Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | BURRAT E MURRMË

BURRAT E MURRMË

Font size: Decrease font Enlarge font
image Qazim Shehu

BURRAT E MURRMË

Tregim nga Qazim Shehu

Ishte i njenjti lokal ku ne shkonim shpesh, aty pinin një gotë verë dhe rrinim duke soditur reliket e vjetra.Në mure ishin  vareshin kusi, amfora, portrete rilindasish, ndonje shpatë e vjetër, jatagan, thikë,qeramidhe.Nën tavan stilizoheshin disa trarë ku vareshin dy tri këmborë.Lokali vështronte nga një rrugë qorre, po çuditërisht, aty vinin njerëz të tërhequr  prej kamariereve të bukura ose të atyre relikeve të vjetra që flisnin me një gjuhë të heshtur me muret e palyera me kohë. I zoti i lokalit nje njeri i honepsur e perzuri nje kuzhiniere te re ,sapo kujtoi se ajo kishte qëllime ndaj meje.Kjo nuk ishte veçse një kujtesë e kotë që vinte prej ligësisë ose ngushtësisë së një neqezi.Pa turpin më minimal më tha:s`kisha besim tek ajo, ty s`të përzë dot, atë e qërova. Kur shqiptoi fjalën e fundit ,sikur ajo kuzhinierja të ishte një patate apo qepë e harruar, më erdh t`ia përveshja një herë asaj fytyre petashuqe gjithë dhjamë,ose të mos e shkilja më kurrë atë lokal.Pa diktuar shenjë këshërie tek unë ,ai vijoi:

-E kam nga përvoja, tha.Kur punoja dikur në provincë, një kuzhiniere me hidhte poshtë pilafit dy copa të mira bërxollë dhe askush s`e merrte vesh. Fytyra e tij që s`kish asnjë emocion dhe  nuk e kuptoja nga e merrte atë guxim që i gjykonte të tjerët nga vetja ose si vetja. Vetëtimthi e hodha mendjen tek ajo kuzhinierja që më kishte buzëqeshur dy tri herë njerëzishëm, ndoshta edhe nga begenisja ime kur e shihja që dilte nga sporteli dhe na shihte  duke pranuar me mirësjellje një kola nga ne.Shpeh gjërat krijohen vetiu,në mënyrë të papritur rrymëzohen në ajër dhe janë disa grimca të kësaj rryme që reflektojnë më tepër dhe aty lind dielli i vockël i shpresës .Sidoqoftë unë isha bërë shkak, dhe tani s`dihej ku ishte ajo.Me siguri kishte mbetur pa punë.Unë kam një tip keqkuptues.Mos vallë më merrte për ndonjë të pasur me që vishesha mirë ,ose më merrte si njeri të rëndësishëm nga që flisja rrallë dhe përqëndrohesha në heshtjen time .

 Një bionde e njohur s`di se ku ,gjithnjë më ndalonte në rrugë dhe më pyeste se si po ecte firma ime e ndërtimit.Si i pazoti për t`u futur në lojëra të tilla, gjithnjë i thosha: mire, dhe bëja indiferentin duke ndjerë pas krahëve pezmatimin e saj.Ky keqkuptim më tralliste gjithnjë ,sepse asaj i ishte shkrepur në mendje se unë isha patjetër president firme. Mbase edhe kësaj kuzhinieres i ishte shkrepur në kokë se unë duhej të isha drejtor drejtorie ose diçka më lart. Gjithësesi nuk e humbas shumë kohën me këto, po nganjëherë krijohen disa çaste të cilat nuk u shpëton dot. Mua nuk më pëlqejnë shumë gratë lozonjare ose që jepen shpejt duke krijuar ca flukse vështrimesh pa turp. Gjithnjë më pëlqen ato të heshturat, enigmatiket, që tërhiqen vazhdimisht në një botë të pandërprerë ku pengesat e saj i dinë vetëm ato.Më bëhet të besohet se gjithnjë ka një cak , apo një kod të përfillshëm ku duhet të arrish botën femërore, po nuk ia vlen të lodhesh kaq shumë, përderisa ky cak ekziston vetëm në një mendje dhe nuk bëhet një sistem të menduari obsesiv.Kështu po mendoja atë ditë, ndërsa shihja një kamariere të re, një bionde syshkëndije,truplastar, që ecte shpejt mes tavolinave, diku çonte një pirun të harruar e diku bukën apo gotën e ujit.Ajo më shikonte dhe s`vinte kurrë tek unë, ndoshta pse e kuptoi se  nuk mërzitesha ,ndoshta pse i pëlqente ta shikoja.Kuzhinierja më iku nga mendja.

Gjithësesi po mërzitesha, kur, në ato caste, erdhi Gimi.

-Ti , vetëm, tha ai, pse mor jahu nuk më more në telefon? Gimi ishte shoku im i vjetër.Bashkë rrinim sa herë dhe ai shpesh, kur më gjente rastësisht ,e quante detyre miqësore thirrjen dhe unë nuk ia merrja për ters.

-Thjesht, do ha një pilaf dhe do iki-kam ngutje, -thashë.Gimi tërhoqi zvarrë një karrike, kjo bëri përshtypje.

-Ngutje, o zot….-ai rrotulloi kokën dhe e pa kamarieren që vërtitej si flutur:-çfarë cope….

-Kush…mendja rrihte gjetiu, kot.

-Kamarierja, nuk e shikon?Nga e ka e kanë psonisur këtë perri?-Eh,-psherëtiu ai.Vërtet kishte të drejtë.Edhe unë isha emocionuar nga bukuria e saj, po nuk e shprehja këtë.Emocioni estetik tek unë zhytet thellë ,nuk del kurrë në sipërfaqe.

-Qeramudin-thirri ai pronarin e lokalit-hajde këtu, mor edepsez!-ai e thërriste kështu gjithnjë në koinfidencë atë dhe tjetri e merrte këtë fjalë si lavdërim.Erdhi me hap të ngadaltë duke lëshur rrugës dy tre buzëqeshje për klientë të tjerë.U ul ngadalë dhe i drejtoi sytë drejt Gimit:

_Ç`do, mor kopuk?

-Qeramudin-psherëtiu Gimi-, ama ,ti kuzhinier je ,gjellë gatuan, po ku e ke gjetur këtë pelë, mor jahu?

-E do, ti them?- tha Qeramudini

-Jo,…ngjalat i kap vetë-tha Gimi

-Në do, i them, gati është…foli Qeramudini duke fërkuar dy gishtat sikur të mos ishte kuzhinier, po pronar i një bordelloje.Në zërin e tij kishte një ngrefosje dhe një ngutje prej budallai.

Qeramudini iku. Atë e thirri dikush tjetër, mbase një klient i cili edhe ai mund ta pyeste për kamarieren.Më në fund ajo erdhi.Lëshoi një buzëqeshje të gatshme siç ia donte puna dhe pyeti me një delikatesë që të therte në shpirt ndoshta për shkak të bukurisë.

-Mirë se erdhët… çfarë dëshironi, zotërinj?…

-Çfarë të duam,moj zonjushe nuk e sheh se na hutove fare

-U lutem zotërinj,s`kam kohë, ka njerëz plot..Kjo fjalë u kuptua se ajo dëshironte të fliste me Gimin, po nuk mundej na ato çaste.

-Një shishe verë, dy bërxolla, po thuaj atij kafshës,Qeramudinit, t`i pjekë mirë.

Doja t`i thoja Gimit se e kishte gjuhën nëpërkë ,po u mbajta.Ai s`duhej të fliste ashtu. E pashë kamarieren si na ktheu kurrizin; mbi supet e saj shndrisnin flokët e verdhë që  ujëvaronin mbi shpinë. Nuk u vonua dhe erdhi shpejt.E hetoja me kujdes për të mos u bërë i bezdisshëm.Po ta vinte re këtë do më vinte zor.Ajo vuri shishen mbi tavolinë dhe u mundua ta hapte. Gishtat e hollë sikur vërtiteshin për të marrë forcë.Gimi i rrëmbeu hapësen nga dora dhe tha;

-Vdeksha unë për ty, më lejo, e dashur, ta hap unë..

Vajza u skuq. E pashë sesi rrudhi buzët dhe kjo i dha më tepër  bukuri.Gimi hapi shishen dhe i tha se një gotë do ta ruante për të.Ajo , në të qindtën e sekondës, bëri një lëvizje, u mundua të thotë diçka,ndoshta bëri një përpjekje për të reaguar ashpërsisht ,po unë nuk e vura re këtë. S`tha gjë dhe iku e thirrur nga dikush. 

-Se si më duket kjo kamariere, tha Gimi-sikur s`kam parë femër të tillë edhe pse kam parë plot. 

–Një femër si gjithë femrat,-shtova për t`ia shuar hovin prej të marri.

Ai piu pa më thënë gëzuar ,ndërkohë erdhën dy bërxollat.Në fytyrën e saj ndrinte një përskuqje e natyrtë ,po njëkohësisht buzëqeshte sikur donte të mbante një lehtësim.Gimi e shihte paturpësisht duke hetuar bluzën e saj të hollë nga dilte gjysmëforma e gjinjve të kërcyer.Ajo e vuri re këtë dhe u skuq më tepër.Dukej pakëz e lodhur, po nuk e jepte veten.Gimi rrëkëlleu verën me vështrimin tek ajo, ndërsa harroi dhe cirkat e rrëkëllenjës iu derdhën mbi të kthyerën e xhaketës. Nuk e vuri re.Njerëzit po iknin. Kamarierja  u ul në një tavolinë bosh dhe po numëronte paratë.Shkruante ngadalë mbi një bllok, ndërsa Qeramundini kishte nxjerrë kokën nga sporteli ,shikonte sallën bosh.Dukej se i vinte keq që klientët u rralluan.Kapuçi i bardhë e bënte më të mbledhur ,ndërsa kamarierja vijonte të shkruante në bllok.Gimi porositi birrë.Tha se kishte etje.

-Do të bëjë dëm,- i thashë

-Dëm ?-Sot dua të dehem.

-Dehu , Gim ,dehu…-mërmërita dhe po shikoja kamarieren si u ul për të shkruar sërish.Ndoshta ishte orari i ndërrimit të turnit,ndoshta ajo duhej të qe shumë e rregullt dhe, në një kohë bosh, donte të mblidhte veten në llogari.Gimi rrëkëllente birrën me nxit.Copërat e bërxollës ishin mbaruar dhe me tulin e bukës fshinte lyrën e tyre në pjatë.

-Gim, thashë, duhet të ikim

-Ç`ke, mor jahu,paguaj unë.Ishte gjysmë i pirë.Thirri kamarieren dhe ajo solli letrën.Unë nxitova dhe pagova.Gimi bëri sikur futi dorën në xhep.

-Kjo është sfidë,- tha

Atëhere foli kamarierja:-

-Ky asht zotni, s`ka folur fare.

Unë e pashë pjerrtas ,sepse nuk më pëlqyen fjalët e saj. M`u duk se kërkonte ndihmë.Ndryshova mendim .Si ta kuptonte këtë, foli:

-Eh, unë e shkreta,sot dola mangut.

Gimi rrotulloi kokën si ta kishin goditur ose të flitej për të.Pija sikur i kishte errësuar shikimin.

-Pse?-pyeta.

-Herë ngacmo njëri,herë tjetri,dhe unë e humba mendjen.Këta burra sikur s`janë martuar dhe s`kanë parë ndonjëherë femra me sy,- tha ajo.-Në fytyrën e saj shprehej një pikëllim i thellë.Po më fliste mua sikur të isha një i njohur i vjetër i saj.Daullja bie gjithnjë për ata që kanë veshë.Gimi u ngrit dhe u nis drejt tualetit.Nuk e kuptova këtë manovër të tij, ishte hipokrizi, kurth ,apo dobësi dhe hapje e një shtegu bisede për mua.

Nuk doja ta zgjasja më fjalën e saj . Gimi mund të kthehej shpejt dhe  nuk doja që ta gjente atë aty.Më dukej se prania e tij coptonte imazhin e saj, se kjo vajzë ishte një imazh i gënjyer në atë uri të murrmë burrash të parealizuar.

-Sa të mungojnë-pyeta

-Dhjetëmijë lekë, tha ajo

Nxora paratë dhe ia zgjata, po ajo refuzoi. Unë këmbëngula.Ajo sërish refuzoi.Kur i përmenda motrën time dhe vajzën, ajo pranoi.I thashë të kishte kujdes herë tjetër,s`duhej të ishte kaq e butë.Ata burra që ngacmojnë shumë janë si zagarët që lehin pa pushim,po ndërkohë, sapo i kërcënon duke hedhur një gur drejt tyre, pikërisht më frikacakët janë zagarët, ndërsa  qentë që vijnë në heshtje janë më të rrezikshëm.Burrat janë qenër, thoshte gjyshja ime, vijova.Asaj i pëlqeu arsyetimi im.Buzëqeshi me gjithë shpirt ,çiltërisht ,ndoshta pse ndjeu fjalët e një të afërmi, e një vëllai.

-Jam e re ,-tha.

Më duhet të them , ndërsa rrëfej këtë histori , se atë natë kam ndjerë një dhimbje koke dhe kam menduar gjatë për fatin e asaj vajze, për atë botë  meshkujsh të uritur që jargëzohen prej bukurisë së saj dhe ajo s`kishte asnjë faj.Sa e sa vajza gjuhen nga dëshira të uritura maniakësh dhe meshkujsh aventurierë, premtimesh boshe e  prej shfrytëzimit të posteve.Që nga ajo ditë nuk vajta më në atë lokal.Jo se nuk doja ta shihja ,po më dukej se asaj do i kujtohej borxhi dhe do vihej në një ngushticë  të palakmueshme.Nganjëherë nisesha drejt lokalit , kisha dëshirë ta shihja, po sakaq ktheja kurrizin dhe ikja.Edhe telefonatave të Gimit u gjeja arsye bajate për të mos shkuar atje.

Kishin kaluar kohë ,kur gruaja më mori dhe shkuam në një butik.Ajo do më blinte për ditëlindje një pallto.Sa u befasova kur e pashë atë vajzë aty. Nganjëherë më bëhej se nuk ishte ajo, por ajo duhej të ishte.Trupi i gjatë ,flokët biondë, ishin po ato , po ajo përskuqje e hijshme dhe e natyrshme, po ai vështrim i shpejtë dhe rrokës.Veçse tani ajo, më dukej nuk kishte atë druajtje të dikurshme.E njoha.Isha i sigurtë që ishte pikërisht ajo.Do ishte mirë të mos më njihte, po sytë e saj u drejtuan tek unë me mirëdashje dhe buzëqeshja  e afërt ma sillte ndërmend atë ditë të zymtë , bezdinë e së cilës nuk e mbulonte një gjest human, sado me kuptim…Mbasi i kontrolluam palltot dhe unë zgjodha atë që më pëlqente ,shkuam të bënim pagesën.Ajo e zbriti çmimin aq lekë sa i kisha dhënë dikur. Duke shtuar se edhe një dhjetëshe do ta zbriste vetëm pse më njihte dhe kishte respekt për mua. Gruaja qëndroi në këmbë dhe vështroi nga unë.Pastaj ajo pa nga vajza që buzëqeshte lehtësisht, pa djallëzi ,duke treguar një shenjë afërsie në kufijtë e një budallallëku të mirëkuptueshëm.Gruaja nuk foli.Kur dolëm nga butiku i shpjegova si e kisha njohur atë vajzë ,por ajo s`më besoi…


Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1