| Su | Mo | Tu | We | Th | Fr | Sa |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
TE FAMSHMIT JETOJNE DY HERE -
Kalerbit iu duk mjaft i çuditshëm ky lloj arti muzikor dhe ajo mënyrë e veçantë të kënduari, që dilte pa kurrfarë sforcimi nga gryka e rrudhosur e indigjenit. Përbën një fakt të pamohueshëm se fjalën art Kalerbi e vërtiti për disa çaste ndër mendje. Me mendimin se, në fund të këngës, duke i rrahur me dashamirësi indigjenit të moshuar shpatullat e tij lakuriqe, do t’i jepej gjithashtu mundësia për tu njohur me të.
Kështu është ndërtuar Kalerbi. Kurrë nuk lë ti shpëtojë nga dora një njohje e re. Kjo është arsyeja që gëzon miqësinë e mjaft njerëzve të shpërndarë sot anë e mbanë rruzullit të tokës.
Tundja e marakas-it në ajër si dhe rrotullimi i pafund i gjuhës së palodhur të zbardhur nga pështyma, midis dhëmbëve të rënë e kordave të vjetëruara zanore, brenda në gurmazin e tharë të indigjenit, Kalerbit i dha përshtypjen se qe duke marrë pjesë në ndonjë lloj espectáculo pa vlerë.
-Eh, duf i vogël, i gjorë, i nxjerrë nga gjuha me myk të bardhë e një indigjeni të shkrehur në jetë!... -Mendoi pacienti i “Shën Polidorit” me vete.
Kishte më shumë se gjysmë ore që e dëgjonte pa ja ndarë sytë. Më shumë se sa i dehur, i moshuari të jepte përshtypjen e një endacaku të droguar me yopo. Monotonia vijoi derisa burri i panjohur nxorri nga trasta një fyell të ndërtuar me dru bambuje e më pas filloi ti binte...
Porsa Kalerbi dëgjoi notat e para të fyellit të indigjenit të moshuar mbeti si mahnitur. Iu duk për një çast, sikur prej atyre tingujsh të mrekullueshëm, të riprodhuara me mjeshtëri prej frymës dhe buzëve të trasha të indigjenit, gjendeshin duke fluturuar përreth tij në trajtë harabelash të zinj, andeanë, shpirtra të panumërt, si të prejardhur prej frymës më të lashtë të qënieve të para të kontinentit amerikan. Sikur të qe duke u zhvendosur e afruar drejt Marakaibos në heshtje, vetë zinxhiri malor i Andeve, Kordilieret tij e famshme apo një botë e tërë mistike si ajo e Inkasve të Perusë! Edhe pse muzika e fyellit e shtrëngonte vizitorin padashur, të kthehej pas në kohë, disa mijra vjet më parë, tingujt i krijonin përshtypjen se melodia duhet të kishin lidhje me vetë jetën e tij. Të tanishmen. Dhe, akoma më shumë, me kohën e jetuar në të kaluarën, të humburën, foshnjërinë e vet, moshën e dashurisë së parë, adoleshencën... Ose vetë jetën e pa jetuar në Lindjen Europjane. Fyelli i indigjenit të moshuar të bënte të ndjeheshe njësh me natyrën. Me vetë misterin. Pezullinë e pafajshme të shpirtit ëndërrues... I dukej sikur vallëzonin para një truri të hutuar e si të dehur ca tinguj me të vërtetë emocionues e evokativë. Magjikë. Fantastikë... Kalerbi ndjeu për një çast dëshirën që melodia e të panjohurit të mos përfundonte kurrë. Qoftë edhe sikur, i mbushur me një përgëzim të sinqertë e të përjetshëm, të mos arrinte dot kurrë të rrihte shpatullat lakuriqe të indianit virtuoz.
Kur fyelli pushoi së nxjerri tingujt e mësipërm, vizitori europjan mendoi se nuk kishte më kuptim të krijonte miqësi sipas mënyrës së parë: me rrahje të përzemërt krahësh lakuriq. Më mirë do të qe të priste. Parapëlqeu të qëndronte si i gozhduar në bankinën e gurtë të Parkut, pa ja ndarë për asnjë çast sytë burrit të moshuar dhe tymit të kaltër që, në ca intervale fare të shkurtra, lëshonte purua e tij e gjatë. Dalloi që indiani nuk e thithte aspak me atë pasionin e thellë të një tymuesi të etur. Porsa e vinte cigarin në gojë, pothuajse pa e thithur, e largonte nga buzët menjëherë, sikur të bëhej fjalë për një fëmijë të vogël e cila porsa kishte mësuar të luante me të thithura me një puro të ndezur dhe, njëkohësisht, të kujdesej të mënjanonte një aksident të mundshëm: fare papritur, ta zinte kolla në sytë e më të mëdhenjve.
Edhe indiani filloi të mos ja ndante vështrimin Kalerbit. Shikoheshin sy ndër sy e në vijim i drejtonin sytë drejt qiellit. Më pak drejt barit. Nuk flisnin, ndoshta, duke pritur me durim rrjedhjen e disa çasteve të padëshirueshme e të plogështa për të dy palët. Kjo qe arsyeja që vizitori europjan, për të thyer heshtjen, nxorri nga xhepi i pantallonave një magnetofon të vogël, për të cilin dinte qysh më parë, që kaseta e ndodhur brenda tij, fillonte me këngën Marakaibo. Ishte tastiera e dytë që do ti duhej të mëshonte pa e parë. Dinte gjithashtu emrin e këngëtores interpretuese. Rafaela Karrá. Pa i hedhur fare sytë, duke prekur me gishtërinj katrorët e vegjë, nuk vonoi për të shtypur butonin play. Mbasi, jo më kot, pas rënies së Murit të Berlinit, pothuajse gjithë të vërshuarit prej Gardheve Lindore kishin arritur të mësonin, brenda një kohe fare të shkurtër, përdorimin përmendësh të paisjeve të kësaj natyre e më gjerë...
Pas shak-shak-ut të zgjatur në ajër të marakas-it, këngës monotone dhe tingujve misteriozë të fyellit vora, Kalerbi ndiente në shpirt nevojën se duhej ta përshëndeste edhe ai burrin e moshuar me një këngë të dedikuar qytetit të Marakaibos, në mënyrë që më pas, ti hapej rruga për të goditur, i kënaqur deri në palcë, shpatullat e tij të dobta...
Si të gjitha psikologjitë e shtypura të botës ku jetojmë, kurrë nuk heq dorë Kalerbi prej manovrash të tilla, të shkathta e me origjinë lindore, në përpjekje për tu njohur me njerëz të panjohur. Kjo qe arsyeja që qysh më parë se të vinte këmbë në Marakaibo, kishte marrë masat nëpërmjet manjetofonit, kasetës dhe këngës së Rafaelës. Jo vetëm indigjenin e moshuar në Kopshtin e gjelbëruar të Botanikës, por edhe mjaft miq të tjerë të familjes së kushërirës së tij të katërt të martuar në qytetin e mësipërm, pesë deri gjashtë minuta pas njohjes, Kalerbi do ti përshëndeste pothuajse të gjithë nëpërmjet këngës në fjalë.
Befas indiani e pyeti në një gjermanishte të kulluar:
-Mos vallë jeni shqiptar?
Kalerbi ndjeu për një çast ti vinte koka vërdallë. Nuk arrinte t’ia nxinte kurrsesi mendja, që një indigjen me një fytyrë të rrudhosur si ai, e përngjashme me një palafike të staxhionuar mesdhetare, të kishte dëgjuar rreth ekzistencës së një vendi të vogël si Shqipëria. Për më tepër, i moshuari dinte gjermanisht. Përbënte një fakt që ja dyfishonte habinë. Pati për një çast idenë se mos kishte të bënte me ndonjë qënie misterioze. Një shpirt fantastik!... I cili, njësoj si ai i Kalerbit, gjendej i futur në një karkasë të re trupore. Pik së pari, nuk kishte arritur të merrte vesh se si ai person i çuditshëm, i qe ndodhur pranë atë mëngjes të bukur pranvere. Përderisa, porsa Kalerbi u gjend i ulur në bankinën e gurtë të parkut, dy-tre çaste më pas, plaku i dha përshtypjen sikur mbiu fare papritur nga dheu. Ose ra nga qielli pa bërë kurrfarë zhurme...
-Një nga të dya... -Pëshpëriti i çuditur deri në palcë, pacienti i spitalit mendor të Shën Polidorit.
VIJON







del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment