Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TREGIME | ... jo s'duhet harruar!

... jo s'duhet harruar!

Font size: Decrease font Enlarge font
image Ana Kove

2 korriku, jo s'duhet harruar!

Ёndёrroja shumë të shkoja në atë shtet. Disa bashkëmoshatarë të mi, trashëgimtarë të lagjes sё famshme dhe të tmerrshme të "Bllokut të udhëheqësve", shkonin edhe për të hequr dhëmballët, me avion. Ne tё tjerët, jo. Nuk mundeshim. Duhet të mësonim këtu, në shkollat ku formohej "Njeriu i ri".
Po bëhesha gati për provimet e diplomës dhe mendoja shpesh sikur të studioja atje më pas. Ai vend bashkë me shkrimtarët dhe filozofët e tij më ndillte jo vetëm nëpër ëndrra. Kisha filluar të mësoja dhe gjuhën që flitej atje.
Një ditë ndodhi çudia. Nuk po kuptoja asgjë. Më thanë se ishin hapur ambasadat. Të gjitha. Ishte hapur edhe ambasada e shtetit-ëndërr. Njerëzit ishin të çoroditur, dhe shumë prej tyre derdheshin rrugëve për të ikur. U derdha dhe unë drejt valixhes sime dhe hodha në të ca libra, një fjalor të vjetër dhe ca ndërresa intime. Udhën e bëra pafrymë dhe pamenduar. Brenda mureve të ambasadës, në tokën që njihej si e shtetit të huaj, fillova shumë shpejt dhe unë të ndihem e huaj me veten, me njerëzit rreth e rrotull. Nuk njihja askënd mes turmës së madhe. Koha kishte ngecur në vend. Jashtë hekurave thoshin gjëra të tmerrshme. Përmendej Mali me Gropa, si ndalesa e parë; dhe kushedi pastaj edhe ndalesa e fundit e jetës sonë. Thoshin se familjarët tanë i prisnin ditë të zeza në burg e internim e kushedi më pas ndonjë gjë edhe më e keqe... U fol sikur një shkrimtar yni i shquar kish thënë se ishim "jashtëqitja e kombit".
E frikësuar, dhe në panik, filloi të më kutërbonte në hundë era e gjakut dhe jashtëqitjes, ndaj dhe nuk s’po duroja dot më brenda. Vendosa të dal përsëri jashtë. Në çastet që po i afrohesha portës, dikush më thirri në emër. Nuk e dija që kisha pasur të njohur aty brenda. Fytyra e tij s’m’u duk e njohur, por as m’u dha ta pyesja se ku ma dinte emrin. Djali më pyeti, nëse kishte ndonjë gjë të dobishme valixhja ime për të. Më tha se s’kishte pasur kohë të merrte asgjë me vete. Unë i lëshova në dorë valixhen siç e kisha, pa hequr asgjë, asgjë, dhe kapërceva portën me shpejtësi, madje pa e pyetur as për emrin. 
Mendja s'më punonte më për gjëra të parëndësishme, ose shumë të rëndësishme. Edhe mendimet më dukej se kishin erë të keqe, po t'i ndillja.
Më vonë, shumë kohë më vonë erdhi nga jashtë shtetit një pako në emrin tim. Dërguesi nuk më ishte i njohur nga emri, por gjithsesi shkova tërë kureshtje drejt zyrave të shërbimit postar. Më kishin dërguar përsëri valixhen time. Brenda saj ishin plot libra dhe fjalorë të rinj, edhe ca intime të reja grash.
Ishte dhe një letër.
I panjohuri, nuk di në mund ta quaj kështu, më falënderonte shumë, shumë për gjithçka. Më thosh se gjithë ç'kish pasur valixhja brenda kishte qenë shumë, po shumë e dobishme. Fjalorët, librat. Madje dhe intimet. Madje, ato më tepër.
* * *
Prej kohësh thosha se do jepja dorëheqjen nga puna, se më ishte mërzitur jeta që bëja me valixhe në krah. Sapo kthehesha nga një udhëtim, pa u ngrohur ende shtrati në shtëpinë time, duhet ta lija për të ngrohur një tjetër shtrat, në kushedi ç'hotel të botës. Ja, para se të më thoshin se do nisesha me shërbim për atje, doja të jepja dorëheqjen. Ndryshova mendje. Në këtë vend nuk kisha qenë kurrë më parë, veçse në ëndrra. Në ëndrrat e moshës më të bukur. Atëherë kur ato kanë ngjyrën e qiellit dhe peshën e borës. Kur mora lajmin, u rrëqetha, njësoj si shumë vite më parë. Fillova të bëhesha gati, si për një udhëtim të veçantë. Kisha shumë emocion. Doja ta zgjasja pafundësisht kohën e paranisjes. Bëra gati dosjet e punës për shumë pak kohë, dhe m’u desh shumë kohë të bëja gati sendet e mia private. Ky udhëtim kishte shumë rëndësi për mua. Kishte qenë udhëtimi im i parë imagjinar. Do të ishte i fundit. Kështu kisha vendosur. Ta bëja realitet. I isha shmangur shumë e shumë vite, si diçkaje të shenjtë e të shtrenjtë, që mjaftohesh vetëm ta ledhatosh në kujtime, nga frika se mos realiteti ia humb shkëlqimin dhe magjinë tërheqëse. Teksa vendosja sendet në valixhe, shpesh duart më dridheshin. Kisha menduar se ajo pjesë e të shkuarës sime ishte harruar, por jo. Ja, ky udhëtim për në atë vend, dhe kujtimet vërshuan si llavë vullkani. Gati të më merrnin frymën dhe shpërthenin gjoksin. Hallakatur mes sendeve të nevojshme dhe të panevojshme dhe përpjekjeve për të vendosur paksa rregull mes tyre dhe nevojave të mia reale, çdo gjë tani ishte pothuaj e pamundur. Po ngatërrohesha gjithnjë e më keq. Tri herë e mbusha dhe e zbraza valixhen. Mendova se më shumë se sendet e domosdoshme, po më ngatërronin kujtimet e së shkuarës. Valixhja e re prej lëkure të firmosur nuk mund t'i mbartte dot ato vite; nuk i njihte, nuk i pranonte dot. Më dukej sikur kundërshtonte herë pas here përpjekjet e mia për të vënë rregull. Nuk po ia dilja. Vendosa të marr valixhen e vjetër. Ajo rrinte në bodrumin e shtëpisë. E shihja sa herë futesha atje për të lënë sendet që i nxirrja nga përdorimi. Objekte si ajo kishte shumë kohë që nuk shiheshin më rreth e rrotull. Kjo valixhe plastike gri mbajti për katër vjet bashkë me rrobat edhe shumë grimca të tjera të vogla, që përbënin jetën e atyre viteve. Ajo i duhej kujtimeve të mia, i duhej të shkuarës sime që tani po kthehej në grishjen e një udhëtimi në të tashmen. Të udhëtimit më të dëshiruar: atij që po bënte realitet ëndrrën e atij 2 korriku të largët.

(nga libri Shen Valentin, ku ishe - Tirane 2004

Comments (1 posted):

S.Athanasi on 10/08/2017 08:53:22
avatar
z.ANA!
Rrëfimi është shkruar mirë. Madje, si me një frymë. Ka mjaft jetë, ashtu siç hapsirë për vazhdimsi, aty gjen. Detaji i dhurimit të valixhes së vjetër (me gjithçka brënda ) jo vetëm është i gjetur, por tejet origjinal dhe. . . . Sa mirë do të qe sikur ai portbagaxh të shfrytëzohej për një vazhdimsi. Këtu do të duhej trilli artistik si domosdoshmëri që kjo copëz e pastër jete të konsiderohej TREGIM.
Urime! Gjithsesi shkrimi Juaj premton krijimtari.
S.Athanasi!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
4.50
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1