Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | Mburrja

Mburrja

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fatmir Terziu

Mburrja

Nga Fatmir Terziu

 

Për ty nipi im do të gjej kohën e duhur. Edhe pse koha më ka zënë tëposhtë në kthinat e saj, prapë, mendova të rikthehem tek ai emaili yt. Duke bërë këtë them se kam gjetur kohën e duhur. Kohën të cilën më kërkon me lutjen tënde të parë, me emailin tënd të radhë. Më shkruan me mall. Më shkruan shqip. Më shkruan në hall. Më shkruan nga larg. Më shkruan nga dheu im. Më shkruan nga dheu yt. Më shkruan nga Atdheu, dheu i të parëve tanë. Më shkruan se jemi gjak. Më shkruan se e ke hak një fjalë të mbarë. Më shkruan të më pyesësh. Më shkruan të të ndihmojë. Më kërkon me emailin tënd të të ndihmoj. Por këtë të fundit nuk e kuptoj. Vërtet nuk e kuptoj! Ti nuk kërkon ndihmë të veçantë. Ti nuk kërkon para. Ti nuk kërkon rroba. Ti nuk kërkon të ndajmë pronat. Ti nuk kërkon të vëmë kufirin tek toka. Ti nuk kërkon asgjë nga ato që mund të kërkonte një nip. Ti nuk kërkon pra asgjë nga këto. Por më kërkon ndihmë. Ndihmë?! Më kërkon këtë ndihmë në një fushë që as ti, as unë, as ne që jetojmë në këtë botë nuk e dimë. Më kërkon një ndihmë që nuk varet nga unë. Një ndihmë që nuk është as në dorën time, as në mendjen time, as në njohuritë e mia. Nuk është as në xhepin tim. Nuk është askund në këtë hapësirë. Më kërkon të dish se ku jetohet më mirë? Pra ku jeta bëhet më e mirë për ty? Më thua se këtë ma kërkon me lotë në sy. Dhe e nxjerr këtë lot mëngjes, drekë e darkë. E nxjerr në shtëpi, në shkollë e në mbrëmje kur gjendesh me tët atë bashkë. Këtë lot e bën pastaj pikiatë. E trazon ekranin e kompjuterit tat. Dhe thua me vete pa e zgjatë: “Xhaxhin tim, që e dua shumë do ta vikat. Ai më tregon përgjigjen e saktë.”

            Dhe unë ndihem ngushtë me kërkesën tënde në fakt. Ne kemi lindur në atë tokë të begatë. Unë, ti, vëllai im, që është dhe babai yt, të gjithë ata që ke larg dhe pranë, të gjithë që janë në këtë botë dhe atje matanë. Ardhëlindjen aty e kishim fat. Dhe jemi mburrur, jemi krenuar, jemi lëvduar me ditë e me natë. Nuk kemi bërë gabim, nuk kemi bërë mëkatë. Por, i dashur nipi im, ndoshta padashje kemi bërë një gabim. Dhe këtë e kam dhe për veten time si qortim. Ndoshta lëvdatat paksa i kemi fryrë. Kur gjithnjë kemi thënë se ne jetojmë nga të gjithë më mirë. Kur kemi thënë se jeta jonë është për të gjithë të tjerët një pasqyrë. Dhe në atë jetëpasqyrë kemi ngrënë çdo fytyrë. Padashje kemi ulërirë nga mbrëmja në të gdhirë. Kemi thënë se jetojmë të lirë. Kemi thënë se dashurojmë pa frikë. Kemi thënë se ushqehemi sikurse ushqehet një princ. Pikërisht, pikërisht këtë kam frikë. Këtë kam frikë nipi im. Ama kam frikë të të them se diku jetohet më mirë. Ne, nipi im, kemi një dhuratë më të madhen në botë: Jetën tonë! Dhe vetëm kur atë e duam, kur atë e kuptojmë, ne jetojmë. Vërtet ne e jetojmë përgjithmonë, vetëm jetën tonë.

            Jeta jonë është ndryshe. Ka një lidhje të mistershme me miliona vite. Ajo është e lidhur me gurin, dheun, pluhurin, drurin. Ajo është e lidhur me emrin, me gruan, fëmijën, gjyshin, gjyshen, me burrin. Jeta jonë ka lindur në dashuri. Është një lidhje që e gjen në Bibël, që e gjen në mitologji, është një lidhje që e gjen dhe ka bërë vetë histori. Gjon Pagëzori në Bibël ishte një djalë gjakftohtë që jetonte mjaft i qetë kudo që ndodhej. A do të thotë kjo se ai kurrë nuk kishte qenë gjaknxehtë dhe jeta gjithnjë i kishte pëlqyer atje ku ndodhej? Përgjigja varet pjesërisht se kush e tha këtë, kur u tha, përse u tha, ku u tha, e mjaft të tjera nipi im, që vetë jeta i merr me vete dhe rrugëtimit të saj u jep shpjegim. Rrëfimet rreth perëndive, të quajtura mite, u bënë mijëra vjet më parë. A kishte një Herkul të vërtetë, një njeri, që sipas këtyre tregimeve jetonte i lumtur? Ne kurrë nuk do të dimë të vërtetën se si ishte jeta e tij. Megjithatë, historia e tij është e një njeriu që ishte kaq i fortë dhe i guximshëm, veprat e të cilit ishin kaq të fuqishme dhe që i duronin të gjitha vështirësitë që i ishin dhënë atij. Sepse kur ai vdiq, pra Herkuli, u çua në malin e Olimpit për të jetuar me perënditë. Dhe atje thuhet se jeta për të ishte edhe atje e mirë. Historia na sjell orrigjinën e jetës në tokë 3.8 bilion vite më parë. Dhe historia gjithnjë më pas flet për këtë jetë. Pra jeta është pjesë e vetë asaj ku jetohet. Dhe aty ku jetohet vërtet jetohet më mirë. Prandaj ne jetojmë në këtë trilogji misteresh, të ndërtuar nga të tjerë, të shkruar nga të tjerë, të treguar nga të tjerë, të jetuar nga të tjerë. Të jetuar nga të thjeshtë, etër, të vuajtur dhe mbretër. Prandaj ne duhet të jemi të qetë, diplomatë të vërtetë, qoftë thjesht dhe për një jetë. Dhe jetën duhet ta duam patjetër, ashtu sikurse e kanë dashur të gjithë që nga koha e vjetër, tek e fundmja, larg nga mburrja. 

            Nipash i dashur, jeta është sikurse dëshirat. Dëshirat janë sikurse vetë jeta. Mes të dyjave gjendet ndoshta ajo që të shpie tek e vërteta, larg nga tkurrja, larg nga mburrja. E vërteta është një telajo që na mbulon dhe na zbulon me krahët e veta të urta, duke na lënë tek e keqja, e paturpshmja, mburrja. Ne e dimë se ajo është e paqtë si era, por e fraqtë si hekuri. Mjafton të ta fiksojë mendja për ta prishur paqen e saj dhe je trullosur, pa mundur të gjesh melhemin e duhur të rikthimit në vetvete. Mjafton të lëvizësh dorën dhe hekuri i fraqtë me ty të tretet. Me të dyja është vetëm ikja. Ikja nga vetvetja. Ikja nga e vërteta. Ikja nga jeta. Ikja pa mundur të ndërtosh jetën. Ikja duke tretur të vërtetën. Dhe kështu ajo që na lanë të parët, aftësia për të mbushur hambarët, mbetet një ëndërr, ajo që na zgjon netëve të gjata: pa vare, pa nuanca, pa identitet, jetë pa jetë. Në lëvizjen tonë, ne humbin vetveten, humbim malin tonë, tokën tonë, humbin detin, flakim tej pa e kuptuar identitetin. Prandaj këtu është më mirë, të më mirëkuptosh në këtë pikë. Mburrja nuk ka qenë soj i racës sonë. Këtë na  e injektuan të tjerët, një gjysëm shekulli më vonë. E kupton sa kemi gabuar? Jemi hutuar, tradhëtuar, masakruar, kemi lënë të gjitha, mburrja na ka përvëluar. Të gjithë e kuptojmë, por e kemi vështirrë të pranojmë. Ndaj ikim, ikim dhe në fakt me kohë jemi të fikur duke ikur. Të gjithë e dimë se kemi ikur, por nuk e besojmë se kemi lajthitur. Të gjithë duan të ikin, më thua nipi im, dhe këtë e kuptoj si një mallkim. Mallkimi nuk vjen nga dashuria, por nga dhimbja. Nga dashuria, vetëm nga dashuria nuk mallkohet askush. Ka të tjera mallkime, që vijnë nga hallet, të tjera probleme që janë bërë prush. E di, mjaft mirë të kuptoj, kur thua se të tjerët nga keqqevirisja heqin, s’kanë punë, s’kanë të ardhme, s’kanë shpresa, vetëm heqin, por dije mirë nipi im, se kjo ikje nuk shuhet pa e larguar të keqin, maskarain, dreqin. Po ditëm si të veprojmë me këtë plagë të vjetër, si mbretër do të jetojmë atje, patjetër. Por kjo nuk është thjesht një literaturë me referenca, as dhe një leksion pa libër, ajo varet nga vetë preferenca, kur vetë njeriu do dimrin e bën verë, por kur hesht edhe vera i bëhet dimër.

            A të kujtohet poezia e Shilerit që të kam lexuar njëherë me zë dhe që të pata porositur ta mësosh përmendësh? Nëse jo, ja po ta kujtoj:

“Kush do të argëtojë veten me hijet,

ose lavdëroj jetën e tij me drita që shkëlqejnë më kot,

apo mban shpresat e rreme, mashtron të vërtetën?

Megjithëse me ëndrrën time, qielli im duhet të dorëzohet -

megjithëse shpirti i lirë i zhvendosur që dikur mund të qëndronte

në perandorinë e madhe të mundshme,

kjo jetë pune me zinxhirë hekuri mund të lidhet,

megjithatë, pra, mjeshtëria e gjen veten,

dhe detyra solemne ndaj akteve tona dekretohet,

kështu na mëson të mësojmë në orën e nevojës...”.

            Vërtet na mëson. Na mëson nipi im, pikërisht në orën e nevojës. Na mëson. Na mëson ku jetohet më mirë. Ku jetohet njerëzisht. Ku jetohet pa frikë, ku jetohet përditë. Ku jeta dominohet nga e urta, ku jeta është vërtet si kurba, por larg, mjaft larg nga mburrja. Mburrja po ta them pa frikë është më shumë se një armik. Mburrja ka lënë nënën shtatëzënë me foshnjën e saj në det, mburrja ka vrarë dhe ende vret. Mburrja ka mbetur e tillë kudo sot, edhe pse ka ndërruar modë. Mburrja nuk është e vërtetë, mburrja nuk është jetë. Mburrja është fëlliqësirë... Tani po të përgjigjem nipi im i mirë, shkurt dhe qartë, vetëm pa mburrje, larg nga mburrja, jetohet më mirë. 

Comments (10 posted):

Xhavit Gasa on 09/10/2017 21:20:22
avatar
Ne keto rrjeshta e gjen veten kushdo që beseon te jeta, Urime mik I nderuar Dr Fatmir Terziu!

Xhavit Gasa
Noke Abilekaj on 09/10/2017 21:21:11
avatar
Është shkruar me shpirt. Edhe me mendim.Ka këshilla praktike dhe filozofi qiellore..... Po të më lejohet, i them nipit tuaj. Jeta shtrihet brenda segmentit që ka në njërin skaj ASKETIN dhe MURGUN dhe në skalin tjetër LAKMITARIN; TË PANGOPURIN. Midis ka miliarda dhe miliarda pikëza (aty gjendet paqja dhe lufta, dashuria dhe urrejtja, e mira dhe e keqja dhe ... dhe ...... ) nga të cilat secilën mund ta zgjedhim si stacion lumturie. Zgjidh!
Noke Abilekaj
Thanas Medi on 09/10/2017 21:21:49
avatar
Bukur , leksion i domosdoshem.
Thanas Medi
Petraq Pali on 09/10/2017 21:22:53
avatar
Nje "Perle" e vertete nje "Bibel" ose nje "Almanak" qe sheron shpirtra >Urime i dashur Fatmir.
Petraq Pali
Xhahid Bushati on 09/10/2017 21:31:23
avatar
Nje mrekulli! Magjia e nje filozofie jetesore. Fatmir, nje ligjerim qe nuk e ndesh shpesh. Te pergezoj eshte pak.

Xhahid Bushati
Luan Krashi on 09/10/2017 22:04:01
avatar
kryeveper te lumte pena .z Fatmir Terziu
Luan Krashi
faruk myrtaj on 09/10/2017 22:37:04
avatar
Fatmir,

ke nisur,
e ke skicuar,
e ke hedhur tharmin
e dickaje te vecante ne kete lende
adresuar per NIPIN,
natyrisht jo thjesht per te...
...
Vasil Vasili on 10/10/2017 08:47:57
avatar
Kjo përsiatje, e mbrujtur me dhimbje dhe me dashuri mund të përdoret nga të gjithë, në çdo kohë dhe në çdo vend.
Miri Dhrami on 11/10/2017 08:02:56
avatar
Nje proze poetike qe nipat ta mbajne vath ne vesh.
Nashi Brooker on 14/10/2017 10:17:36
avatar
Nje shkrim e goditur i Dr Fatmir Terziu. Nje shkrim qe shtjellon ne menyre perfekte pasojat e mburrjes ne pergjithesi tek shqiptaret. Demet e medha, thuajse te pa riparueshme qe i eshte shkaktuar shoqeris shqiptare jane kolosale ne te ardhmen, e cila eshte nje fenomen teper serioze. Nje shoqeri e cila ka operuar mbi genjeshtren. Nje shoqeri e cila nuk do te ta shikoj te verteten ne sy. Nuk ka deshire te ta mesoj ate.

Nese ky mesazh/shkrim do te vinte nga Ismail Kadare, Blendi Fevziu, ose nga ndonje politikan shqiptar do ishin bere me qindra mijera komente, like dhe share. Por ne shqiptaret dashurojm ende me te madhin. Ate qe eshte i superfuqishem. Ne ndjekim dhe besojm autokratet. Inteligjenca e vertete eshte shuar nga mburrja, genjeshtra dhe ethet per te dominuar dhe poshteruar tjetrin.

Brezi i ri, nipi, mbesa, motra dhe femijet tane, ne te vertet nuk e dine ku jeta eshte e mire dhe se si behet e mire! Prinderit jane rritur dhe brumosur me mburrjen, hipokrizin, genjeshtren e cila ka ardhur nga te gjitha drejtimet gjate jetes se tyre. Shoqeria shqiptare flet per bese, nder bujari,Flet aq shume rreth ketyre tri tipareve dhe shpesh i romantizon ato. Por bujaria eshte e kufizuar. Bujaria e shqiptareve eshte nje tipar i popujve te varfer, jo vetem ne aspektin e te mirave materiale, por te varfer ne kultur, letersi dhe histori. Bujaria shpirterore eshte ajo qe asiston njeriun gjete jetes. Inkurajimi, mbeshtetja e te rinjve, inspirimi nga me te vjetrit duke filluar nga familja.

Brezit te ri i mungojn shembujt pozitive! Eshte e trishte qe shqiperia perpiqet te jete pjese e BE's, kurse nga ana tjeter te rinjte kerkojn me cdo kushte ta lene ate se nuk kane shprese! Ky shkrimi yt Fatmir duhet te lexohet ne Parlament. Nenat dhe grate qe luftojn per emancipimin e familjes duhet te reflektojn ne shkrime te tilla.
Te vjen keq qe droga ne shqiperi eshte nje afer politike nuk eshte biznes. Emigrimi ilegal po ashtu eshte nje afer politike. Klasa politike atje eshte problemi i ketyre problemeve. Klasa politike, lejon qe femij te vegjel te nisen neper vende te huaj te pashoqeruar. Shqiptaret kane jetuar nen skllaveri gjate historis se tyre. Skllaveria moderne e cila bota perEndimore ka nje lloje infrastrukture ta godasi. Shqiperia eshte nje nga vendet ku e ben ate te mundur. Skllaveria modernE te cilet shqiptaret jane pjes eshte prostitucioni, shfrytezimi i punes se njerezve ilegal, shfrytezimi i femijeve te mitur ne rruget e Europes perendimore kryesisht.

Si mundesh te jeshe i verber kundrejt skllaveris moderne ku shqiptaret jane te njohur statistikisht si viktim dhe agresori i ketij fenomeni nderkombetar te pameshirshem ndaj cdo moshe apo gjinie!
Fatmir nje thirrje per brezin e ri te shqiperis do ta quaja kete shkrim.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
4.50
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1