Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | Natë e ftohtë

Natë e ftohtë

Font size: Decrease font Enlarge font
image BEDRI ALIMEHMETI



Natë e ftohtë

tregim
 
      - Për hiç gjë u grindëm atë natë, - i rrëfente Landa tek "Samos Touwer", Klodit shoqes më të ngushtë, së cilës ia qante të gjitha hallet. Madje, e kishte kërkuar në telefon enkas për t'iu zbrazur: "Jo përse ta vë unë djalin në gjumë dhe përse të mos e vësh ti, jo po ti ashtu edhe unë kështu, u harruan, u tretën eu shuan të gjitha ato puthje, përqafime e shtrëngime në krahët e njëri tjetrit, që kishim shkëmbyer jo më shumë se para tre orëve, kur sapo ishte kthyer nga një udhëtim i zakonshëm i tij jashtë shtetit. Madje, në ato çaste pati rritje të ndjeshme të afeksionit për njëri tjetrin, të cilit vetëm prania e djalit arriti t'ia ndalë zhvillimet e mëtejshme. Si gjithnjë mungesa e shkurtër e njëri tjetrit, shkaktuar nga udhëtimet e tij disa ditore për qëllime biznesi nëpër shtetet fqinjë, e mban gjithnjë të ndezur flakën e dashurisë sonë, që në çastin e fillimit të sherrit u shua si flakëz kashte. Ishte harruar, edhe ajo kafeja mbrëmsore që e kishim bërë zakon ta pinim si gjithnjë në kthimet e tij tek "Rovena", lokali ynë i preferuar. Madje, për të mos e çuar punën dhe më gjatë, pra deri në atë moment, kur për të më shporrur nga sytë ai rrëmben macen bardhoshe si një tufëz pambuku, të cilën unë e kam pikë të dobët dhe e flak ku të mund (Sa tmerr e kam një gjë të tillë!), mora djalin në krah dhe u mbylla në dhomë".
     Landa heshti për pak çaste, rufiti kafenë dhe para se ta niste fjalën sërish, ndezi edhe një "Leggera" tjetër. Ndërkohë lokali kishte nisur të popullohej. Në tavolinat pranë banakut kishin zënë vend dy çifte, që s'reshtnin së puthuri. Kurse në atë bri tyre njëra nga vajzat një flokë zezë, që i kishte mbledhur flokët pas në formë 
bishtbanane, i ishte ulur në prehër një djali kokërruar tullë, të cilit seç i pëshpëriste pambarimisht. Ai e dëgjonte dhe herë pas here gajasej. Në tavolinën e qoshes kishin zënë vend dy bjondet flokëgjata, veshur si gjithnjë me minifunde, të cilat flisnin shumë rallë njëra me tjetrën. Prej kohësh shetitja e tyre e përditëshme në ambjentet e Bllokut tërhiqte vëmendjen. Gjithnjë solemne në të ecurën e tyre, fjalëpaka, vetëtitëse e të bukura në kulm. Madje, pikërisht për këto, dikush me të drejtë i kishte etiketuar "enigmatiket". Kaq ishte dashur dhe kjo nofkë tashmë u kishte mbetur. Kushdo që i pikaste thoshte: "Po vijnë enigmatiket".      
     - Nuk e di se sa kohë kishte kaluar, - e nisi sërish bisedën Landa, - kur, pasi djalin e kishte zënë gjumi, më në fund dola nga dhoma. Ai vazhdonte të qëndronte po aty ku e kisha lënë, zhytur në kolltuk, por tashmë me një revistë në dorë, thua se pak më parë mes nesh nuk kishte ndodhur asgjë. M'u ngritën nervat keqas dhe në çast mora një vendim: "Do ta çmënd sonte. Të më shohë, po nuk e bëra të flasë me vete". Dhe teksa nisa ecejaket nëpër kuzhinë, më lindi ideja të bëja një sfilatë striptizmi përpara tij e, nëse do të bënte ndonjë reagim ndaj meje, sigurisht që do t'i shkisja nga duart, deri sa ta çmendja. E ngazëllyer nga kjo gjetje gati u hodha përpjetë nga kënaqësia. Në çast m'u kujtua skena klasike e këtij lloji në filmin e famshëm "Nëntë javë e gjysëm", ku rolin kryesor e interpreton Kim Besinger, aktorja e tij e preferuar, aq më tepër ngaqë deri në një farë mase unë kam edhe një ngjasim me të në trup, përpos flokëve të verdhë që i kemi të njëllojtë nga ngjyra dhe modeli. Ah sikur ta kisha muzikën e asaj skene! Ndaj instiktivisht shkova tek impianti stereofonik në qoshe të soxhornos, ku për fatin tim të mirë e para CD që mora në dorë ishte ajo me muzikë të Enio Morikones, nga filmi i famshëm "Cera una volta in Amerika". Brenda pak çastesh qetësia absolute e mbrëmjes, që kishte pllakosur gjithë hapësirën e apartamentit u mbush nga tingujt e muzikës, që gjithsesi i shkonin disi për shtat asaj çka kisha marrë përsipër të interpretoja. 
     Dhe dalëngadalë nën tingujt e saj nisa të ecja, teksa në intervale të përafërta kohe flakja mbi tapet njëra pas tjetrës veshjet e trupit. Ndërkohë, që ai vijonte të qëndronte po në të njejtin pozicion, tek dera e banjës isha gjendur vetëm me kompletin e të brëndshmeve vishnje, që aq shumë ia kishte ënda të m'i shihte veshur. Pra deri në atë çast as një përqind e parashikimit tim nuk ishte zbatuar. Çuditërisht atë mbrëmje atij as qepallat nuk i lëviznin, të paktën për t'u dhënë një këndvështrim tjetër iriseve të syve, të cilët do të mrekulloheshin nga ajo pamje. E nervozuar në kulm nga kjo mospërfillje, me duar të dridhura, zbërtheva reçipetat dhe ia hodha para këmbëve. Mbathjet sapo i nxorra nga shojet e këmbëve ia flaka mbrapsh me të djathtën po në drejtim të tij, po se ku ranë nuk i vura re fare, sepse vetëtimthi hapa derën e banjës dhe u gjenda lakuriq në "mbretërinë" e bardhësisë së saj, aromatizuar me pafundësinë e atij konglamerati sapunesh, shamposh e deodorantesh. Për minuta të tëra mbi gjithë hiret e kurmit tim ndjeva pushtetin e asaj mase të lëngshme që më shkiste fillimisht mbi gushën e lëmuar (pikënisja e masazhit të tij maramendës, që aq përsosmërisht dinte ta ekzekutonte), dhe derdhej më tej mbi gjinj, mbi këllqe e mbi kofshë, ma merr mendja me një farë lumturimi, që për pak çaste qe bërë zot i atyre konformimeve femërore të hajthshme, aq të lakmueshme për këdo. Herë pas here e mbyllja rubinetin dhe i gëzohesha atyre bulzave të fundit, që porsi kristale vezulluese përshkonin trajektore të çuditshme mbi atë lëkurë të brydhët derisa, disi të dëshpëruara (kështu më dukej mua) që po shkëputeshin nga ato forma aq joshëse të thithkave mavi, përfundonin mbi pllakat e bardha. Oh, majëzat e thithkave që aq fantastikisht di t'i thëthitë, duke m'i shtuar gulçet e ofsheve në limitet e një rënkimi të papërballueshëm. 
     Ku na qëlloi sonte kjo zënkë, që për herë të parë do të flinim në dhomën e re të gjumit, të cilën e kishte sjellë vetë enkas nga Gjermania. Ndjeva një zbrazëtirë në vetvete, madje thuajse nuk kisha asgjë përposhtë lëkurës veçmas skeletit eshtror. Kaq keq më vinte për atë natë, që e kisha llogaritur ose më saktë përfytyruar të magjishme, në perandorinë e së cilës trupat tanë do të shkriheshin në një masë fluide.
     E peshqirosur kokë e trup hapa derën dhe mora syzet nga mbajtsja e telefonit. Në pozicionin e qëndrimit të tij nuk kishte asnjë lloj ndryshimi, mbi tapet teshat e mija të hedhura parregullsisht, kurse në mbështetësen e kolltukut mbi pellushin e bardhë qimegjatë kishin rënë mbathjet vishnje. Enkas e lash paksa hapur derën e dhomës së gjumit, për të ndjekur lëvizjet e tij, teksa tharësen elektrike e shëtisja sa në flokët e verdhë, mbi gjoks, mbi këllqe, mbi vithet e kërcyera e nëpër kofshët e derdhura deri tek kupat e gjunjve, ku ndodhet defekti im. Më saktë dhimbja ime. Them kështu sepse sa herë e shikoj atë hapje poshtë gjunjëve, që ia prish kofshëve përsosmërinë, një cimbisje dëshpëruese ma shpon zemrën. Gjithnjë, kur më ndodh kjo kujtoj fjalët e një shokut tim: "Ti je femër e destinuar për t'u veshur vetëm me pantallona, - thoshte duke qeshur teksa shtonte më pas, - mos u bëj budallaqe, madje nuk ke përse të dëshpërohesh kaq shumë, sepse duhet të kesh parasysh një gjë, nuk ka femër në botë, sado e bukur qoftë që të mos ketë një defekt. Ta dish mirë këtë, bukuri absolute nuk ka".
      E dëshpëruar që nuk arrita asgjë nga çka dëshirova u palita e dërmuar mbi kuvertën e roztë të krevatit. Përtej perdeve të najlonta të dritares, sytë e mi u mbërthyen tek dritarja e katit të katërt të pallatit karshi, që në çast u ndriçua thua se rënia ime mbi krevat kishte takuar çelsin. Ishte drita flakëruese e asaj dritareje që m'i acaronte nervat tash tre muaj, sidomos me kohëzgjatjen e pasmesnatëshme gati-gati të përhershme. Madje, pas atij kuadrati të ndriçuar ishte shkaku kryesor i acarimeve midis nesh. Ajo është një vajzë e gjatë, tip sportiv, natyrisht e re, as njëzet vite nuk i ka bërë ende, shumë ekspresive në sjellje e në komunikim. Në lagje të gjithve u flet, përshëndetet e qesh çiltërsisht, teksa fytyra ovale i merr një shkëlqim të purpurt dhe flokët e rëndë i dallgëzojnë supeve të brishtë. Nuk di si të ta them por, shfaqet aq papritmas, thua se është lëmsh ajri, aq befas gjendet mu në atë moment kur im shoq nxjerr veturën nga garazhi. Tak-fak zë vend para rrugës me duart rrasur fort në xhepat e xhinsave, e gatshme ta shoqëroj në makinë deri në fund të botës.
     Kështu më thoshte im shoq m'u shfaq edhe atë ditë. Ne dolëm nga "Capriccio" dhe shpejtuam drejtë veturës, kur sapo takova çelsin e shoh para kofonos së motorrit. "Për ku?" - thonin sytë e saj. Në plazh i thamë. "Më merrni edhe mua". Ja kjo ishte e gjitha. Madje, nuk isha vetëm, veçmas djalit kisha edhe një shok". Po plazhin me ju e bëri ajo? - nisën lumë pyetjet e mia. "Po me kë tjetër! Përderisa erdhi me ne, natyrisht që edhe plazhin me ne do ta bënte". Domethënë e paske parë mirë. "Sigurisht, që e kam parë. Nuk mund t'i mbyll sytë kur rri e bisedoj me një njeri". Qenkëshit shtruar mirë në muhabet. "Në raste të tilla, natyrisht është mëse normale të bisedosh". Po për të notuar? Patjetër që bashkë, apo jo? "Në not asaj nuk ia dilte kush. Notonte shpejt edhe shumë larg. Shkiste si ngjalë". Sa keq! Në të tjerat sigurisht që ia ke dalë?....."Unë nuk e kuptoj se përse duhet të bëhesh xheloze, për një vajzë fqinje, që po ashtu si me mua, rri e qesh ndoshta edhe më shumë me ty. Pastaj ti e di shumë mirë, ajo është e sëmurë dhe besoj se duhet të më kuptosh drejtë, sepse e ke mësuar këtë gjë më parë nga unë. Ndjeva një obligim ndaj atij njeriu, që ditët e jetës i ka të numëruara.....ditët e jetës të numëruara....ditët e jetës të numëruara....ditët e jetës...të numëruaraaaa...Sa ftohtë!. Ngaqë kisha rënë krejtsisht e paveshur, ndjeva gjithë shtatin të më mornicohej. U mbështolla mirë me kimonon e verdhë, që e kisha lënë në cep të krevatit dhe u shtriva sërish. Drita flakëruese në dritare qe shuar. Pas kësaj u qetësova disi dhe përpara se t'i mbyllja sytë në atë hapësirën e derës lënë enkas e kundrova edhe një herë. Asnjë ndryshim. Vijonte të rrinte po aty i kruspullosur në kolltuk.
     Ashtu e kapitur më kishte marrë gjumi. Një gjumë i rëndë ei mundimshëm ngarkuar plot me ëndrra. Në një hapësirë gati të pafund me borë, ecja, shkisja dhe vrapoja drejt tij. I futesha në gji dhe i fërkohesha si kotele pas gjoksit tepër të leshtë, teksa e kisha të pamundur për t'u ngrohur edhe pse gjithnjë e më shumë i ngjishesha pas trupit.....Kur u përmenda kimono më kishte shkarë nga shtati, kurse në hapësirën e derës nuk ishte më pamja statike e tim shoqi. Instiktivisht hodha dorën në anën tjetër të krevatit. Zbrazëtirë. Sa ftohtë! M'u duk se kuverta ishte mbuluar me një cipë bryme. Ndërkohë një rrymë e beftë mornicash në çast më bëri të dridhem. Dritarja e katit të katërt ishte pushtuar sërish nga drita flakëruese, madje pas perdeve dukej silueta e një hijeje që zhvishej. E xhindosur në kulm u turra në kuzhinë. Ai, asgjëkundi. Hapa derën e koridorit, jasht      ë në oborr mbretëronte errësira. Befas u drodha keqas sa më kërcëllitën dhëmbët, pa e kuptuar nëse gjithçka ishte nga të ftohtit apo nga nervat. I thirra disa herë në emër. Asnjë përgjigje. Vila që kemi ndërtuar në fund të oborrit (e përfunduar tashmë), heshtëte si sfinksi. 
      Vetëm nëse e ka lënë mendja, thash me vete, të ketë rënë për të fjetur n'ato dhoma frigorifer! Tri herë e thirra sërish në emër, por veçmas heshtjes së natës nuk mora përgjigje tjetër. Drita flakëruese si për inat vazhdonte, teksa pas perdeve herë pas here ravijëzohej trupi i saj i gjatë ei hajthëm, konformimet e të cilit sidomos në pozicionet e kalimit profil, binin në pah si të ishin mbështjellë nga një aureolë hënore. 
     Nuk mund të duroja më. Qe krejtësisht e pamundur. Me siguri duhet të jetë tek makina, thash, ose...... Dhe ashtu mbështjellë me kimonon e mëndafshtë, në maja të gishtave nxitova drejt e tek garazhi i bencit, teksa pas çdo hapi e thirrja në emër. Madje, dy tri herë u ndala e mbajta vesh. Por, më kot, sërish asnjë përgjigje. Nëse nuk do të jetë këtu, fola me zë.... dhe në çastin kur sapo vija dorën për të hapur derën, duart e tij i ndjeva mbi këllqet e mornicuar dhe buzët e nxehta të më shkisnin nëpër gushën e lëmuar. Kam ftohtë! Kam ftohtë! Vetëm kaq munda të thoja, kurse ai më mori peshë në krahët e fuqishëm. Dhe si të isha një vogëlushe e llastuar iu ngjesha fort pas kraharorit, ndërkohë buzët prush ia ndjeva mbi klavikul, ndën gushë dhe mbi gjoksin e hepuar. Tashmë mbretërimit të natës së ftohtë i kishte ardhur fundi.....
 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1