Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | GRATË E ZYRAVE

GRATË E ZYRAVE

Font size: Decrease font Enlarge font
image Qazim Shehu

GRATË E ZYRAVE

Tregim nga QAZIM SHEHU

Ajo ishte femra më e bukur në zyrat tona.Me  trup të lastartë,  buzëqeshje të çiltër dhe të folur të  sinqertë.Të paktën,kjo nuk i përket një konstatimi rastësor.Përvoja e vëzhgimit tim i afrohej një bindje deri në kufijtë e një betimi për të.E vërteta si e vërtetë, tronditej para bukurisë së saj.Nga dita në ditë po bindesha për këtë.Më bëhej se ishte fytyra më njerëzore në atë bashkësi njerëzish që dominohej nga femrat.Dhe, sepse   më dukej se ajo  gjithnjë veçohej në plotërinë e saj.Modeste, e çlirët,komunikuese dhe trasparente.Të paktën kështu më dukej.Shpirti i saj duhej të qe i madh.Jo vetëm shpirti po edhe flokët ,trupi, gjoksi i hajthëm ,hapi, gjithë ajo bukuri që ndriste në ajër ,sikur të qe një zanë mali zbritur gabimisht në atë peizazh urban me femra të mashkullorizuara, të cilate vrisnin lart dhe shkelnin bosh, e nga kjo shkelje e gabuar merrnin shpesh në thua.Ndërsa  ajo ,përditë po më trondiste.Ndjeja për të një simpati të hollë, ngrohur pakëz nga një tallazitje shpirti.Ishte një simpati tjetërsoj, një simpati e lindur  nga një vështrim i vëmendshëm. Ajo këtë nuk e dinte dhe s`kish si ta merrte vesh; po duhej ta kuptonte, teksa shpesh e komplimentoja brenda një sinqeriteti njerëzor ;fjalët e këtyre komplimenteve nuk i mbaj mend, se, ndërsa shkruaj këto radhë, më duket se jam po në ato gjendje fillestare, kur fillova ta vë re me  simpati të thellë. Punonte në një zyrë  me mua dhe shpesh lodhja mendjen,si mund të rrinte ky shpirt i butë brenda atyre numrave të ftohtë ose anasjelltas. Po kjo nuk kishte fort rëndësi,ftillohesha më vonë,rëndësi kishte që ishte e bukur,e thjeshtë, lozonjare, e brishtë, pa u munduar ta tregonte pikërisht këtë.Nuk kishte nevojë.

E shihja shpesh të dilte nga zyra ,të rrinte në dritaren e korridorit dhe aty  shihte si tymoste cigare Elvi,që e mbante veten mbretëreshën e bukurisë.Përse e shihte ashtu, nuk arrija ta kuptoja , vërtet Elvi ishte e bukur , por nuk e kishte brishtësinë dhe padjallëzinë e Livias.Kur Elvi e shtypte bishtin e cigares në një letër mbajtur në dorën tjetër,ajo i hidhte Livias një vështrim plot nënkuptim,pa ngjyrë,asnjanës.Mua më pëlqejnë femrat që pinë cigare,ato janë më liberale, të përfillshme dhe kjo gjë më duket se u shkon për bukuri.Po më shumë  më mbresonte Livia, se  nuk bënte makiazh.Femrat e tjera lyheshin e parfumoseshin,lyenin vetullat, mollzat e faqeve ,sikur mbi to të vinin petale të kaltra, lyenin buzët aq shumë ,sikur aty të kishin vënë vijën e kuqe si pengesë për mashkullin e zemrës.Nuk e kuptoja kurrë këtë lojë të lyerjeve e ngjyrave, madje e shihja shpesh një kolegen time të nxirrte një pasqyrë, shihej gjatë në të dhe pastaj të  rrotullonte një kalem boje dhe duke hapur e mbledhur buzët i lyente ato aq me nge, sikur kjo të ishte e vetmja punë , madje puna më e rëndësishme.Më bëhej se në çantë ato nuk ishin tjetër ,veçse kalema ngjyrosjeje dhe bojëra të pafundme.

Dikasteri jonë është i rëndësishëm dhe nga të gjithë femrat e zgjedhura si gra miqsh, apo vajza të preferuara ,ardhë aty here pas here, sa herë që ndërrohen ekipet, është edhe një nga dikateret më të synuara dhe më të sulmuara. Gjithë ajo tufë grashë që hyn në mëngjes nga porta kryesore i ngjan një flladi të freskët që mbush korridoret dhe u jep aromë zyrave të cilat çmpihen nga heshtja e natës prej fëshfërimës së pranisë së tyre. Po sa mirë do të ishte  që këto gra të mos lyheshin dhe ngjyheshin me një mani prefekte ardhur  deri në bezdi .Çfarë fshehin vallë ato me këtë lyerje?Para kujt duan të paraqiten të bukura, kur ato vërtet janë të bukura dhe nuk kanë kurrëfarë derti për të vënë këtë maskë të përzishme ngjyrash?Mendimet më vijnë në kokë shpesh ,ndërsa shoh Livian e cila nuk bën kurrëfarë makiazhi.Fytyra e saj ka një bardhësi të habitshme, flokë biondë i varen mbi supe si ujëvarë.Sytë bojëqielli me një vështrim të lirë flasin për një pafajësi bindëse dhe një sinqeritet të fortë .Më pëlqen shumë, ndonëse e di: ajo për mua ka vetëm respekt që i buron nga dëlirësia dhe një kod mirësjellje, energjik e delikat.E shoh shpesh midis femrave të tjera të cilat kutërbojnë nga era që nxjerr makiazhi i tyre prej bojërash kimike.

Ajo ,nganjëherë, duket sikur zë hundët ,po kjo nuk është veçse një fiksim imi.Ajo kurrë nuk e bën një gjest të tillë edhe kur ka shkak.Sjellja e saj flet për një engjëll që duket sikur ka zbritur këtu në një botë shtrigash eterike, siç janë këto gra të sprovuara dhe dinake,  të cilat dinakërinë e tyre e zhveshin nga pak përmes thashethemesh që s`është ose duhet të jetë botë e tyre.Unë nuk e kam zakon të përgjoj, po një ditë ndërsa ishin në kohë pushimi , zbrita në lokal dhe nuk pashë asnjë.Atëhere u ngjita në zyrë për të lexuar një material të cilin më duhej ta hidhja pastaj në kompjutër dhe në server.Duke ecur korridorit vura re se dera e zyrës së Valit ishte gjysmëhapur, dhe nga andej vinte një shurdhërimë zërash dhe herë pas here një kukurisje e lehtë klithmash të lehta.U afrova në majë të gishtërinjve si ndonjë hajdut duke kthyer kokën për të hetuar mos ndonjë punonjës ndodhej aty pranë.Ato çuçurisnin.Vali kishte hedhur këmbën mbi këmbë duke zbulur edhe më shalët bardhoshe, ndërsa fliste e shpenguar.

-Ah, moj gra, një shtërngim i bëra dhe i shkreti u shkreh i tëri…

Monda e shihte me dorën nën mjekër, tundte kokën dhe mbyllte sytë duke psherëtirë ,ndërsa Tinka ,kjo dosë e vjetër e divorcuar,  ende e mbajtur, duke përmendur shpesh nderin e burrit të ndarë ,fliste se edhe ajo e kishte zënë një bukurosh nga ata të dikasterit  përballë, veç emrin nuk ia thoshte për të shtuar edhe më kureshtjen e të tjerave.Kurrë s`më kishte ndodhur ndonjëherë të gjendesha në një rreth tjetër femrash dhe të dëgjoja nga goja e tyre fjalë të tilla, madje fjalë që lexuesi i merr me mend e që nuk thuhen në këtë rrëfim, të cilin do ta quaja autentik nga besimi i shpirtit tim për çfarë pashë dhe dëgjova.Aty dëgjova se të gjitha i shanin burrat e tyre me gjysmë zëri pa keqardhje, duke sjellë nëpër gojë flashkësinë e tyre dhe gërhitjen si të berrit kur i vë thikën në fyt;madje, njëra burrin e vet e quajti një gomar të kopanisur nga refuzimet e saj të përsëritura.Ai sa herë pëlliste , ajo ia vinte frenë në gojë me dëshirën më të madhe duke e sjellë si ngordhalaq tek këmbët.Fliste edhe gjëra të tjera, ndërsa zërin e ngrinte dhe ulte sikur të bënte prova për aktrim.U fol diçka për shefin e madh, sa iu përmend emri njëherë, se fjalët e tjera vijuan me ca nënkuptime plot zgjuarsi , kuptohet ato ruheshin nga njëra tjetra.Dikush tentoi ta hapë kuptimin e fjalës drejt një objektivi më real,po këtu pushuan thashethemet dhe fjalët e pista, sepse asnjërës nuk ia mbajti të shfaqej para tjetrës  çfarë mendonte për shefin e madh.

Po sa çudi më erdh kur midis tyre pashë Livian.Ishte tërësisht e skuqur dhe rrinte disi larg.Livia nuk fliste.E justifikova me mendjen time dhe më erdhi mirë tek e shihja ashtu të heshtur pa bërë zë, skuqur tërësisht, sikur ta kishte fshikulluar një erë e ftohtë dhe e mprehtë  brisk.Një mendje më thoshta të hyja brenda dhe t`ua prishja atë ligjëratë të nxehtë;ato nuk duhej të flisnin ashtu, sidomos Livia s`duhej të dëgjonte fjalë të tilla, ajo ishte e re, e bukur, e njomë e padjallëzuar;jo nuk ishte e drejtë...Por e dija sesi do më drejtoheshin, si do më shanin, apo do më hidhnin ndonjë fjalë se sikur nuk i dinin  vardisjet e mia, sepse këto gra dinë çdo gjë, asgjë nuk u shpëton dhe çdo gjë u besohet.Duke u tërhequr lehtas bëra mbrapsht dhe u ula në zyrën time pranë tavolinës.Mora materialin, fillova ta lexoj.U hap dera dhe hyri Livia.Ajo u ul pa më thënë gjë,siç më thoshte rëndom:ç`kemi, shef.Nuk e pyeta ku ishte, veçse instiktivisht pashë orën,i penduar pas pak për këtë veprim, se kurrë nuk ia kisha përmendur ndonjë moskorrektesë të vockël në orar.S`dihej si do e merrte, po me sa vura re, ajo nuk e hetoi këtë dhe unë u ndjeva i kënaqur.Sërish ishte e skuqur në fytyrë dhe flokët biondë më dukeshin me majë të përcëlluar nga kjo skuqje.Të nesërmen nuk vajta në zyrë , m`u desh të shkoj në një qytet provincial për të verifikuar një paskontroll.

Kur vajta pas tri ditësh Livia më pa me vëmendje sikur unë të isha i ri, apo i panjohur.Nuk desh ta tregojë vëmendjen po kjo gjë nuk më shpëtoi.Çfarë duhej të kishte ndodhur?Mos ndoshta ndonjëra nga gratë e kishte pikasur që unë kisha dëgjuar duke përgjuar si rrugaç bisedën e tyre me fjalë turpi?Dhe kjo na duhet, thashë, të ruhesh nga këto ,o derdimen ,i fola vetes, dhe më shkuan mornica.Kur s`ke pula, pse duhej të bëja :ish?...Këtë shprehje ma përsëriste gjithnjë im atë duke kuptuar natyrën time prej kureshtari hutaq.Edhe kjo na duhet , mërmërita sërish me vete,duke kujtuar ato amazona të paplakura të cilat kërkonin të shpërthenin vetminë dhe ngurosjen e mureve të zyrave të heshtura me një lojë fjalësh erotike që afronte pranverën në një shpirt të konsumuar prej zgjedhjeve të gabuara ose një egoje që sillte ëndrra për tu ngjitur më lart.Livia sërish e uli kokën e qetë dhe me gishtat e saj të hollë takonte tastierën e kompjuterit.Në pushim ,më tha se donte të pinte një kafe dhe po të doja të shkoja, sepse kishte një rast.I thashë se do vonoja pak dhe ajo të priste.Livia doli.E gjeta tek klubi .Aty ishin të gjitha gratë, po tani të shpërndara me njëra tjetrën nëpër tavolina ,ndonjëra vetëm,ndërsa shumica bisedonin me kolegë.Unë u ula pranë Livias dhe ajo kishte porositur kafe dhe rakinë time të preferuar.Flokët ia mbulonin qafën po në një lëvizje të beftë vura re se gusha iu zbulua dhe aty ishte një njollë e vockël.Edhe kjo po fillon të bëjë makiazh, mendova,haje dreq këtë punë!...Po u kujtova se makiazhi s`ka sesi bëhet në gushë,pa lyer më parë qerpikët,vetullat mollza, ndërsa faqet e saj ndrisnin nga pastërtia e lëkurës që dukej sikur lëshonte një aromë natyrale si të vinte në ato momente nga një lëndinë mes malesh.E rufita ngadalë kafenë dhe rakia m`u duk se kishte ndërruar dorë.Ishte më e fortë,e vrazhdë.Livia filloi të bisedonte për një udhëtim në Paris në përbërje të një delegacioni të vogël.Ajo më tha se zotëronte njohuri të mira nga frëngjishtja dhe mund të shërbente edhe si përkthyese.

-Më bëhet qejfi,- i thashë, ti e di që unë ty të uroj gjithmonë,ti nuk je si gratë e tjera,ti je e veçantë…

-Jo, tha,-unë jam si çdo njeri,herë e parë që e dëgjoj këtë…

E vlerësova në heshtje për këtë, po, vërtetë ajo ishte tjetërsoj, bukuria e saj të afronte dhe fshehtësia dhe guximi që kishte më bëhej ta adhuroja më tepër.Nuk di se ç`fjalë i thashë, nuk më kujtohet tani, por mbaj mend se qeshi me të madhe,supet iu tundën ,ndërsa flokët e verdhë ngriheshin si dallgë mbi një breg kur bie tërmet ose bregu rrënohet nga një forcë e brendshme nën të.Më erdh zor.Fundja çfarë i thashë, a nuk mund t`ia thoja në zyrë kur ishim vetëm këto fjalë.S`di sesi më erdh.Njeriu nganjëherë e braktis veten dhe gjen një arsye për të mos menduar mirë në çfarë ambienti rri ose çfarë rrethane përparon në atë çast.Kur u ngritëm dhe vajtëm në zyrë, unë  gjeta një shkas duke i thënë se më kërkonte Tahiri, zëvendësi i shefit të madh.Isha ende i trullosur, ajo s`më kishte kuptuar që unë e doja jo si objekt, siç e shohin shumë njerëz femrën,e doja se ishte më e bukura dhe shpirti i saj qe i panjollosur nga ajo përvojë e çekuilibruar e grave të tjera. Ika duke shkelur mbi shkallë si mbi greminat e fjalëve të mia. Dola përjashta ,gjeta një lokal dhe ia lëshova një gote rakie tjetër me një pjatë qofte.I hidhja sytë nga xhamat dhe shikoja kalimtarët në rrugë.Vraponin,iknin, të gjithë të thithur në punët e tyre…Burra si të tromaksur dhe gra të vetmuara.

 

Të nesërmen zyra i kishte dritaret e hapura.Livia kishte ardhë para meje dhe trokiste gishtat në tastjerë ose tastiera kërcente me germat nga gishtat e saj.E përshëndeta dhe ma ktheu përgjigjen pa dashamirësi..Njolla e vockël në gushë pasi kishte bredhur trupin e saj duke bërë një udhëtim të butë në mishin e saj njomëzak kishte zënë vend në faqe.Ndjeva një trishtim të beftë,e ardhuroja atë vajzë,e doja fort ,për asgjë tjetër, sepse ajo ishte e heshtur,e ndrojtur,bukuroshe në kulm dhe mjaft e thjeshtë.E vërejta me kujdes.Njolla nuk ishin veçse një fantakujdesja ime për të ruajtur imazhin të pastër  në përcaktimin e saj.Fantakujdesi ndoshta zbriste më në realitet:Kush e di çfarë e kish torturuar kaq gjatë dhe ajo s`kish mundur të mbante brenda atë që mezi ndryhet. Dhe kush e di ç`donte të më thoshte në kafe e s`ma tha.Fundja pse duhej të ma thoshte, ajo ishte vajzë e zgjuar…Nuk doja ta vëreja më, dhe dola përjashta e s`di pse këmbët më çuan në banjo.Aty ,pikërisht, në lavaman ishte derdhur bojë e kuqe.M`u duk sikur dikush kishte vjellë ose kishte hedhur mbi të bojë të tepërt.Tmerri i bojës më kaploi, ndërsa pashë në oborr dy bojaxhinj me kova në duar.Edhe godinat donin bojë.Gjithë jeta ka nevojë të bojatiset , mendova dhe u riktheva në zyrë.Pas tri ditësh Livia iku nga zyra ime.Ajo mori zyrë në vete  dhe nuk u interesova më në se kishte shkuar në Paris...Por s`di pse më sillej ndërmend biseda e vjedhur e atyre grave kur përgjova rastësisht pa pikë turpi…, rasti që s`ma tha, dhe ajo kafe e fundit me Livian,shijen e hidhur të së cilës nuk e hoqa edhe ca kohë nga ndjesite...

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1