Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | “Blubber”

“Blubber”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fatmir Terziu

“Blubber”

Nga Fatmir Terziu

 

U ngrit nga tryeza, ku ishin ulur, ku qëndronte mbi kokat e tyre piktura e famshme e Oswald Walter Brierly “Anija emigrante që mbërrin nga Sydney Heads” me një nënshkrim dore në anglisht “blubber” dhe menjëherë i porositi tre shitëset e kompanisë së tij të shkonin të pushonin. Dy vajzat beqare dhe nusja e një miku të tij u larguan duke bërë ritualin e tyre të zakonshëm. Një ritual sa i trashëguar, sa aristokratik, aq dhe i bezdisshëm për Alenin. Por, Aleni nuk jepej. Iu afrua bukurosheve ngadalë dhe në sytë e mikut të tij të ri nga vendi i vogël nuk la të dallohej bezdia. Ngadalë i përqafoi lehtë dhe pastaj i ndihmoi në hapjen e derës së dhomës së madhe të mobiluar me një stil klasik.

            -Ju i respektoni pa masë punonjëset tuaja, ama punonjësit tuaj, i nderuar Alen, - i tha Torshi, miku i tij i ri, thuajse bashkëmoshatar me të, por me një ndryshim të madh në jetën e tyre.

            -Jeta, është e mistershme, përkujdesi për të, për ata që e duan jetën mes punës natyrisht dhe respekti për punën është biblik. Nuk është thjesht se i respektoj, por ka një kod jete, nëse tjetri të bën punën, të bën për vete, të fal një përqindje respekti nga tërë koha e tij e respektuar, duhet parë përtej halleve dhe kushteve që ndryshojnë pozicionet.

            Torshi gati u dorëzua menjëherë me këtë përgjigje të shpejtë e të drejtë, të gjatë në shpjegim, dhe ndoshta nuk e priste kaq të detajuar, prandaj ngriti kokën menjëherë nga pozicioni i shikimit poshtë dhe e pa drejt e në sy Alenin që në çast ishte ngritur dhe kishte bërë një hap drejt tij.

            -Dhe kjo marrëdhënie me këta të punësuar nuk ju ka krijuar ndonjë ndjesi të mërzitjes, nga ato që ndodhin rutinë me punëdhënës dhe punëmarrës?

            -Natyrisht, jo të gjitha gjërat kanë shkuar vaj. Ka pasur ndonjëherë dhe të tilla…

            Pasi kishte bërë fare afër pranë Torshit, në fillim mori gotën në tryezë dhe pastaj pasi e uroi dhe njëherë “Gëzuar!” në gjuhën e vendit të Torshit, nisi të fliste përsëri rreth pyetjes së mëparshme:

            -Babai im ishte ai që ma dha këtë profesion të trashëguar prej babait të tij. Ditën kur më urdhëroi të shkoja me të në një nga dyqanet e tij të këpucëve më tha dhe një fjalë në vesh: “Kujdes më tha, fjala vret më shumë se këpuca e ngushtë! Duhet ti ngjash gjyshit!”  Ai shquhej për shitjen e këpucëve në Lids. Këpucët e modës ishin shija dhe preferenca e tij. Ndaj, … herë pas here, ai sikurse ndërronte modën e këpucëve, ndërronte dhe punonjësit e dyqaneve të tij, por gjithnjë sikurse i merrte në punë dhe kur i largonte nga puna fjalët ishin mes mirësisë. U ndante një rrogë shtesë dhe madje u vinte në ndihmë për disa halle të tjera, që mund të kishin ata.

            -Po nga e dini ju se gjithnjë “mirësia” ka qenë mes të dy palëve?

            -Këtë në fakt, nuk do ta kisha thënë, nëse nuk do të kisha qindra e qindra kartolina në vite që i kanë ardhur tim Eti për krishtlindje. Fjalët e këtyre kartolinave janë shkruar me mirësi. Im Atë kishte lindur në fakt të trashëgonte tërësisht mirësitë e gjyshit tim. Dhe kjo ishte më shumë se trashëgimia e pasurisë.

            Torshi me një sens habie përsëri dukej sikur po shkelte në një botë të panjohur. Bota mes këtyre fjalëve, mes atyre kartolinave të zverdhura, por të shkruara bukur e mjaft ndjeshëm me dorë dhe me një koligrafi të përsosur i dukej akoma si një llustër. Nuk i dukej si e besueshme. Pastaj duke i kërkuar më shumë, ndoshta aq shumë sa i dukej sikur e bezdiste, i kërkoi mes një të falure të thellë që ti shpjegonte më shumë rreth këtyre ardhjeve dhe ikjeve mes mirësisë së të dy palëve.

            Aleni buzëqeshi. Natyrisht pa dhe pikturën që varej në murin pas shkitazi me sy, një veprim ky që e bëri mikun e tij të ri akoma më shumë të ishte i zënë ngushtë, dhe sytë i mbetën vetvetiu aty ku dora kishte lënë shenjën e saj “bulbber”. Fundja, tha me vete Torshi, përse më duhen gjithë këto pyetje? Ndërsa ai ishte i përhumbur në vetvete, Aleni vazhdonte të buzëqeshte lehtë. Dhe për ta lehtësuar akoma më shumë, duke i shprehur se ishte mjaft i kënaqur që e pyeste, ia trokiti përsëri gotën me një “Gëzuar!” të lehtë.

            Atëherë, Torshani gati u kurdis. Në rregull, atëherë ju lutem më tregoni diçka më konkrete në këtë lidhje të kahershme të biznesit tuaj? Më thoni si ndodhte që të mos kishte mëri? Në vendin tim thuhej kështu: “Ne bëjmë sikur punojmë dhe ata bëjnë sikur na paguajnë.” Dhe pas kësaj dihej vlera dhe çmimi…

            Aleni u përqëndua në atë fjalinë e fundit dhe përsëri duke buzëqeshur lehtë u përgjigj:

-Larg dhe ndoshta mjaft larg, çmimi më i mirë, që ofron jeta, është shansi për të punuar shumë në punë, duke bërë vlerë. Vlera të bën të ndjehesh mirë. Në fakt të dy palët i bën të jenë mirë… Dhe kjo nga larg në kohë, mjaft larg…

Gjyshi im kishte qenë polic në rininë e tij. Kishte pasur pasion ligjin, rregullin dhe gjithnjë kishte dashur drejtësi. Këtë frymë e kishte shpërndarë kudo në Lids. Dhe me atë punë ai ishte bërë i njohur. Ishte bërë i njohur mjaft nga njerëzit, por babai më thoshte se nuk e donin zyrtarët. Ata kërkonin një figurë polici më të rreptë në këtë qytet. Të mbante zap të gjithë me forcë. Të mos linte të këqinjtë që ishin pasuruar ndër vite të bënin sipas qejfit. Të mos krijonte miqësi me njerëzit. Por ai, më tregonte babai, nuk e bënte dot këtë. Një ditë kishte kërkuar të dorëhiqej. Dhe kështu kishte bërë. Kur ishte dorëhequr nga puna si polic, kishte filluar të mërzitej. Papunësia e kishte bërë të frekuentonte pabin “Brirët e Kaprollit” dhe aty, babai më thoshte se ai u bë palë me ata që kishin kryefjalën e ditës pijen. Ndaj im atë më tregonte gjithnjë, se gjyshi nisi të pijë shumë. Aq shumë sa një ditë pas një rrëmuje bashkë me disa të tjerë kishte përfunduar vetë në polici. Kishte përfunduar atje ku kishte shpënë mjaft të tjerë në gjendjen e tij. Larg në Australi degdiseshin prej kohësh njerëzit e pabindur dhe atje ndodhi dhe ajo që ndodhi. Atje ai për njëzetë e katër muaj të jetës së tij më të zezë, piketoi në mendjen e tij një pikë të bardhë, një ëndërr të re. Njëri nga ta me të cilët kishin krijuar rrëmujën në pije e sipër i kishte folur gjatë gjithë natës për këpucët. “Unë kam treqind palë këpucë në shtëpi. Dhe e di, i kishte thënë gjyshit, unë udhëtoj nga Lidsi në Londër javë për javë dhe blej tre palë këpucë. Si unë janë dhe dhjetë të tjerë. Kështu bëjmë ne…”. Kaq kishte dashur gjyshi që të mendonte ndryshe në kthimin e tij nga Australia. Me të mbërritur në Lids, sapo kishte dalë nga Rajoni i Policisë, ku kishte dorëzuar letër-daljen nga dënimi, nuk kishte shkuar në shtëpi. Menjëherë kishte kërkuar të takonte një mikun e tij në Bankë. Pastaj kishte marrë kredi. Kishte marë një dyqan me qera dhe kishte shkuar në Londër. Atje kishte lidhur tre kontrata këpucësh. Në rrugëtimin e dytë bashkë me këpucët e kontratës kishte blerë dhe këtë pikturë, ku me dorën e tij ka shënuar “blubber”…

-Domethënë ai, pra gjyshi juaj…, gjyshi juaj kishte filluar të bëhej tregëtar dhe më pas u bë pasanik prej tregëtisë?

-Aleni mori gotën në dorë dhe lëvizi menjëherë duke bërë nga dritarja. Pastaj hapi perdet, ato perde tipike të rrënda të zonës së Jorkshires dhe vëzhgoi qiellin gri. Me sa u kuptua, gjithmonë nguronte të përgjigjej për këtë. Aleni ishte një njeri i zgjuar vetë. Të gjithë, të paktën për tre vitet e Troshanit atje, si mik dhe si punëtor i tij e kishin bërë të mësonte se atë e respektonin të gjithë. Madje ai ishte më shumë i respektuar se mjaft persona të tjerë mjaft publikë. Në të vërtetë ai ishte mjaft inteligjent, korrekt, mirësjellës, human dhe tejet i gatshëm të ndihmonte jo vetëm qytetarët e tij në nevojë, por dhe ata që vinin nga ana e anës dhe kishin kërkuar azil, me të gjithë ata të cilët vinin një herë në javë në socialin ngjitur me njërin nga dyqanet e tij.

Ngjashëm me gjyshin e tij, po aq më shumë dhe me babain e tij, ai kishte mësyrë në ndërgjegjen e tij duke huazuar shenja mirësie. Ishte i gatshëm ta bënte këtë dhe madje ta trashëgonte më tej. “Mirësia është mirësi, fundja nuk është modë këpucësh”, thoshte ai mjaft herë në bisedë e sipër.

Torshani, burri në të tridhjetë e pestat e tij, me gruan dhe tre fëmijët e tij, kishte gati dy vite që ishte bërë mik i familjes. Madje dhe të dielat i kalonin bashkë në një nga kongregacionet e zonës, ku përkujdesja shpirtërore bëhej nga një prift që kishte vizituar disa herë vendlindjen e tij në disa udhëtime misterioze nga Italia. Vajza e tij ishte bërë një përkujdesëse e mirësjellshme për tre fëmijët. E shoqja e Alenit, një grua zonjë, të jepte përshtypjen se ishte një plotëse e vetë burrit të saj në të gjitha mirësjelljet. Aleni ishte miqësuar mjaft me Torshanin, madje dhe në kohë të lirë, furnizime, punë e papunë ai e merrte atë me vete kudo. Kishte kjo më shumë se një vit, pasi Torshani në fillim ishte thjesht një punonjës i tij. Por, edhe Torshani kishte përshtypjen se Aleni ishte një mik i radhë, ndaj gjithnjë e lavdërronte pa masë atë, edhe pse Alenit nuk i pëlqenin shumë lëvdatat.

Torshani bashkë me familjen e tij shkonin gati javë për javë, në fundjavë, në shtëpinë e madhe të Alenit, ku bënin barbeque në kopshtin e tij të bukur e të tejkujdesur pas shtëpisë. Kishin lidhur kështu një miqësi të mirë e të sinqertë si dy familje të mirësjellshme që ishin. Aleni dhe Troshani, dukeshin sikur i kishte lindur një nënë, madje binin dakord për gjithçka me një gjysmë fjale, duke mbetur gjithnjë më të mirët ndër personat e thjeshtë e të dashur, që kishin vizituar e ishin miqësuar në atë shtëpi. Nëse ndodhte ndryshe, ishte vetëm gjuha, në fakt vetëm diksioni i asaj gjuhe në dy kultura të ndryshme.

Aleni u qetësua pak, pastaj iu drejtua Torshanit:

            -Ka ardhur koha të të dëgjojmë edhe ty, a nuk duhet tashmë të dimë më shumë rreth jetës suaj?

Torshani, gati i çliruar, gati-gati i gatshëm të shpërthente për jetën e tij, kur u bë të hapte gojën, një lot rrokaposhtmthi kapërceu baqthin e ndarjes me hundën dhe pushoi në pecetën e tij të bardhë. Ndërkohë ia nisi: “Kam dashur vetë të rrëfehem diku. Kisha kohë që e prisja një pyetje të tillë. Ja ku erdhi. Prindërit e mi nuk patën fatin të gëzonin një jetë të mirë, ashtu sikurse kishin ëndërruar prindërit e tyre, tregtarë në vendlindje dhe mjaft të pasur. Babai im ka qenë trembëdhjetëvjeçar kur uniformat e shtetit me yll në ballë ia sekustruan pasurinë dhe ia burgosën të atin. Gjyshin e kam njohur vetëm nga fotografitë e vetme bardhë e zi, të cilat gjyshja i mbante në kovçekun e saj. Ndërsa nëna u martua e vogël me babain tim dhe atë e ndoqi një fat ndryshe, gati më i keq akoma. Përndjekjet e familjes së saj nuk përfunduan vetëm me cilësimet kulak, por nuk e lanë kurë të punonte në profesionin e  saj. Megjithatë ata rritën plot shtatë fëmijë, mua bashkë me tre vëllezërit dhe tre motrat e mia. Në një kohë që na rrisnin ata ishin detyruar të qëndronin gati të izoluar dyfish, mes një izolimi të plotë të vetë vendit. Askush nuk u fliste. Të gjithë u largoheshin. Kështu ndodhte dhe me ne si fëmijë, të qëndronim në një botë të izoluar. Gati-gati të shpërfilluar nga të tjerët, të cilët kishin frikë të kafshonin dhe atë që ne donim ta ndanim me zemër me ta. Ne kishim një ndjesi më të thellë, dhe kur luanim ndonjëherë afër transhesë, vendit ku duhej të strehoheshim nga sulmi perëndimor, ne ishim loja tjetër për prindërit e tyre. Kjo u bë për ne një lojë e rrezikshme për vetë jetën. Ne donim të luanim, por lojërat tona gjithnjë ishin karbit në sytë zjarr të të tjerëve. Dhe kjo për fatin tonë të keq, jo të lidhur me ndonjë gabim në jetë. Unë isha më i madhi. Nuk e duroja dot këtë shpërfillje. Ishte një ofendim për të gjithë ne, por babai dhe nëna reagonin ashpërr. Kurrë nuk pajtoheshin me sjelljen time. Nuk donin të bëhesha i egër, inatçi. “Inati është si uthulla e fortë, bir’, më thoshte dhe më këshillonte babai. Kështu që nën presionin e prindërve loja jonë ishte thuajse ajo që bëhej me gishtat e dorës. Një lojë në izolim të plotë. Izolimi ishte në fakt një idiotësi që vinte nga politika e shtetit të vetëizoluar. Kështu kur gjërat politike ndryshuan, izolimi mori një formë tjetër. U tha se kishte liri, por duheshin viza dhe para që të lëvizje. U tha se …, e ç’nuk u tha, dhe ne, unë më së shumti e besova dhe gati me atë besim të krijuar, gati nuk e humba dhe jetën time. Po, po, jetën time. E përse? Për një gjë që as e dija, dhe madje as nuk e di edhe sot. Të tjerë ishin ata që e kishin bërë, të tjerë ishin ata që morën nëpër gojë dynjanë. Ai vit erdhi si një stuhi e papritur nga deti dhe varrezat u veshën me lule e kurora për adoleshentë e të rrinj. Nënat u mbuluan me të zeza. Ai vit na bëri pastaj të rikthenim frikën e një izolimi më të frikshëm, më të tmershëm. Dhe ja ai vit, ai vit ishte sebepi që ne jemi këtu me ju… E ku mendon se ndodh kjo? E jo më pastaj të mendonim për mirësi, mirësjellje, apo ndonjë përkujdesje falë punës me zemër e përkushtim që bënim ne. I ribraktisëm dhe ato pak gjëra që shpresuam se i rikrijuam pa u kuptuar nga të gjithë. Dhe sikur të mos na mjaftonin lotët e fëmijërisë, rinisë sonë, na u deshën dhe…, dhe këto lotë. Të gjithë këto lotë më bëjnë të …, na bëjnë të mbushim oqeane akoma më të mëdhenj.

            Aleni në fakt ishte vetë i përlotur. Lotët e tij garonin në tërë hapësirën e fytyrës së tij të thatë e të tërhequr poshtë mjekrës. Pastaj të dy kthyen sytë nga dritarja. Qielli kishte marrë çehren e tij të zakonshme të mesditës dhe nga ana tjetër vunë re se tryeza ishte boshatisur. Të dy zbritën shkallët njëri pas tjetrit dhe në dalje të shtëpisë u ndanë duke mos folur si gjithnjë, por duke u përqafuar fort e më fort. Fjalët ende kishin pushtetin e lotëve. Dhe lotët vetvetiu dukej se nxitonin me një arsye të fortë brenda burimit të tyre për të dalë sa më shpejt nga izolimi i tyre i thellë dhe i errët. E vetmja fjalë që nxorri Aleni nga goja ishte “blubber”.

            Po, po kësaj i thonë blubber, të qash me dënesje - tha Aleni. Është ajo që gjyshi im e shënoi me dorën e tij në atë pikturë të famshme të Oswald Walter Brierly, atë lot që i mungonte asaj pikture në atë anije oqeanike, me të cilën udhëtoi dhe gjyshi im.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1