Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | LOJË ME DHJETË PASQYRA

LOJË ME DHJETË PASQYRA

Font size: Decrease font Enlarge font
image Thani Naqo

LOJË ME DHJETË PASQYRA

tregim

Mbasi përgjigjem "Heiniken ose Korona 1)," nuk di pse më shkrepi të numëroj shiritat e pasqyrave mbi murin përanash tavolinës. Shoh veten

 të dhjetëfishuar e më vjen të qesh kur të ngjashmit me mua thanë njëzëri:

-Edhe kikirikë të kripur brazili.

Kamarierja shkruan porosinë, unë vështroj kurmin e saj nga beli e poshtë. Veshur në mbathje të zeza, sandalet po të zeza, me taka të

 larta; lidhëset e sandaleve i gjarpërojnë pas pulpave.

“Edhe fytyrën e gjoksin me siguri i ka të bukura, mos e diskuto," - i them vetes me bindje të plotë, ndërkohë që dhjetë të ngjashmit

 me mua heqin kapelet, i vendosin në cep të tavolinave e shtrojnë flokët me gishta. Janë fytyrëkatrorë, lëkurënxirrë, si unë. Edhe ballet i kanë me gropa e me tegela plagësh qepur nga infermierët e fshatit dhe, pa dyshim, janë Mirëmbajtës Oborresh. Hundët i

 kanë me samar, si timen, të shtrembëra si timen. Kërcet e hundëve thyer në sherret me grushta ose, nga që janë rritur në fshat, kanë rënë nga kuajt, mbase nga aksidentet me motorçikleta, ose, mendoj përfundimisht, janë pastrues oborresh, si unë, e kanë rënë

 kokëposhtë nga pemët.

“Jeni bërë pa qethur,” - dëshiroj t’u them e në çast kujtohem se nesër është e dielë e berberanat amerikane të dielave janë të hapura gjer

 vonë. Ndërkohë që dhjetë të ngjashmit me mua zbulojnë veshët nga cullufet e përdredhura të flokëve, mua m’u rizgjua dënkitja e dhëmbit të prishur. Shtyp me mollzën e gishtit tregues rrënjën e dhëmbit, nën majën e hundës, por të njëjtën gjë bëjnë edhe të ngjashmit.

Dhëmbi i prishur më kujton Suzin.

“Oh, may God! - kishte klithur Suzi mëngjesin e asaj dite që më braktisi. - Shiko kur të më kesh ngjeshur infeksion me dhëmbin e fëlliqur,”

 - tha e mllefuar e flaku çarçafin mbi dysheme. Hyri rrëmbimthi në banjë, përveshi buzët si luaneshë e egërsuar e i fërkoi fort dhëmbët me furcë e kolinos. Pasi shpëlau kolinosin, mbushi gojën me lëng të kaltër gargare. Krahët e harkuara mbi kokë më lanë përshtypjen

 se Suzi atë ditë kërkonte ndihmën e shenjtëve katolikë që ata ta shpëtonin prej meje e nga infeksioni.

“Sa të fillojë sezoni i shirrave, shpirt, do të shkoj tek dentisti,” - i kisha premtuar që nga shtrati dhe e përfytyroj kur e kalonte lëngun

 e gargarës sa nga njëra anë e gojës në tjetrën, duke fryrë faqet si tullumbace. Asaj dite sytë gri i qenë bërë të mjegullt e unë e dija se kur Suzit i mjegulloheshin sytë, duhet të qëndroja larg saj; po ta prekja, të çirrte me thonj.

Ndërsa kamarierja pastron me leckë tavolinën, të njëjtën gjë bëjnë edhe dhjetë kamerieret e tjera, të ngjashme me të nga beli e poshtë.

 Nuk di nëse janë bionde, por kurmet, nga beli e poshtë, i kanë të ngjashme me Suzin. Suzi i ka flokë të verdha, si timet, por jo kaçurela. Që natën e parë kur ajo fjeti në apartamentin tim i pata premtuar, dhe e mbajta fjalën, për tre vjet me rradhë dhe, në

 çdo katër muaj i dhuroja dyqind dollarë që ajo të dridhte flokët. Edhe atij mëngjesi të asaj dite që ajo më braktisi nuk m'u dhimbsën 200 dollarë për në floktore, sepse, ndërkohë që ajo flinte me kokën mbi gjoksin tim, isha ndjerë vërtet mashkull i lumtur

 dhe i dashuruar.

“Kurmin po se po, - i thashë pasi kisha ndezur cigaren, - por edhe frymën e ke femërore," sepse, edhe në mëngjesin e fundit fryma e saj

 guhaste lëkurën e gjoksit tim, në anën e zemrës, pikërisht ku ishte njëra nga kokat e tatuazhit të shqiponjës.

“Fli shpirt, fli, “ – i pata pëshpëritur dhe ajo kishte buzëqeshur; goja e hunda e Suzit kishin diçka të ngjashme me luaneshën, por unë

 këtë nuk ia pata thënë kurrë, pavarësisht se asaj i pëlqente kur e quaja “luanesha ime.”

Ndërkohë që thëthija cigaren e isha në pritje të dëgjoja të më thoshte “ma jep ta thëthij,” befas, Suzi çakërriti sytë, hoqi pëllëmbën

 nga nënkërthiza ime e këmba që më pati shaluar flaku çarçafin mbi dysheme.

Sytë tona ishin takuar për herë të fundit në pasqyrën e banjës, e, atë çast, fytyra e saj më shembëlleu vërtet me fytyrën e luaneshës

 së zemëruar. Pastaj Suzi shtyu fort me thembrën e këmbës kënatën e derës së banjës, dëgjova derdhjen e lëngut të gargarës në lavaman e kërcitjen e shulit që mbyllte derën nga brenda.

Sajoj përfytyrimin sikur dhjetë të ngjashmit me mua trokasin e i luten që ajo të hapë derën; “ jemi për në punë, shpirt. Duhet të lahemi

 e rruhemi,” - por Suzi u përgjigj me zë ledhatar e fallc:

“Mbajeni nepsin ngrehur gjersa të ktheheni nga puna.”

Shoh të ngjashmit me mua kur u japin shpatullave lart, përveshin mëngët e bluzave e ngjeshin brylat mbi tavolina për të treguar muskujt

 e krahëve. I përfytyroj të dhjetë duke larë fytyrën me ujin e çesmës në kuzhinë, fshihen me peceta letre dhe pastaj shkulin nga kuletat secili 200 dollarë e i lëshojnë mbi komodinën e Suzit, që ishte në anën e djathtë të shtratit.

“Ika, shpirt, - e kisha ngritur zerin unë, njëlloj thanë e dhjetë të ngjashmit me mua e para se të tërhiqja kënatën, thirrëm në kor:

“Luaneshën sonte do ta shohim kaçurelse!”

Që kur nxorra makinën nga parkingu e tërë ditën më torturuan dyshimet se Suzit i qe rizgjuar instinkti i tradhëtisë bashkëshortore. Nuk

 pata durim të nxirrja degët e pemëve e të shkureve në anë të rrugës e pa shkuar ende ora dy vendosa vegalat në karrocerinë e makinës. Mora e gjobë nga policia rrugore e Tenessesë për shpejtësi dhe mbrrita në San Petërsburg kur dielli ishte gati në të perënduar.

Shoh se dhjetë të ngashmit me mua janë përlotur, më vjen keq për ta, e megjithatë, i vë të kapërcejnë shkallinat dy e nga dy e i step

 të habitur kur derën e apartamentit e gjejnë të hapur.

“Suzi, shpirt, ku je kaçurelësja jonë?”

Njëzet e dy sy rrokullisen mbi shtratin e shkalafitur, pastaj mbi çarçafin e flakur mbi dysheme, e pastaj në clouset 1) ku Suzi vendoste

 rrobat e saj.

As varëset e rrobave nuk ishin aty.

2007

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1