Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | Një pranverë e shkurtër liberale

Një pranverë e shkurtër liberale

Font size: Decrease font Enlarge font
image Thani Naqo

Si gjithnjë, kaps. Llërët, nën përthyrjen e gjunjëve, iu mpinë; wc-ja ish alla-turka. Kërkon me sy letër higjenike, por Mashkullorja e kishte paralajmëruar që mbrëmë:

“Me zor kaurdisem, gjersa të mar kompesimet e internimit.”

Nder dorën drejt një shporte; ishin blloqe debi- kredi të mardhënieve financiare midis SMT- së me fermat e kooperativat bujqësore. Firmuar,

 me germa të mëdha shtypi, CICERONI. Ciceroni, bir marrangozi, që në fëmijëri, kish qenë një nga shokët e tij më të mirë. Ritur bashkë, lodruan së bashku e ëndërrimet rinore i patën fryrë më fantazi të tejskajshme gjer ditën e fundit kur ai shuku dorën me të,

 pikërisht në mbrëmjen e natës të arratisjes.Ai, Magelani ish i pasionuar mbas historisë e arkeologjisë, kurse Ciceroni ëndërronte të bëhej poet i madh. Në katin përdhes të shtëpisë kish sajuar studion: një faqe muri me libra dhe, pas murit tjetër, tavolina

 me dërrasa dograma e veglat e dorës të marrangozit. Ciceroni kish flokë të zinj, të lëpirë, pa formë. “Floflokët e mimi jajanë mamagjikë,” - thoshte me të folurën gojace. Kalonte pëllëmbën sipër kokës e flokët lëviznin vetiu majtas, djathtas e vrrik përpjetë,

 si ndodh rëndom më gëzofin e maces magnetizuar nga përkëdhelja. Poetë të zemrës kishte Pushkinin, Eseninin e Bërnsin.

“Mmë ndendendezin pruprushin e dadashurisë,” - thoshte për ta.

Mirëpo, Ciceroni i detyronte shokët të betoheshin se poezitë e tij do të mbeteshin sekret deri ditën e botimit. Betimi bëhej duke i bashkuar

 pëllëmbët një mbi një, shoqëruar me sharje të fëlliqura në dialektin autokton. E vetmja femër, që vinte në studion e Ciceronit, ishte Mashkullorja. Në rritin e betimit, ajo zinte veshët me pambuk e pastaj vinte pëllëmbën mbi të djemve. Ciceroni këmbëngulte

 se poetët kanë maninë të rrëmbejnë vargjet e idetë e njëri tjetrit, siç vidhen bankat në botën kapitaliste.

“Trëk-fëk e hahajde gjegjeje.”

Një mbrëmje dimri, para se të recitonte poezitë e reja, tregoi sekretin e madh: kish gjetur mënyrën të mos i merej goja. Këtë e kish

 zbuluar në një libër të Plutarkut. Gojëtari i famshëm Ciceron, para se të bëhej i tillë, ish i lindur gojac, por edhe që kish patur në majë të hundës një nishan si qiqër; nofka Ciceron i mbeti nga fjala qiqër. Këtë fjalë pellazge e rrëmbeu latinishtja. Mbasi

 tregoi se ç'kishte bërë Ciceroni i lashtësisë në bodrumin e nëndheshëm, mbi tavolinën e drunjtë të zdukthtarit vendosi një dorë me aliçë të lëmuar lumi, në madhësinë e vezës të pëllumbit. Futi tre a katër prej tyre në gojë e filloi recitimin. Fillimisht u

 dëgjua përplasja e guralecëve e, pastaj, një gurgule frazash pa kuptim; pas disa sekondave iu përgjakën buzët.

“Mjaft!, - kish thirrur Patoku i Majmë me zë bubulluës. - T’u çanë buzët!”

“Ndalo recitimin!,” - kish klithur femërishte Mashkullorja.

“Po të rrjedh gjak nga goja!,” - kish thirrur ai, Magelani.

“Do mbetesh gjuhëcoptuar!,” - kish klithur me zë fëmijëror, Kukllashi, djali i doktorit.

Mirpo poeti kalonte aliçët nga njëra anë e gojës në tjetrën e nuk donte t’ja dinte për gjakun që i rridhte mbi mjekër e as nga të thirrurat

 e shokëve. Atëherë Mashkullorja kish rënë në gjunjë para Paganinit, i cili qe ulur në qoshe të studios, me kitarën mbi gjunjë.

“Foli Paganin, - iu lut, - ty të dëgjon.”

Djaloshi kitarist me nofkën Paganin ishte nga Vëra e Ariut. Në koncertin e shkollarëvë luajti me kitarë disa pjesë të Shtrausit dhe spektatorët

 kishin brohoritur:

“Roftë Paganini ynë!”

Paganini lëshoi kitarën mbi tavolinën e marangozit e tregoi pëllëmbët e mëdha.

“Lëkura e mollzave të gishtave te mia,- tha gjakftohtë, - është ndruar më qindra herë, gjersa mbinë kallot. Artistët nuk duan t’ia dinë

 nga dhimbjet. Arti i vërtetë bëhet me mundim e me gjak!”

Më së fundi poeti i derdhi aliçët mbi dysheme dhe ndërkohë që Mashkullorja ia pastronte buzët e mjekrën më shami, ai këmbëngulte se edhe

 futbollistët e Brazilit stërviteshin në fusha me rërë por, “kur bjebjenë në totokë të fofortë, - tha, - bëbëhen rrarraketë!” Dikush nga shokët nuk deshi t’ia dijë për betimin fjalëfëlliqur e, krye javës, humbi nofka Gojaci i Mençur; qyteti e pagëzoi me nofkën

 e re, Ciceron.

Në fillim të maturës Ciceroni botoi librin e parë me poezi lirike. Libri bëri bujë në shtypin letrar, kurse gjimnazistët dhe ata të shkollës

 së mesme bujqësore, organizuan mbrëmje letrare dhe recituan vjershat e tij.

“Në principatën e Enkelejve lindi një poet që do të bëjë emër,” - tha Lenini i Vogël, profesor i filozofisë të gjimnazit.

Mirëpo, pa ikur ende pranvera,befas u ftoh moti, ra dëborë e përzier me breshër dhe ngjarjet rrodhën në drejtim të kundërt për Ciceronin.

 Trëndafilja, vajza e taksixhiut, për të cilën ai kish shkruar gjithë ato vjersha dashurie, kish mbetur shtatzënë. Drejtori i gjimnazit u thirr urgjent në ministrinë e arsimit dhe në qytet erdhi vetë ministri; u muar vendim për përjashtimin e Ciceronit e Trëndafiles

 nga shkolla. Trëndafilja shkoi në shtëpinë e dhëndërit pa ceremonira fejese e dasme, kurse Ciceroni, kryeneç, filloi punë në lavazhin e zhavorrit.

Ndërsa lan fytyrën, Magelani kujtohet se u arratis atë vit që diktatura mbushi burgjet me liberalë.

Comments (1 posted):

thani naqo on 12/08/2017 00:02:37
avatar
Hej,Fatmir Terziu! Të tungjatjetoj dhe të përqafoj nga larg, të uroj mbarësi,o njeri i përkushtuar për artin!Gjithnjë, me shumë respekt për Ju edhe për Fjalën e Lirë dhe për të gjithë fjalëliristët që publikojnë shkrimet e tyee këtu!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1