Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | Klithma

Klithma

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fatmir Terziu

Klithma

Tregim nga Fatmir Terziu

 

Le ta quaj “klithma”. Jo se ishte e ngjashme. Jo. Por, se për mua ishte një klithmë e pandjeshme. E brendshme,  e athshme. E heshtur. E fjetur në atë dromcë të kristaltë të fytyrës ëngjëllore. Ishte nga ato klithma që vijnë e ikin, që shuhen pa dalë nga humbëtira e zjarrtë e fytit. Ishte... Ishte si shenjëza e mishit të përcëlluar nga prushi. Ishte... Vinte në klubin e ri matanë Televizionit dhe gjerbte uiski, dridhte cigare të lehta dhe porosiste dy kafe “expresso” me një theks tretës. Por ama ishte. Ishte një gllënjkë e fryrë e vetë gotës së uiskit që shfaqej e lehtë në atë gotë kristal të bardhë. E pastaj rrëshqiste si bula e uiskit në një qoshkë të vogël të bulevardit kryesor të qytetit. Në atë kënd ku ishte hapur agjensia e parë e ceremonialeve. Ajo ishte përgjëgjësja e zyrës, që drejtohej nga kryeqyteti. E para sigurisht ishte hapur atje me bekimin e vetë Kryeministrit. Dhe natyrshëm pas një suksesi spektaklesh, ceremonish zyrtare, festive, sportive e mjaft të tjera të ngjashme, ajo kishte menduar të organizonte dhe në atë qytet të dremitur, të përfjetur, një zgjim të mundshëm, ku të paktën zyrat, Bashkia, Prefekutura, Qarku e Universiteti, bashkë me shkollat e mesme do të zgjoheshin e do të trokisnin në atë zyrë të vogël, por mjaft domethënëse.

E kështu nisi ta fillonte këtë nismë nga vetja. Nga idetë e saj doli dhe fruti i parë. Në të ftoi jo pak njërëz, por ama të gjithë (sipas saj) ishin kollaret e qytetit, kuletat e dëgjuara dhe vipat e fushave të tjera, deri tek sekserët, që kollofisnin miliona më shumë se vetë biznesmenët. Natyrisht, kishte gjykatës, prokurorë, drejtorë, profesorë, policë, berberë, shefa e të tjerë. Ishte natyrisht dhe ai, botuesi i vetëm i qytetit, ai burrë i paparë, që pak a shumë njihej dhe si dashnori i saj “zyrtar”. Se, që ta themi troç, ore fare hapur, një bukuroshe e tillë, dhe në një qytet që i gjuante femrat e tilla shumë, ishte mjaft vështirë të ishe thjesht një “klithmë” përshpirtjesh. Fundja thoshin se për të burrat më të dëgjuar e më me karakter në qytet, klithnin e bërtisnin me furi edhe në gjumë. Por, ama Ai kishte edhe aftësitë e tij. Kishte mjaft miqësi, madje dhe me shumicën e atyre që ftonte ajo përditë, ai forconte miqësitë, por kur vinte puna në atë mjedis ku shfaqej zëri i saj, brumi dhe moduli i saj, aty ku dilte ajo në skenë, natyrshëm ai ishte thjesht ai, dashnori “zyrtar” i saj. Puthjet, prekjet, ledhatimet, fotografimet, shtrëngimet e duarve e deri dhe disa intimitete të vogla gëzonin padronë të tjerë. Dhe ata ishin lista me të cilën “klithma” i bënte të alarmoheshin, të harronin vetveten, të shkonin në hell, pa u pjekur ende nga gjurmët e padukshme të zjarrit të saj.

Ai botonte. Botonte libra, gazeta, revista, fletëpalosje, anketime, reklama, e deri tek të gjitha që vinin nga zyrat. Ai kishte miqësi pafund, por ama jo më kot e kishte dhe atë gjithkund. Dhe kështu tenderat, edhe ato tendera për stampime në letëra, shfaqeshin ku shfaqeshin përditë, por lekun e derdhnin në llogarinë e tij, deri në cent, atje tej tek Banka “Raiffeisen”. Dhe ai heshtte. Edhe kur dikush e shpotiste, apo e ngacmonte dhe aty ku s’mban pilafi ujë, ai e dridhte, e shpinte bisedën tek filmat. “Filmi i mbrëmshëm, ai me atë gradën e madhe Gjeneral, eh ai, ku kishte tjetër hall..., ai pra, Gjenerali i madh pasi e pallonte atë, që e kishte më të vogël dy herë se vetja, ikte dhe gjuante të tjera...” Një herë tjetër, fliste për Artista që kanë mjaft të dashura. Ndodhte të tregonte dhe filma të paparë, të sajonte rrëfenja me ustallarë e mjeshtra të radhë, të kurdiste ndonjë përrallë, por asnjëherë nuk i dilte qoftë dhe një bulëz apo damar në ballë, as kur dikush i thoshte se atë ia kishin parë..., ia kishin parë në një sallë, ia kishin parë... në një mal.

Ai ishte në fakt ndryshe nga burrat e tjerë në atë qytet, jo se ishte i ardhur, as se pse ishte i vetmi në atë biznes botimi, por se ai kishte një kontratë. Kishte një marrëveshje të rallë, mjaft enigmatike e të fshehtë, me më të bukurën femër në qytet. Dhe kontrata e fshehtë me siguri të nënshkruhej nuk ka qenë aq e lehtë. Kontrata nuk dihej saktë, por kuptohej fare qartë. Të gjitha lëvizjet të shpinin aty, më saktë. Tek ajo kontratë. Ndryshe aq shpejt, ai nuk do të kishte fluturuar aq lartë. Po, po mjaft lart! Në mëngjesin e ditës së parë, pas ceremonisë së radhë, Ajo dhe Ai, nuk kishin më fjalë. Në klubin e ri matanë Televizionit nuk gjerbej me një gotë uiski, por ishte prorositur një arkë. Ajo natyrisht e dridhte një cigarë. Dhe Ai, ai sillte mendjen vërdallë. Mos ishte në ëndërr? Mos ishte përrallë? Ai do të ngjitej shumë shpejt atje lart. Atje në Ministrinë e Kulturës do të bënte art. Ai, pra botuesi, tashmë do të drejtonte nga lart, gjithë rrugët që të shpinin në art. Do të përkujdesej për libra, revista, gazeta, tendera, vlera, fatura, artista, teatro, kinema, filma, efekte e natyrisht do të kishte nën vete mjaft nga ata që zonjëza e tij, dashnorja e tij i prekte, i mekte.

“Eh, kontratë, kontratë. Të durova, të heshta, të durova kur u bëra baltë, por ama tashti fare paqtë, fare paqtë..., do të ngjitem lart e më lart. Le të thotë ky mjedis i midistë, se bota qenka e pistë. Le të thotë ai pus i midistë, se Bota prej aty mund të kthehet përmbys... Fundja kush e di se kjo ngjitje e tillë, nisi nga rruga mes kofshëve të pistë?” Kaq mundi të meditonte më vete, kur në xhamin e klubit lëvizën lehtë perdet. E një dorë e pavrarë ia bëri të hypte në vendin e parë. Ishte një benz. Një benz i ri. Shoferi ishte, vetëm ai, drejtuesi i atij benzi, në krahun e tij. Fshiu sytë, jo s’e nuk e besonte, por që të sigurohej se ku do të ndalonte. Ishte një godinë e madhe, kurrë s’kishte provuar të ngjitej në shkallë të atilla. I ngjante sikur digjej diçka e përcëlluar në një brendësi furre, jo sikur ndodhej në atë godinë, në atë lartësi kulture. Nisi të ngjiste shkallët. Dhe nëpër shkallë dëgjonte klithma të forta, i dukej se ishin nga eskorta. Eskorta e ceremonive të dashnores. Kur dikush mbylli dritaret e korridoreve u qetësua dhe atëherë e ndjeu qetësinë e asaj godine. Tashmë ndjente vetëm një lloj fryme...

Ishte fryma që vinte nga salla e madhe e ceremonive. Atje ishin mbledhur drejtorë, shefa, inspektorë, tregëtarë, biznesmenë, asnjë lidhje kulture, asnjë lidhje libri, filmi, televizioni, apo thjesht letërsie, por të gjithë me lidhje bujqësie. “Bujqësia, kultura “agro” miqtë e mi, të nderuarit e kësaj salle të madhe, na bën më të lumtur, na bën të largojmë hallet. Thjesht duke flakur tymin në ajër, ja kaq thjesht tymin e tillë duke e flakur ne bëhemi mjaft të paqtë, mjaft të dashur”. Ngriti kokën mbi të tjerët dhe pa se ishte ajo, ishte “klithma” me zërin e trupin e saj, ishte Ajo në atë sallë të Ministrisë së Kulturës, ku flitej për Bujqësinë, për agro-kulturën. E si të mos duartorkiste dhe ai, kur truri i saj e gjeti lidhjen: “A nuk i bashkon kultura, të dy këto lidhje të bukura? Kultura e ..., dhe kultura “agro” a nuk kanë pikërisht kulturën në mes?” Kaq duhej të mirëkuptohej.

 

Ai nuk do të lodhej më. Nga zyra e tij dy vajza me trup të gjatë, të veshura mini, me një bukuri përrallë, në duar mbanin një tabakë. Mbi të shtrihej gjerë e gjatë një pjatancë. Në pjatancë një pastë. Mbi pastë shkruhej me të artë: “Dhuratë! Suksese nismës së re të Ministrisë në projektin e ri me miqtë e Bujqësisë...” Sa vajzat hynë në sallë, në sallë u shkëput dhe një britmë. U duk sikur ishte një fjalë e paqartë, u duk si një klithmë. E gjitha pastaj u festua gjatë. Disa thanë se festa shkoi deri në mesnatë. Disa thonë se ata u zgjuan mbi atë pjatancë. Mbi atë pastë “dhuratë”. 

Comments (1 posted):

myslim maska on 11/10/2017 22:28:17
avatar
Me pelqen tregimi juaj.Realist, bashkekohor, per tema qe na ngrijne shpirtin.
Urime, Myslimi.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1