Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | “Betejat e Kalorësve”

“Betejat e Kalorësve”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fatmir Terziu

“Betejat e Kalorësve”

Nga Fatmir Terziu

 

 

Ky është, pa quhet park. I kanë vënë edhe një emër të paqtë. Emër që të shpie në kohë e në vend mjaft larg. Quhet “Beteja e kalorësve”. Është emër i paqtë, se tashmë nuk ka më beteja të atilla kalorësish të veshur e të ngjeshur me shpata, mburoja, heshta e shigjeta. Nuk ka më kalorës si Ivanhoe. Nuk ka. Vetëm statuja me mish të ftohtë e të nxehtë prush, që vijnë dhe ikin në këtë park, të bërë dush nga garat e brendshme që i djegin në stomak. Eh, është park..., sido që e quajnë me këtë emër të veçantë. “Beteja e kalorësve!” Ndaj ende ekziton, ende ka  Ualter Scott në kapakun e madh të librave me kalorës betejash në fjalë, me të tillë të radhë.

            Jam ulur në një stol me bojë të sapolyer me atë libër në dorë. Jam ulur mbi bojën e tharë dhe sytë kapërcejnë nën kapakë. Jam duke ndjerë Kryepushtuesin e vjeshtës së parë. Vjen në fillim si lajkatar. Qaset dremitqar. Gudulis fletëzat e ikjes së përtejme. Ndjek me mall e fllad të tjerat që u vonuan në garë. Ngadalë jam bërë pjesë e Komitetit të tij të Lartë, si i thonë këtu: Central. E ndjej fllaqitjen e pemëve, falë shpupuritjes së tyre larg, të paktën nuk ndjej etjen time në stomak. Nuk dëgjoj as trukimet e një ketri që kacafytet me një kokërth të vogël dardhë.  Nuk dëgjoj as takat gozhdë që ma bëjnë trurin shosh. Nuk dëgjoj piskama. Të sharra. Mallkime. Nuk dëgjoj gra të ndara. Nuk dëgjoj burra të jargavitur me fara në dorë. Nuk dëgjoj domino mbi tryeza. Nuk dëgjoj mijëra të zeza. Nuk dëgjoj të qara. Nuk dëgjoj Parlament. Nuk dëgjoj fjalë me mend e fjalë të pamend. E dini se ku e kam? Jam i qetë këtu pa ndonjë ekran. Dëgjoj vetëm një shenjë. Ajo vjen e qeshur, me ndjenjë. Është Kryepushtuesi i vjeshtës së parë. Flladi që më sjell ngadalë, ngadalë e ngadalë..., kujtimin tënd të parë.

            E pastaj dhe Kryepushtuesi vetëdorëzohet. Përndiqet, infektohet, fryhet e s’ndihet. Diku larg në një ferrëz të vockël fshihet. Është shfaqur pa u ndjerë, vetë ajo e furishmja, e gjithëpushtetshmja e këtij parku ku fshikullohen mentalisht Betejat e Kalorësve. Ka dalë si një lukuni e bardhë nga ferra, ka ardhur vetë ajo pra, Era. Dhe nis me leximin e gazetave. I shfleton të tëra gazetat e javës, që kanë mbushur këndet e vjetra, ku duart e pushuesve gjatë ditës kanë lënë mes tyre copëza, shenja, thërrime, kothera, blogje e i ndan në stogje. Pastaj u ngutet gjetheve nëpër degë me dekoltenë e tretur, duke u lexuar ligjin e vjeshtës mes një Libri të Madh të zverdhur, ku e arta e kokërzuar e pemëve është gdhendur dhe pastaj është derdhur në dhjetëra minibuste, ndoshta e ndoshta, kjo me hamendjen time, për të ndezur sa më shumë qirrinj për Betejat e Kalorësve të rrinj. Në kanalin matanë që derdhet në Tamiz, lëvizin minj të zezë. Të bëshëm e të mëdhenj. Mbi pemë kapërcejnë ketra dhe tungjatjetojnë zogjtë e ikjes. Vetë ajo, Era, i shkërmoq pemëzat e tjera. Nën pemën timë të vetmuar, mbi kokën time dhe stolin ku jam ulur, po pikturohet një Zanë e bukur.

 

            Ajo, duke buzëqeshur nga ambushia, mbledh flokët e saj xhufkë, pyet nëse do të vonojë beteja. Një zë i lehtë, që i duket i mëngjes-mëngjesshëm, i bashkohet pyetjes së ngadaltë e të lehtësuar e i përgjigjet pa u ndier. E ndjen, e kupton, i thotë s’jemi në luftë. Ajo buzëqesh, buzëqesh... Qafëza e palltos sime luan me veshët e mi si një kallëzore e fryrë. Zbret më poshtë, duke u fryrë e fryrë e më skuq në fytyrë. Koka hapet me një refren e goja mbyllet me një tis të butë femëror. Era ka pushuar dhe tani pemët bëjnë shukatjen e tyre të mistershme. Diku kam qëndruar. Diku po lexoj me ngadalë. E ka një arsye. E ka një fakt. Jo më kot kanë ardhur zogjtë aty afër syve, në park. Gudulisen dhe nuk thonë asnjë fjalë. Kam mbetur i hutuar. E kam hak. Jam në këtë park. Jam në këtë park, që mes të tjerave u është hapur mëdysh të gjitha betejave. Dhe Ajo pyet nëse na duhet pak qetësi. Zbres dorën përfundi të gjitha midisive dhe u bëj fap si me një çelës magjik, fap e fap syve. Zvarritem si një gjarpër në atë park, e kështu përtokë, kokë më kokë u kërkoj ndjesive, e përtej tyre ndjenjave, sekretin e këtyre betejave. Më thoni dhe u tregoni pasi ta lexoni, u thoni të gjithë folësve të kësaj gjuhe deri atje tutje, a janë këto beteja të kalorësve që shkruhen me puthje? 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1