Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | Letërkëmbim…

Letërkëmbim…

Font size: Decrease font Enlarge font
image Thomaidha Tanuçi Cullufe

Letërkëmbim…

 

 

Thomaidha Tanuçi Cullufe

 

E dashura ime e shtrenjtë. Kam pritur gjatë për një fjalën tënde, për një rreze drite të shpirtit tënd, që të ndriçonte skutat e errëta, ku është strukur bota ime e madhe dhe shumë e vogël njëkohësisht. Me vetminë time jam: e vogël quhet pa ty, e madhe bëhet e shtrenjta ime; për një fjalën tënde që kur vjen, ah vetëm të vijë dhe le të jetë e jotja fjalë dhe vetëm ta shkruaj e shtrenjta dorë.

Të shoh të ulur e shtrenjta ime, tek kujdesesh për përgjigjen time dhe mua kaq më mjafon, ato pak sekonda qoftë edhe më shumë, të jem lundrues i lumit tënd të kulluar shpirtëror e të kaloj e të mbet aty në një rrënjë shkurreje, a rrapi shekullor, ngase ndoshta mbij aty dhe jetoj në një cep të hapësirës sate pa kufi, por vetëm të jem, të jem aty.

Ah, e dashur, unë harroj përse u nisa të shkruaj se më rrëmben dëshira dhe ndonjëherë gënjehem dhe shpresoj, në ëndrra të paarrira.

Të kam dërguar një zarf e shtrenjta ime, eshtë i rëndë pak, me damarë e brinjë të shkallmuara, është edhe i lehtë e shtrenjta ime, me skelete gjethesh të thara dhe pluhur yjesh të qenies sime…

Po iki larg, po iki larg…

 

Letërkëmbimi…5

 

Do të doja ta nisja këtë letër me fjalët: “I dashuri im i shtrenjtë!”, por kam frikë të burgosem brenda kësaj fjale. As ty nuk kam dashur të të burgos brenda tyre. Kam ikur larg saj dhe sa më larg prej teje, pasi ashtu erdhën të gjitha ngjarjet dhe rrethanat.

Më flisje tek letra e fundit për një rrugë të gjatë pakthim, por nuk mund ta besoja, ikjen tënde.

Më dërgove një zarf që herë rëndonte nga eshtra brinjësh të thyera, herë lehtësohej prej damarësh gjethesh.

E ti tani nuk e di që unë jam ulur mbi një letër e po shkruaj ato të shtrenjtat fjalë që i përmendje në kllapitë e tua.

Pashë një ëndërr sot, a e di?

Një shtëpi rrethuar me mur shumë të lartë guri, isha në lakuriqësinë time, për t’u bekuar nga një ujë i kristaltë, por fytyra të çuditshme pashë si për qiellit tim, aty mbi mur, aty mbi gur.

Hapa sytë e tmerruar të gjeja mbrojtje, por ti nuk ishe aty…

Më erdhi në mendje Remediosi e “100 vjet vetmi”. Unë nuk jam e bukur si ajo, por nuk dua ta kem fatin e saj.

Më kujtohet tani që ti më nuk je, kur unë flisja dhe ti ma mbyllje gojën me puthje.

Një natë e ndodhur mes kufomash të gjalla gjysmë të sakatuara, po ndjeja një dhembje të patreguar dhembje që do ta ndjeja më vonë realisht…hapa sytë, të kisha pranë : “Të puth”, – më the përsëri, e trembur u struka brenda asaj puthjeje.

Kështu ecja rrugës me rrepe shekullore dhe me drita vitrinash dyqanesh me një buzëqeshje në buzë; iu buzëqeshja të gjithëve e ti më thoshe: “Po dashuron dashuria!”

Pastaj udhëtuam bashkë në një rrugë të largët, rrije me mua çdo çast, ngrija sytë lart shikoja yjet mbushesha me frymë, kur errësohej qielli nisje xixëllonjat për mua.

“Lumturohu e dashur!”- më the, më puthe në ballë dhe ike.

“Po pres këtu, nëse ti nuk je, as unë nuk jam.”

Unë u ktheva, por ti, as nuk ishe, as nuk të pashë…

Ika dhe unë, në ishullin tim të vetmisë së bekuar, ika larg, kurrë për të mos të takuar.

Dhe ti vjen një ditë, me letra zverdhur, shkruar çdo ditë për mua, por zemra ime ishte ftohur dhe ishin ato një mijë arsye për të të mbajtur larg vetes sime;

por tani me një grusht brinjësh të thyera a damarësh gjethesh të thara e mbytur nga kujtimet dhe frika e humbjes, vendosa të nisem për udhën e gjatë pa krye e pa kthim…

Nuk di nëse do t’i lexoj më letrat e tua, por di që do të shkruaj të miat.

 

Th.C.

“Frymë e ujtë hapash të kaltër”

Comments (1 posted):

Nje nene permetare. on 12/08/2017 19:56:39
avatar
Vertet dhimshuri sa dashuri e nje cupe PERMETARE.Mbiemri sa atesia ua thote te tera..Mos paci ndarie te tilla moj bije...
Nje nene permetare.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1