Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | Një mbrëmje tek bar "Capriccio"

Një mbrëmje tek bar "Capriccio"

Font size: Decrease font Enlarge font
image BEDRI ALIMEHMETI


 tregim
       Nuk mund ta merrni me mend se sa llafazan ishte bërë Geni atë mbrëmje. Ne kishim zënë vend që nga ora gjashtë tek "Capriccio". Ishim unë, Deni, Orsiola, Mandi dhe Orinda, kur aty nga ora shtatë e gjysëm ia mbërriti ky me "Harlin" vezullues plot drita, hoqi kaskën nga koka, e vuri mbi timon dhe erdhi tek ne.
- Haj! - tha - Ç'kemi? 
      Dhe u puth me të gjithë në faqe. Mua si zakonisht më la të fundit. Pasi ia thëthiti me dyshe faqet Orsiolës, ciku të mijat me teke dhe në vend që të ulej, siç bënte gjithnjë krah meje në të djathtë, zuri vend pranë Orsiolës.
- O Zot sa e mirë qënke bërë sonte! - i tha.
- Faleminderit, - i tha ajo dhe u kthye nga unë, duke larguar flokët e verdhë pas veshve, - vërtet jam bërë e bukur sonte?
- Sigurisht, - ia ktheva - deri sa këtë e thotë Geni. Syri i tij është gjithnjë i pagabueshëm.  
- Hej kamarier! - e ngriti zërin ai. - Nga një "Xhoni" për të gjithë.
- Jo! - e kundërshtova - Unë dua "Martini".
- S'ka problem, mund të merrni edhe sipas dëshirës, - vijoi ai. - Po ti sy bojqielle, - iu drejtua Orsiolës, teksa e zuri lehtas nga maja e mjekrës,- do të pish "Xhoni" me mua?
- Natyrisht. As që diskutohet. Madje, nuk e imagjinoj dot si mund t'ia prish një djaloshi xhentëlmen si ti. Rregulloi pak flokët se t'i paska zhytur kaska e motorit. Ja shikohu tek pasqyra ime.
     Kur ishte bërë aq e shkathët Orsiola! Më la vërtet pa mend. Ajo që për gjithçka mezi e tundte prapanicën nga karrigia, tak- fap hapi çantën dhe ia mbajti pasqyrën gjithë delikatesë me majat e gishtave, manikyrosur mavi.
- Oh të lutem, je shumë e mirë! - ia bëri ai.
- E kam për kënaqësi të të shërbej.
     Dhe pa nga unë. Nuk ia durova dot shikimin. Mora një "Marlboro" nga paketa e Denit dhe e ndeza. Ndërkohë erdhi porosia.
- Ç'ke kështu? - më pyeti Deni, duke i larguar pas veshit flokët e zeza e të gjata, por n'atë çast Mandi i hodhi dorën në qafë dhe e puthi lehtë në buzë. - Lermë pak të lutem se kam diçka me Elën, - iu shkëput nga krahët, duke u kthyer sërish nga unë. - Hë m'i goce çfarë ke?
- Kurrgjë. Çfarë kam?! Aman dhe ti....!
- Po, se si po më dukesh. Prej kësaj qullaces bëhesh xheloze ti? Je në vete m'i goc, çfar bën kështu?
- Jo, mi jo, por më shumë më vjen inat me këtë timin, që po ia var pak si tepër sonte, - e ula zërin. - E pe si e puthi, me dopio në çdo faqe. Dhe si të mos mjaftonte kjo, iu ul edhe pranë.
- Eh edhe ti, mos u merakos për këtë.
- Je në rregull me Mandin ti, por ky i imi kështu e ka. Sa i mirë është aq i keq bëhet ndonjëherë, kur i shkrep të më bëj mua të vuaj.
     Orsiola, ngaqë i kishte vënë këmbët përmbi njëra tjetrën, minifundi i bardhë kishte bërë të mundur t'i dilni në pah treçerekët e kofshëve. Madje, aty mbi bardhësinë e tyre po shetiste dora e majtë e Genit, teksa ajo gajasej me atë që po i dërdëlliste ai rrëzë veshit. Uou! Po ky! Dhe ia ngula sytë gjithë inat. Por, ai nuk e prishi terezinë. Ktheu gjysmën e "Xhonit" që i kishte mbetur në gotë dhe i foli kamarierit:
- Një tjetër! - dhe u kthye nga ne: - Nuk e di sepse më pihet shumë sonte. Po ju do t'i mbushni sërish? Apo është ende shpejt. Nejse si të doni. Ti Mandi merre edhe një tjetër. Dy bëj, ore ti! - iu drejtua kamarierit që po bënte porosinë tek banaku. 
     Ndërkohë tek dera e hyrjes u shfaq portreti i Monës, një nga gazetaret e njohura, e madje ndër më të bukurat e kanaleve televizivë të Tiranës. E çara e lartë e fundit rozë ia nxirrte më në pah formën e përkryer të këmbëve, brozuar nga dielli i plazhit.  
- Ja erdhi kjo! - ia bëri Geni.
- Ç'ke me të? - ia preu Deni.
- Asgjë nuk kam, vetëm desha t'ju thoja që këto ditë mora vesh se është ndarë me të dashurin.
- E ç'ë pastaj? - foli Deni. - Se mos është e para apo e fundit.
     Geni nuk i dha përgjigje fare.
- Pse, kë ka pasur Mona? - u bë kureshtare Orinda pas një pauze të shkurtër që mbizotëroi në tavolinë.
- Si kë ka pasur? Sikur nuk e dini! Atë futbollistin e Tironës.
- Unë e kam ditur se ka pasur të bëj me atë këngëtarin.....
- Ohu! - ia priti Geni. - Me Dorin ajo është ndarë që verën e kaluar. Sa mbrapa që je m'i goc!
- Aman si flet edhe ti Geni nganjëherë, - tha qejfprishur Orinda, - në këtë mes nuk ka ndonjë gjë për të mbetur mbrapa. Nuk e kam marrë vesh, dhe kaq. Këtu besoj që nuk ka asgjë për t'u habitur.
- Biri, këtu lajmin nuk e përbën aspak fakti që nuk e ka marrë vesh Orinda, - ndërhyri Deni, që djemve në përgjithësi u drejtohej me "biri", - por ndarja e Monës me futbollistin e Tironës.
- Nuk e luan as topi moj gazetare, - u ndje më në fund edhe zëri i Mandit. - Po ti Geni nga e more vesh?
- Për gjithçka ndodh nëpër lokalet e Bllokut, - foli ai duke e çuar deri në gjysëm teken e dytë të "Xhonit", - lajmi i parë si gjithnjë kalon nga unë.
- Uuuooouu! Okej! - duartrokiti Orsiola.
- Je fantastike! - ia ktheu reston ai, teksa e rroku për qafe duke ia afruar kokën nën gushën e tij.
       Sërish m'u duk se gjithçka e bënte vetëm për të më ngritur nervat mua. Gjithsesi, ktheva paksa "Martinin" dhe nuk ia ndava sytë një copë herë. Por, ai nuk deshi t'ia dinte fare. U rehatua më mirë në karrige dhe pasi bëri disa rrathë me tymin e cigares tha:
- E dini ç'i ndodhi të djelën e kaluar në plazh Monës? Ishim tek "Kalifornia", unë Xhimi dhe Titi...
- Isha edhe unë, - nuk m'u durua. 
- Tani do ta thoja, - u përgjegj, dhe për herë të parë nga çasti që kishte ardhur u pamë sy më sy. Sa të kaltër që i ka, thash me vete. - Por ty Ela si gjithnjë nuk të durohet. Natyrisht që ishe, po të kishte zënë gjumi mbi shezlong. Domosdo që do flije pas një nate pa gjumë që kishim kaluar.....
     Në Pub-in e hotelit kishim kërcyer deri nga ora tre pasmesnate, pas kësaj atij i kishte shkrepur për t'u larë në det dhe më kishte marrë gati me zor edhe mua që e kundërshtoja. "Ç'bën kështu? - më tha - Ti e di, unë nuk e njoh fjalën jo". Dhe m'i nguli buzët aq gjatë, sa nuk di si të them. Madje, për një çast m'u duk se do të ma merrte frymën fare, sepse nuk m'i ndau ato deri buzë detit. Ishte një natë me të vërtetë e mrekullueshme. Deti ishte i qetë fare, thuajse vaj, aq lehtë lëviznin valët nën ato rreze të argjendta të hënës, që si një pëllëmbë gjigande u shkiste përsipër. Nuk kisha mbajtur as reçipeta kështu që kur hoqa pantallonat e bardha mbeta vetëm me tangat. Madje, nuk e kisha mendjen fare, kur teksa po i palosja pantallonat me kujdes mbi çantën që e kisha lëshuar në rërë ndjeva pëllëmbën e Genit ndën mjekër. "Je me të vërtetë kryevepër, - më tha, duke më puthur lehtë në buzë,- eja". Dhe të zënë për dore vrapuam drejt ujrave të detit, ku nën përqafime të zjarrta bëmë seks gjatë, aq gjatë sa nuk di si të them. Madje, aq e pafuqishme isha pas kësaj, saqë kur dolëm nga uji i thash: "Më çmënde sonte, nuk kam fuqi të ngjitem deri në dhomë". Por, ai pa e zgjatur më rrëmbeu në krahët e fuqishëm, si një vogëlushe dhe më shpuri deri tek hyrja e hotelit. "Mjafton deri këtu shpirt, - i pëshpërita rrëzë veshit, teksa më pas e kafshova ëmbël në klavikul, - je shumë i mirë". Në vaskë u futëm të dy përnjëherësh, teksa aty mes shkumës gjithçka u përsërit edhe një herë nga e para.....
- Me Xhimin e Titin lëvizëm nëpër rërë kot fare sa për të shkrydhur këmbët kur i thonë, - vijonte të fliste ai, i papërballueshëm në dialogim atë natë, - kur një top m'u ndodh para këmbëve, ulem e marr në duar dhe pak metra më tutje, shoh Monën. "Eshtë kënaqësi për mua, - i thashë, - që në këtë çast po më jepet mundësia t'i shërbej një zonjusheje të bukur, portreti i së cilës na është bërë ikonë e përçdonatshme". Pas kësaj Mona qeshi, teksa me të dyja duart e mbledhura përpara u përpoq të kthente mbrapsh topin, që i adresova. Kur në atë çast ndodhi mrekullia, reçipetat blu iu zbërthyen dhe para nesh u shfaqën dy sisat e saj si dy mollë të arrira, "Uuaauu!" - ia bëri, duke u përpjekur t'i mbulonte me duar. Teksa Titi, ju e dini si gjithnjë i rrufeshëm i kishte kapur reçipetat, thuajse sapo kishin prekur rërën. "Urdhëroni zonjush, - i tha,- mbulojini ato margaritarë". Neve na plasi gazi, por edhe Mona ama u tregua kinge rrëmbeu reçipetat nga dora e Titit, dhe filloi të qeshte me ne teksa rrinte përkulur me duart ngjeshur pas gjoksit. "Çuna jeni shumë të mirë", tha edhe iku drejt shoqeve që po gajaseshin më keq se ne. Oh none çar gallate!
- Po tani që erdhi biri, përse nuk ta vari? - i tha Deni.
- Ndoshta s'më pa. - bëri indiferentin, teksa dorën ia pashë të shkiste sërish mbi kofshën e Orsiolës.
- E pun'e madhe se nuk të foli, - tha ajo, - nuk e sheh të plasi shumë ty.
- Nejse, nejse, - përsëriti ai, - keni qejf t'ua vizatoj sisat e Monës?
     Edhe pse askush nuk i tha po, ai i kërkoi kamarierit letër. Pas pak të gjithë patën fatin të shihnim skicën që kishte vizatuar tak-fak, sa çel e mbyll sytë kur i thonë. "Uuoouu!", ia bëri Orinda me Denin, kurse unë nuk e mora mundimin fare sepse e kisha përqendruar shikimin tek e djathta e tij, që po shkiste tashmë ndën fundin e bardhë të Orsiolës, madje gjithnjë e më thellë. Ishte një moment tmerrësisht i papërballueshëm. Me siguri mes tyre duhet të ketë ndodhur diçka, i thoja vetes edhe pse më dukej e pabesueshme që këtë gjë të ma bënte shoqja ime më e ngushtë! Jo, jo kurrsesi nuk doja ta besoja. Por, ndërkohë dora e Genit kishte depërtuar aq thellë me sa dukej saqë ajo e amullsuar keqas në fytyrë i pëshpëriti: "Mjaft se më çmënde!" 
- Këtë do ta mbaj unë, - u hodh Deni. - Një autograf Geni, ja, ja këtu të lutem. Ashtu. Që sot e tutje unë do të bëhem koleksioniste e veprave të tua. Imagjinoni ç'vlerë do të ketë ky vizatim, - foli ajo duke u kthyer nga ne, - kur të shitet në ankand, pasi ky do të jetë bërë i famshëm. 
- Po tjetër gjë e dini ç'më ndodhi sot? - e kapi prap fjalën ai me sy të përqëndruar mbi kanalin midis dy gjinjve të Orsiolës - O Zot! - tha - unë nuk jam në terezi fare rri e ju pikturoj gjinjtë e Monës. Shihni sa fantastikë i ka kjo, këndrejtë si dy piramida egjiptiane. Po këtë varse të mrekullueshme ku e paske marrë?
- E kam blerë tek "Penelop", - u dëgjua zëri i saj paksa i mekur.
- Dhuratë?
- Sigurisht.   
     Vallë deri këtu të kishin mbërritur? Thash me vete, duke e ndjerë gjakun të më ngjitej në tru. Oh jo! Teksa, gishtërinjtë e tij po luanin me perlat e varses në atë zonë ku ndaheshin dy gjinjtë e saj të fryrë, pranë tavolinës tonë kaloi Mona që po vinte nga bredësia e lokalit tok me atë futbollistin e Tironës, i cili kuptohej po e ndiqte vetëm ngaqë s'kishte ç'të bënte.
- Ec pak të lutem, - i thoshte ajo, - se për një orë duhet të jem në televizion për emisionin e lajmeve.
- Kush tha që ishin ndarë këta! - u ndje zëri i Orindës.
- Që i kanë thënë lamtumirë njëri tjetrit, - foli me solemnitet Geni, - këtë nuk e luan as topi. - Duket ajo, nuk e sheh vëllain, mezi i hedh këmbët pas saj. Kushedi u ka mbetur ndonjë gjë për të sqaruar dhe kaq mbaroi "love story". Të gjitha "love story"- it dihet e kanë një fund, kush më shpejt e kush më vonë. Fundi atje është duke pritur, si gjithnjë i pamëshirshëm. Apo jo yll? - iu drejtua ai Orsiolës duke e rrokur sërish për qafe, teksa buzët ia nguli mbi ballë, - sonte je vërtet ylli i "Capriccios".
- Mbaje fort yllin, - shpërtheva më në fund e gjitha xhind, - dhe shtrëngoje mirë bile se mos të të ikë.
     Pas kësaj u ngrita vrikthi dhe ika. Deri në atë çast them se kisha duruar shumë. Madje, jashtzakonisht. Edhe një minutë më shumë po të kisha qëndruar them se do ta kisha zënë Orsiolën nga flokët dhe do ta kisha tërhequr osh deri jashtë tek shkallët e lokalit. Turfulloja e gjitha si të më kishin vënë nën tension tre fazor. Dikush më thirri nga "Old house", por nuk e ktheva kokën. Sigurisht duhet t'u kem tërhequr vëmendjen shumë të njohurve sepse kur po kaloja pranë "Baby Blue", më preu rrugën Laura.
- Ku shkon kështu m'i goc si e luajtur nga mend e kokës! - më shkundi ajo, duke më tërhequr brënda lokalit - Çfar ke, fol? 
     Nuk i dhash përgjigje fare por, e bindur zura vend në tavolinë. Laura ishte me Gitin dhe Adin. Ndërkohë më ra zilja e celularit. Sa e pashë që ishte numri i Genit e fika. Nuk vonoi dhe në rrugë u ndje uturima e "Harlit" të tij. Sigurisht kishte dalë të më kërkonte, i gjithpushtetëshmi që nuk e njihte përgjigjen jo.
- E theu qafën! - thashë - Shyqyr!
- Je zënë me Genin? - më pyeti Laura dhe ngaqë nuk mori përgjigje shtoi, - aman si bëheni edhe ju, më keq se kalamajt.
     Kafeja që piva me ta më qetësoi disi. Adi, si gjithnjë njëri i qeshur e i humorit na mbajti gjallë. Ata kishin vendosur të shkonin atë natë tek "Refleksion", por unë iu luta Adit të më çonte në shtëpi me makinë. Për dreq edhe ashensori nuk punonte atë natë, kështu deri në katin e nëntë u rashë këmbëve. Në shtëpi po flinin të gjithë. Pa e zgjatur edhe pse e raskapitur në kulm hapa derën e banjës. E kisha më shumë se domosdoshmëri një dush.
- Ku je moj ti, derdimene? - më foli ime motër Kela që nga dera gjysmëehapur e dhomës së saj.
- E di ç'ke ti Kela, - ia ktheva,- mos më çaj.....
- Të ka kërkuar Geni mi idiote! Një qind herë i ka rënë telefonit, 
- As që dua t'ia di. Më plasi, nuk e sheh...
- U nxe edhe babi. Po kjo tha, ne e dimë që është me Genin, nga sorollatet kjo vajzë...
- Ohuuu! Mirë, mirë po ik fli tani...
      Pas dushit ashtu e peshqirosur ndeza një cigare dhe dola në ballkon. Isha e sigurt që atë natë gjumi nuk do të më zinte kurrën e kurrës. Tymosja me shikimin përqendruar te maja e ndriçuar e kullës "Sky", e bindur që në fund të cigares do të më plasnin lotët, sepse e ndjeja që ato po më zienin keqas përbrenda në kazanin e trazuar të shpirtit, kur dëgjoj një zë që në çastet e para m'u duk se më vinte nga thellësia e natës:
- Ela! Elaaa! Elaaaaa!
     Një kat më lart mbi taracën e pallatit shoh kokën e Genit.
- Ela dëgjo këtu të dua shumë, - më thoshte. - Po nuk më the të dua tani, do të hidhem. Do t'i jap fund jetës. Elaaa!
     Fillimisht nuk u besova veshëve, nga ato që po dëgjoja!
- O Geni, po çar bo aty mor çun! Ke lajthitur nga trutë e kokës! - i thashë, teksa mornica të tëra ma përshkuan shtatin, kur vura re që i gjithë trupi i tij ishte shtrirë mbi bordurën e taracës. - Ik që atje të lutem se lam nam. Të gjithë po flenë ka kaluar mesi i natës.....
     Po ku donte t'ia dinte ai! 
- Ela deri më dhjetë do të numëroj, po nuk më the të dua, u hodha. Një,.... dy,.....tre.....katër,.....pesë Ela,.....Ela gjashtë,...
     Nuk mbaj mend asgjë sesi kam dalë nga dera e apartamentit, si i kam ngjitur shkallët deri në taracë, por kur u gjenda atje dhe nuk e pashë në vendin ku ishte shtrirë, ngriva e tëra, gjithçka m'u errësua, gjunjët m'u këputën dhe u lëshova e gjitha, por befas një palë duar të fuqishme më mbajtën. Kur u përmenda isha në krahët e Genit. 
- O idiot! O idiot! - shpërtheva teksa e godisja me grushta ku të mundja, teksa ai qeshte i lumturuar. - Idiot e kaluar idiotit. Nuk u kënaqe me të gjitha ato që më bëre sonte te "Capriccio", por erdhe të më luash filma edhe këtu....
     Dhe s'reshtja së godituri. Ndërkohë i ra zilja e celularit.
- Një minut,- më tha,- të lutem, sa të përgjigjem në celular, pastaj goditmë sërish. 
- Mirë, mirë - i thashë duke dihatur, - përgjigjju posi. Sigurisht ylli i "Capriccios" do të jetë merakosur për ty. Foli, foli...
- Eshtë për ty - më tha, duke ma lënë celularin në dorë.
     Obobobo babi! Thash më vete, me që e kisha mbyllur celularin, do të ketë marrë sërish Genin për ta pyetur për mua. Kur ç'të dëgjoj në vesh më buçet e qeshura e Orsiolës.
- Ha,ha,ha,ha! Oh, mami po më bie të fikët. - gajasej ajo - Ela mbaje! E hëngre sonte kaq bukur! Sa nuk di se si të them! Ta futëm! Ishte fantastike fare, sa nuk e kisha menduar kurrë! E gëzofsh m'i goc, mbaje se e ke mirë....ha,ha,ha,ha...
     Sa idiote isha treguar! Sa idiooteee!
- Dëgjo këtu ti Orsiola! - iu sula duke e ngritur zërin, - Do bësh mirë që nesër t'i qethësh tullë, ato flokët e verdhë, se nji nga nji si fije kashte kam për t'i shkul. A dëgjove mi goc apo jo! Më mirë qethi tullë atje te dyqani Fiqo berberit tek shkolla "Avni Rustemi", që e ke afër shtëpisë. Mbaje mend se çar kam për të punuar! A dëgjove m'i qullce, ku u bone kaq e zonja mi? Mirë, mirë se ta tregoj unë...Nuk ke faj ti jo, broçkullat i sajon ky.....
     Desha t'i këpusja një të sharë Genit, por nuk munda të vazhdoj më tej sepse ma mbylli gojën me buzët e tij të nxehta.....
 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1