| Su | Mo | Tu | We | Th | Fr | Sa |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
BEFASIA E NJË DITE DIMRI
I hidhëruar, zhgënjyer, dëshpëruar për të kushedi të satën herë, po kthehej në shtëpi atë ditë të ftohtë dimri. As këtë herë nuk ishte pranuar në punë. Jo që kishte shpresuar dhe aq. Madje, edhe kur po nisej i kishte menduar në vete fjalët çfarë do t’i thoshte gruas po të refuzohej. Asnjëherë nuk i shkoi në mend se mund të pranohej. Edhe tani në të kthyer, akoma bluante në kokë të njejtat fjalë duke u munduar të gjente një mënyrë sa më të lehtë për t’ia thënë. Apo më saktë, për t’u pranuar nga e shoqja. Duhej t’i tregonte të vërtetën patjetër po fjalët duhej të tingëllonin plot shpresë. Asesi dëshpruese. Zhgënjyese. Ndryshe, ajo e gjora do të sëmurej prapë. Në fillim do të mundohej me të gjitha forcat të përmbante karshi tij pikëllimin që ia tradhëtonin sytë e mbushur dhe zëri që i dridhej. Do t’i jepte kurajo duke i thënë se do të bëhej mirë, se do të vinte një tjetër rast dhe më i bukur akoma. Pastaj do ti merrte fëmijët në dhomën tjetër dhe pasi t’i vente në gjumë do të qante e qante heshtur, gjer sa të ngopej. E nuk kishte të ngopur dot. Sepse e nesërmja vinte prapë me të njejtat halle edhe më të nevojshme se të djeshmet. Kështu ajo do të zgjohej prapë me dhimbje koke nga të qarat e pagjumësia pa ndonjë zgjidhje për gjithë ato nevoja jetësore që kishin zgjatur radhën si një gjarpër gjigand sa si dukej as koka as bishti.
Teksa po i mendonte të gjitha këto iu duk sikur që të dy po luanin një lojë aktrimi me njëri tjetrin pa ngadhnjyer asnjeri. Pa u mashtruar asnjeri. Njëri lozte mospërfilljen kinse nuk ishte dhe aq tmerrshëm siç dukej, tjetri lozte besimin kinse besonte në atë që po shihte tek tjetri. Pastaj, tjetri prapë lozte besimin ndaj këtij që po luante besimin... Bah! Qesharake. Vërtetë qesharake. Megjithatë, më mirë kështu. Të paktën sa të kalonte ai moment i përballjes me sytë e saj shndërruar në një pritje aq të frikshme sa ai e kishte gjithnjë e më vështirë t’iu qëndronte me sinqeritet.
Fjolla të shpeshta e të imta bore luhateshin para syve të tij dhe nuk dihej në binin nga qielli apo i fshinte era e fortë nga shtresa e dëborës në tokë. Përreth tij shtrihej një peisazh i trishtuar e i ftohtë që aq shumë i ngjante gjendjes së tij shpirtërore e që fare nuk e tërhiqte për ta soditur, ndonëse edhe ashtu nuk mund të lëviste lirisht kokën pa lëvizur në të njejtën kahje edhe trupin nga rrobet e trasha me të cilat ishte mbështjellur këmbë e krye. Vetëm kur në hyrje të stacionit të autobusëve i rrëshqiti këmba, atëherë tërë gjymtyrët e trupit të tij lëvizën pavarësisht nga njëra tjetra duke kontribuar në mbajtje të drejtëpeshimit thua se nuk qenë të njëjtat të shtanguara pak më parë.
Me të arritur tek sporteli u shtang prapë, po këtë herë jo nga të ftohtit. Në xhepat e sakos nuk i kishte të hollat e ndara për buletën e autobusit. Kontrolloi për të kushedi të satën herë me shpresën e shurdhër se mund t’i ishin strukur diku në ndonjë qoshe të xhepit për të cilën nuk kishte ditur gjer atëherë, por kot. Të hollat nuk ishin. Duhet të më kenë rënë kur desh u rrëzova, murmuriti ndër dhëmbë. Dhe ec e gjeji tani nëpër atë borë. Ishte e pamundur. Zot, edhe kjo mu desh, vajtoi në vete fatin e tij. U ul në njërën nga karriget e radhitura për udhëtarët që prisnin dhe po mblidhte veten. Njerëzit hynin e dilnin pa u ndalur, secili në drejtim të vetin, pa ia hedhur sytë fare mbase të vetmit njeri në mesin e tyre që nuk dinte çfarë priste.
Kishte rastin të shikonte me nge. Edhe tiparet e udhëtarëve që pa fjalë rrëfenin drejtimin e tyre. Nëse ishte shtatmadh, me flokë e vetulla të kreshpëruara mbi sytë që shikonin si turjelë, atëherë dihej se ishte nga malësia. Veshjet e rënda nga shajaku shoqëruar me plisin e bardhë që s’donte t’ia dinte të ftohtit tani në dimër siç nuk kishte dashur t’ia dinte as vapës në verë, tregonin fshatarin e skuqur e të gjallë në lëvizjet e fjalët e tyre për motin e ashpër që po mbante e bereqetin e mbledhur, më të begatin e pas luftës, të cilat nuk pushonin të rridhnin nëpër avuj goje me të takuar ndonjë të njohur. Ndërkaq, të tjerët, të veshur më së tepërmi po që dridheshin më së shumti nga të ftohtit ishin intelektualët. Kur i vështroje të dukej se Sokrat e Aligier kishin braktisur kokat e tyre duke ua lëshuar vendin krejtësisht fijeve nervore që s’pranin së treguari gradët e ftohtësisë. Kishte edhe të kombinuar që në të njejtën kohë mund t’i quaje malësorë, fshatarë apo intelektualë qyteti ( gjithmonë kishte pasur bindjen se intelektualët jetonin qyteteve, jeta e rëndë e fshatit sikur nuk të mundësonte edhe aq luksin e të lexuarit ). Kur i shikoi të gjithë përnjëherësh iu bë se gjindej në një shtëpi të madhe cirku përplot klounë hundëskuqur ku secili luante i përqëndruar rolin e vet. Lypësa të leckosur, mikpritësit e vetëm të asaj shtëpie e të cilët më së tepërmi u gëzoheshin hyrje daljeve të udhëtarëve, ecnin ngadalë me shprehje të njejtë lutjeje skalitur në fytyrat e ngrira ose qëndronin ulur në të dy anët e hyrjeve të stacionit. Për çudi, atyre nuk iu kishte skuqur hunda megjithë të ftohtit e madh, dhe ashtu nuk i ngjanë fare në klounë si të tjerët. Në vend të hundëve, sytë e tyre të hapur tej mase sa dukej sikur dëshironin të përpinin gjithë çka u dilte përpara, ishin skuqur e bërë gjak nga damarë të panumërt të labirinthuar si vetë rrugët e jetës.
Koha po kalonte aq shpejt sa shpejt po ndërroheshin edhe udhëtarët që vinin e shkonin. Më kot priti mos takonte ndonjë të njohur që t’i huazonte të hollat që i duheshin. Sa po vriste mendjen se e shoqja do të qe bërë merak padyshim nga kjo vonesë, aq më shumë po iu desh të kalonte edhe natën që po afrohej aty në ato ulëse të ftohta plastike të stacionit, një dorë e mërdhirë me disa para në shuplakë iu shtri para syve.
- Më vjen keq, por unë...- nisi të thotë kur pa para vetes njërin nga lypësat me dorën shtrirë drejt tij.
- Unë nuk ju kërkoj të holla, - e ndërpreu lypësi. Unë po jua jap, shtoi dhe heshti një copë herë si të donte të shikonte ç’përshtypje lanë fjalët e tij. Dhe me të vërtetë do të kishte dashur të kishte parë veten atë çast. Pa dyshim se kishte marrë një shprehje të re, të paparë gjer atëherë, pasi edhe një habi të tillë nuk e kishte përjetuar kurrë më parë.
- Merrini! Janë tuajat.
Dora e mërdhirë u zgjat edhe më afër tij shoqëruar me një buzëqeshje të tillë në fytyrë thuajse kishte frikë në e fyente.
- Ju kam vështruar një kohë të gjatë dhe e di se keni ngelur pa të holla. Që në fillim e kuptova këtë. Ne lypësit njohim shikimin e përhumbur të ‘lypësve’ pa marrë parasysh si duken a nga vijnë. Mu ashtu siç sheh i sëmuri simptomet e sëmundjes së vet tek tjetri. Merrini pra, po jua falë!
Nuk po i besohej. Çudia e kishte mbërthyer në vend. Zgjati dorën e rënduar plumb dhe mori ngadalë paratë nga shuplaka e shtrirë. Lypësi buzëqeshi i lehtësuar siç bëjnë zakonisht lypsat atëherë kur marrin dhe u largua duke e lënë pa fjalë, thuajse edhe pa mendje, pa shpirt. Dhe kur i erdhën të gjitha këto përnjëherësh, thirri me aq zë sa kthyen kokën shumica e udhëtarëve që gjendeshin përreth.
- Prit, prit pak! Si mund t’ua kthej paratë që mi dhatë? – e pyeti kur u gjindën përballë. Lypësi e shikoi me sytë e skuqur, pa i folur dhe u largua. I erdhi të qeshte me zë çfarë edhe njëmend bëri kur pa se edhe lypësi po buzëqeshte. Iu bë se njiheshin qëmoti e tani po talleshin me një shaka të cilën jeta e kishte thurrur në llogari të tyre po që ata e kishin zbuluar dhe po qeshnin në llogari të saj.







del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment