Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | PROVE NE DASHURI

PROVE NE DASHURI

Font size: Decrease font Enlarge font
image BEDRI ALIMEHMETI

BEDRI ALIMEHMETI

PROVE NE DASHURI 

TREGIM

        Ishte një ditë gri dhjetori me brymë, hirnosur ca më shumë nga një mjergull e dendur nga ato të rrallat, aq të dashura për mua, falë së cilës ashtu mbështjellur me pallton e kuqe, shtrënguar pas krahut të tim shoqi, më solli ndër mend vargjet e një kënge të vjetër:

"Në ditë gri mua më pëlqen

të eci vetëm të eci, të eci

në rrugë të gjata e të pafundme

mbështjellë nga mjegulla e hirtë..."

     Pastaj portreti i tim shoqi u sfumua pas xhamit të avulluar të autobuzit, që u zhduk pas kthesës, duke më lënë buzë trotuarit, teksa në mendje përpos lejtmotivit të këngës më gjëmonte edhe mendimi enigmtaik: "Thua vërtet unë të isha e para dhe e fundit grua në jetën e tim shoqi!" Edhe herë të tjera ma kishe deklaruar këtë gjë, po kurrë si atë çast nuk më kishte brejtur dyshimi. Përse vallë? Përse pikërisht sot!? E çuditshme qe vërtet. Ky mendim nuk më ndahej dhe më godiste në tru, si tiktaku i bezdisshëm i këpucëve mbi pllakat e trotuarit. Edhe mund të jetë kështu pse jo, fundja dihet nga të gjithë dhe mua nuk më kujtohet se ku e kam lexuar, që dashuria është më tepër virtut i grave. Për dashurinë gruaja i himnizon fajet e saj. Nga dashuria ajo i sfidon kafshimet e ndërgjegjes. Vallë a nuk isha unë që e përjetoja këtë!?...

        Sapo e pikasa si zakonisht në qoshen pas përfumerisë, i gjithë trupi m'u drodh si të më kishte zënë korenti. Fiksimi i vështrimeve sikur më solli në çast aromën e trupit të tij, të plotë e ngacmuese në kulm, që më kujtonte plazhin, diellin, detin, valët lozonjare, gjelbërimin e natyrës, ndjenjat përvëlonjëse.

        Si edhe herë të tjera do ta kalonim paraditen në shtëpinë e tij. Kjo gjë na qe bërë e zakonshme, sa herë që im shoq nisej në shërbim. Për herë të parë të them të drejtën pata shumë emocione, më mirë do të qe të thoja më ngërtheu një ndjenjë frike e çuditshme, më dukej sikur nga çasti në çast nëpër hapësirë-qetësinë e atij apartamenti komod, nëpër atë gjysmëerrësirë të butë papritmas do të më shfaqej ajo e shoqja, e hollë, e brishtë gjithnjë snobe dhe mbi të gjitha tepër seksi...

        E kisha humbur krejt, qe zëri i tij që më solli në vete, qe ai timbër i veçantë e turbullues: "Ç'ke kështu, përse rri si e hutuar?" Diç doja të thoja, por me buzët e lëngshme ma mbylli gojën me një puthje të tejzgjatur: Si ngahera më ngriti peshë dhe për një kohë të gjatë u përndezëm keqas në divanin e kuzhinës. Riti i zhveshjes nisi faktikisht në dhomën e gjumit. Magjija e prekjeve, puthjeve e thëthitjeve të tij më bëri të harroja gjithçka. Dhe si mos të harroja përderisa për të arritur kënaqësinë ne kërkonim nga njëri tjetri të njëjtat gjëra. Dhe më e rëndësishmja qe se kërkonim nga ato çka i pëlqenin më shumë çdo njërit prej nesh.....

        Më pas ai u ngrit dhe shkoi të bënte kafetë në kuzhinë. Ashtu lakuriq siç isha shtrirë mbi kuvertë teksa ndihesha ende e kapluar nga gjithçka kisha përjetuar, instiktivisht shkava duart nëpër kofshët e lëmuara, të cilave ende nuk u ishin shuar fërgëllimat, çka tregonte shkallën e lartë eksituese të të gjitha vatrave të erogjenitetit tim. Pra ndihesha ende në gjendje të elektrizuar...

        Kështu pati ndodhur edhe në herën e parë. Në ditët e tjera pastaj lodrat tona erotike qenë gati të pafundme. Enkas një ditë i thashë që t'i telefonte të shoqes në punë. Ai fliste me të në telefon ndërkohë gjendej shtrirë mbi qilim nën pushtetin e lakuriqësisë time. Nuk ma merr mendja të gjendet femër në botë, që të mos preferojë kultivimin me dëshirë të patreguar, të fantazirave nga më të ndryshmet, e pse jo nga më të çmendurat, do të thoja. Nga telefoni kuiste zëri i saj melankolik: "...do vish të më marrësh sot në punë shpirt? ... nuk ke kohë ë ...s'ka problem...", kurse unë shkisja me gjuhë mbi gjoksin e tij. Ndërkohë e ndieja që buzëqeshja e fitores së arritur, më kishte pushtuar sytë. Dhe kur e pyesja më vonë përse nuk ma kundërshtojë këtë mani gati prej të çmendure, më thoshte: "E kam si parim bazë në marrëdhëniet e mia intime, që më është ngulitur që në fillimet e rënies në kontakt me femrat për herë të parë. Pra për mua është e drejtë absolute e partneres që të vendosë se ku, kur dhe si të dëshiroj ajo. Dhe në të kundërt kur nuk dëshiron. Për mendimin tim meshkujt që e shkelin këtë parim, pra që e detyrojnë partneren jashtë dëshirës e vullnetit të saj, janë përdhunues vandalë".

     Një herë tjetër po në shtëpinë e tij, ndërkohë që jashtë kishte filluar të binte një shi i tërbuar, mora nga garderoba e së shoqes fustanin më të bukur dhe e vesha. Ngaqë isha disi më e ngjallur më erdhi, ngjitur pas trupit, duke m'i nxjerrë më së miri në pah përvijimet e tij, kur iu shfaqa e tillë në derën e kuzhinës, ai shtangu, jo se u tremb, por më tepër them nuk i erdhi mirë. Dhe faktikisht kjo e fundit ka mundësi të jetë më e saktë, sepse e vura re kur iu ngjesha pas gjoksit ai u step, por unë nuk doja t'ia dija, Isha e vendosur për ta çuar deri në fund atë që kisha nisur. Ndjehesha tepër e eksituar ndën rrobën e rivales dhe isha tmerrësisht kureshtare të dija: vallë ç'përjetonte ai mashkull në atë moment aq intensiv me trupin e së dashurës, që fërgëllonte ndën petkun e bashkëshortes. Isha vërtetë e marrë në fantazitë e mia. Do të ishte vërtet çmenduri, nëse do t'ia bëja pyetjen! Të gjitha këto m'u kujtuan tek ecja e vendosur e tepër konseguente drejt tij.

- U vonova më duket? - thashë - Ke kohë që pret?

- Eshtë vërtet një kënaqësi e veçantë të të presësh ty, - më tha duke m'i marrë duart e akullta në të tijat prush, ndonëse më shumë u ngroha nga drita e syve të tij....

        Kishim më shumë se një orë shtrirë mbi lakuriqësitë tona dhe masazhonim njëri tjetrin ëmbëlsisht  mbi konformimet më të hajthëm të trupave, kur befas dëgjuam kërcitjen e çelsit në barvën e derës. Ngrimë në vend. Ai vetëm sa arriti të pëshpëris disa herë emrin e saj dhe si vetëtimë kam rrëmbyer teshat në gjoks, pallton krahëve dhe se mora vesh as vetë se si arriti të më strukte pas turrës së druve në ballkon, duke më hedhur përsipër dy thasë të vjetër. O Zot mos i ndodhtë as hasmit! Qe një diçka me të vërtetë e paimagjinueshme. Gjithë ai kurm femëror që deri pak më parë, buronte e dhuronte kënaqësi pafund, tashmë gjendej ndën pushtetin poshtëronjës të atyre ndyrësirave.

- Ti këtu! - u dëgjua nga brenda zëri melodioz i saj. - Më rëntë një pikë!...Je sëmurë?... Ua, po ti qenke mbytur në djersë!

     Nga xhami i derës së ballkonit, nëpërmjet një hapësire të perdes, arrita ta dalloja paksa tek përkulej mbi të.

- Kisha harruar të merrmja hartimet e nxënësve, - vijoi ajo, - je ndërruar, dale të të shoh. Mos u bëj kalama tani.

     Me sa dukej ai nuk e linte ta zbulonte.

- Ua lakuriq! Çilimi fare bëhesh nga një herë.

     Ajo i gudulisi gjoksin leshator dhe ai qeshi.

- Të vjen mirë, hë vogëlush, - ajo u përkul mbi të dhe e puthi gjatë në ato buzë që ma kishin thëthitur të gjithë buzëkuqin.- Ta hap pak derën e ballkonit sa për të ajrosur dhomën?

     O perëndi e madhe mos e dhënç kurrë, gati më ndali zemra së rrahuri!

- Jo, të lutem mos e hap, - këmbënguli ai në çastin që ajo vuri dorën mbi dorezë. - Kam ftohtë.

     Dhe e tërhoqi nga dora tjetër për nga vetja. Ajo iu lëshua e tëra mbi trupin e tij ashtu siç qe e veshur me gjithë pardesynë gri, që i shkonte aq shumë dhe që unë ia rekomandoja ta vishte, se i jepte pamjen e një jashtokësoreje.

- Të të ngroh unë, shpirti yt, - pëshpëriti ajo e ndezur pas shkëputjes nga puthja e tij.

     Pak çaste më vonë dy pëllëmbë aq të njohura, që disa minuta më parë kishin shkitur aq magjishëm nëpër kurmin tim, zunë të lëviznin mrekullisht mbi pardesyn e hirnosur...

     Ende adoleshente një shoqe më kishte treguar që i kishte rastisur të përgjonte padashur prindërit duke bërë seks dhe kurrsesi nuk më kishte shkuar në mendje, që do të bëhesha spektatore me kusht i një skene të tillë. Dhe në ç'kondita! Në njërën dorë kisha çizmet, me tjetrën shtrëngoja pas gjinjve fundin, pulovrin, mbathjet me dantella dhe reçipetat e zinj, mbështjellë me pallton e kuqe, ndën thasët e pistë, duke u dridhur si purtekë nga të ftohtit. Më të poshtëruar nuk e kam ndjerë veten. Lotët më buruan vetvetiu. Për kë qaja? Për kë? Për veten, për jetën time, për dashurinë tonë, për ndjenjat, kënaqësitë... O Zot i madh përse e ke ndërtuar kaq të ngatërruar këtë botë?         Trokëllima e takave të saj në trotuarin poshtë ballkonit më solli në vete. Ndihesha totalisht jo e poshtëruar, por më e saktë do të qe të thoja e përdhunuar. Duke fërgëlluar si një epileptike zura të vishesha. Ai qëndronte ende shtrirë.

- S'kisha si veproja ndryshe - tha.

     Nuk i dhashë përgjigje fare, në hundë kisha ende aromën kutërbonjëse të thasëve të pistë. Mbathjet e bardha borë, që i kisha hekurosur me aq kujdes, tek i shkoja në gjatësinë e kofshëve, më dukeshin si të përbaltura dhe jo vetëm ato, por të gjitha teshat, e deri edhe çizmet e lustruara më dukeshin si të kishin qenë zhytur në llum.

     Ç'qe vallë e gjitha kjo? Mos ndoshta shpërblimi për pangopshmërinë e treguar pas plotësimit të idesë intriguese për joshjen e një mashkulli tjetër? Eh! Jetë! ....

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1