nga llapa, që kishte Banushi në dorë rrodhën , pika gjaku.

-Dreq! - klithi ai i trembur- Po kjo ç’qe?- dhe shkundi dorën. Veshi ra mbi pllakat e mermerta të sallës.Njolla e gjakut skuqte në bardhësinë e mermerit.

-Bobo, moj nëne, veshi!- sokëlliu me zë të dridhshëm e vajtues  Edmondi dhe nxori sakaq një shami dhe pllakosi vendin, ku ishte shqitur veshi. Gjaku që rridhte i kishte ndotur jakën e bardhë të këmishës.

-Ç’më bëre more kriminel, më gjymtove! – i tha Banushit dhe ia krisi të qarit. Pastaj u përkul të merrte llapën e veshit që dergjej përdhe. Nuk e mori dot. Veshi kërceu pupthi dhe i iku nga dora.

”Hiqe dorën,më ler!Ti më kishe, por s’qe i zoti të më mbaje. Tani që u çlirova, dua të bëj një shetitje për qejf tim!”  Zëri vinte i hollë si zë fëmije, por i pastër e tingëllues. Mondi ngriu. Kishte folur veshi apo ndonjë fantazmë? Ashtu i përgjakur, duke kërcyer pupthi si trumcak , veshi doli nga salla, zbriti shkallaret dhe u hodh në këmbësoren e rrugës.

-Kapeni sa është ende gjallë dhe kirurgu mund ta qepë e ta ngjitë, - u lut ai dhe bashkë me shokët iu turr pas.

Të gjithë u vunë në ndjekje. Veshi nuk desh të ndalej. Kur i afroheshin, ai futej posht makinave që kishin parkuar anash këmbësores, Ishte si kredharaku, që zhytet në ujë dhe prit se ku  po del. Ai po lozte me ‘ta. Delte ku s’e prisnin,bënte ca rrotullime e kërcime, qeshte dhe u thoshte me shpoti si një fëmijë çamarrok: ”Ejani, më kapni dot?” Priste sa Mondi me shokë afroheshin dhe fap, fshihej poshtë makinave, pastaj rishfaqej sërish. Veshi ik dhe ata ndiq, sa u doli shkuma. Kur arritën te kryqëzimi, se nga doli qeni pitbull i farmacist Ismailit, iu hodh përsipër veshit dhe e gëlltiti!

Ndjekësit, fuqiprerë e gjunjëkëputur, shpresëhumbur, u ndalën dhe lëshuan një “oh” të zgjatur dëshpërimi. Gjëma kishte përfunduar në mënyrën më të keqe. Veshi me vath diamanti i profesorit, kishte përfunduar në barkun e një qeni! Nuk kishin më se ç’të bënin. Kaq e pat. Njerëzit u shpërndanë. E hipën Mondin në makinë dhe u nisen për në spital.

Pitbulli, nga frika e ndjekësve ,nuk e përtypi veshin, por e gëlltiti dhe ai pasi rrëshqiti nëpër fyt përfundoi, në lukth. S’kaloi shumë dhe ai ndjeu së brendshmi një zjarrmi, trazirë dhe gërryerje të padurueshme të stomakut. Aq e padurueshme ishte, sa ai nisi të angullijë dhe po i merreshin këmbët.  Me shpirt ndër dhembë u plandos te holli i farmacisë. I zoti doli i tronditur nga banaku dhe kur pa jargët që i rridhnin qenit nga goja dhe angullimat e thekshme, që të këputnin shpirtin, dyshoi se e kishin helmuar. Përgatiti shpejt një kundërhelm, i hapi gojën dhe ia hodhi në fyt që ta gëlltiste. Qeni pas pak volli dhe u lehtësua. Ismaili pa i habitur se midis të vjellës dhe vrerit të gjelbër, diçka ndrinte e llapste. Ishte diamanti i veshit. Veshi dorashkën dhe e mori. Por çtë shihte? Ishte një vesh njeriu. U trondit sa s’thuhet. Duhet të ishte një rast kriminal

-Ku e gëlltite këtë vesh mor llupës i keq?-pyeti qenin.

Përgjigja qe një angullimë e lehtë dëshpëruese.  E lau veshin me kujdes në lavamanin e banjës me ujë të ngrohtë e sapun. “Ej, babush, ftohe pak ujin se më dogje!” Ismaili pa rrotull. Xhan-xhin. Kush kishte folur? Ndoshta i ishte dukur. Kishte kohë që ishte rënduar nga veshët. Pleqëria po bënte të vetën. I dukej sikur dëgjonte zëra, prandaj nuk i dha rëndësi. ”Bah, ç’tmerr ishte aty brenda. Mu zu fryma nga era e qelbur dhe errësira”,- tha zëri.

Prapë zëra? Veshin që dukej taze, e pastroi me pambuk dhe pastaj e mbylli në një kavanozë me tretësirë fiziologjike që të ruhej gjatë.  Pastaj lajmëroi policinë, por ata i thanë se rastin e dinin. Veshin ta ruante se do vinin ta merrnin ata të mjekësisë ligjore.

         *    *    *

Lajmi mori dhenë. Televizioni lokal “Alfa &Omega” ndërpreu programin dhe dha një emision të jashtëzakonshëm. Gazetarja e mirënjohur Olta Fusha  u  kishte marrë intervista të pranishmëve dhe kishte dhënë pamje të filmuara nga salla e mbledhjes. E quajti emisionin”Arratija e veshit me vath diamanti” dhe e paraqiti ngjarjen si tragjikomedi. Kur e panë, disa nga shikuesit qeshën dhe disa të tjerë qanë.

Ngjarja mori menjëherë ngjyresë politike. Kryetari i Këshillit Bashkiak, njkohësisht edhe kryetar i partisë së “Kaltër” për qytetin, organizoi një konferencë shtypi. I kishte ardhur zogu në dorë që ta hiqte qafës kandidatin opozitar, bile ta fuste në burg, si kriminel ordiner!Tani, dinte ai se ç’bënte! Salla e konferencave e selisë së partisë, gumëzhinte nga gazetarët  operatorët televizivë dhe publiku, simpatizantë të partisë dhe ca të ngeshëm, që s’kishin ku ta kalonin kohën. Lake Llullaja nuk e la rastin t’i shpëtonte për të bërë një copë sehir. Mori me vete edhe Cufen, që ta shijonin të dy shfaqjen. Pritej kryetari, drejtuesi historik i partisë së qytetit, ish aktori dramatik Sulejman Resnja, që vdiste për të dalë në skenë e për të bërë propagandë.  Ai hyri vrullshëm me tërsëllimë e pamje të zemëruar, tërë mllef,  i hakërryer dhe mujshar. Nga sytë i delnin xixa e flokët e serta i ishin kreshpëruar. Si gjithmonë, i veshur me sqimë, por shamiçka e xhepit të setrës, që kishte të njëjtën ngjyrë me kravatën i kishte shkuar shtrembër. Ai nuk po i përmbante dot emocionet. Shkrepëtinë blicet, kërkëllinë kamerat, u vendosën mikrofonat. -Zonja dhe zotërinj të pranishëm, përfaqësues të mediave! Jam këtu, në këtë konferencë shtypi të jashtëzakonshme, për të denoncuar publikisht e botërisht, një akt të paprecedent dhe që përbën ngjarjen më të rëndë ndoshta në tërë historikun e zgjedhjeve në qytetin dhe rrethinat e qarkut tonë, bile edhe në tërë vendin! Po. Ka ndodhur një agresion i rëndë, i turpshëm, i egër, brutal dhe shtazor, që kandidati për kryetar bashkie i opozitës, Banush Beqollari, i ka bërë njerit prej simpatizantëve të partisë sonë, profesorit  të ri, më të talentuarit , më të përgjegjshëm dhe më të pergatitur të këtij qyteti, një ylli në ngjitje të jetës akademike dhe politike. Në një takim elektoral,  gjoja të hapur, në hotel “Rex” e ka sulmuar së pari me dhunë verbale e më pas dhunë fizike. E ka goditur në shpatulla, gjoja si patëkeq dhe pastaj me shpullë të fortë në rrëzë të  veshit!  Po, po, mor zotëri, aq fort sa ja këputi veshin dhe ja rrëzoi përtokë! Më thoni ju mua, çfarë është ky veprim? Po  u them unë: vandalizëm i pastër, shfaqje tipike, skizofrenie dhe disekuilibri mendor, e njeriut që ka dalë nga llumi kriminal dhe do që të ngjitet në shtresat e larta të politikës. Dhe kujt pra ja bëri këtë? Birit të një sipërmarrësi të nderuar e të fuqishëm, që ka punësuar qindra banorë të qytetit tonë, të respektuarit inxhinier Aqif Brinja , nipit të patriotit dhe bejtexhiut të famshëm Hamza Avazi, që ka tallur e përqeshur sa ka dashur me bejtet e tij Sulltan Pekmezin. Një djali model për nga edukata, sjellja dhe kultura qytetare. Dhe pse, do thoni ju? Po ua athem unë: ngaqë ai nisi t’i nxirte lakrat dhe të palarat në shesh. Posi, lakrat në shësh! Ku është këtu demokracia, ku është liria dhe e drejta e fjalës? Është një veprim tipik komunist banditesk e sadist. U them gjithë përkrahesve dhe qytetarëve të qytetit tonë: mos shkoni pas tij! Ai ka për t’u tërhequr zvarrë e do tu hedhij nga gropa në grope,nga humbja në humbje,nga disfata në disfatë!

Lakja, teksa po brente farat e lulediellit,nuk ia shqiste sytë oratorit. Qerrata i madh ky Sulejmani! Veç gjuhës që i priste si shpatë, atij i fliste edhe trupi: duart që lëviznin papra,si të donin të vinin vulën për ato që thoshte, lëvizjet e kokës, grimasat e fytyrës, që ndërronin sakaq pamje, flokët e pashtruara, që tallaziteshin dhe gjithë trupi që lëvizte, perkulej, hepohej e drejtohej, sipas rastit dhe fjalëve që thoshte.  Nuk ke ç’i thua! Atij s’ia hante qeni shkopin, siç i hëngri Mondit veshin!

 -Ne nuk do të rrimë duarkryq!-vijoi oratori- Do t’a denoncojmë, do ta padisim aktin vandal, do  të ngremë nje komision hetimor të këshillit bashkiak, dhe të kini besim, se në fund të hetimit, Banush Beqollari, alias Berberi, do të përfundojë atje ku e ka vendin, ku e meriton: në burg ose në spitalin psikiatrik!     Faleminderit! Pati duartrokitje. Kryetari, që i kishte lëshuar fjalët si rrapëllimë mitralozi e kishte gojën të thatë dhe u ndje shumë i etur, piu dy gota  ujë ,njëra pas tjetrës, me gllënjka të mëdha  dhe doli po aq vrullshëm, siç edhe kishte hyrë.Një pjesë e banorëve të qytetit nuk e besuan këtë përrallë, të tjerë thanë se Banush Beqollari e gjeti nga se pandehte dhe kaq e pat në politikë, në mos përfundonte dhe pas hekurave.Dikush për Mondin tha : “ Kur i vjen ngordhja qenit, shkon e përmjer në derë të  xhamisë dhe  se,  kur shkon paftuar e gjen pashtruar!” U thanë edhe plot fjalë e të thëna të urtësisë popullore, që vinin qysh nga koha e Babaqemos. Analisti i njohur, Gjokë Dodnikaj, botoi në gazetën e tij “Lajmi”, një pamflet të mbushur me sentenca nga e drejta romake dhe filozofia e Platonit me titull: ”Nga veshi te totalitarizmi”,që pati jehonë dhe e rriti tirazhin e gazetës.  

  *      *     *

Në ditët që pasuan, në kafenenë te rrapet buzë lumit, që Lakja nuk i ndahej se  kafet ishin të paguara nga Banush Beqollari, në gjithë tryezat, nuk bëhej tjetër bisedë. Thuhej e ç’nuk thuhej: inxhinieri Aqif Brinja, sapo iu bë e ditur ngjarja la në mes ritet e shenjta të haxhit në Mekë dhe u kthye fluturim, që t’i gjëndej pranë të birit. E para gjë që bëri e mbylli të birin në vilën, që kishte në periferi dhe nuk pranoi askënd që të takonte djalin. Dërgoi një helikopter–çarter në vendlindje, Brinjën e largët mes maleve dhe pruri në shtëpi mjeken popullore, plakën njëqindvjeçare Qeribanë, e cila gatiti melheme magjike dhe e yshti djalin. Pas kësaj veshi nisi të rritej, por ai ishte  ndryshe, si vesh gomari dhe me një push të përhinjtë. Kjo i mërziti shumë. Të tjerë thanë se plaka Qeriba nuk i bëri dot derman.  Veshi kishte mbetur ashtu, shyt, si i thonë, korrovesh, kishte vënë dregëz e po përthahej. U gjet dhe zgjidhja: djali do ta mbulonte me flokët e gjata dhe asgjë nuk do të dukej. Thoshin e ç’nuk thoshin. Sa mbyllen vrimat e gardhit, aq mbyllen dhe gojët e njerëzisë.Lakja u tha shokëve se teksa ata të partisë së kaltër bertisnin :” Ujku,ujku!”, çakalli, Banush Beqollari, po bënte kërdinë. Si të mos kishte ndodhur asgjë, (ai nuk kërkoi as ndjesë publike), vijonte fushatën elektorale, derë më derë, i derdhte paratë pakursim, shpërndante ndihma dhe ftonte zgjedhësit të votonin për të. Por kishte dhe më: farmacisti, Ismaili, kur shkoi në mëngjes, hodhi sytë te vendi, ku ishte qelqi me veshin. Qelqi ishte në vend, por veshi mungonte. Pyeti në telefon të birin, që kishte punuar në ndrresën e darkës, por ai i tha se kur kishte ikur e kishte parë që veshi ishte aty! Bobo! E kishin vjedhur! Sa çudi! Po qysh? Qepeni i farmacisë ishte i mbyllur dhe çelsi nuk ishte shkallmuar. Në farmaci nuk mungonte asgjë, vetëm veshi! Ismaili lajmëroi policinë. Erdhën ekspertët, bënë kqyrje, matje  dhe fotografime, por enigma mbeti e pazgjidhur. Si kishin hyrë, si kishin dalë, ku kishin shkuar? Asnjë shenjë, asnjë gjurmë.  Të nesërmen paradite, të shtunën, kur ishte shpallur heshtja zgjedhore, para hotel “Rex” qëndroi makina luksoze, ngaku zbriti Edmond Brinja me të dashurën e bukur për krahu. Bëri një shetitje, si për t’i bërë karshillëk hallkut, duke u kujdesur për të vënë në dukje të dy veshët e vegjël, që rrëfenin se ai ishte nga soj i mirë dhe i fisëm.  Po kjo ç’të qe?! E qarkuan shokë e të njohur, të habitur si të shihnin një fantazmë.  Vështrimet e tyre pyetëse kërkonin një përgjigje, por përgjigje nuk pati, veç një buzëqeshje të dëlirë e dashamirëse, që ishte vetë pafajsia. Pastaj shkoi në kafe faqe gjithë njerëzisë, për t’u rrëfyer se asgjë s’kishte ndodhur. Asnjë gjymtim. Veshi ishte në vend dhe diamanti i vathit ndrinte e vetëtinte. Kishte qënë një ëndërr, apo  veç një thashethem dhe aq?! Nuk dinin ç’të thoshin.

Të dielën u bënë zgjedhjet. Mondi me të dashurën shkuan e votuan, ku i pa gjithë qyteti. Në mesnatë, pas numërimit të votave, u mor vesh se  Banush Beqollari ishte fitues. Plasën fishekzaret, nata u bë ditë dhe birra u derdh lumë. Komisioni hetimor i Këshillit Bashkiak u shpërnda. Gjykata e ndërpreu procesin. Dosja u mbyll e u arkivua. Mungonte objekti i gjykimit.  Kështu ngjau me çudinë e radhës, që e detyroi Lake Llullanë të thoshte :”Ju çudi mos u mbarofshi,u bëfshi sa mos u njohçi!”

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1